Lajme

Java V: Prishtina – Vllaznia 2-1

Java V: Prishtina – Vllaznia 2-1

Bardhekakltrit iu rikthehen fitoreve

Drenas, 16 shtator, 2017 – Prishtina sot ka mundur të fitonte ndeshjen me katër-pesë gola epërsi, edhe atë që në pjesën e parë. Por, mysafirët nga i vetmi rast ngushtuan rezultatin me të cilin edhe u mbyll takimi. Prishtina hyri në panik nga minuta e 79-të kur u ndëshkua me karton të kuq Maxhuni. Kurse, gjyqtari Vula edhe sot tregoi që nuk është i denjë për Superligë.

Pas kësaj fitoreje dhe pesë ndeshjeve të zhvilluara Prishtina klasifikohet e dyta me 10-pikë të grumbulluara. Në fundjavën e ardhshme e pret mbase udhëtimi më i vështirë në Gjilan te skuadra kuqebardhë.

Java V

Prishtina – Vllaznia 2-1 (2-1)

Golat: Gauthier Mankenda 16’, Basit Abdul Khalid 34’ – Alban Shillova 38’

Shikues: 500

Gjyqtarë: Kreshnik Vula (Gjk), Besnik Morika (Vu), Visar Kelmendi (Pe) - Skender Halilaj

KV: V. Bekaj, A. Dallku, A. Bashiru, B. Khalid – A. Shillova, B. Maliqi

KK:  L. Maxhuni (min. 79’)

Pozitat jashtë lojës: Pri 0-0 Vlla

Kornerët: Pri 7-2 Vlla

Gjuajtjet totale: Pri 14-6 Vlla

Gjuajtjet në portë: Pri 3-3 Vlla

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj, 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 7. Lorik Boshnjaku (77. Mergim Pefqeli – 51’), 29. Drashko Bozhoviç (66. Ergyn Ahmeti – 83’) – 15. Gauthier Mankenda, 10. Mentor Mazrekaj, 25. Basit Abdul Khalid (27. Ahmed Januzi – 69’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Përparim Osmani, Liridon Fetahaj. Kryetrajner: Arsim Thaqi.

Vllaznia: 33. Jaser Bajrami – 4. Rron Statovci, 5. Betim Syla, 21. Elbasan Thaqi, 34. Albert Kaqiku, 19. Armend Kastrati (9. Almedin Murati – 76’), 8. Fuad Karabeg, 11. Ejup Bruti (97. Festim Alidema – 74’), 20. Maliq Behluli, 7. Arbër Basha (17. Bergim Maliqi – 62’), 27. Alban Shillova. Kryetrajner: Bekim Isufi.

Komenti:

Ka kohë që Prishtina nuk ka dominuar ndeshjes se sa sot, sidomos në pjesën e parë kur shënoi dy herë e gjuajti edhe tetë hera tjera, por të gjitha pranë kuadratit e duke e qëlluar pingulën (Bozhoviç) e sidomos kur Khalid me portën zbrazët gjuan jashtë. Dhe, kur huq kaq shumë dhe nuk mbulohesh aq mirë dhe me pasim të dyfishtë brenda zonës pëson gol dhe pason tensioni i panevojshëm.

Sidoqoftë ishte fitore e merituar dhe duhet përsëritur kjo lojës, sidomos pjesa e parë duke përmirësuar finalizimin.

Minutë pas minute:

3’ Mankenda depërtim nga e djathta pastaj gjuan, por përskaj pingules.

7’ Mazrekaj e harkon ndërprerjen nga e majta, Mankenda gjuan me kokë sikurse te rasti më herët pranë pingules së djathtë.

14’ Pas topi të kthyer gjuan Mankenda nga distanca, sërish jashtë.

16’ Faullin nga e djathta për mrekulli e harkon Mazrekaj dhe Mankenda më fund shënon, shkëputet dhe me kokë e drejton topi në këndin e djathtë – atje kur tre herë tjera më parë e kishte në shënjestër - 1:0.

22’ Aksion brilant i nisur nga Bozhoviç, vazhduar nga Mankenda, Maxhuni e ky serish te Bozhoviç i cili ia rregullon para zonës Mankendës që gjuan furishëm, por preket pak nga vendasit dhe mbi tra e këndore.

24’ Vllaznia tregon se është e “gjallë” pas gjuajtjes nga goditja e dënimit nga Karabeg, por jashtë.

28’ Tjetër aksion me disa pasime, tani i nisur nga Boshnjaku në qendër për Mazrekajn e ky ia vazhdon Bashirus në krah dhe e harkon topin për Khalid që ishte me portën zbrazët, por gjuan lartë e topi e fërfëllon pak tërthorësen e del jashtë.

30’ Bashiru ia merr topin mysafirëve e vazhdon për Mazrekajn e ky në hapësirë me top të gjatë në zonë për Mankendën që tenton të kthej në portë, por ishte e plogësht dhe jashtë.

34’ Përsëritet aksioni i përkryer. Mankenda nga e djathta te Khalid ky bukur e gjen Bashiru krejt në krahun tjetër, pason për Mazrekajn që futet në qendër duke e pasuar ndërmjet këmbëve të kundërshtarit për Bozhoviç i cili nuk tregohet egoist, por ia vazhdon në zonë Mazrekajt i cili as ky nuk gjuan, por e gjen Khalid afër shtyllës së djathtë dhe tani Khalid më nuk mund ta huqte – 2:0.

37’ Tjetër aksion i nisur nga Curri e vazhduar te Bashiru…pastaj brenda zonës disi topi vije te Bozhoviç që gjuan plogësht e jashtë.

38’ Shillova ia del të shkonte deri në zonë e të pasonte djathtas për Statovcin e ky e gjen sërish sulmuesin mysafir dhe Shillova nga afërsia e drejton topin në rrjetë. Reagim i ngadaltë i mbrojtjes vendas – 2:1.

43’ Mazrekaj e harkon këndoren e djathtë e nga afërsia se si Bozhoviç nuk e qëllon rrjetën, por tërthorësen, e pabesueshme sa me fat mysafirët.

45’ Pas topin të devijuar të këndores, Behluli gjuan nga distanca ballore, jashtë pingules së djathtë.

51’ Rast i papritur i mysafirëve nga e djathta, Bruti hyn në  zonë, por gjuajtjen e tij e kap portieri Bekaj.

52’ Mazrekaj e harkon këndoren e majtë e Khalid me kokë nuk ia doli të kthente në portë, por sërish jashtë pingules së dytë.

53’ Curri provon gjuajtjen nga distanca, jashtë.

55’ Prishtinasit lehtë e humbin topin e Behluli provon me të parën nga distanca, nuk befasohet Bekaj.

60’ Karabeg provon nga 22-23 metra pas depërtimit, jashtë edhe pse u duk rrezikshëm.

70’ Maxhuni e nxjerr me shpejtësi topin nga mbrojtja për Januzin i cili depërton deri në zonë e pastaj gjuan, por bllokohet gjuajtja dhe pranë pingules së djathtë.

79’ Maxhuni niset përpara dhe pse ishte më para se Maliqi i cili tenton të ndal me duar dhe duket se duke dashur të lirohet nga ai e qëllon me duar, por për karton të kuq nuk ishte. Gjyqtari kishte nxjerr të verdhin, por me insistim të gjyqtarit të katërt vendas nga Drenasi Halilaj, i jep të kuqin, e pastaj Dallkut edhe të verdhin për reagim. E pabesueshme çfarë vendime të ashtuquajturve gjyqtar e që vetëm të tillë nuk janë.

90+2’ Ergyn Ahmeti i cili sot debutoi gjuajti nga e majta, por pranë pingules.

90+3’ Mankenda kalon nga e majta e pastaj gjuan drejt në portier, aty ishte afër Januzi por nuk ia doli të përcillte topin.

Deklaruan:

Arsim Thaqi, kryetrajner i Prishtinës: Prishtina nuk e ka dilemën e rezultatit. Ajo që kërkon një trajner si dominimi i ndeshjes e krijimi i shumë rasteve ndodhi sot. Vllaznia ishte e motivuar nga fitorja e fundit e pastaj rastet e humbura tonat dhe goli i mysafirëve sikur krijoi një lloj paniku për ne. Por, Prishtina ka epik me përvojë dhe sikurse me Lirinë, edhe sot pa një futbollist diti të menaxhonte ndeshjen deri në fund duke pas parasysh që nuk lejuam të rrezikohej porta jonë.  Kjo fitore dhe këto tre pikë të reja na japin motiv shtesë për rezultate tjera, por ashtu presim të jemi edhe më bindës.

Bekim Isufi, kryetrajner i Vllaznisë: Minutat deri sa pësuam dy gola ishim shumë të humbur në fushë. Ndoshta respekti i madh ndaj Prishtinës. Por, me kalimin e kohës, futbollistët e panë që nuk ka të bëjë me kundërshtar që nuk do të mund të baraspeshohej. Pjesa e dytë besoj që ka qenë në të mirën tonë, por na mungoi finalizimi. Jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve sepse patëm rival jashtëzakonisht të mirë dhe po ashtu vijmë pas ndeshjes së vështirë me Trepçën ’89.