Lajme

Java V: Trepça ’89 – Prishtina 0-1

Java V: Trepça ’89 – Prishtina 0-1

Fitoren e parë kampionale e siguroi goli i Ahmed Januzit – 59’

Trepça '89 - Prishtina 0-1 Ahmed Januzi

Mitrovicë, 18 shtator 2019 – Prishtina ka dal të fitoj ndeshjen e parë kampionale të këtij edicioni vetëm në ndeshjen e 4-të të javës së 5-të.

Megjithëse ndeshje jashtëzakonisht e plogësht në pjesën e parë, fitorja u sigurua me lojë shumë më të mirë në pjesën e dytë e ku skuadra lehtësisht ka mundur të shënoj edhe ndonjë gol tjetër.

Por, e rëndësishme, sa për këndellje, ishte fitorja çfarë do dhe tani skuadrën e pret tjetër test i vërtet, përballja e së dielës (20h) në “Fadil Vokrri” kundër liderëve të Superligës, Gjilani.

Përndryshe, autori i golit të fitores ishte diskutabil se a do të niste ndeshjen, por me ndihmën edhe të fisioterapeutëve dhe seancave adekuate, ia ka dal të rikthehet dhe të zhvilloj ndeshje pozitive duke shënuar golin e 2-të sezonal.

Trepça '89 - Prishtina 0-1 Endrit Krasniqi

Java V

Trepça ’89 – Prishtina 0:1 (0:0)

Golashënues: Ahmed Januzi 59’

Shikues: mbi 500

Gjyqtarë: Tefik Maloku (Pd), Driton Preniqi (Ob), Visar Kelmendi (Pe) – Arben Halilaj (Dr)

KV: R. Asare - M. Korenica, A. Hila

Pozita jashtë lojës T89 3-2 Pri

Kornerët: T89 2-8 Pri

Gjuajtjet totale: T89 6-5 Pri

Gjuajtjet në portë: T89 5-2 Pri

Trepça ’89: 1. Arben Beqiri /c/ - 21. Arbër Pira, 4. Richard Asare, 17. Joe Jeanjacques, 18. Rron Statovci (10. Ylber Maloku – 79’), 15. Muharrem Jashari (24. Engjell Hoti – 74’), 8. Berat Ahmeti, 7. Leart Emini (45. Djibril Diawara – 67’), 11. Gëzim Rusi, 16. Lassine Traore, 9. Arb Manaj. Kryetrajner: Shpëtim Idrizi.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi /c/, 28. Leotrim Bekteshi, 8. Ahmet Haliti, 22. Labinot Ibrahimi – 5. Diar Miftaraj, 77. Ardit Hila (18. Ergyn Ahmeti – 46’), 6. Endrit Krasniqi – 10. Meriton Korenica, 15. Gauthier Mankenda (11. Kreshnik Uka – 67’), 27. Ahmed Januzi (7. Lorik Boshnjaku – 90’+1). Zëvendësues: Eglant Haxho, Tun Bardhoku, Leonit Abazi, Alban Shillova. Kryetrajner: Bylbyl Sokoli.

Trepça '89 - Prishtina 0-1 Ergyn Ahmeti

Komenti:

Prishtina ka fituar ndeshjen e parë në edicionin 2019/20. Ndërsa, edhe pas 9-të ndeshjeve rresht mbeti e pamposhtur nga Trepça ’89 në lojë të rregullt duke mos i lejuar skuadrës “minatore” asnjë gol të pësuar në po kaq ndeshje.

Ahmed Januzi ka shënuar golin e tij të 2-të sezonal dhe të 16-në me fanellën e Prishtinës, kurse Endrit Krasniqi regjistroi asistimin e parë sezonal.

Trepça '89 - Prishtina 0-1 Gauthier Mankenda

Prishtina pas 4 ndeshjeve kampionale ka grumbulluar 4 pikë dhe tani e pret orar i ngjeshur, duke filluar nga Gjilani të dielën, Dukagjini të mërkurën, Vushtrria (mysafir) dhe Drenica, pastaj skuadra pushon përshkak ndeshjeve të Përfaqësueseve.

Minutë pas minute:

7’ Jashari nga gjuajtja e lirë prej të djathtës, e lehtë për portierin Bekaj.

15’ Haliti bukur diagonale për Mankendën majtas, i cili nuk harkon dhe topi i përfundon mbi traversë.

Trepça '89 - Prishtina 0-1 Gauthier Mankenda

24’ Pira me diagonale para zonës nga Traore e ndal me kokë, kurse nga pozitë mjaft e mirë gjuan mjaft keq dhe jashtë Manaj.

27’ Harkim i rrezikshëm i Statovcit nga e majta, Bekaj intervenon e kap topin pothuajse pranë dy futbollistëve vendas.

38’ Emini gjuan rrezikshëm nga ndërprerja prej krahut të majtë, Bekaj dëbon mbi traversë në këndore.

40’ Berat Ahmeti gjuajte e lehtë ballore, Bekaj pa problem.

41’ Gabim i rëndë i vendasve, Januzi merr topin para zonës e ikën nga e djathta dhe me gjithë trysnin e njërit futbollist vendas, mund të gjuante më saktë, vetëm rrjeta e jashtme.

50’ Goditje e lirë nga e majta prej vendasve që niset e nga aksioni e harkimi përpak sa të përfitonte Statovci gjuajtja e të cilit bllokohet nga njëri prej futbollistëve mysafir pranë pingules së majtë.

54’ Krasniqi harkon këndoren e majtë, Bekteshi gjuan me kokë lehtë dhe jashtë.

Trepça '89 - Prishtina 0-1 Ahmed Januzi

59’ Këndoren e djathtë e nis Thaqi shkurt për Ergyn Ahmeti që harkon brenda zonës, portieri Beqiri e dëbon shkurt dhe lëshon portën, Endrit Krasniqi e rikthen topin para portës ku ndodhej Ahmed Januzi dhe pas manovrimit të shpejtë vendos topin në rrjetë – 0:1.

Trepça '89 - Prishtina 0-1

74’ Thaqi e harkon këndoren e djathtë e Januzi gjuan bukur me kokë, edhe më bukur intervenon Beqiri dhe dëbon në këndore.

Trepça '89 - Prishtina 0-1 Ahmed Januzi

90’+2 Berat Ahmeti provon gjuajtjen ballore, edhe pse pozitë e rrezikshme, pa problem portieri Bekaj.

90’+4 Ylber Maloku gjuan nga distanca, topi devijohet e dy futbollistë vendas ndodhen në pozitë jashtë lojës dhe anulohet goli i parregullt i vendasve.

Trepça '89 - Prishtina 0-1 Labinot Ibrahimi

Deklaruan:

Bylbyl Sokoli: Ndeshje e vështirë e jona. Ndeshje e cila ka qenë shumë e rëndësishme për të kthyer vetëbesimin te ekipi. Jam i sigurt se ky ekip mundet shumë më tepër, por ndodhet në presion të pozitës në klasifikim dhe atëherë kur ekipi do të ketë më shumë vetëbesim, unë jam i sigurt që do të jetë edhe më efikas. Duhet ende shumë punë dhe unë jam optimist që ndeshje të mira do të vijnë. 

Ahmed Januzi: Normalisht goli çdo herë është i rëndësishëm dhe edhe këtë rast vendosi epilogun e takimit. Jemi të kënaqur, sepse na është dashur shumë fitorja për të rikthyer vetëbesimin. S’ka më çka, ecim përpara, do të luftojmë që nga çdo ndeshje të marrim trepikëshin, që të kemi vazhdimësi dhe të përmirësohemi sa më shumë dhe kjo fitore besoj shumë se do të na ndihmoj për të ardhmen. 

Shpëtim Idrizi, kryetrajner i Trepçës ’89: Ndeshje e vështirë, por unë mendoj se e kemi dominuar ndeshjen në shumicën e kohës, por një gabim i tillë i portierit na kushtoi me tre pikë. Normalisht, kur nuk i realizon ato tre gjysmërastet të pjesës së parë, një ekip siç është Prishtina, normalisht që në gabimin e parë të dënon. Pra, realisht mendoj që ne ia falëm tre pikë Prishtinës. 

Trepça '89 - Prishtina 0-1 Kreshnik Uka