Lajme

Java VI: Drita – Prishtina

Java VI: Drita – Prishtina

Kampionia dhe nënkampionia ndeshen nga pozita të ndryshme

FC Prishtina

Prishtinë, 22 shtator 2018 – Nesër festë në Gjilan. Drita pret Prishtinën. Vendasit për t’i ikur vendit të parafundit dhe fillimit të sezonit katastrofal me vetëm 3 pikë  nga 5 ndeshje me fitore të vetme ndaj KEK-ut e cila ende nuk ka pikë.

Prishtina, për mos të humbur edhe pas 14 ndeshjeve rresht kampionale. Prishtina për treguar se mëton titullin dhe nuk pyet për pengesa rrugës. E megjithatë, Drita nuk është pengesë e vogël megjithë rezultatet momentale. Dhe, për të parë se ku jemi ne, dhe a do të mund të filloj të këndellet Drita, do ta shohim në përballjen e nesërme ku pritet numër rekord shikuesish, sidomos kur është paralajmëruar edhe udhëtimi i “Plisave”. 

Përndryshe, edhe pse nga 42 përballjet e pas luftës, Prishtina ka larg bilanc pozitiv prej 19 fitoreve, 15 barazime dhe 8 humbjeve me goldallim +24, 57:33, është Drita ajo që nga 6 ndeshjet e fundit ka vetëm një humbje (1:3, pranverë 2017), 2 barazime (0:0 në edicionin e kaluar në Gjilan dhe Pejë ndeshjen e fundit) dhe 2 fitore (0:1 në Drenas dhe 2:1 për Superkupë). Pra, Prishtina maksimalisht e respekton kundërshtarin e nesërm dhe e vetëdijshme se vetëm me angazhim maksimal mund të marrë pikë nga një udhëtim i nxehtë siç është Drita si vendase, e cila nga 18 ndeshjet sa e ka pritur Prishtinën, i ka vetëm 3 fitore, përkundër 10 barazimeve dhe 5 humbjeve me goldallim -5, 14:19.

Prishtina nuk ka mungesa dhe është shtabi teknik që do të vendos për 18 futbollistët e megjithatë mund të pritet ndonjë ndryshim nga ndeshja e fundit me Gjilanin në mesjavë.

Java VI:

Drita – Prishtina

E diel, 23 shtator – ora 15:45

Stadiumi i qytetit, Gjilan

Gjyqtarë: Dardan Çaka (Vu), Fatlum Berisha (FK), Bujar Selimaj (Pz) – Selim Isufi (Mt)

M. Josa: Nuk do të thotë gjë që Drita është në këto pozita

“Ne konsiderojmë ndeshjen lojë më lojë dhe si për ne, ashtu edhe për Dritën, është lojë trepikëshi që t’i shërbej çdo skuadre për objektivat që ka. Nuk do të thotë gjë që Drita është në këto pozita, përbërjen e futbollistëve e ka dhe mund të themi që e kishte edhe pas Superkupës. Por, në një skuadër gjërat mund të prishen shumë shpejtë dhe mund të rregullohen shumë shpejtë. Këtë nuk e them për skuadrën e Dritës, sepse nuk i di problemet e saj, por për të gjitha skuadrat në përgjithësi. Është shumë zor të rregullohen gjërat, por shumë thjesht mund të prishen. Kështu që çdo skuadër duhet me pasur kujdes dhe edhe ne duhet të kemi kujdes, sepse nuk do të thotë që me një fitore u stabilizuan të gjitha gjërat, u stabilizuan të gjitha problemet. Kur them problemet, nuk flas për probleme tjera përveç problemeve tekniko-taktike ose gjendjes fizike të lojtarëve”, ka thënë Josa i cili Prishtinës do t’i prijë në përballjen e tij të katërt, por ende pa e fituar asnjë ndeshje, duke luajtur për pikë në Gjilan 0:0, si dhe në ndeshjen e fundit ku megjithëse 60 minuta kishte luajtur pa një lojtar nuk ishte mposhtur (0:0) dhe për Superkupë ku pas një pjesëtoje të parë për mbamendje, pësoi nga dy momente të mira gjilanasve (2:1).   

B. Khalid: Nuk do të jetë ndeshje, por besojmë që ta vëmë në praktikë punën e bërë me trajnerët

“Ne kemi punuar shumë për pikët të cilat presim t’i marrim, edhe pse e di që fare nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por ne besojmë që ta vëmë në praktikë atë që trajnerët po na e mësojnë në trening dhe ne duhet të shkojmë që të gjithë të japim maksimumin tonë dhe të marrim pikë. Unë personalisht duhet të jam maksimumin që të jap atë për çfarë me fletë profesori dhe besoj pak nga pak jam duke u ngrit në përmirësimin e lojës individuale, por shpresoj shumë që edhe golat do të vijnë dhe gjithçka pastaj do të jetë më e lehtë për ne”, ka thënë Khalid i cili është golashënuesi më i mirë i Prishtinës nga viti 1999 kundër Dritës me 5 gola të shënuar (1x3, 1x2), por i cili ende nuk ka shënuar në këtë kampionat, megjithëse tani është shënuesi i dytë i klubit pas luftës me 22 gola, 1 më pak se sa Mankenda me 23.

Gauthier Mankenda