Lajme

Java VI: Drita – Prishtina 1-0

Java VI: Drita – Prishtina 1-0

Mungesë qetësie – humbje nga kundërshtar shumë i plogësht

Armend Dallku - Endrit Krasniqi

Gjilan, 23 shtator 2018 – Nuk mjaftuan as 10 gjuajtje në portë, as dy shtylla, as gjykimi i përkryer që skuadra t’i merrte pikët që sot i meritonte. Nuk është që kemi skuadër me cilësi të jashtëzakonshme, e as që s’ka gabime, por të humbasësh ndeshjen me një rast të kundërshtarit i cili ishte i dërrmuar fizikisht dhe krejt çfarë donte ishte mos të humbiste ndeshjen, nuk ka sqarim tjetër përveç mungesë e qetësisë në skuadrën tonë. Qetësi e humbur nga shumë faktorë, duke e mos mohuar as mosbesimin e ndokujt brenda klubit tonë e në mënyrë të pareshtur nga jashtë nga “miqtë” tonë. Sepse, asnjëherë si sot skuadra nuk ka dominuar ndonjëherë në një fushë siç është kjo e Gjilanit.
Por, çfarë prisni Ju, që Prishtina të jetë me robotë dhe mos të ndikohet nga anash nga sulmet gati të orkestruara dhe mosbesimi total ndaj klubit, ekipit, lojtarëve? Nuk mjafton vetëm ta kemi emrin Prishtinë, t’i kemi pagesat më të mëdha në vend dhe të fitohet ndeshja. Në Gjilan, me çfarë do trajneri i kemi vetëm 5 fitore (kundërshtari vetëm 4 me sot). Pra, skuadra mbi të gjitha donë mbështetje, më së shumti prej atyre që hiqen që e duan Prishtinën. Publiku, tifozët, në këtë mes nuk ka faj, publiku donë rezultate dhe aq i bënë për rrethanat.

Plisat

Thjeshtë, skuadra duhet të gjejë besimin dhe mbi të gjitha qetësinë dhe të hënën e ardhshme të ketë paraqitje maksimale ndaj Flamurtarit, mënyrë kjo e vetme që Prishtina mund të fitoj ndeshje. Prishtina mezi po fiton me paraqitje të mirë, lëre më të ketë fat, e për mungesë fati fajtor kryesor është mungesa e qetësisë dhe jo vetëm sot, por qe 5 vite rresht. Pesë vite rresht ja ka ndërruar trajnerë e lojtarë Prishtina ja askush, dhe të gjithë janë sharë, janë fyer, janë akuzuar si jo të duhurit. Thjesht, klubi, ekipi duan mbështetje, kanë kaluar vetëm 6 javë dhe është pësuar humbja e parë kampionale pas 14 ndeshjeve, por jo me lojë të dobët e duke u mbrojt, por nga një rast i vetëm i kundërshtarit të cilit i qëllohen shtylla e topin e nxjerrin nga vija e portës.  Por, krejt kjo nuk është arsyetim i huqjes së rasteve, por edhe nuk mund të gjendet arsye tjetër kur humben gjitha këto raste. Deri sa fatin nuk e kemi aleat, atëherë të paktën ta ruajmë qetësinë!..

Leotrim Bekteshi


Java VI

Drita – Prishtina 1-0 (0-0)

Golashënues: Arbër Shala 59’

Shikues: 4.000

Gjyqtarë: Dardan Çaka (Vu), Fatlum Berisha (FK), Bujar Selimaj (Pz) – Selim Isufi (Mt)

KV: E. Krasniqi, L. Leci – D. Miftaraj, A. Muqiqi

KK: L. Leci (2KV – min. 80)

Pozita jashtë lojës: Dri 4-1 Pri

Kornerët: Dri 3-5 Pri Pri

Gjuajtjet totale: Dri 4-10 Pri

Gjuajtjet në portë: Dri 2-4 Pri

Drita: 31. Edvan Bakaj – 62. Viktor Kuka, 5. Ardian Limani /c/, 4. Fidan Gërbeshi, 13. Liridon Leci, 14. Filonit Shaqiri, 7. Endrit Krasniqi (11. Përparim Livoreka – 69’), 23. Arbër Shala (27. Eri Lamçja – 87’), 20. Erjon Vucaj, 10. Xhevdet Shabani, 93. Haxhi Neziraj (29. Ervis Kaja – 70’). Kryetrajner: Shpëtim Duro.

Prishtina: 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 4. Armend Dallku /c/, 28. Leotrim Bekteshi, 3. Jamal Arago, 5. Diar Miftaraj, 21. Argjend Mustafa (19. Alen Jasharoski – 75’), 18. Ergyn Ahmeti (27. Marjo Morina – 66’), 10. Meriton Korenica, 15. Gauthier Mankenda (11. Arbër Hoxha – 40’), 9. Basit Khalid. Zëvendësues:  Alban Muqiqi, Ahmet Haliti, Lorik Boshnjaku, Abdul Bashiru. Kryetrajner: Mirel Josa.

FC Prishtina

Komenti:

Prishtina sot ka pësuar humbjen e parë pas 14 ndeshjeve kampionale pa humbje. Po ashtu, edhe pas 5 ndeshjeve nuk ia arriti të mposhte rivalin, i cili sot nuk ishte ai rivali i fortë i edicionit të kaluar e ku në çdo element Prishtina ishte më e mirë. Por, kjo është e kot kur skuadra mbeti pa tre pikë, ndërsa dallimi në klasifikim është 3 pikë me liderin e ri të Superligës, Feronikelin – njëherësh skuadra e mbetur e vetme e pamposhtur në 6 javë të zhvilluara.

Drita - Prishtina 1-0

Prishtina të hënën më 1 tetor ndeshet me Flamurtarin nga ora 18:45, rivalët nga kryeqendra kanë start të kampionatit për mbamendje, por në anën tjetër për Prishtinën vetëm fitorja kryen punë.

Minutë pas minute:

5’ Kërcënimi i parë, Thaqi harkon gjuajtjen e lirë nga e djathta e nga shtylla e parë Miftaraj gjuan pasaktë me kokë jashtë.

14’ Edhe vendasit kërcënojnë me gjuajtje të rrezikshme të Lecit, por mbi tra.

16’ Mustafa bukur ia vazhdon Korenicën pak nga e djathta, gjuan jashtë.

21’ Mankenda provon depërtimin nga e majta, nuk ia del dhe e rikthen para zonës te Mustafa që gjuan direkte, por jashtë.

27’ Korenica depërton kah qendra e ia vazhdon Mankendës i cili as pas dy tentimeve nuk e mposhtë Bakajn që e largon topin me shtrirje të këmbës.

28’ Korenica brenda zonës gjuan me të majtën e qëllon traversën.

32’ Khalidi një kontra e mbyll me gjuajtje ballore me gjuajtje shumë larg portës.

39’ Mankenda lëshon fushën i lënduar, e zëvendëson Hoxha.

Gauthier Mankenda - Viktor Kuka

54’ Topi i gjatë, Khalid bukur i ikën Lecit nga e djathta, kur afrohet te porta në vend që të pasonte te Korenica, tenton pothuajse nga këndi i vdekur të shënonte vetë, por e qëllon vetëm pingulen e jashtme.

Jamal Arago

59’ Depërtim i Xhevdet Shabanit nga e djathta, tenton pasim, apo edhe gjuajtje, Miftaraj tentoi ta bllokonte, e vendasit ishin aq me fat sa merr kahje krejt në të majtë te Shala i vetmuar që vendos topin në rrjetë – 1:0.

63’ Këndore e Prishtinës, devijohet, Ahmeti e fut para portës, Hoxha provon me kokë nga mbrapa, e plogësht, kap portieri.

Ergyn Ahmeti

64’ Leci provon nga distanca, jashtë.

71’ Mustafa gjuan ballore, topi devijohet, para se të futej në rrjetë në çastet e fundit e largon nga vija e portës portieri Bakaj.

Argjend Mustafa

80’ Leci vonon lojën, ndëshkohet me të verdhë, pas 2-3 sekondave edhe me të kuq përshkak fyerjes drejtuar gjyqtarit.

90’ Xh. Shabani gjuajtje e lirë nga e djathta, e ulët, kap Bekaj.

Basit Khalid

Deklaruan:

Mirel Josa: Ne e dominuam lojën gjatë gjithë kohës, qoftë me rastet që i kishim për shënim dhe përveç rastit të golit Drita nuk na erdhi herë tjetër te porta. Ne sot kemi bërë lojën më të mirë dhe me më volum gjatë gjithë kohës. Por, duhej të ishim shumë më të përqendruar në pasin e fundit. Në pasimin e fundit ne nuk shërbyem mirë, qoftë për bashkëlojtarin qoftë te zgjidhjet që u nxituam për veprimet sulmuese për të goditur portën.  Ne edhe në pjesën e dytë që patëm 3 sulmues dolëm dy-tre herë, qoftë në shërbim e që duhej të shërbenim më mirë sidomos Khalidin e që duhej të kombinonte shumë më mirë me Korenicën përpara se të pësonim golin. Gjithashtu nuk do të thotë që të fusësh tre sulmues dhe do të shënosh se s’bënë, goli vije edhe nga lojtarët tjerë dhe ju patë rastet e humbura edhe nga anësorët, qoftë edhe nga Hoxha që hyri shumë mirë në pjesën e parë, ndërsa që në pjesën e dytë nuk ishte në gjendjen që ne kërkonim. Normalisht, çdo lënie pikësh të vështirëson garën për titull, por ne do të vazhdojmë rrugën tonë. Duhet t’i bëjmë “Plisat” që të kënaqen me ne. Duhet t’i bëjmë me rezultat që të kënaqen me ne. Çdo skuadër ka pakënaqësi kur nuk fiton, unë kam klub, kam njerëz që më drejtojnë dhe unë gjithashtu drejtoj këta futbollistë”.

Shpëtim Duro: Shumë e mirë për çdo trajner, jo vetëm për mua, kur e fillon në një ambient tjetër debutimin me fitore, sepse ndikon psikologjikisht në shumë anë. Normalisht, të jemi realist, kisha situatë jopozitive, sepse vinte Drita nga katër humbje dhe mos harrojmë që ishte kampione në fuqi. Kishim përball kundërshtar shumë të fortë dhe e rëndësishme që në këtë takim, unë e kisha menduar që edhe mos të humbisnim. Sepse, psikologjikisht skuadra ishte dëmtuar nga katër humbje radhazi që s’kanë qenë ndoshta të merituara, por futbolli është i tillë”.   

Plisat