Lajme

Java VI: Feronikeli – Prishtina 0:1

Java VI: Feronikeli – Prishtina 0:1


Prishtina fiton për herë të parë në Drenas me golin e vetëm të ish-reprezentuesit të Kombëtares shqiptare, Debatik Curri (6’)

Debatik Curri

Drenas, 24 shtator 2016 – Sot u zhvillua derbi i parë i vitit. Prishtina, për herë të parë ka mposhtur, kampionët aktual, Feronikelin, në shtëpinë e saj. Jo vetëm që e ka mposhtur dhe Prishtina sërish rikthen pozitën e parë me 16 pikë të tubuara, por tani, rivalit të sotëm i ikën me plotë 7 pikë.

Përndryshe, u zhvillua ndeshje jashtëzakonisht e luftuar me shumë tensione ndërmjet futbollistëve, por në disa qaste edhe publikut. Kurse, organizimi i ndeshjes ishte i përkryer dhe mbase lëshimet që ndodhen (gjuajtjet e gjësendeve të shumta të publikut) nuk ishte në dorën e skuadrës mike.

Prishtina, edhe pas gjashtë ndeshje është e pamposhtur, kurse kryetrajneri, Lutz Lindemann, ka debutuar me fitore, edhe ku…në shtëpinë e skuadrës e cila ishte bërë si mace e zezë për bardhekaltrit, sidomos në dy edicionet e fundit. Por, ky mit i shkurtër tani më u thye, kurse java e 17-të si ndeshja e fundit e këtij gjysmëstinori, do t’i përball sërish dy skuadrat në Kastriot.

Feronikeli

Vala Superliga – Java VI

Feronikeli – Prishtina 0:1 (0:1)

Golashënues: Debatik Curri 6’

Gjyqtarë: Fatmir Tahiri (Mt), Jakup Musolli (Pd), Bekim Rama (Pd) – Mentor Baliu (Mt)

KV: B. Krasniqi, F. Gerbeshi, B. Shabani, B. Maliqi – L. Leci, M. Pefqeli, A. Januzi

Pozitat jashtë lojës: Frn 0-0 Pri

Kornerët: Frn 7-4 Pri

Gjuajtjet totale: Frn 7-8 Pri

Gjuajtjet në portë: Frn 4-5 Pri

Feronikeli (4-3-3): 1. Flamur Neziri – 29. Besnik Krasniqi, 4. Fidan Gerbeshi /c/, 88. Ahmet Haliti, 5. Ardian Limani – 25. Bujar Shabani, 20. Behar Maliqi, 7. Mentor Zhdrella – 8. Mark Milicaj (18. Haxhi Shala – 59’), 26. Diar Prokshi (11. Përparim Livoreka – 9’), 9. Mevlan Zeka (27. Argjend Bardhi – 82’). Kryetrajner: Afrim Tovërlani.

Prishtina (4-3-3): 1. Alban Muqiqi – 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 21 Liridon Kukaj, 13. Liridon Leci – 6. Debatik Curri (18. Gentrit Dumani – 61’), 8. Endrit Krasniqi, 77. Mergim Pefqeli – 27. Ahmed Januzi (93. Mergim Neziri – 82’), 99. Kreshnik Lushtaku, 25. Basit Abdul Khalid (17. Gentrit Begolli – 61’). Zëvendësues: Visar Bekaj, Genc Hamiti, Lorik Boshnjaku, Shend Kelmendi. Kryetrajner: Lutz Lindemann.

FC Prishtina

Komenti:

Sot pamë komplet dy pjesë të ndryshme të ndeshjes. Ishte Prishtina mbresëlënëse në pjesën e parë, duke luajtur, duke shënuar, rrezikuar e gjuajtur plotë gjashtë herë (tre herë në portë), ndërsa vendasit as që dukeshin duke drejtuar vetëm një gjuajtje, edhe atë jashtë portës.

Pjesa e dytë filloi duke rrezikuar Prishtina dhe duke lëshuar rast të qindpërqindtë me Abdul. Ndërsa, tani Prishtina mbrohej dhe vendasit tentonin nëpërmjet hapësirave të liruara të depërtonin dhe mbase është skuadra e parë në këtë edicion që aq shumë i depërton Prishtinës në zonën e saj dhe vetëm fati iu mungoi në dy raste. Por, edhe Prishtina, në dy kundërzbritje të pastra ka mundur të mbyllte ndeshjen sikur të ishin më të përqendruar.

Liridon Kukaj

Sidoqoftë, fitore e merituar e Prishtinës e cila tërë forcën e saj e zbatoi me mbrojtjen e çeliktë të ndihmuar nga të gjithë futbollistët tjerë të cilët mbanin shpesh nën presion skuadrën vendase në pjesën e lartë të fushës.

Me rëndësi janë tre pikët më së të merituara dhe që tani Prishtina ka treguar karakter të zakonshëmnshëm e që i ka munguar në 2-3 vitet e fundit. Kjo është Prishtina e vërtetë dhe që me të drejt tifozët e saj, “Plisat” sot iu gëzuan pa masë.

Ndërsa, ndeshjen e javës së shtatë, Prishtina e zhvillon të enjten më 29 shtator me Ferizajn në Kastriot nga ora 15.00. Pastaj zhvillohen ndeshjet internacionale të Përfaqësuesve dhe futbollistët nuk kanë ndeshje për rreth dhjetë ditë.

Minutë pas minute:

3’ Pefqeli depërton dhe pastaj gjuan nga para-zona, por pak jashtë pingules së majtë.

6’ Aksioni tjetër. Në fund bashkëveprojnë dy mesfushorët, Pefqeli për mrekulli gjen Debatik Currin brenda zonës i cili në mënyrë mjeshtërore qet nga loja mbrojtësin me përvojë Gerbeshi dhe me të djathtë gjuan saktë – 0:1.

24’ Januzi e përfundon një aksion të mirë me gjuajtje nga 22-23 metra, por pak jashtë pingules.

Ahmed Januzi

35’ Gabimi në mbrojtjen e Prishtinës për pak të kushtoj. Nga e djathta Shabani kthen para portës për Livorekën, por që gjuan jashtë pingules.

Lorik Maxhuni

40’ Basit Khalid nga e djathta e kthen për Lorik Maxhunin që depërton nëpërmjet dy futbollistëve dhe posa futet në zonë gjuan direkte, intervenon dhe shpëton portieri Neziri, korner.

Kreshnik Lushtaku

45+1’ Lushtaku gjuan me kthim nga brendësia e zonës, por largë.

46’ Liridon Leci harkon nga pothuajse këndorja e majtë, Basit Khalid ndodhet i vetëm me portierin Neziri, shkëputet e gjuan drejt në Nezirin i cili megjithatë nuk befasohet, por topin e kap vetëm pas intervenimit të dytë. Ky rast i pastër mund të mbyllte ndeshjen.

54’ Livoreka bukur lirohet nga e djathta dhe pason në krahun e kundërt te Milicaj gjuajtjen e të cilit në moment të fundit e bllokon Liridon Leci.

57’ Zhdrella harkon nga gjuajtja e lirë, Shabani shenjëstron me kokë, intervenon disi portieri Muqiqi, topi pothuajse ndalet në vijën e portës afër pingules, tenton Haxhishala, por Liridon Leci sot shpëton gol të sigurt, e bllokon gjuajtjen.

61’ Zhdrella më në fund nga gjuajtja e lirë rrezikon, por portieri Muqiqi intervenon dhe dëbon mbi tra.

Alban Muqiqi

64’ Ahmeti bukur te Livoreka që hyn në zonë, tenton ta gjej Zekën, topin disi kthehet nga këmbët e futbollistëve të Prishtinës dhe e kap topin portieri Muqiqi.

69’ Zeka për mrekulli ikën nga e djathta dhe afër portierit Muqiqi disi ia del të vazhdoj topin tutje, i cili shkon vija-vijë me vijën e portës, tenton të largoj Maxhuni i cili ishte me fat që nuk ia doli, sepse ishte rrezik i madh të përfundonte në rrjetë dhe topi kalon tërë portës e përfundon në këndore. Kësaj here vendasit ishin të pafat.

70’ Pas këndores, topi shkon te Shala i cili gjuan, por lartë.

Mergim Pefqeli

72’ Liridon Leci nga distancë e madhe gjuan nga ndërprerja rrezikshme, Flamur Neziri iu deshtë të dëbonte në këndore.

84’ Zhdrella provon edhe njëherë nga gjuajtja e lirë, pozita ballore, por lartë mbi tra.

90+5 Zhdrella e mbyll takimin edhe me një gjuajtje të lehtë nga ndërprerja, por intervenon dhe e kap topin portieri Muqiqi.

Lutz Lindemann

Deklaruan:

Lutz Lindeman, kryetrajner i Prishtinës: “Komplimente Feronikelit. Ka qenë një ekip shumë i mirë dhe këtë e dëshmoi sidomos në pjesën e dytë. Kurse ne, siç shënuam herët në pjesën e parë, po ashtu u deshtë të shënonim herët edhe në pjesën e dytë, por Abdul nuk shënoi nga rast i pastër dhe pastaj na bënë presion. Rreth ndërrimeve, sidomos të Abdul, në Gjermani thonë, kur skuadra fiton, atëherë trajneri gjithmonë ka të drejtë. Normalisht, Abdul nuk ishte në formacion para ndeshjes, por patëm disa probleme me lëndime ashtu që ai u aktivizua pa pritur dhe nuk ka qenë krejtësisht i gatshëm fizikisht dhe i duhet të punojë shumë që jetë i përgatitur dhe të luaj tërë ndeshjen. Ndërsa, unë edhe njëherë po ju them, se ne nuk jemi ekip arrogante, nuk do ta nënçmojmë asnjë ekip, por do të angazhohemi qindpërqindtë dhe ne do të punojmë më tutje të përmisohemi”.

Debatik Curri: “Shënova në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Ne kemi qenë të përgatitur dhe të motivuar për këtë ndeshje duke e ditur se do të jetë ndeshje e fortë me dy-herë kampionët e fundit. Por, ne edhe në këtë ndeshje u kemi mbyllur gojën disa skeptikëve që janë kundër Prishtinës, duke besuar që iu kemi treguar lojë të mirë. Jo mbase ashtu siç duam ne apo siç duan publiku lojë të mirë për sy, por ne kryesorja pikët po i fitojmë dhe besoj se jemi rrugës së duhur që të kthejmë titullin në Prishtinë”.

Lorik Maxhuni: “E kemi ditur që kemi të bëjmë me një kundërshtar të fortë, por edhe jemi deklaruar se do të vijmë për fitore dhe me angazhimin që patëm me shumë meritë edhe e arritëm këtë fitore. Normalisht, kjo fitore vlen shumë, sepse e kemi mposhtur në përballje direkte rivalin direkt për titull dhe tani kanë mbetur me pikë larg nesh”.

Afrim Tovërlani, kryetrajner i Feronikelit: “Na munguan dy sulmuesit kryesor, s’po them me qëllim, por sikur u dëmtuam javën e kaluar shumë me dy kartonë të kuq. Dhe mbase, ato raste në pjesën e dytë që nuk i konkretizuam, kanë qenë pikërisht ata futbollistë që do të kishin mundur t’i konkretizonin. Megjithatë, ne pësuam dhe ndoshta kjo ishte shkaku që u destabilizuam. Por, në pjesën e dytë e kishim shumë më të mirë dhe nën kontroll duke u organizuar më mirë, u qetësuam, krijuam shumë raste, mirëpo nuk patëm fat që atë top nga vija e portës tre-katër herë të hyjë në portë. Prishtinës i uroj fitoren. Nuk janë pak shtatë pikë distancë nga gjashtë ndeshje, por ka edhe shumë ndeshje, ndërsa vështirë është ta përcjell Prishtinën fati gjatë gjithë kohës, sot shpëtoi nga të gjitha këto raste, javën e kaluar shpëtoi nga Gjilani në minutën e 90-të, në Prizren njëjtë...dhe nuk besoj se mund të vazhdoj t’iu prij fati, por është çështje e tyre. Sa na përket ne, na mbetet të përmirësojmë gabimet tona”. 

Plisat


 

Avni Durmishi