Lajme

Java VI: Gjilani – Prishtina 0-0

Java VI: Gjilani – Prishtina 0-0

Barazimi ishte epilog real i takimit

Gjilan, 23 shtator, 2017 – Prishtina me barazimin e sotëm ka ruajtur vendin e dytë, por tani me tre pikë më pak se sa lideri Llapi – skuadër kjo me të cilin Prishtina takohen në fundjavën e ardhshme, por më parë në mesjavë me Feronikelin.

Prishtina sot luajti më ndryshe e rreshtuar, 4-2-3-1 pa ndonjë befasi në formacion, por me disa rokada gjatë ndeshjes, kjo ishte më evidente me ndërrimin e pozitës së Mankendës.

Gjilani ishte skuadër më e mirë në pjesën e parë, kurse Prishtina në të dytën. Duhet theksuar se Prishtina shënoi dy gola, por u anuluan për shkak pozitës jashtë lojës dhe po ashtu bardhekaltrit kërkuan edhe një penallti me arsyetimin e prekjes me dorë. Sidoqoftë këtyre situatave që duhet analizuar në pamjet televizive, gjykimi ishte jashtëzakonisht korrekt, sikurse edhe publiku vendas që meriton lëvdata.

Java VI

Gjilani – Prishtina 0-0

Shikues: mbi 2.000

Gjyqtarë: Gramos Shala (Pe), Fatmir Sekiraqa (Pd), Visar Kelmendi (Pe) – Leutrim Mustafa (Pd)

KV: Y. Kastrati, F. Papuqi, D. Zabërgja, I. Eminhaziri – P. Osmani, D. Miftaraj, L. Fetahaj

Kornerët: Gjl 2-7 Pri

Pozitat jashtë lojës: Gjl 0-2 Pri

Gjuajtjet totale: Gjl 9-6 Pri

Gjuajtjet në portë: Gjl 2-5 Pri

Gjilani: 1. Donat Kaçiu – 2. Armend Thaqi, 28. Leutrim Bekteshi, 4. Ylber Kastrati (c), 33. Fisnik Papuqi, 14. Filonit Shaqiri, 8. Salih Kosumi (13. Ergon Hyseni – 88’), 88. Dior Zabërgja (6. Diar Mustafa – 76’), 22. Betim Haxhimusa, 9. Isa Eminhaziri, 19. Fatih Karahoda (11. Edon Sadriu – 28’). Kryetrajner: Arbnor Morina.

Prishtina (4-2-3-1): 12. Visar Bekaj – 88. Përparim Osmani, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 7. Lorik Boshnjaku – 19. Drashko Bozhoviç (27. Ahmed Januzi – 58’), 15. Gauthier Mankenda, 10. Mentor Mazrekaj (77. Mergim Pefqeli – 86’) – 25. Basit Abdul Khalid (11. Liridon Fetahaj – 46’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Gentrit Dumani, Ergyn Ahmeti. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Sot u zhvillua ndeshje në atmosferë të bukur sportive dhe korrekte maksimalisht. Ishte Prishtina që kontrollonte ndeshjen më shumë dhe Gjilani sikur respektonte më tepër mysafirët. Por, ishin ata që krijuan rastin më të mirë nëpërmjet Thaqit, pozitë e njëjtë që edhe Prishtina e pati me Mankendën. Pjesa e dytë, sidomos diku nja 20 minuta Prishtina e dominoi tërësisht kur edhe shënoi gol, por u anulua për shkak pozitës jashtë lojës. Pati disa gjuajtje nga të dy palët ku portierët u treguan të saktë, por Shaqiri vendas kishte pozitën më të pastër.

Sidoqoftë, barazimi ishte epilog real i takimit në një ndeshje ku pati shumë taktizime dhe mbajtje topi duke luajtur përtoke. Dy skuadrat treguan cilësi, por te Prishtina ende duhet punë për t’u përshtatur me dorën e trajnerit të ri.

Minutë pas minute:

3’ Aksion i gjatë në mesfushë, Bozhoviç e gjen Mankendën dhe gjuan nga distanca në këndin e epërm, por Kaçiu intervenoi bukur, mbi tra.

15’ Eminhaziri gjuan rrezikshëm nga gjuajtja e lirë ballore, skaj pingules.

16’ Karahoda ia del të harkoj nga e djathta, Eminhaziri ia del ndërmjet dy futbollistëve të gjuaj, por jashtë.

20’ Curri gjuan nga distancë e madhe nga ndërprerja, mjaft e saktë, u deshtë dëbimi në këndore nga portieri vendas.

21’ Mankenda nga gjysmë e majta gjuan në mes të portës, e lehtë për Kaçiun.

28’ Ishte këndore për Prishtinën, u kërkua prekje me dorë në tollovinë e krijuar në zonë, ndoshta gjyqtari Shala e kishte të mbuluar pamjen.

29’ Curri sërish nga distanca, i sigurt Kaçiu.

31’ Papuqi e ekzekuton goditjen nga e djathta me të majtën, por e lartë.

32’ Haxhimusa gjuan nga topi i dëbuar, tepër e lartë.

34’ Aksion i gjatë i vendasve dhe Eminhaziri e qet Thaqin prapa shpinës së mbrojtjes mysafire. Ishte hera e vetme shumë i rrezikshmi Armend Thaqi që sot doli, ishte pozitë gjysmë e djathtë dhe sikur u frikësua nga dalja e portierit Visar Bekaj që i ndihmoi edhe gjuajtja e plogësht e drejt në të. Ishte rasti më i mirë ky.

37’ Eminhaziri gjuan nga gjuajtja e lirë nga e majta në këndin e epërm, zgjatët e shpëton Bekaj e mbi tra.

44’ Pas aksionit, aty para zonës Zabërgja provon gjuajtjen, por e lartë.

47’ Këndorja e ekzekutuar nga e djathta ishte mjaft e rrezikshme, vendasit nuk ia dolën të drejtonin topin në rrjetë që doli jashtë pingules së majtë.

50’ Fetahaj provon të befasoj nga e djathta Kaçiun që intervenon bukur në këndin e epërm duke dëbuar në këndore.

50’ Këndoren e harkon Mazrekaj, Curri me kokë e drejton në shtyllën e dytë, Bozhoviç e shtyn në rrjetë, por tashmë gjyqtari Sekiraqa kishte ngritur flamurin lartë.

76’ Boshnjaku nga para zona e fushës së tij e shtyn topin deri para zona e mysafirëve dhe për mrekulli ia vazhdon Mankendës në gjysmëkrahun e djathtë, kongolezi ishte i vetëm me portierin Kaçiu, pozita ishte sikurse e Thaqit vendas, veçse ky tani gjuan tepër keq, jashtë, Ishte rasti më i pastër i Prishtinës.


77’ Vendasit kundërpërgjigjen me aksion brilant, nga mesfusha në të djathtë duke e kthyer majtas ku në fund Eminhaziri e ulë për Shaqirin që kishte pozitë të pastër, por gjuan lartë. Njëherit ishte rasti apo aksioni i fundit në ndeshje.

Mirel Josa

Deklaruan:

Mirel Josa, kryetrajner i Prishtinës: Nuk kishe emocion pse udhëheqja ndeshje të parë, e sidomos ndaj një kundërshtari që me pikë jemi afër, por të fillosh punë në një kampionat tjetër, atëherë është gjë që më jep përgjegjësi më të madhe. Ndërsa, nuk mund të them që jam plotësisht i kënaqur me ndeshjen. Në pjesën e parë nuk bëmë atë që duhet bërë, vendasit ishin më përpara në top, në ndërhyrjet e tyre duke luftuar shumë dyluftime. Ndërsa pjesa e dytë, ne e rregulluam shumë lojën, por problemet qëndrojnë tek avancimet tona përpara, qoftë nga krahu, qoftë nga qendra. Disa lojtarë nuk u shfaqën atje ku duhet, por unë kam pretendimet e mija dhe besoj se lojtarët duke më kuptuar gjatë kësaj kohe do të përmirësohen dhe do të vazhdojmë punën tonë. Golat e anuluar nuk i komentojë, janë probleme të gjyqtarëve, federatës dhe medies që t’i nxjerrin konkluzionet se si kanë vepruar gjyqtarët. Unë dua që gjykimi të jetë sa më i mirë që mos t’i hahet haku asnjërës skuadër.  Por, ishte ndeshje që dy skuadrat mund të fitonin, por edhe të humbnin ndeshjen.

Arbnor Morina, kryetrajner i Gjilanit: Mendoj se në të dy pjesët kemi pasur raste. Por, me gjithë këto mungesa që po na përcjellin, treguam se me gjithë këta djem, janë të denjë të bartin fanellën e Gjilanit. Edhe një barazim, por duhet përkujtuar që kemi pasur derbi me Feronikelin, me Llapin, Trepçën ’89, Prishtinën dhe tani do ta kemi me Dritën dhe për dallim të ekipeve tjera kemi një ritëm shumë të vrazhdë, por të cilën djemtë janë duke e përballuar për mrekulli dhe edhe sot ritmi i lojës ishte shumë i lartë. Jam shumë i kënaqur me lojën e tyre, me angazhim ku kemi krijuar edhe raste, por nuk pati konkretizim. Patëm më shumë raste se që ka pasur Prishtina, mirëpo ky është derbi dhe në derbi nuk ka favorit. Mbetët që unë kam mbetur trajneri që ende ka bilanc pozitiv me Prishtinën.