Lajme

Java VI: Prishtina – Gjilani 2-1

Java VI: Prishtina – Gjilani 2-1

Fitore spektakulare e bardhekaltërve

Alban Shillova

Prishtinë, 22 shtator 2019 – Prishtina sot pati disa probleme me lëndime para (Januzi) dhe gjatë ndeshjes (Haliti u lëndua, Krasniqi kishte luajtur i sëmurë) dhe lëndimi i Bardhokut ishte i tepërt, edhe pranua në atë moment goli i barazimit, por edhe skuadra kishte tre zëvendësimet. Megjithatë, Bardhoku shtrëngoi dhëmbët duke vazhduar lojën për t’ju ndihmuar shokëve që pa u mbyllur minuta e fundit shtesë e akorduar (5) të shënonte golin e triumfit të madh. Ishte Ergyn Ahmeti, që pranoi top në mesfushë, e vazhdoi majtë te Leonit Abazi i cili pas manovrimit e vazhdoi në zonë te Alban Shillova i cili posa u lirua nga mbrojtësi, aty nuk të fal….drejtoi topin në cepin e majtë të portës për erupsionin e gëzimit të madh. Prishtina absolutisht me “shpirtin e lënë në fushë”, sot e meritoi fitoren, kundër një skuadre me meritë pretendente për titull siç është Gjilani.

Ergyn Ahmeti

Prishtina, pas 5 ndeshje ka grumbulluar 7 pikë dhe të mërkurën zhvillon ndeshjen e mbetur me Dukagjinin.

Java VI

Prishtina – Gjilani 2-1 (1-0)

Golat: Ergyn Ahmeti 13’, Alban Shillova 90’+5 – Bedri Greca 84’

Shikues: 2.500

Gjyqtarë:  Dardan Çaka (Vu), Edmond Zeqiri e Fatmir Sekiraqa (Pd) – Selim Isufi (Mt)

KV: A. Thaqi, G. Mankenda – S. Ferreira, B. Greca, M. Useini

Pozita jashtë lojës: Pri 2-3 Gjl

Kornerët: Pri 2-3 Gjl

Gjuajtjet totale: Pri 6-8 Gjl

Gjuajtjet në portë: Pri 4-4 Gjl

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 22. Labinot Ibrahimi, 28. Leotrim Bekteshi, 8. Ahmet Haliti (23. Leonit Abazi – 72’), 4. Tun Bardhoku – 5. Diar Miftaraj, 6. Endrit Krasniqi (7. Lorik Boshnjaku – 80’), 18. Ergyn Ahmeti – 2. Armend Thaqi /c/, 11. Kreshnik Uka (15. Gauthier Mankenda – 58’), 17. Alban Shillova. Zëvendësues: Eglant Haxho, Ardit Hila, Meriton Korenica, Trimron Selimi. Kryetrajner: Armend Dallku.

Gjilani: 30. Kenan Haxhihamza – 2. Oltion Rapa, 4. Ylber Kastrati /c/, 6. Jackson Ferreira Silverio, 7. Bedri Greca, 9. Tomisllav Bushiç, 15. Keita Aziz Lanzeni (11. Fiton Hajdari – 46’), 18. Fjoart Jonuzi, 19. Erlis Frashëri, 22. Muhamed Useini, 77. Gerhard Progni. Kryetrajner: Gentjan Mezani.

Ergyn Ahmeti

Komenti:

Moti kohë në kampionatin e Kosovës nuk kemi parë ndeshje me tempo më të lartë se sa në ndeshjen e sotme, thjesht, dy skuadrat tentonin në çdo mënyrë sa më shpejtë të atakonin portën kundërshtarje, por rrjedhimisht kjo shkaktonte edhe humbje të topave, por sidomos mbrojtësve iu duhej përqendrim maksimal, çka mysafirëve u mungoi e Prishtina shpejt e dënoi, në të dy golat e shënuar, por njëjtë ndodhi edhe te goli i mysafirëve.

Armend Dallku

Rezultati ka mundur të jetë edhe ndryshe, por Prishtina këmbënguli dhe me meritë arriti trepikëshin e dyta rresht në këtë kampionat, kundër një kundërshtari jashtëzakonisht cilësor dhe të fortë.

Përndryshe, Ergyn Ahmeti ka shënuar golin e parë sezonal e të 7-in me fanellën e Prishtinës, kurse Alban Shillova përveç asistimit të parë sezonal, ia doli të shënon edhe golin e parë me fanellën e Prishtinës. Leonit Abazi regjistroi asistimin e parë.

Alban Shillova

Minutë pas minute:

4’ Ibrahimi befason me gjuajtje nga distanca nga e djathta, e lartë.13’

13’ Super Endrit Krasniqi top të gjatë para zonë e ku Alban Shillova lufton fortë me kundërshtarin dhe ia del të kthen topin para portës e ku me shpejtësi po vinte Ergyn Ahmeti i cili nuk priti fare dhe gjuajti me të parën dhe me saktësi e vendos topin në këndin e majtë – 1:0.

25’ Jonuzi e harkon gjuajtjen e lirë, Bushiç provon me kokë, por jashtë.

28’ Super aksion i mysafirëve, Progni – Bushiç – Progni, ky i fundit nga pozitë ideale gjuan drejt në portierin Bekaj që nuk befasohet duke reaguar saktë dhe shpëton portën e paprekur.

30’ Haliti me top të gjatë e shërben Thaqin i cili pak nga e djathta gjuan lehtë në shtyllën e parë, aq sa të nxirrte korner nga prekja e topit nga portieri Haxhihamza.

Armend Thaqi

47’ Uka depërton nga e majta e në qendër, pasimi i del i saktë te Thaqi djathtë i cili nuk gjuajti, por e ktheu për Miftarajn që gjuan ulët, por drejt në duart e portierit mysafir.

48’ Aksioni i shpejtë i Gjilanit mbyllet nga Progni me gjuajtje të fortë nga jashtëzona e që Bekaj mezi e ndal me gjoks, e pastaj gjykohet edhe pozitë jashtë lojës për mysafirët.

Ergyn Ahmeti

50’ Ergyn Ahmeti ia vjedh topin Kastratit e futet në zonë nga e djathta dhe provon të pasonte për Shilloven që po vinte me vrap, ishte pozitë e pastër, por në momentin e fundit reagon mbrojtësi gjilanas.

52’ Jonuzi kalon Ibrahimin para zonës e ia vazhdon Grecës të vetëm me portierin Bekaj i cili priti dhe shpëtoi gol të sigurt.

58’ Bardhoku sot i pandalshëm ia vazhdon Mankendës majtë i cili futet në zonë duke e kaluar një prej futbollistëve mysafir e pastaj gjuan lehtë në shtyllën e parë, por në vend portieri Haxhihamza.

64’ Useini nga pozitë ballore gjuan në këndin e majtë, intervenon Bekaj.

71’ Lëndohet Ahmet Haliti.

71’ Pas gjuajtje e lirë të mysafirëve dhe harkimit në zonë nga largësia, topi i bije para këmbëve Prognit që gjuan rrezikshëm pranë pingules së majtë.

79’ Progni pranon top të gjatë në zonë, pasi që kthehet nga porta e gjuan lartë.

84’ Aksion në mesfushë, në tentim për ndërhyrje lëndohet Bardhoku, mysafirët ia dalin të harkojnë në zonë, Bekaj me gjithë tentimin nuk ia del të largoj topin, kishte një futbollist mysafir në “bllok”, pasi disa lëvizjeve topi i bije në pozitë ideale Grecës dhe shënon pothuajse në portën zbrazët – 1:1.

89’ Boshnjaku e harkon këndoren e majtë, Mankenda gjuan me kokë, por lartë.

Leonit Abazi

90’5+ Ergyn Ahmeti pranon top në mesfushë, e vazhdoi majtë te Leonit Abazi i cili pas manovrimit e vazhdoi në zonë te Alban Shillova i cili posa u lirua nga mbrojtësi, aty nuk të fal….drejtoi topin në cepin e majtë të portës për erupsionin e gëzimit të madh – 2:1.

Alban Shillova

Prishtina - Gjilani 2-1

Deklaruan:

Armend Dallku: Normalisht, çdo fitore është fitore për çka jam i lumtur, së pari për djemtë se sa për vetën, të them të drejtën, sepse pas gjithë atyre vrapimeve duke e parë çfarë lufte bënë djemtë, jam shumë i kënaqur dhe për atë jam gëzuar së pari për ta, pastaj për ekipin dhe në fund për veten. I ka munguar Prishtinës ai shpirti luftarak, po mendoj unë në këto ndeshjet e para dhe jam munduar këto dy ditë të bisedoj edhe individualisht edhe kolektivisht me lojtarë që Prishtina është emër i madh dhe për Prishtinën duhet të luftohet dhe të jepet zemra. Dhe e pamë sonte që si rezultat i kësaj erdhi edhe rezultati pozitiv. I përgëzoj të gjithë, tërë qytetin, posaçërisht tifozerinë të cilës i bëjë thirrje që ndeshjet në vazhdim të vijnë në numër edhe më të madh, sepse iu premtoj që ne do të luftojmë ashtu siç luftuam sot. 

Ergyn Ahmeti: Të them të drejtën, lojë me tempo më të lart moti nuk kemi pasur. Nonstop ka pasur sprinta, nonstop ka pasur angazhim maksimal, është dashtë të luftohet për çdo top dhe kjo na u shpërblye në fund. Moti s’kemi pasur gëzim më të madh dhe shpresoj të vazhdojmë edhe lojërave tjera me fitore. 

Alban Shillova: Nuk e di çfarë të them realisht, vetëm se edhe Zoti ma shpërbleu që në fund të ndeshjes të arrij të shënoj edhe t’ia sjell fitoren skuadrës. Është ky goli im i parë, shpresoj të jetë ky vetëm fillimi dhe të vazhdoj të shënoj sa më shumë.

Foto: Roland Racaj