Lajme

Java VII: Prishtina – Ferizaj 1-0

Java VII: Prishtina – Ferizaj 1-0

Fitore me shumë djersë të derdhur dhe të kurorëzuar me gol fantastik të Debatik Currit (80’)

Liridon Kukaj

Kastriot, 29 shtator 2016 – Prishtina ka arritur fitoren e radhës, edhe pse minimale ndaj skuadrës mjaft të papërshtatshme të Ferizajt dhe kësisoj sërish rikthen pozitën e parë me 19 pikë të grumbulluara.

Ç’është e vërteta, futbollistët e Prishtinës të vetëdijshëm se skuadra e Ferizajt s’ka çfarë të humbas, u angazhuan maksimalisht dhe krijuan një mori rastesh e qëlluan dy herë shtyllën (traversën Khalid) e Januzi pingulen nga penalltia, e rasti i qindpërqindtë i Osmanit,...por goli nuk e donte dhe u deshtë një projektil i Debatik Currit që nga distanca të shënonte dhe nga dy ndeshje, ish-ylli i Kombëtares shqiptare, t’i sjellë skuadrës nga dy ndeshje – plotë gjashtë pikë.

Pra, fitorja u arrit me shumë mund, por edhe me shumë meritë dhe skuadra tani me meritë edhe do të pushoj disa ditë pasi që kampionati ndërpritet për dhjetë ditë përshkak ndeshjeve të Përfaqësueseve.

Endrit Krasniqi

Java VII

Prishtina – Ferizaj 1:0 (0:0)

Golashënues: Debatik Curri 80’

Shikues: rreth 400

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu (Gjl), Erduan Baliqi (Mt), Imran Kabashi (Mt) – Nazmi Rraci (Mt)

KV: A. Januzi, A. Dallku, E. Krasniqi, D. Curri – M. Bushi, E. Thaqi, A. Istrefi, A. Pira, M. Idrizi

Pozitat jashtë lojës: Pri 2-0 Fer

Kornerët: Pri 6-3 Fer

Gjuajtjet totale: Pri 18-3 Fer

Gjuajtjet në portë: Pri 9-2 Fer

Prishtina (4-3-3): 1. Alban Muqiqi – 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 21. Liridon Kukaj, 13. Liridon Leci – 6. Debatik Curri, 8. Endrit Krasniqi, 77. Mergim Pefqeli (16. Genc Hamiti – 90’) – 99. Kreshnik Lushtaku, 27. Ahmed Januzi (9. Shend Kelmendi – 68’), 25. Basit Abdul Khalid (11. Labinot Osmani – 46’). Zëvendësues: Visar Bekaj, Milosh Miloviç, Gentrit Begolli, Mergim Neziri. Kryetrajner: Lutz Lindemann.

Ferizaj: 1. Leutrim Rexhepi – 15. Mirsad Idrizi, 4. Agron Istrefi /c/, 8. Burim Shabani, 6. Behar Bardhi, 21. Elbasan Thaqi, 20. Argjend Bekteshi (18. Jasir Selmani – 29’), 16. Albijon Pira, 9. Muhabi Bushi (14. Qerim Tershana – 83’), 11. Labinot Osmani, 10. Shkëmbim Salihu. Kryetrajner: Arsim Abazi.

Lorik Maxhuni

Komenti:

Prishtina sot me të gjitha statistikat e ka dominuar ndeshjen me kundërshtarin që e dinte çfarë donte, duke u mbrojtur 90-minuta për një barazim eventual. Prishtina i kishte rastet, e kishte lojën, e kishte posedimin e topit, por topi në rrjetë nuk donte të futej. Prishtina po ashtu pati edhe penalltitë e nxjerrun nga Kreshnik Lushtaku, por sulmuesi, Ahmed Januzi ishte i pafat, qëlloi pingulen. Ndërsa, Khalid në pjesën e parë qëlloi traversën. Kurse, Labinot Osmani, sot pati dy situata të pastra, të shënonte golin e epërsisë, e pastaj edhe të siguronte fitoren me golin e dytë, por nuk e pati ditën.

Liridon Leci

Në fund të fundit më rëndësi janë tre pikë dhe Ferizaj nuk është skuadër fare për t’u nënçmuar, sidomos me mbrojtjen e saj të ngjeshur dhe mesfushën mjaft të lëvizshme, por në vijën e sulmit, realisht vetëm dy herë ia dolën të dalin përpara dhe prej tyre njëri ishte mjaft rast i mirë, por gjuajtjen e Shabanit e priti portieri Muqiqi.

Basit Abdul Khalid

Minutë pas minute:

1’ Khalid bukur ik që në aksionin e parë, por pak nga e djathta gjuan furishëm dhe pasaktë.

6’ Maxhuni harkon nga e djathta, Khalid e kthen te Krasniqi që e ndal me gjoks dhe pason gjuajtja akrobatike, por kap portieri Rexhepi.

Shend Kelmendi


10’ Krasniqi gabon në pasim, Shabani ia vazhdon Salihut i cili ndodhet në duel me Dallkun, por kapiteni ndërhyn pastër dhe eviton rrezikun në njërën prej dy rasteve të vetme kur mysafirët kanë mundur të rrezikojnë.

13’ Armend Dallku në rolin e sulmuesit të djathtë shëtitë nëpër mbrojtjen vendase, pason krosimi në zonë, pastaj kundërzbritje e shpejtë e mysafirëve e cila mbyllet me pasimin e Salihut nga e majta për Shabanin në krahun e kundërt dhe gjuajtje e butë e tij dhe pa problem intervenon portieri Muqiqi.

Armend Dallku

14’ Januzi gjuan nga 20 metra, kap portieri Rexhepi.

21’ Diagonale si me dorë e Dallkut për Lushtakun në krahun e majtë e që kroson, por Pefqeli se priti si duhet dhe nuk ishte i saktë me kokë.

Mergim Pefqeli

24’ Pasime të shkurta të Krasniqit e Lushtakut e që ky i fundit bukur futet në zonë nga e majta e ku mund të provonte të fuste topin para portierit, por gjuan plogësht, nuk e qëllon si duhet.

31’ Lushtaku e harkon këndoren e majtë, vendasit e kthejnë shkurt në zonë, gjuan me të parën Khalid, topi prek së pari tokën e pastaj përplaset me traversë – i pafat ganezi.

Basit Abdul Khalid

37’ Lushtaku harkon nga këndorja e djathtë në shtyllën e parë për Januzin që gjuan me kokë jashtë.

Ahmed Januzi

41’ Tani Dallku kroson nga e djathta, e Leci me kokë mbi tra.

45+2’ Aksionin e gjatë me pasime e mbyll Pefqeli me harkim nga e djathta dhe gjuajtja me kokë e Khalid, portieri Rexhepi disi ia del të kap edhe këtë top.

50’ Aksion perfekt nga e djathta, Dallku ia vazhdon Osmanit e ky me të parën në thellësi për Lushtakun i cili e kthen në qendër, e Pefqeli që ishte i mbuluar e lëshon topin për Osmanin i cili ishte përball portierit, por pason gjuajtje mbi tra. Rast i pastër shkon në pakthim.

Labinot Osmani

50’ Labinot Shabani merr top nga thellësia dhe me shpejtësi depërton deri afër pingules së djathtë, gjuan, por portieri Muqiqi kishte mbyllur këndin dhe dëbon në korner. Ishte tentimi i tretë, më i miri dhe i fundit në tërë ndeshjen për mysafirët.

51’ Bardhi gjuan me kokë plogësht pas këndores, jashtë.

57’ Krasniqi gjuan perfekt nga gjuajtja e lirë, por intervenim i saktë i portierit Rexhepi.

61’ Lushtaku nga 22 metra gjuan ulët, në vend portieri mysafir.

62’ Kreshnik Lushtaku ia merr topin Pirës, pastaj futbollisti prishtinas futet në zonë dhe mjeshtërisht e tërhek topin mbrapa, ndërsa Pira shkakton faull dhe penallti.

Kreshnik Lushtaku

64’ Ahmed Januzi nga pika e bardhë qëllon pingulen e majtë.

76’ Lushtaku shkurt nga korneri te Dallku i cili harkon në zonë, kurse Leci me kokë ia del të gjuaj, por lartë.

80’ Pas një krosimi në zonë vendasit e dëbojnë diku te 25 metra, e pranon Debatik Curri dhe pason gjuajtje vrastare, e saktë e fortë dhe drejt e në kuadrat. Gëzim i madh i Currit dhe i gjithë bashkëlojtarëve dhe adhuruesve të cilët me padurim prisnin më në fund të shënonte skuadra – 1:0.

Debatik Curri

84’ Curri nga gjuajtja e lirë provon, por lartë.

86’ Lushtaku gjuan diku nga 22 metra, e lartë.

Shend Kelmendi

87’ Maxhuni ia vjedh topin kundërshtarit, e pason në krah te Lushtaku i cili me harkim në shtyllën tjetër gjen Kelmendin që gjuan furishëm, por pak jashtë.

90+2’ Genc Hamiti për mrekulli kalon nga e djathta dhe pason saktësisht për Labinot Osmanin i cili ndodhet i vetëm me portierin Rexhepi dhe mund ta vendoste përfundimisht fituesin, por pason gjuajtje e dobët dhe e kap portieri Rexhepi.

Labinot Osmani

Deklaruan:

Lutz Lindemann, kryetrajner i Prishtinës: Në radhë të parë unë jam i kënaqur me rezultatin, sepse me 1:0 fiton tre pikë njëjtë siç fiton edhe me 5:0. Por, me lojë nuk jam i kënaqur, sepse disa raste që i patëm nuk i konkretizuam kështu, siç e thash, në fund jam i kënaqur edhe me një gol, sepse morëm tre pikë, kurse na mbetët të punojmë t’i përmirësojmë gabimet tona.

Debatik Curri: Ishin dy gola të mi, por kjo është meritë e gjithë skuadrës, jo vetëm e imja. Në të dy golat, kam qenë në momentin e duhur dhe pastaj duke bërë zgjedhjen e duhur shënova në të dy ndeshjet e fundit. Kështu që vazhdojmë luftën për titull deri në fund, kemi shumë punë për të bërë deri në përfundim. Sepse, edhe sot e kemi ditur që kundër Ferizajt e kemi shumë vështirë, sepse me Feronikelin nuk ka nevojë për shumë motivim, kurse sot u deshtë të angazhohemi shumë. Deri në fund ndeshjet me skuadrat si me Ferizajn që janë pak më të dobëta duhet t’i fitojmë që të shpallemi kampion.

Arsim Abazi, kryetrajner i Ferizajt:
Duhet të jem i kënaqur me angazhimin e futbollistëve të mi duke e pasur parasysh se jemi përball me një ekip shumë të fortë siç është Prishtina e që këtë e ka treguar nga fillimi i kampionatit. Ne jemi në një krizë të rezultateve, por prapë se prapë duhet të jem i kënaqur me angazhimin sot, ndaj një Prishtine super të përforcuar dhe super të përgatitur fizikisht. Nëse e përsërisim këtë angazhim si sot, ne mund të kalojmë krizen e rezultatit që na ka kapluar. Tani kemi 10 ditë pa ndeshje në dispozicion dhe mund të përgatitemi e t’i përmirësojmë gabimet tona që i kemi pasur në tre ndeshjet e fundit. Nuk jemi ekip që t’i kemi vetëm tre pikë, por mbase na ka munguar edhe fati pak, por edhe me angazhim si sot do t’i rikthejmë rezultatet. 

Avni Durmishi