Lajme

Java VII: Prishtina – Feronikeli 0-0

Java VII: Prishtina – Feronikeli 0-0

Prishtina me një futbollist më pak (40 minuta) edhe mund ta fitonte ndeshjen

Drenas, 27 shtator, 2017 – Prishtina sot e duroi presionin e madh të ushtruar të skuadrës “mysafire” drejt gjyqtarëve të cilët pastaj veç drejtësi nuk ndanë. Por, futbollistët prishtinas duhet kuptuar që këto janë kushtet e duhet duruar këta këmishëzinj e duhet luftuar për t’i mposhtu edhe ata edhe kundërshtarët. E edhe në këto kushte me një futbollist më pak, Prishtina pati rastin të mbyllte ndeshjen me fitore. Por, edhe për barazim, merita të mëdha kanë pritjet e portierit Bekaj, por edhe luftës deri në vetëmohim të futbollistëve tanë. Ky barazim nuk kënaq, por sidoqoftë mban skuadrën duke e ndarë vendin e dytë me Trepçën ’89, dy pikë më pak se lideri, Llapi – skuadër kjo që Prishtina të dielën në Podujevë ndeshet me të.

Java VIII:

Prishtina – Feronikeli 0-0

Shikues: afër 1.000

Gjyqtarë: Fatmir Tahiri (Mt), Driton Preniqi (Ka), Kujtim Bajrami (Gjl) – Labinot Fejzaj

KV: D. Miftaraj, A. Dallku, D. Curri, G. Mankeda – B. Maliqi, K. Lushtaku

KK: D. Miftaraj (2KV – minuta 52’)

Pozitat jashtë lojës: Pri 3-0 Frn

Kornerët: Pri 6-2 Frn

Gjuajtjet totale: Pri 6-8 Frn

Gjuajtjet në portë: Pri 2-4 Frn

Prishtina (4-2-3-1): 12. Visar Bekaj – 88. Përparim Osmani, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 7. Lorik Boshnjaku (77. Mërgim Pefqeli – 90+6’) – 29. Drashko Bozhoviç (66. Ergyn Ahmeti – 65’), 15. Gauthier Mankenda, 10. Mentor Mazrekaj – 27. Ahmed Januzi (11. Liridon Fetahaj – 67’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Gentrit Dumani, Agon Xhaka, Kastriot Selmani. Kryetrajner: Mirel Josa.

Feronikeli (4-2-3-1): 1. Faton Maloku – 18. Haxhi Shala, 33. Arbër Prekazi, 8. Ahmet Haliti, 6. Astrit Thaqi – 4. Albert Dabiqaj (5. Burim Qorri – 71’), 20. Behar Maliqi – 11. Mark Milicaj, 10. Qemail Elshani, 99. Yll Hoxha (26. Diar Prokshi – 85’) – 17. Kreshnik Lushtaku (9. Granit Arifaj – 62’). Kryetrajner: Gani Sejdiu.

Komenti:

Ndeshja nisi me përpak autogol, Bashiru kthehu me kokë mbrapa e Bekaj kishte lëshuar portën, por pas vrapimit të shpejtë shpëton në vijë të portës. Edhe pak minuta dhe presioni i Feronikelit ra, e Prishtina e zhvilloi pjesën e parë duke e dominuar në tërësi kundërshtarin dhe duke rrezikuar disa herë dhe me një rast të mirë Mankendës, por portieri Maloku tregoi cilësitë edhe sot.

Pjesa e parë pati disa kartonë të verdhë për prishtinasit, gjyqtari Tahiri mezi s’priste të ndëshkonte dhe aspak s’kishte kriterin e njëjtë e kjo vetëm sa acaronte të Prishtinës duke i marrë edhe tre kartonë tjerë për protesta, ndërkohë Behar Maliqi, kapiteni vendas, nuk i ndahej gjyqtarëve për çdo gjë.

Sidoqoftë, pjesa e dytë nisi furishëm për Prishtinën e cila u ndal pas kartonit të dytë të verdhë të Miftarajt (gjyqtari Tahiri sikur e priste këtë moment!). Por, as kjo nuk i ndihmoi Feronikelit, patën nja dy raste të sigurta, por në vend ishte Bekaj, e në anën tjetër gjuajtjen e Boshnjakut e pengoi që të ndryshonte rezultati, Ahmet Haliti.

Sidoqoftë, po mos të ishte ky gjykim i gjyqtarëve,  që të acaron deri në neveri, rezultati do të duhej të ishte epilog real edhe pse Prishtina deri sa ishte e kompletuar ishte dukshëm më e mirë.

Minutë pas minute:

6’ Bekaj lëshon portën e topin e kthyer me kokë nga Bashiru mezi e largon nga vija e portës.

23’ Maliqi provon nga distanca me gjuajtje ballore, kap Bekaj.

26’ Mazrekaj rrezikon nga gjuajtja e lirë prej distancës, jashtë pingules së djathtë.

31’ Aksion i përkryer i nisur nga e djathta e duke kaluar në kahun tjetër dhe Mazrekaj e shtyn topin për Bashiru që harkon nga krahu, portieri Maloku intervenon para Januzit e nga topi i dëbuar gjuan Mankenda në këndin e djathtë, por Maloku ia del të shpëtonte edhe njëherë.

34’ Mazrekaj e harkon nga e majta këndoren shkurt te Bozhoviç para zonës gjuajtja e të cilit bllokohet e pastaj gjuan me kokë, por pak lart mbi tra.

36’ Krosim vertikal i Currit, Mankenda provon me kokë në këndin e ulët të majtë, në vend Maloku

.

39’ Top i shkëlqyer i Bashirus për Januzin në zonë i vetmuar me portierin Maloku, nuk ia del, me gjithë përpjekjen të kthente në portë.

51’ Maliqi edhe njëherë nga distanca, jashtë.

Ndërpritet ndeshja më tepër se 5 minuta. Si duket Curri e trajneri Sejdiu debatojnë keq mes veti, ndërsa publiku “vendas” i Feronikelit gjuan me gjësende e gjyqtari anësor Preniqi qëllohet dhe si duket edhe presioni ndaj tij dha rezultat, më vonë e ndëshkon Dallkun që nuk e ndërpreu aksionin e Feronikelit edhe pse ishte pozitë jashtë lojës.

59’ Miftaraj gabon, e kap Maliqin i cili ia del të ikën dhe e përballon edhe presionin e Osmanit apo Dallkut dhe e humb topin, por gjyqtari Tahiri këtë moment e priste, la Prishtinën me një futbollist më pak për gati 40 minuta (ndeshja u luajt edhe për 8 minuta shtesë).

71’ Thaqi nga e majta gjuan rrëmbyeshëm, pret e shpëton Bekaj.

77’ Elshani provon me kokë pas harkimit nga e djathta, jashtë.

84’ Yll Hoxha nga afërsia kishte pozitë të pastër nga e majta, ia del të gjuaj, Beka pret e ashtu i rrëzuar ia del të kapte topin.

88’ Pas aksionit të mirë, Arifaj e mbyll nga e majta me gjuajtje tepër të lartë edhe pse ishte në pozitë të mirë.

90’ Sinjalizohet 7 minuta shtesë

90+1’ Provon Prekazi me kokë, jashtë.

90+2’ Aksioni i ndeshjes për Prishtinës. Mazrekaj e Mankenda e kalojnë krahun, e pastaj Mankenda e pason aty brenda zonës rreth vijës, Boshnjaku gjuan fortë e këndin e majtë, Maloku vetëm se ishte i mposhtur, por Ahmet Haliti shpëton gol të sigurtë.

90+4’ Maliqi nga e majta ka presionin e Osmanit, por ia del të gjuaj, shpëton sërish Bekaj.

90+6’ Edhe një fuall i falur nga gjyqtari Tahiri. Harkimin e rrezikshëm me shumë përpjekje e ndal Bekaj edhe pse në fund gjyqtari Tahiri e jep një faull për të.

90+8’ Mbyllet ndeshja. Si duket dy skuadrat e kënaqura me barazim.

Deklaruan:

Mirel Josa, kryetrajner i Prishtinës: Sot ishte e kundërta e lojës së fundit. Bëmë një pjesë të parë pozitive për ne.  Thjesht na mungoi vertikalizimi në sulm, vertikalizim që do të vinte qoftë nga Bozhoviç apo Januzi, do të duhej të ishim shumë më efikas në zonën e kundërshtarit në të cilën shkuam, por mungoi vertikalizimi i Mankendës dhe i mbeti vetëm loja në krah. Ishte një ndeshje me tension nga lojtarët tonë me kartona të verdhë që në pjesën e parë. Pjesa e dytë u prish ekuilibri nga dalja e Miftarajt dhe pavarësisht se mbetëm me një lojtar më pak , sulmuesit mbetën në përbërje, por duhej të përqendroheshim më shumë në mbrojtje, sepse kishim edhe fat se si Feronikeli humbi dy raste shumë të pastre, por megjithatë skuadra ia arriti të ruaj rezultatin. 

Gani Sejdiu, kryetrajner i Feronikelit: Rezultati është real, pavarësisht se prej momentit kur Prishtina mbeti pa një futbollist ne mbizotëruam e krijuam shumë raste, por kjo nuk është tregues se ne kemi qenë më të mirë, sepse një lojtar më pak në derbi do të thotë shumë dhe është faktor që ndikon. Ishte ky takim i nivelit taktik duke e respektuar shumë njëra tjetrit dhe ndeshje që e vendos një detaj dhe futbollistët ishin shumë të koncentruar në ato detaje taktike. Pjesë e parë e baraspeshuar, por pjesa e dytë ishte nën iniciativën tonë, por a na mungon cilësia në fanalizim, fati, apo pritjet e portieri Bekaj ndikoi që mos të fitojmë ndeshjen. Prishtinën duhet llogaritur për përfomancën, sepse para ndeshjes kamë qenë i kënaqur me barazim sidomos pas ndeshjeve të fundit që kemi kaluar është pikë e madhe e moralit. Ndërsa, momenti me Currin, që mos të arsyetohem që nuk kam pasur faj, ka qenë një moment i debatit tim me gjyqtarin anësor, por ai pati pak një shprehje banale e një futbollisti të tillë nuk do të duhej t’i ndodhte, sepse ne trajnerët jemi edhe si prindër të lojtarëve, por e kuptoj edhe Currin, janë momente që ndodhin në lojë.