Lajme

Java VII: Vushtrria – Prishtina

Java VII: Vushtrria – Prishtina

Në Vushtrri për vazhdimësi të fitoreve

Prishtinë, 28 shtator 2019 – Nesër zhvillohet dueli ndërmjet rivalëve të përhershëm, Vushtrrisë dhe Prishtinës. Megjithëse rival i nxehtë, sidomos në “Ferki Aliu”, nëse bazohemi në statistika, Vushtrria është ndër skuadrat që Prishtina më së shumti fiton – vetëm 3 humbje ka në Vushtrri nga 17 udhëtimet zyrtare, ndërsa ka 7 fitore dhe 7 barazime (+6, 16:10 goldallimi në të mirë të kryeqytetasve). Prishtina përballjen e fundit të humbur e ka më 2014.

Prishtina udhëton në Vushtrri pas 3 fitoreve rresht, ndërsa vendasit nga dy ndeshje si vendas kanë po aq barazime.

Kuptohet që imperativ i vetëm i Prishtinës është fitorja, meqenëse tani është -5 pikë liderit në klasifikim.

Prishtina në Vushtrri udhëton pa dy futbollistët e lënduar, Januzi e Haliti, ndërsa të gjithë futbollistët tjerë janë të gatshëm për ndeshje.

Java VII

Vushtrria – Prishtina

E diel, 29 shtator – ora 15:00

Stadiumi: “Ferki Aliu”, Vushtrri

Gjyqtarë: Selim Isufi (Mt), Fatlum Berisha (FK), Bujar Selimaj (Pz) – Bardh Ajeti (Mt)

Thaqi: Shpresojmë që me paraqitje të mirë të vazhdojmë ecurinë e fitoreve

“Po, pas ecurisë pozitive nga tre ndeshje – tre fitore, mendoj që jemi rikthyer sadopak, duke e rikthyer edhe besimin në ekip dhe vetëbesimin të gjithë bashkëlojtarët. Tani, dhe sidomos para ndeshjes së nesërme, ekziston një optimizëm shumë i madh dhe shpresojmë që të kemi paraqitje të mirë dhe normalisht të vazhdojmë ecurinë e fitoreve. Është terren shumë i vështirë, mirëpo ne kemi luajtur në terrene edhe më të “nxehta” dhe s’besoj që do të na pengoj, thjesht e kemi qëllimin tonë që të vazhdojmë ecurinë e fitoreve, sepse pozita e 6-të momentale ku ndodhemi nuk na ka hije dhe sa më shpejtë të ngjitemi sa më larg në klasifikim”, ka thënë kapiteni i skuadrës, Armend Thaqi.