Lajme

Java VIII: Llapi – Prishtina

Java VIII: Llapi – Prishtina

Prishtina në kërkim të rrëzimit të Llapit nga froni

Prishtinë, 30 shtator, 2017 – Llapi dhe Prishtina përveç ndeshjes të derbit rajonal, po ashtu luftojnë edhe për fronin e klasifikimit. Llapjanët janë dy pikë epërsi para kryeqytetasve.

Llapi kësaj ndeshje i hyn pas humbjes me Trepçën ’89 (3:1), kurse Prishtina pas barazimit me Feronikelin (0:0). 

Java VIII:

Llapi – Prishtina

E diel, 1 tetor – ora: 15:00

Stadiumi: “Zahir Pajaziti”, Podujevë

Gjyqtarë: Gramos Shala (Pe), Visar Kelmendi (Pe), Gzim Mehmeti (Mt) - Fatmir Tahiri (Mt)

Josa: Skuadra që do të jetë më e përqendruar do të fitojë ndeshjen

“Në momentet që ndeshemi me skuadrën që është e para në klasifikim, pavarësisht rezultatit që e pati në ndeshjen e fundit, e vlerësojmë këtë skuadër maksimalisht. Vlerësimet duhet bërë maksimalisht, sepse i shkojmë përshtat një skuadre që luan futboll si Prishtina. Jam i kënaqur deri tash me mënyrën se si djemtë po sillen në fushën e lojës në mënyrën sportive. Duke respektuar çdo kundërshtar, sepse diferencat e futbollit në Kosovë janë shumë të vogla. Ndërsa, ne si skuadër kemi probleme, sepse kemi disa lojtarë jashtë kondicionit tyre. Por, kam besim që me futbollistët që disponojmë do të dalim me rezultat pozitiv. Normal që shkohet për të fituar, por të gjitha gjërat do t’i tregoj fusha duke pasur parasysh edhe zhvendosjet që do t’i kemi në formacion. Ndërsa, edhe barazimet që kemi pasur janë të pranueshme, sepse nuk humbet ndeshja, pavarësisht që kuptohet do të më leverdiste një fitore e jo dy barazime. Por, skuadrat nuk kanë shumë diferenca dhe këtë më së miri e ilustron ngjeshja e skuadrave në tabelë. Pra, duke parë kampionatin, mua më intereson të përmirësohet ekipi nga java në javë dhe ky faktor më është treguar edhe me Feronikelin, pavarësisht janë skuadër me djem të mirë që luajnë futboll të mirë, por deri sa ishim me barazi numerike në fushë, ishte shumë mirë e vendosur në fushë dhe ishte skuadër që luajti futbollin me koncept. Normalisht na mungoi goli dhe goli vije jo vetëm nga sulmuesi, por edhe nga lojtarët tjerë që vertikalizojnë në zonë. Dhe kur i marrim krejt këto parasysh, Llapin e kam parë si skuadër shumë kompakte që luftojnë të gjithë lojtarët dhe edhe pse futbolli është lojë argëtuese, fundja fundit është edhe një luftë, luftë sportive dhe egoja sportive për të marrë një ndeshje. Pra, skuadra që do të jetë më e përqendruar do të fitojë ndeshjen”, ka shtuar kryetrajneri, Mirel Josa.

Boshnjaku: Duhet rikthyer fitoreve

“Me Llapin kemi pasur si statistika të mira, po ashtu edhe lojëra të mira. Shpresoj që në këtë ndeshje do të zhvillojmë ndeshje edhe më të mirë se sa në dy ndeshjet e fundit ku kemi barazuar. Duhet rikthyer te fitorja, pastaj na pret pushim ku do të punonim maksimalisht të qetë për vazhdimin e kampionatit. Normalisht pra pres angazhim maksimal dhe si në çdo ndeshje që hyjmë për fitore, e nganjëherë nuk po na përcjell as fati, të hyjmë edhe në edhe në këtë ndeshje për ta fituar atë”, ka thënë mesfushori, Lorik Boshnjaku.

Statistikat:

Llapi dhe Prishtina janë ndeshur në 17 ndeshje zyrtare pas luftës. Prishtina ka bilanc prej 9 fitoreve, 3 barazime dhe 5 fitore të Llapit me golldallim +16 për Prishtinën, 31:15.

Llapjanët kanë bilanc shumë pozitiv në Podujevë, nga 8 ndeshje kanë 4 fitore, 3 barazime dhe vetëm 1 humbje me golldamin +4, 9:5.

Por, në kryeqendër Prishtina ka 8 fitore dhe 1 humbje nga 9 ndeshje – humbja e vetme është në Kastriot në ndeshjen e fundit kampionale (1:2).

Prishtina dhe Llapi kanë shënuar për ndeshje, 1.5 gola, por Llapi nuk e ka asnjë gol për ndeshje (0.8) ndërsa Prishtina gati 2 gola (1.8).

Nuk ka shumë rezultate të shpeshta, vetëm tre herë është mbyllur 3:1 dhe 2:1, të gjitha në favor të Prishtinës përveç fitores së fundit të Llapit. Prishtina ka fitore të thella si 5:0, 4:0 dhe 4:1 e 3:0.

31 golat e Prishtinës i kanë shënuar 19 futbollistë ku prin Sheremet Isufi me 5 gola (2x2). Kurse nga futbollistët aktiv kanë shënuar nga 1 gol Khalid, Januzi dhe Mankenda.

Për Llapin 15 golat i kanë shënuar 12 futbollistë dhe nga 2 kanë Enis Zabërgja e Egzon Sinani.

Prishtinës i kanë prirë 11 trajnerë dhe vetëm tre me më shumë se një ndeshje. Prinë Ajet Shosholli me 4 ndeshje (3-0-1, 9:3), Fadil Berisha me 3 (2-1-0, 7:2) dhe Jusuf Tortoshi 2 (1-0-1, 4:1).

Llapin vetëm dy futbollistë e kanë udhëhequr mbi një ndeshje. Tahir Batatina i ka 9 ndeshje (3-2-4, 10:14) dhe Basri Muqolli me 3 ndeshje (0-1-2, 1:5).

Më shumë se një përballje e kanë vetëm Fadil Berisha e Tahir Batatina, ku nga 3 përballje Berisha i ka 2 fitore e një barazim me golldallim 7:2.

Përballjet pas luftës:

1999/00:
Llapi - Prishtina 0:2 (0:2) Visar Aliu 8’, Kushtrim Munishi 44’
Prishtina - Llapi 5:0 (1:0) Kushtrim Munishi 15’, Malsor Gjonbalaj 53’, 85’,  Burim Berisha 56’, Visar Aliu 60’

2000/01:
Llapi - Prishtina 1:0 (0:0) Arben Azemi 50’
Prishtina – Llapi 4:0 (2:0) Bashkim Patoku 25’, Malsor Gjonbalaj 32’, Sheremet Isufi 80’, 90’

2001/02: Llapi - Prishtina 0:0
Prishtina - Llapi 4:1 (1:0) Florim Humolli 28’, Uliks Emra 61’, Sheremet Isufi 68’, 84’ – Hysni Veliu 70’

2004/05: Llapi – Prishtina 3:1 (2:0) Nelson Neto 12’, Driton Syla 44’, Leandro Silva 82’ – Sheremet Isufi 53’
Prishtina – Llapi 1:0 (0:0) Visar Sermaxhaj 64’

2014/15:
Kupa: Llapi – Prishtina 2:1 (2:1) Dardan Jashari 3’, Mergim Boshnjaku 28’ – Mentor Zhdrella 12’

2015/16: Prishtina – Llapi 2:1 (1:1) Shend Kelmendi 8’, Bashkim Shala 71’ – Getoar Dragusha 26’ (pen)
Llapi – Prishtina 2:0 (1:0) Visar Zogiani 6’, Enis Zabërxha 68’
Prishtina – Llapi 3:1 (2:1) Berat Hyseni 10’, Kreshnik Lushtaku 21’, Shend Kelmendi 84’ – Enis Zabërgja 31’
Kupa ½ Prishtina – Llapi 3:0 (0:0) Armend Thaqi 68’ Labinot Osmani (pen) 77’, 90+3’
Kupa ½ Llapi – Prishtina 1:1 (1:0) Egzon Sinani 35’ – Kreshnik Lushtaku 77’

2016/17: Prishtina – Llapi 3:1 (0:0) Shend Kelmendi 48’, Ahmed Januzi 60’, Gauthier Mankenda 62’ – Egzon Sinani 71’
Llapi – Prishtina 0:0
Prishtina – Llapi 1:2 (0:0) Basit Abdul Khalid 58’ – Berat Hyseni 72’ (p), Mirlind Daku 82’