Lajme

Java VIII: Llapi - Prishtina 3-0

Java VIII: Llapi - Prishtina 3-0

Prishtina pësoi fiasko si me lojë, po ashtu edhe me rezultat

Podujevë, 1 tetor, 2017 - Nuk mbahet në mend kur Prishtina i ka pranuar tre gola në kampionat e edhe më shumë nuk mbahet në mend kur ka pësuar humbje të thellë 3:0. Sot asgjë nuk funksionoi. Llapjanët shpejtë rehatuan kryeqytetasit dhe pjesa tjetër e lojës ishte mundim në vete për futbollistët tanë. Është e pajustifikueshme mos të rrezikosh më shumë se njëherë (Mankenda pingulen), sepse edhe mund të pësosh tre gola, por mos të rrezikosh asnjëherë, e pabesuar se mund t’i ndodh një skuadre siç është Prishtina, ose mbase ka futbollistë që janë të mbivlerësuar dhe kaq është “kaçiku” i tyre e kërkohet nga ta më shumë se që mund të japin. Mos të shënosh gol në tre ndeshje rresht, edhe kjo ka kohë që nuk i ka ndodhur skuadrës dhe mirë që kampionati pushon dhjetë ditë e mbase skuadra do të merr veten.

Java VIII

Llapi - Prishtina 3-0 (2-0)

Golat: Gentrit Begolli 7’, Hamdi Namani 24’, Florim Bërbatovci 90+1’

Shikues: 2.000

Gjyqtarë: Gramos Shala (Pe), Visar Kelmendi (Pe), Gzim Mehmeti (Mt), Fatmir Tahiri (Mt)

KV: Mentor Zhdrella

Pozitat jashtë lojës: Llapi 2-2 Pri

Kornerët: Llapi 6-3 Pri

Gjuajtjet totale: Llapi 8-7 Pri

Gjuajtjet në portë: Llapi 5-4 Pri

Llapi: 13. Afrim Ademi - 8. Benjamin Emini, 14. Egzon Sinani, 5. Dardan Jashari, 18. Ilir Blakqori - 6. Kushtrim Shabani, 16. Hamdi Namani /c/ (10. Edon Zeqiri - 67’), 7. Mentor Zhdrella, 9. Gentrit Begolli (11. Florim Bërbatovci - 66’), 23. Leart Emini, 19. Mirlind Daku (3. Leutrim Kadriu - 84’). Kryetrajner: Tahir Batatina.

Prishtina (4-2-3-1): 12. Visar Bekaj, 88. Përparim Osmani, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri (34. Agon Xhaka - 46’), 13. Abdul Bashiru - 7. Lorik Boshnjaku (66. Ergyn Ahmeti - 72’), 77. Mërgim Pefqeli - 29. Drashko Bozhoviç, 10. Mentor Mazrekaj, 15. Gauthier Mankenda - 27. Ahmed Januzi (11. Liridon Fetahaj - 46’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Lorik Maxhuni, Gentrit Dumani, Bleon Sekiraqa. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Përveç pesë minutave të para dhe 10-15 minutat e fundit para se të pësohej goli, Prishtina nuk ngjante në ekip e lëre në Prishtinë. Ndërsa Llapi sot luajti si “sahat”, ia deshi që nga aksion i mirë të shënonte e edhe të ndëshkonte me golin e dytë pas hapësirave të krijuara nga prishtinasit.

Pjesa e dytë u zhvillua pothuajse në ritmin e Llapit që tentoi e me sukses ruajti rezultatin dhe në fund edhe shënuan për fitoren e thellë. 

Ndërsa Prishtinës, që zakonisht pikën më të fortë ka mbrojtjen, sot dështoi plotësisht.

Prishtina ndeshjen e ardhshme e zhvillon pas përfundimit të kualifikimeve dhe e pret Vëllaznimin.

Minutë pas minute:

7’ Blakqori nga fusha e tij me pasim vertikal para zonës e gjen Dakun që futen nga e djathta dhe pasi që lirohet nga Dallku pason saktë për Gentrit Begollin që nga shtylla e parë tregohet i saktë - 1:0.

10’ Mazrekaj tenton të rrezikoj nga gjuajtja e lirë ballore, e ulët dhe e parrezikshme për portierin Ademi që kap topin.

24’ Zhdrella pasi që pranon top nga rivënia anësore e gjen Hamdi Namanin e që i pambuluar aty rreth zonës gjuan saktë në krahun e majtë, Bekaj mposhtët për herë të dytë - 2:0.

30’ Curri faullon para zonës dhe e tërë mbrojtja qëndron si e hutuar, me shpejtësi e nisin vendas e Begolli gjuan nga gjysmë e djathta, tani pret Bekaj.

35’ Curri me pasim vertikal në krah të majtë për Bashirun i cili e kthen para pikës së penalltisë e Bozhoviç gjuan me të parën e vetëm sa koritet, tepër lartë mbi tra.

42’ Emini provon gjuajtjen nga jashtëzona, jashtë.

44’ Tjetër aksion, tani Shabani gjuan nga gjysmë e majta, prejt Bekaj.

60’ Pas një tollovie përreth zonës vendasve, Mankenda gjuan ballore të shpejtë, qëllon pingulen e djathtë. Rasti i vetëm i Prishtinës.

74’ Aksion i mirë që e mbyll me gjuajtje Mazrekaj nga 20 metra, por portieri Ademi kap topin.

79’ Aksion i shkëlqyer i vendasve, Bërbatovci ia vazhdon djathtë Zhdrellës e ky nga krahu në zonë për Dakun të cilin në momentin e fundit e pengon Dallku dhe topi përfundon mbi tra, këndore.

82’ Zeqiri nga e djathta kalon një futbollist e gjuan rreptë, pak jashtë.

89’ Dallku me krosim vertikal në zonë, Mankenda gjuan plogësht me kokë, jashtë.

90+1’ Prishtina provon kundërzbritje me top të gjatë dhe e humb topin e tash kontra për vendasit, Zhdrella manovron para zonës, ia vazhdon Leart Eminit e ky djathtë saktë te Florim Bërbatovci dhe mposhtë për herë të tretë Bekajn - 3:0.

90+4 Gjuajtje dëshpëruese e Mankendës nga largësia, e pasaktë.

90+5’ Mazrekaj depërton nga e majta, por gjuan plogësht, kap portieri Ademi.

Deklaruan:

Mirel Josa, kryetrajner i Prishtinës:
Deklaratat para ndeshjes nuk vlejnë në futboll, edhe pse skuadra përgatitet për fitore. Ne luajtëm mirë pesë minutat e para tamam të vendosur mirë, por me ardhjen e parë në zonën tonë nga Llapi pësuam gol shumë naiv që nuk na shkon për shtat, pavarësisht aksionit të mirë të tyre. Pastaj deri në fund të pjesës së parë nuk jam fare i kënaqur nga skuadra, sepse Llapi fitoi komplet dyluftimet dhe po si fitove ato në të tre linjat e fushës, atëherë nuk ki se si të pretendosh në ndeshje. Në të dytën provuam të ndërtonim, por krejt në fund u goditëm sërish. Duhej të shënonim ne, por në futboll nuk ka duhet, por çfarë bënë. Kemi probleme me vertikalizimin, me zotërimin dhe krijim e hapësirave e këto duhet krijuar që të vertikalozojmë më tepër dhe këtë duke mos e bërë sot i shkuam tamam përshtat kundërshtarit. Tani nuk mund të flas për ndryshime, kam këtë kontigjent lojtarësh deri në fund të vjeshtës dhe këtij grupi duhet marrë maksimumin, e pastaj në përfundim të kësaj faze duhet parë se çfarë ndryshime mund të bëjmë. 

Tahir Batatina, kryetrajner i Llapit: Skuadrat e fuqishme e harrojnë humbjen (me Trepçën ‘89). Edhe Reali e Barcelona humbin, por rikthehen fuqishëm. Edhe ne treguam se jemi skuadër e fuqishme me mentalitet të fortë në aspektin sportiv. Ju kemi qasur ndeshjes me punën dhe intensitetin më të madh gjatë tërë javës duke punuar që t’i eliminojmë të gjitha gabimet nga ndeshja e kaluar që të përmirësoheshim sa më shumë, të ishim më të efektshëm dhe në repartin defansiv. I kemi treguar Prishtinës që po të ishte Llapi në Evropë me këtë lojë Kosova do t’i kishte tre skuadra në gara ndërkombëtare, sepse s’kemi kaluar raunde. Pra treguam lojë të mirë dhe e mposhtëm Prishtinën me taktikën tonë. Fitoren ua dedikoj të gjithë adhuruesve të Llapit.