Lajme

Java X (e mbetur): Feronikeli – Prishtina 0-1

Java X (e mbetur): Feronikeli – Prishtina 0-1

Asisti i Khalidit, goli i Morinës, 30 minuta pa një futbollist…Prishtina në vend të parë

Armend Dallku

Plisat

Drenas, 7 nëntor 2018 – Prishtina ka fituar ndeshjen e radhës, të 7-në rresht, në Drenas ku aty skuadra nuk din për humbje dhe nga e cila del në pozitën e parë. Bardhekaltrit, me ndihmën e “Plisave”, pas asistimit brilant të Khalid, shënoi nëpërmjet Morinës (57’) e pastaj 30 minutat e fundit e mbrojti fitoren me një futbollist më pak (Miftaraj të kuq 64’). Krejt kjo sot tregoi shpirtin luftarak të skuadrës dhe dëshirën e madhe për fitore dhe për treguar se kush është më i miri. Fitore e arritur me mund, por edhe me mund do të jetë mbrojtja e kësaj pozite. Skuadra nuk ka pushim, menjëherë të dielën e pret Ballkanin – skuadër kjo që në ndeshjen e parë na mori një pikë. Pra, sot festë, nga nesër mendohet në kundërshtarin tjetër, të radhës, ashtu siç ishte Feronikeli sot.

Java X (e mbetur)

Feronikeli – Prishtina 0-1 (0-0)

Golashënues: Marjo Morina 57’

Shikues: 3.000

Gjyqtarë:  Dardan Çaka (Vu), Fatlum Berisha (FK), Bujar Selimaj (Pz) – Selim Isufi (Mt)

KV: Y. Hoxha, A. Prekazi, M. Hoti – V. Bekaj, A. Bashiru, D. Miftaraj

KK: D. Miftaraj (2KV – min. 64’)

Pozita jashtë lojës: Frn 0-3 Pri

Kornerët: Frn 6-0 Pri

Gjuajtjet totale: Frn 9-6 Pri

Gjuajtjet në portë: Frn 3-2 Pri

Feronikeli: 12. Florian Smakiqi – 21. Përparim Islami, 33. Arbër Prekazi, 5. Lapidar Lladrovci /c/, 99. Yll Hoxha, 4. Albert Dabiqaj, 15. Berat Ahmeti (18. Artur Magani – 68’), 11. Jean Da Silva (9. Mevlan Zeka – 53’), 7. Mendurim Hoti, 10. Astrit Fazliu, 24. Kastriot Rexha. Kryetrajner: Zekerija Ramadani.

Prishtina (4-4-1-1): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi, 4. Armend Dallku /c/, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 7. Lorik Boshnjaku (21. Argjend Mustafa – 80’), 3. Jamal Arago, 10. Meriton Korenica (8. Ahmet Haliti - 62’) – 27. Marjo Morina (77. Mergim Pefqeli – 67’) – 27. Basid Khalid. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Përparim Osmani, Arbër Hoxha, Alen Jasharoski. Kryetrajner: Mirel Josa.

FC Prishtina

Komenti:

Prishtina edhe pas 8 ndeshjeve nuk ka pësuar me Feronikelin – katër të fituara dhe katër të luajtura baras. Prishtina sot ka arritur fitoren e 7-të rresht, ndërsa ndeshja e 5-të rresht pa pësuar gol. Khalid ka arritur në shifrën 3 asistimeve duke qenë asistuesi më i mirë i skuadrës sëbashku me Thaqin. Ndërsa Morina ka shënuar golin e tij të 4-të dhe i prinë realizuesve sëbashku me Khalid – dy autorët e pikëve të dy ndeshjeve të fundit.

Prishtina tani ka rrëmbyer pozitën e parë me 33 pikë – 1 më shumë se Feronikeli me 32. Ndërsa sa i përket vetë lojës, ajo mbase nuk ishte e pëlqyeshme për publikun e thjeshtë, sepse u krijuan pak raste shënimi. Por, ishte e luftuar maksimalisht nga dy skuadrat për çdo cep fushe dhe për çdo top. Sidomos ishin futbollistët e Prishtinës që sot e donin fitoren me patjetër. Kjo u pa edhe pas daljes me të kuq të Miftarajt. Prishtinasit për 30 minuta u rrezikuan 2-3 herë kryesisht nga harkimet, por besimi ishte shumë i madh në fitore dhe në fund u arrit. Festa ishte e madhe si e futbollistëve dhe e adhuruesve tanë në tribuna. E kuptueshme, skuadra më në fund pas 14 ndeshjeve, 10 fitoreve, 3 barazime dhe vetëm 1 humbje del e para në klasifikim duke e mposhtur liderin e deritanishëm në fushën e saj.

Bardhekaltrit nuk kanë pushim, të dielën më 11 nëntor nga ora 13:30 e presin Ballkanin në kuadër të javës së 15-të.

Armend Thaqi

Minutë pas minute:

11’ Kundërzbritje e Hotit nga e majta, e pastaj gjuan nga distanca, por jashtë pingules.

13’ Fazliu i ikën Thaqit nga e majta dhe kroson rrezikshëm, me intervenim e ndërprenë Bekaj, ndërsa Arago në momentet e fundit para Silva-s e dëbon tutje.

Abdul Bashiru

15’ Vendasit e dëbojnë shkurt afër zonës, Khalid e merr e gjuan plogësht e anash pingules së djathtë.

33’ Arago nga gjuajtja e lirë ballore gjuan ulët, topi devijohet nga “muri i gjallë” dhe kap portieri Smakiqi.

36’ Arago pranon pasim në të djathtë, e ulët para portës, dëbohet nga vendasit deri para zonës ku ndodhet Morina që gjuan me të parën, por pak i pasaktë, jashtë pingules së djathtë.

38’ B. Ahmeti vendas gjuan ballore, por keq e larg.

45’+1 Islami ia del të harkoj nga e djathta e Rexha të gjuaj nga 10-11 metra me kokë, Bekaj në vend, kap.

45’+2’ Aksion i përkryer, Arago nga e djathta vazhdon në qendër e vazhdon te Korenica e ky djathtë te Thaqi i cili e kthen për Boshnjakun dhe sërish e fut në krah te Thaqi që e harkon në shtyllën e dytë ku ndodhet Khalid i cili nga 1-2 metra nuk ia del të vendoste topin në portë, topi përfundoj skaj pingules.

51’ Rexha nga e majta e vazhdon te Hoti më në qendër dhe para zonës gjuan fortë, por anash pingules së djathtë.

Khalid

57’ Prishtina lufton fortë për topin nga e djathta, e rrëmben Khalid e lirohet dhe e pason shkëlqyeshëm për Morinën krejtësisht të vetmuar dhe i cili nga 10-12 metra gjuan në këndin e majtë të Smakiqit – 0:1.

Marjo Morina

Marjo Morina

58’ Një top te zona e vendasve, Khalid ia del ta merr nga portieri Smakiqi por ikën larg, e kthen për Korenicën që nga distanca gjuan lartë.

64’ Miftaraj ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë pas një starti. Të parin kishte marrë në pjesën e parë për lojë me dorë.

Diar Miftaraj

75’ Zeka e harkon këndoren e majtë, e ndal Khalid, sërish Zeka e harkon saktë për Lladrovcin që gjuan me kokë, por në këndin e majtë intervenon Bekaj e pastaj Rexha faullon në Bekajn.

77’ Zeka sërish harkon nga e djathta, Rexha edhe pse i mbuluar mirë nga Dallku ia del të gjuaj, por jo siç din dhe donë ai, jashtë.

Mevlan Zeka

81’ Tani Hoti nga e djathta e gjen Zekën në zonë, rrëshqet e nuk ia del të gjuaj saktë, jashtë.

Visar Bekaj

84’ Yll Hoxha gjuan rrëmbyeshëm nga e majta jashtëzonës, intervenim i bukur i Bekës, e dëbon mbi tra.

Yll Hoxha

84’ Harkim i mirë nga e djathta, Lladrovci ia del të gjuaj me kokë, por topi prek tokën e del lartë mbi kuadrat.

Lorik Boshnjaku

Khalid - Yll Hoxha - Mirel Josa

Deklaruan:

Mirel Josa: Normal që ishte vështirë se luanim me liderin e kampionatin, me një skuadër që ka udhëhequr kampionatin për një kohë të gjatë. Në këto pozita kemi qenë edhe ne para një viti, kemi qenë edhe 4 pikë diferencë përpara dhe kemi humbur kampionatin nga Drita. Kështu që ne duhet të shohim mirë se çfarë do të bëjmë mirë në fushë se si duhet t’i presim ndeshjet pasardhëse dhe për ne ndeshje kryesore pasardhëse është ndeshja me Ballkanin e cila është shumë e rëndësishme për mënyrën se si luan Ballkani e cila është një skuadër e cila kërkon të luaj futboll, kërkon të shprehet në fushë. Ndërsa unë kam mendimin se skuadra sot në fushë ishte shumë e impenjume dhe mund të themi ai impenjim shumë i madh i skuadrës ose ai stres që kishte për ndeshjen e sotme për të dal me rezultat pozitiv, na frenoi disi, sidomos në disa momente në pjesën e parë që do të duhej ta shprehnim më mirë. Ne pësuam kartonin e kuq në minutën e 64-të dhe kishim një periudhë shumë të gjatë të cilën kjo gjë na ka ndodhur edhe vitin që kaloi po këtu me Feronikelin po me Miftarajn. Unë në përgjithësi jam i kënaqur se si skuadra diti ta mbron rezultatin, por rezultati nuk mbrohet vetëm duke bartë topin përpara, ose shkelmuar topin përpara. Këtu duhej të ishim më të qartë, sidomos në kontrollin e topit në mënyrë që ne t’i jepnim kohë skuadrës që të ngrihej, të organizonte të mos ishte në presion siç u krijuan rastet e Feronikelit, sidomos me veprimet e Hotit, krosimet në zonë e Feronikeli si i rrezikshëm aty edhe mund të na dënonte, por kjo nuk ndodhi si për fatin tonë dhe për aftësinë e mbrojtjes sonë doli që ndeshja të përfundoj kështu. Kjo nuk do të thotë asgjë, jemi në vend të parë tashti, ishte ndeshje e mbetur dhe po të luhej në kohën e caktuar do të kishte përfundim tjetër, sepse edhe skuadra jonë ka kohë që po ecën në kohë të drejt sa i përket rezultateve, por mua më intereson të ecën në zhvillimin e lojës dhe mënyrën se si në situata të caktuara se si do t’i zgjedhësh. Unë jam i kënaqur me skuadrën, ndërsa Marjo Morina bënë punën e vetë, sepse për atë punë e kemi marrë – po “kfjellet” thoni ju, por ai është një futbollist me kapacitet, por më tepër nga ai do të shohim me rritjen e gjendjes fizike të tij.

Marjo Morina: Normalisht po shkojmë mirë gjithë këto ndeshje ku kemi bërë gol ose Khalidi ose unë dhe kjo është kryesorja e ku me këtë fitore dolëm në vend të parë e inshalla vazhdojmë kështu, sepse tani kemi edhe pauzën para dhe çdo gjë është në favorin tonë.

Zekirja Ramadani, kryetrajner i Feronikelit: Gjithmonë derbi vendoset nga një gol. E kishte epitetin e derbit dhe në fushë u pa që ishte një derbi i vërtet. Derbit i fiton ekipi që bënë më pak gabime. Ne u munduam të bëjmë pak gabime dhe mendoj që na ndëshkuan nga një gjysmërasti dhe pastaj në fund ndoshta edhe fati nuk ishte me ne. Kishim raste për ta barazuar rezultatin që do të ishte shumë mirë nëse do të kishim arritur të barazonim. Por, ja që nuk u barazua. Më vjen keq për humbjen, por ne duhet të tregohemi profesionit, kemi për katër ditë ndeshje tjetër dhe normal nga dita e nesërme duhet të përgatitemi për Ferizajn. Sepse, e humbëm ndeshjen, por nuk humbëm asnjë gjë tjetër, humbëm vendin e parë, por në disa momente nga eksperienca si futbollist që e kam pasur, gjithmonë nga vendi i dytë kemi qenë më të rrezikshëm se kur kemi qenë lider në klasifikim. Shpresoj që edhe në këtë radhë do të jetë ashtu. Ne prapë do të kemi rastin mbase ta kalojmë Prishtinën nëse arrijmë të kalojmë dhe duhet t’i shfrytëzojmë. Ndoshta po të ishte luajtur ndeshja në kohën e duhur, sepse Prishtina në atë moment kishte pesë-gjashtë futbollistë të lënduar e ku neve do të na mungonte vetëm Rexha. Dhe euforia dhe ku kjo ndeshje u fry shumë nga mediat dhe normal u rrit edhe presioni te skuadrat dhe këtë presion diti më mirë të menaxhoj Prishtina dhe korrën sot fitore.   

Plisat