Lajme

Java X: Trepça ’89 – Prishtina 0-2

Java X: Trepça ’89 – Prishtina 0-2

Shkëlqeu Prishtina – simultankë e Ahmed Januzit!

Mitrovicë, 15 tetor, 2017 – Na kishte marrë malli që të shohim ndeshje ku Prishtina shkëlqen, me lojë, angazhim, disiplinë në taktikë, krijim i rasteve – fitore. Kur të gjitha këto i ke në ndeshjen me rivalët më të mëdhenj, kampionit aktual, në shtëpinë e tyre, atëherë s’ke se si mos t’i gëzohesh, paraqitjes, e sidomos fitores. Ndërsa sulmuesi, Ahmed Januzi sot bukfalisht ka shkëlqyer. Jo vetëm që shënoi dy gola, qëlloi traversën e krijoi edhe tre raste tjera, por ai sot nxori skuadrën përpara dhe e mbante në ritmin e lartë. Ai ka shënuar pas 25 ndeshjeve pa shënuar gol, por mbi të gjitha duket se më në fund e ka tejkaluar lëndimin që mos iu përsërit më!

Përndryshe, duhet përmendur organizimin e shkëlqyer të ndeshjes e cila ishte jashtëzakonisht e pëlqyer, por edhe gjyqtarët megjithëse një penallti dhe një gol i anuluar i Prishtinës duhet parë në xhirimet televizive, por si ndeshje e mbajtën shkëlqyer, lejuan të luhej futboll.

Prishtina pas kësaj fitore i rikthehet pozitës së dytë me dy pikë më pak se vendi i parë. Prishtina të shtunën e pret Besën.

Java X

Trepça ’89 – Prishtina 0:2 (0:2)

Golashënues: Ahmed Januzi 5’, 35’

Shikues: mbi 2.000

Gjyqtarë: Kreshnik Vula (Gjk), Fatlum Berisha (FK), Bujar Selimaj (Pz) – Leutrim Mustafa (Pd)

KV: L. Maxhuni, B. Bozhoviç, P. Osmani

Pozitat jashtë lojës: T89 2-6 Pri

Kornerët: T89 8-4 Pri

Gjuajtjet totale: T89 8-7 Pri

Gjuajtjet në portë: T89 3-6 Pri

Trepça ’89 (4-3-3): 1. Bledar Hajdini (20. Enis Manxholli – 22’) – 21. Përparim Islami, 6. Lapidar Lladrovci, 23. Ilir Izmaku, 13. Arbër Potoku /c/ - 17. Ylber Maloku (10. Shpëtim Idrizi – 46’), 25. Rron Broja, 22. Argjend Mustafa (7. Hasan Hyseni – 60’) – 15. Muharrem Jashari, 8. Florent Hasani, 4. John Oto John. Kryetrajner: Sabit Osmani.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 22. Lorik Maxhuni, 6. Debatik Curri /c/, 23. Ben Nash Quansah, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 7. Lorik Boshnjaku (66. Ergyn Ahmeti – 84’), 29. Drashko Bozhoviç (77. Mergim Pefqeli – 46’). 11. Liridon Fetahaj (88. Përparim Osmani – 59’), 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Gentrit Dumani, Kastriot Selmani. Kryetrajner: Mirel Josa. 

Komenti:

Prishtina shënoi shumë shpejtë golin e parë pas pasimit brilant nga e majta të Fetahajt mbrapa shpinës së dy mbrojtësve qendror dhe reagimit të shkëlqyer me kokë të Januzit. Pastaj, vendasit me lojën e tyre karakteristike të mbajtjes së topit me shumë pasime, provuan, por kundërzbritjet e Prishtinës sidomos me Januzin sot ishin pothuajse vrastare. Në momentet më të mira të vendasve kur qëlluan pingulen, me pasimin e gjatë përpara të Bozhoviç, Ahmed Januzi ndëshkoi shërish. Dhe tani më pothuajse ishte vonë për vendasit, sepse bardhekaltrit ishin ata që me çdo aksion përpara ia dilnin të rrezikonin, si me Mankendën (njëherë u ndal palejueshëm në zonë), Januzin dy-tre herë, Pefqeli traversen dhe me Osmanin të cilit me gjasë iu anuluar goli i rregullt nga asistenti , Selimaj.

Sidoqoftë, ishte kjo fitore e merituar, e ëmbël dhe njëfarë hakmarrje për humbjen e edicionit të kaluar në Kastriot – 0:2. Por, megjithë humbjen, Trepça ’89 mbetët skuadra mbase me lojën më të mirën në kampionat.

Ndërsa duhet theksuar, se përveç mungesës së Khalid që ka humbur stinorin vjeshtor, mungoi edhe Dallku (kartonët) dhe Mazrekaj pati probleme shëndetësore para ndeshjes dhe nuk u fut as në protokoll.

Minutë pas minute: 

1’ Hasani gjuajtje të lehtë ballore, Bekaj i vëmendshëm.

1’ Mankenda ishte pozitë e mirë, provoi pasimin edhe pse mund të tentonte të gjuante nga e djathta.

5’ Liridon Fetahaj ka topin në krahun e majtë dhe me pasim të saktë mbrapa shpinës së dy qendërmbrojtësve e qet Ahmen Januzin veq me portier, e ky e tund rrjetën duke gjuajtur me kokë – 0:1.

28’ Potoku harkoi nga e majta, e Mustafa gjuan pa rrezikshëm jashtë me kokë.

33’ Harkim i shkëlqyer nga këndorja e djathë e Fetahajt e në shtyllën e dytë, ardhja e fundit që sot paraqitje të shkëlqyer, Ben Nash Quansah ishte në pozitë ideale, se si nuk e qëlloi topin, mbase u pengua edhe nga Mankenda.

Ahmed Januzi

35’ Aksioni vendas nga e majta përball zonës, John ikën nga e djathta, ia vazhdon Islamit që me gjuajtje të ulët çuditërisht ia del të qëlloj pingulen e kundërt, ndërsa në vazhdim të aksionit gjuajti Mustafa e topi u devijua paksa e në këndore. Pas ekzekutimit të këndores, Drashko Bozhoviç me top të gjatë e gjen Ahmed Januzin që me shpejtësi ikën e pak nga e djathta posa futet në zonë gjuan ulët e saktë në këndin e kundërt – 0:2.

38’ John gjuan ballore, tepër e lartë.

44’ Broja me saktësi përpara te Jashari, e ky prapa shpinës së mbrojtjes e qet Hasanin i cili e mposhtë Bekajn, por topi s’kishte fuqi të shkonte deri në rrjetë, prishtinasit e marrin sërish topin në pronësi.

45’ Pas harkimit nga e majta, sërish Hasani, tani me kokë, por jashtë.

45+1’ Aksion i shkëlqyer i vendasve nga e majta me pasime me të parën dhe del Potoku i vetëm me portierin Bekaj që ia kishte ngushtuar këndin dhe pret e shpëton skuadrën.

47’ Mankenda udhëheq top nga zona e tij, e humb, e rrëmben prapë e hynë në zonë dhe ndalohet palejueshëm, por gjyqtari Vula vazhdon lojën. Duhet parë më mirë pamjet televizive.

56’ Mankenda – Januzi udhëheqin kundërzbritjen me pasime të dyfishta, Januzi ikën djathtë, del portieri Manxholli ia ngushton këndin pret dhe shpëton skuadrën nga goli i tretë i sigurtë.

58’ Fetahaj edhe një harkim nga gjuajtja e lirë prej të majtës, e harkon si me dorë, Pefqeli hyn me kokë furishëm, gjuan, e prek Manxholli dhe topi godet traversën e këndore.

60’ Idrizi vertikale të lartë, Hasani bukur me kokë, rrezikshëm, por i pafat, jashtë pingules së djathtë.

65’ Mankenda ia rrëmben topin Islamit, e pason për Januzin më në qendër gjuajtja e të cilit bllokohet, por shkon djathtë te Përparim Osmani që shënon gol dhe ishte e pamundshme të ndodhej në pozitë jashtë lojës, por ashtu nuk mendoi edhe gjyqtari anësor Selimaj.

66’ Boshnjaku harkoi nga ndërprerja, Mankenda gjuan me kokë shumë lartë.

67’ John nga para zona ia vazhdon Potokut majtë që gjuan jashtë pingules së majtë.

76’ Hasani depërton nga e djathta e gjuan me të majtën, devijohet paksa topi e përfundon rrezikshëm pranë pingules së majtë.

78’ Januzi lufton e mban skuadrën përpara, topi bllokohet e merr Pefqeli ia vazhdon Mankendës majtë, por portieri Manxholli kishte ngushtuar këndin dhe e pret gjuajtjen.

84’ Jashari depërtoi nga mesfusha e në zonë e pastaj u rrëzua, por nuk ishte bindës në pikën e bardhë nga gjyqtari Vula.

Deklaruan:

Mirel Josa, kryetrajner i Prishtinës:
Ne jemi përgatitur si për kundërsulm, si për lojë të organizuar përpara në gjysmëfushën kundërshtare. Problemi është se skuadra duhet të jetë e gjitha në mbrojtje dhe e gjitha në sulm dhe ky është problemi që më preokupon më tepër. Arritëm të godasim kundërshtarin, ishim efikas dhe nuk do të thotë që skuadra nuk kishte edhe të meta, sepse nuk i bëmë të gjitha situatat pozitive dhe ne duhet luftojmë që t’i përmirësojmë të gjitha ato situata për të vazhduar punën për çka ende s’kemi arritur asgjë. Pra, kemi marrë një trepikësh të radhës dhe nëse s’ke kujdes në ndeshjen tjetër, do të jemi prapë aty ku ishim. 

Ahmed Januzi: Është fitore shumë e rëndësishme për ne. Golat dhe fitorja kanë ardhur si pasojë e gjithë këtyre stërvitjeve intensive si gjatë javës dhe tërë muajit. Kuptohet që është shumë e rëndësishme që më erdhën golat, por më e rëndësishme është rezultati dhe tani jemi paksa më të lirë. Ndërsa, kuptohet që kur nuk jap gola edhe mund të humbet besimi dhe nuk e jep lojën më të mirë dhe është shumë e vështirë kur nuk e mbërrin formën që duhet, por me lojën e mirë të vazhdueshme, me angazhimin maksimal të gjithsecilit, atëherë as golat nuk kanë qare rënë , bije rezultat, sulmuesit e shtinë në formë. Normalisht kjo ndeshje harrohet menjëherë, luftojmë tutje, ambiciet tona të jemi përpara. 

Sabit Osmani, kryetrajner i Trepçës ‘89
: Më duke se sot nuk ishte dita jonë, nuk kishim fat. Në fillim në nxemje portieri Hajdini e lëndoi dorën dhe u deshtë pastaj të zëvendësohej. Pastaj i bëmë dy gabime që s’është dashur t’i bëjmë, por ky është futboll dhe ndodhin. U munduam të reagonim në pjesë të parë ku patëm rast e shtyllë, por nuk e deshi. Provuam edhe në pjesën e dytë, aktivizova edhe Shpëtim Idrizin, por edhe ai ka vuajtur nga një lëndim për çka nuk u aktivizua nga fillimi. Ndërsa as Jashari nuk e ka pozitën të luaj në krah dhe deri sa të kompletohemi me Fiton Hajdarin, ne duhet sidokudo të afrojmë pozicionin sa më shumë për të parë se si t’ia bëjmë. Ky është futboll dhe duhet vazhduar përpara.