Lajme

Java XI: Prishtina – Besa 4-0

Java XI: Prishtina – Besa 4-0

Fitore e lehtë e Prishtinës e cila e katapulton në pozitën e parë

Drenas, 21 tetor, 2017 – Prishtina kishte arsye për brenga pasi që “infermierinë” e ka të mbushur. Por, në fakt cilësia e madhe në dallim bëri që Prishtina me lehtësi të fitonte ndeshjen me rivalin e madh nga Peja, aq sa nuk pati asnjë karton të verdhë.

Tre golat në pjesën e parë, të nisur me të dytin e Mankendës në këtë edicion, pastaj të tretin rresht të Januzit dhe me nga një në dy pjesët, në ndeshjen e parë si titullar të Ahmetit, Prishtina e mbylli ndeshjen me fitore bindëse – 4:0. Kjo ndeshje i mundësoi që edhe i riu i dal nga Shkolla e futbollit, Kastriot Selmani, të debuton me skuadrën e parë. Ndërsa, fitorja i sjell skuadrës pozitën e parë me 21 pikë, duke lënë Llapin mbrapa me 20.

Është kjo frymëmarrje e lehtë para derbit të madh të së mërkurës së Gjilan me Dritën.

Pra, pas fazës së parë të 11 ndeshjeve, Prishtina ka regjistruar 6 fitore, 3 barazime e 2 humbje me golldallim +7, 13:6.

Java XI:

Prishtina – Besa 4:0 (3:0)

Golat: Gauthier Mankenda 22’, Ahmed Januzi 23’, Ergyn Ahmeti 42’, 80’

Shikues: 200

Gjyqtarë: Leutrim Mustafa (Pd), Jakup Musolli (Pd), Fatmir Sekiraqa (Pd) – Shpetim Murtezi (Gjl)

KV: S’ka

Pozita jashtë lojës: Pri 5-0 Besa

Kornerët: Pri 4-0 Besa

Gjuajtjet totale: Pri 9-4 Besa

Gjuajtjet në portë: Pri 4-0 Besa

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 88. Përparim Osmani, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 77. Mërgim Pefqeli (34. Agon Xhaka – 87’), 66. Ergyn Ahmeti – 11. Liridon Fetahaj (93. Kastriot Selmani – 73’), 15. Gauthier Mankenda (22. Lorik Maxhuni – 81’) – 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Gentrit Dumani, Ben Nash Qunsah, Drashko Bozhoviç. Kryetrajner: Mirel Josa.

Besa: 1. Visar Haxhijaj – 18. Rinor Kuqi, 13. Florent Papuqi, 4. Mergim Rexhaj, 15. Landrit Rama (20. Fatlum Pishtani – 66’), 19. Fatlum Gashi (7. Adil Salihi – 46’), 8. Donart Sheqerolli, 17. Florent Qorraj, 22. Liridon Balaj, 21. Endrit Maloku (6. Florent Rexhaj – 46’), 11. Altin Merlaku. Kryetrajner: Sahit Gashi.

Komenti:

Prishtina ka arritur fitoren e tretë rresht, duke e shtuar edhe volumin e golave dhe duke mos pësuar gol nga Vëllaznimi 1:0, Trepça ’89 2:0 dhe Besa 4:0. Andaj, pas këtyre tre testeve, besojmë se skuadra është pjekur, sidomos faktikisht, të përballet me Dritën në Gjilan, skuadër kjo që i solli dëshpërim kryeqytetasve me humbje që në ndeshjen e parë. Dhe, për të mbajtur vendin e parë duhet synuar nga kjo përballje.

Përndryshe, në ndeshjen e sotme, deri te shënimi i golit të parë, Prishtina nuk pati asnjë rast, veç një tentimi. Por, pastaj për dy minuta u shënuan dy gola të shpejtë e pjesa tjetër ishte menaxhim i rezultatit dhe kujdes maksimal mos të lëndohej ndonjë futbollist, por edhe duke u ruajtur nga kartonët e verdhë. Kjo bëri që Besa të trimërohej në pjesën e dytë dhe vetëm fati u mungoi në dy raste kur u gjuajt jashtë portës. Ndërsa Ergyn Ahmeti u përkujdes për golin e 3-të dhe të 4-të t’i jepte fund vuajtjeve të pejanëve që përveç me Prishtinën nuk janë mësuar të humbin me kaq gola epërsi. Sepse, me 4:0 Prishtina ka fituar edhe herë tjetër në të kaluarën.

Ergyn Ahmeti

Minutë pas minute:

18’ Ahmeti nga mesfusha e shtyn topin përpara, e pastaj prapa mbrojtjes te Januzi, por që ishte më i shpejtë portieri mysafir.

18’ Rivënie anësore nga e djathta e nisur nga Bashiru për Januzin që me shpejtësi niset, por ia kthen Pefqelit i cili gjuan nga 22 metra, por jashtë pingules së djathtë.

22’ Fetahaj e harkon rrezikshëm goditjen e dënimit nga e majta, as Januzi e as Mankenda s’ia dalin të shtyjnë topin në rrjetë, por në krahun e djathtë në rolin e sulmuesit të djathtë gjendet kapiteni Dallku dhe me saktësi e gjakftohtësi e pason për Mankendën që nuk ndodhej më larg se 2-3 metra larg portës i cili e dërgon topin në rrjetë – 1:0.

23’ Ende s’ishte këndellur Besa mirë, kur Prishtina merr tjetër faull, tani pak nga e majta kur gjuajtja e Fetahajt ndalet nga portieri pejan, e nga topi i kthyer përfiton Januzi dhe shënon golin e tretë personal, të dytin në ndeshje – 2:0.

35’ Balaj kalon nga e djathta afër Ahmetit, Curri rrëshqet, e futbollisti mysafir posa afrohet afër zonës gjuan rrezikshëm skaj pingules së majtë.

36’ Edhe Gashi provon nga distanca, e ulët e parrezikshme për Bekajn që e kap topin.

37’ Aksion i gjatë, Miftaraj nga mesfusha me diagonale gjen Fetahajn në krahun e djathtë, ky shkurt te Osmani e ky pasim në zonë për Januzin që lirohet nga e djathta, por afër vijës fundore dhe gjuajtja përfundon në rrjetën e jashtme.

42’ Kundërzbritje e shpejtë, Januzi ia lëshon Mankendës këmbëshpejtë ikën nga e majta dhe pason në zonë për Ergyn Ahmetin që del fitues në duelin me dy futbollistë mysafir dhe nga 10-12 metra i saktë – 3:0.

Ergyn Ahmeti

53’ Pefqeli harkon nga e djathta, Januzi gjuan me kokë lehtë, jashtë.

57’ Aksion i mirë i Besës që me pak fat Merlaku nga e majta mund të shënonte, topi doli jashtë pingules tjetër.

59’ Fetahaj bukur prapa shpinës së mbrojtjes e te Januzi që ikën nga a djathta, tenton pasimin për Mankendën në shtyllën tjetër e që se mbërrin dhe topi del jashtë.

64’ Aksion tjetër i mirë i pejanëve pasohet me gjuajtjen e Salihit që ishte përball Bekajt, por i pafat, jashtë.

70’ Fetahaj edhe njëherë harkon nga e djathta, e Januzi në shtyllën e parë i përballur me portierin Haxhijaj, me kokë gjuan jashtë.

74’ Pefqeli gjuan me të parën brenda zonës, e lartë.

77’ Ahmeti bukur nga mesfusha në të majtë për Bashiru që kroson për mrekulli, Januzi zgjatët tek shtylla e dytë e gjuan rrëmbyeshëm, por jashtë.

Ergyn Ahmeti

80’ Aksion i shkëlqyer, Mankenda para zonës ia vazhdon Ergyn Ahmetit në gjysmëkrahun e djathtë dhe pa problem e dërgon topin në rrjetë – 4:0.

87’ Salihi gjuan ballore të rrezikshme, jashtë.

Deklaruan:

Mirel Josa, kryetrajner i Prishtinës:
Mua thjesht nuk më intereson shumë vendi i parë momental, por ecuria e skuadrës nga ndeshja në ndeshje. Dhe sot hymë në ndeshje me probleme të mungesave, por lojtarët të cilët luajtën e plotësuan detyrat ashtu siç duhet dhe e uroj skuadrën për këtë hap që bënë. Pavarësisht nivelit të kundërshtarit, mua më pëlqeu se si skuadra ime e vlerësoi ndeshjen dhe duke vlerësuar kundërshtarët ne fundi i fundit e respektojmë veten tonë. Ndërsa, s’mund të vlerësoj dallimin e cilësisë, sepse edhe na patëm problemet tona ashtu siç kanë edhe skuadrat më të mëdha, por mua më intereson që nga java në javë të zvogëlojmë gabimet e të përmirësojmë lojën tonë.

Ergyn Ahmeti: E para ndeshje imja si titullar, dy gola. Çfarë të them përveç se e kam pritur këtë rast duke e shfrytëzuar po ashtu siç kam pritur. Besojë që këto dy gola të më motivojnë, të vazhdojmë tutje në vazhdimësi të kampionatit, sepse ka shumë lojë  dhe të kontribuoj sa më shumë për ekipin. Është ndjenjë e mirë të gjendemi në vendin e parë dhe pres të vazhdojmë me këtë ritëm deri në fund.

Sahit Gashi, kryetrajner i Besës:
Si mysafir nuk po kemi rezultate, sepse kemi skuadër të re e cila ende nuk e ka fituar besimin e ndeshjeve jashtë, ndërsa sot patëm edhe disa mungesa, si kapiteni e Hoxha që është i huazuar nga Prishtina e nuk ka pasur të drejtë loje, na vështirësuan edhe më shumë punën. Pësuam dy gola nga dy gabime, e pastaj kjo gjeneratë e re e futbollistëve sikurse pastaj nuk po e gjen motivin për t’u kthyer edhe pse provuam diçka të bëjmë në pjesën e dytë ku luajtëm pak më mirë, por pastaj ndodhi edhe gabimi i golit të katërt. Prishtina ishte më e mirë, e fitoi lojën me meritë dhe iu uroj sukses.