Lajme

Java XII: Drita - Prishtina 0-0

Java XII: Drita - Prishtina 0-0

Ishte ky epilog real i takimit

Gjilan, 25 tetor, 2017 - Drita dhe Prishtina sot luajtën baras pa gola. Ishte kjo ndeshje, ku gjysmëpjesa e parë i takoi vendasve me dy raste ideale shënimi, ndërsa e dyta i takoi kryeqendrasve që realisht nuk patën rast të mirë sikurse vendasit. Dhe, në fund të fundit, krijohet përshtypja se barazimi ishte epilog real i takimit.

Prishtinën e lë ky barazim në vendin e dytë një pikë më pak prapa liderit, Llapit. Ndërsa të shtunën në Drenas, Prishtina e pret Flamurtarin.

Java XII

Drita - Prishtina 0-0

Shikues: afër 3.000

Gjyqtarë: Kreshnik Vula (Gjk), Benon Këpuska (Gjk), Fatmir Sekiraqa (Pd) - Tefik Maloku (Pd)

KV: L. Leci - D. Miftaraj, A. Dallku

Pozitat jashtë lojës: Dri 1-2 Pri

Kornerët: Dri 5-0 Pri

Gjuajtjet totale: Dr 9-5 Pri

Gjuajtjet në portë: Dri 5-4 Pri

Drita: 1. Leutrim Rexhepi - 62. Viktor Kuka, 4. Fidan Gërbeshi, 5. Ardian Limani, 13. Liridon Leci - 18. Drilon Musaj, 88. Endrit Krasniqi, 9. Leutrim Kryeziu, 95. Lauren Ismailaj, 7. Astrit Fazliu (22. Denis Haliti -59’), 24. Kastriot Rexha (20. Emmanues Sarpong - 89’). Kryetrajner: Milaim Zuzaku.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj - 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru - 5. Diar Miftaraj, 77. Mërgim Pefqeli (29. Drashko Bozhoviç - 86’), 66. Ergyn Ahmeti - 11. Liridon Fetahaj (88. Përparim Osmani - 73’), 15. Gauthier Mankenda (93. Kastriot Selmani - 90+2’), 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Gentrit Dumani, Agon Xhaka, Ben Nash Quansah. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Prishtina sot mjaft optimiste ishte nisur për Gjilan. Por, përveç mungesës së Boshnjakut, as Bozhoviç s’ishte tërësisht i gatshëm, ndërsa problemet u shtuan kur para ndeshjes të vjella patën Januzi dhe Bekaj, megjithatë dolën në fushë dhe zhvilluan tërë ndeshjen.

Dhe, edhe pse vendasit po ashtu kishin dy mungesa të theksuara, ata nisën më mirë ndeshjen, patën iniciativë të plotë, dëshirë më të madhe dhe krijuan dy raste të sigurta, por njëherë shpëtoi portieri Bekaj, e tjetrën herë Fazliu vendas gjuaji mbi portë.

Kur të gjithë shikuesit vendas prisnin vazhdim të asaj loje të Dritës, ndodhi e kundërta. Tani ishte dominimi dhe iniciativa e prishtinasve të cilët megjithatë përveç një gjuajtje më të rrëzikshme të Januzit nuk krijoi më shumë, por për lojën që bënë merituan një pikë.

Minutë pas minute:

4’ Pas gjuajtjes nga goditja e dënimit dhe prekjes së topit paraprakisht, Leci nga afërsia provoi që me gjuajtje me kokë nga prapa të befasonte Bekajn, por që u tregua i vëmendshëm.

7’ Sërish Leci kërcënon nga ndërprerja, 22-23 metra, pa rrezik për Bekajn e sigurt.

8’ Fetahaj harkon vertikalisht nga distanca prej ndërprerjes, Mankenda ishte afër topit, provoi të gjuante, por nuk ia doli dhe pa problem për gardianin vendas.

9’ Musaj vendas provon nga distanca, larg, keq.

14’ Aksion shumë i mirë i mysafirëve i nisur nga mesfusha, në fund para zonës Januzi e kthen djathtë te Mankenda i cili posa lirohet gjuan me të majtën, por e plogësht dhe e parrezikshme, kap portieri.

24’ Harkim i këndores nga e majta në shtyllën e parë, topi devijohet deri te Rexha 10-11 metra, gjuan ulët, jo aq e fortë dhe portieri Bekaj pret e shpëton gol të sigurt.

29’ Aksionin pak më të gjatë e mbyll Mankenda me gjuajtje nga e djathta, jashtë.

44’ Musaj nga e majta rrezikon me gjuajtje të lirë, topi rrëmbyeshëm del jashtë pingules së majtë.

45+2’ Rexha me kokë e kthen një top, mysafirët kërkojnë pozitë jashtë lojës, por Kuka para Fetahajt ia del të kthej para zonës për Ismailajn i cili e gjen me saktësi Rexhën brenda zonës gjuajtjen e të cilit e prek Bekaj, ndërsa topi i kthyer gjuhet fortë nga Fazliu, por mbi tra. Ishte rast i sigurt shënimi.

47’ Endrit Krasniqi gjuan nga distancë e madhe, por e pasaktë.

51’ Kryeziu gjuan nga distanca, e lehtë për Bekajn.

56’ Fetahaj nga e djathta kalon nga qendra nëpërmjet tre lojtarë vendas, ia del të gjej Ahmetin e ky mezi nga trysnia vendasve e shtyn majtë te Mankenda i cili gjun ballore, por jo aq e fortë për portierin vendas.

66’ Ahmeti me top vertikal gjen Januzin në zonë, ia del të lirohet nga mbulimi i mbrojtësit, kthehet e gjuan, por jo aq e fortë, pret portieri vendas. Ishin këto dy rastet më të mira për 10-minuta për mysafirët.

90+1’ Leci provon dëshpërimisht nga e majta, jashtë.

Deklaruan:

Mirel Josa, kryetrajner i Prishtinës: Normalisht që rezultat real e ku ndeshjen mund të ndajë në dy pjesë. E para i takoi Dritës e cila kishte më tepër dëshirë për të luajtur, ishte e para në dyluftime duke fituar shumë nga to në mesin e fushës tonë dhe kur ne kishin mundësi të niseshim në sulm, vononim shumë dhe Drita që luftoi shumë na e rrëmbeu mesfushën. Ndërsa në pjesën e dytë ne patëm qarkullim të topit , por në momente të veçanta do të duhej të shkonim shumë më shpejtë në portën e kundërshtarit, gjë që nuk u bë. Kishim dy-tre momente të mira të cilat edhe mund të zhbllokonin rezultatin, sepse këso ndeshje mund t’i vendos edhe një gol. Pra, me barazimin jam i kënaqur, por jo pse erdhëm për barazim, por sepse luajtëm me një kundërshtar që ka treguar vetën se din të luaj futboll.

Milaim Zuzaku, kryetrajner i Dritës: Lojë jashtëzakonisht e mirë e ku ne kishim iniciativën dhe me dy raste si të Rexhës, e sidomos të Fazliut. Në pjesën e dytë u deshtë të ndërronim taktikë, sepse na doli Fazliu. E sot na ka munguar shumë Bujar Shabani, e sidomos Xhevdet Shabani që bënë diferencën. Unë megjithatë unë i përgëzoj djemt për angazhim kundër një Prishtine jashtëzakonisht të fortë.