Lajme

Java XII: Gjilani – Prishtina 0-3

Java XII: Gjilani – Prishtina 0-3

Lojë e shkëlqyer me tre gola të tre mesfushorëve për tre pikë të radhës

Lorik Boshnjaku

Gjilan, 27 tetor 2018 – Prishtina sot përsëriti lojën e saj të mirë në fushën e Gjilanit, deri sa me Dritën ishte e pafat, me Gjilanin skuadra nuk ia la fatit duke e mposhtë kundërshtarin me meritë, si me lojë, po ashtu edhe me rezultat.

Se skuadra është në formë të lartë dhe tani më qetësia ka gjet preh tek futbollistët u pa nga minuta e parë kur skuadra mori iniciativën duke shënuar dy herë dhe duke ruajtur dominimin në tërë pjesëlojën e parë.

Meriton Korenica

Pjesa e dytë e kuptueshme, vendasit më agil, por duke mos krijuar asnjë rast shënimi, ndërsa Prishtina sërish duke pasur momente të mira si të organizimit të sulmeve, po ashtu edhe e rrezikshme në kundërsulme, por shpesh me presing të lartë ashtu siç edhe u shënua goli i tretë. Thjesht, Prishtinë e shkëlqyer e që duket se e ka kapur ritmin e saj dhe më në fund po vije në shprehje e ngadalë, por sigurt, frytet e punës së bërë deri më tani.

Prishtinën e pret tjetër takim i rëndësishëm, ajo me rivalët e moçëm të Trepçës ’89, ndeshje kjo që do të zhvillohet të mërkurën më 31 tetor. 

SC Gjilani

Java XII

Gjilani – Prishtina 0-3 (0-2)

Golat: Ergyn Ahmeti 13’, Meriton Korenica 33’, Lorik Boshnjaku 84’

Shikues: afër 1.000

Gjyqtarë: Selim Isufi (Mt), Alban Ejupi (Pd), Imran Kabashi (Mt) – Arben Halilaj (Dr)

KV: Y. Kastrati, E. Kqiku – A. Dallku, A. Bashiru, M. Pefqeli

Pozita jashtë lojës: Gjl 4-2 Pri

Kornerët: Gjl 1-5 Pri

Gjuajtjet totale: Gjl 5-9 Pri

Gjuajtjet në portë: 2-4 Pri

Gjilani: 1. Donat Kaçiu – 6. Endrein Magani, 4. Ylber Kastrati /c/, 25. Mauricio Jose Marinho, 33. Fisnik Papuqi, 10. Ledion Muçaj (20. Edison Kqiku – 58’), 8. Salih Kosumi (11. Edon Sadriu – 37’), 22. Jefferson Franciscco Lopes, 9. Brunild Pepa, 27. Vilfor Hysa, 19. Trevin Shonari Caesar (18. Wilber Mauricio Perez – 69’). Kryetrajner: Sadat Pajaziti.

Prishtina (4-4-1-1): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi, 4. Armend Dallku /c/, 13. Abdul Bashiru – 3. Jamal Arago (21. Argjend Mustafa – 86’), 7. Lorik Boshnjaku, 18. Ergyn Ahmeti (77. Mergim Pefqeli – 54’), 10. Meriton Korenica – 27. Marjo Morina (8. Ahmet Haliti – 75’) – 9. Basid Khalid. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Përparim Osmani, Arbër Hoxha, Alen Jasharoski. Kryetrajner: Mirel Josa.

FC Prishtina

Komenti:

Prishtina sot pati mungesën e Mankendës dhe Miftarajt, ndërkaq edhe Ahmeti pësoi lodhje dhe ende tërësisht nuk është konditat optimale pas lëndimit. Por, Prishtina luajti si “sahat” duke mos e rrezikuar asnjëherë rezultatin. Kjo pak i ndihmoi edhe loja e plogësht e vendasve, të cilët nuk u paraqitën si në ndeshjen e parë në kryeqendër, apo Prishtina nuk lejoi të luanin më shumë, kjo le të mbetët temë diskutimi për analistët.

Lorik Boshnjaku - Ergyn Ahmeti

Për Prishtinë golin e tij të parë me fanellën e Prishtinës në kampionat shënoi Korenica, ndërsa Ahmeti të parin kampional, kurse Boshnjaku të dytin kampional. Khalid arriti në dy asistime, ndërsa Morina të parin.

Gjilani - Prishtina 0-3

Minutë pas minute:

11’ Prishtina pas iniciativës së plotë krijon edhe rastin e parë pas aksionit mirë të ndërtuar e nisur nga Bekteshi te Korenica, ky djathtë te Thaqi i cili e gjen te shtylla e parë Morinën që bukur e ndal dhe gjuan, por pak i pasaktë, e lartë.

Meriton Korenica

13’ Këndorja e dytë, harkon Boshnjaku, vendasit e largojnë deri te para zona te Ahmeti, që provon me të djathtën, por e bllokon një futbollist vendas, pastaj e qet në të majtën e me një gjuajtje pothuajse diagonale e përtoke dhe mposhtë portierin Kaçiu që s’ia doli të ndalte gjuajtjen e papërshtatshme – 0:1.

27’ Morina provon nga distanca, plogësht jashtë.

Marjo Morina

33’ Çfarë aksioni, Thaqi me diagonale nga e djathta te Bashiru majtë që e vazhdon te Morina në mesfushë dhe e kalon mbrojtjen me top të lartë ndërsa Korenica me të parën e shtyen topin, portieri kishte lëshuar portën dhe 0:2.

36’ Tjetër aksion, Thaqi harkon nga e djathta, e Khalid nuk ia del, veç të prek pak, që me kokë të kthej topin në portë, jashtë.

Basid Khalid

37’ Kërcënimi i parë i vendasve, Papuqi me shpejtësi harkoi me të parën e Caesar sikurse Khalidi veç e prek, por jo ta kthej topin me kokë në portë, larg portës.

38’ Muçaj e mbyll aksionin me gjuajtjen nga distanca mbi portë, jashtë fushës.

43’ Gabon një futbollist vendas, Khalid ia rrëmben topin e niset me shpejtësi, diku afër zonës mund të pasonte te Morina i lirë, por gjuajti rrëmbyeshëm, por përpak i pafat, jashtë pingules.

Gjilani - Prishtina 0-3

46’ Adhuruesit vendas duke hedhur mjete piroteknike dhe shishe të plastikës ndërprenë ndeshjen për 3 minuta.

55’ Dallku diagonale e gjatë te Korenica djathtë i cili posa futet më në qendër ia vazhdon Aragos që gjuan ballore nga distanca, por e lartë shumë.

Jamal Arago

55’ Prishtina e rrëmben topin para zonës vendase, Morina ia vazhdon Korenicës majtë e para portës diku rreth zona e që gjuan rrëmbyeshëm, shpëton Kaçiu, pret, këndore.

81’ Kqiku e Magani, ky i fundit harkon nga e djathta, Pepa provon me kokë, por plogësht, Bekaj pa problem kap topin.

Visar Bekaj

83’ Hysa ikën nga e majta dhe gjuan, por jo aq fortë e aq saktë, jashtë pingules së parë.

Lorik Boshnjaku

84’ Presingu i lartë shpaguhet, Khalid vjedh topin para zonës, nuk tregohet vetjak, ia pason Boshnjakut krejtësisht të lirë para portës që me saktësi shënon për golin përfundimtar – 0:3.

Lorik Boshnjaku

89’ Pepa kroson rrezikshëm nga e majta, por nuk përcillet nga bashkëlojtarët.

90’+1’ Kqiku gjuan para zonës, devijohet pak dhe Bekaj pa asnjë problem kap topin.

Leotrim Bekteshi

Deklaruan:

Mirel Josa: Nuk është problemi se është ndeshja e katërt me fitore, problemi është te mënyra se si ne ishim përgatitur për ndeshjen sot pavarësisht se prisnim një Gjilan shumë më të fortë duke e pasur parasysh se çfarë ka bërë kjo skuadër me skuadrat tjera, me Feronikelin, qoftë me Dritën duke treguar fytyrë krejt tjetër, sidomos në fushën e vet. Megjithatë kjo varet se si e interpreton ndeshjen dhe unë mund të them që skuadra e interpretoi mirë, shënoi në rastet që patëm në pjesën e parë e ku mund të kishin shënuar edhe më tepër. Por të mbyllësh pjesën e parë me 2:0 është shumë e favorshme për vazhdimësinë. Ne ditëm të menaxhojmë lojën, kaq, na presin në vazhdim shumë lojë të vështira dhe nuk do të thotë që u fitua kjo lojë edhe do të fitohen edhe lojërat tjera, ashtu siç thatë që u fituan katër ndeshje rresht. Futbolli është shumë kapriçioz, nëse nuk sillesh mirë me të, atëherë ai të kthen shpinën kështu që ne duhet të sillemi mirë me futbollin, kjo më intereson mua.     

Meriton Korenica: Më në fund goli i parë. Kisha edhe shumë mundësi tjera në të kaluarën, por ja sot e theva akullin pas edhe asistimit të Morinës me të cilin po shkojmë shumë mirë e ku tani e tutje besoj do të jemi edhe më të saktë. Kryesorja është se morëm tre pikë dhe kjo na gëzon më së shumti.

Sadat Pajaziti: Nëse kthehemi pak në të kaluarën edhe e shohim golat që kemi pranuar, jo vetëm me Prishtinën, të gjitha golat, janë të gjitha gola të evitueshëm, nuk janë diçka që kanë rrjedh prej ndonjë aksioni shumë të rrjedhshëm dhe s’ke ku i ikën. Dhe normal, sot nuk bëmë as përafërt ndeshje si me Feronikelin pavarësisht se ata luajtën shumë fortë, por ne zhvilluam ndeshje tjetër. Unë e kam potencuar shumë shpesh, nuk e kam pasur te komponimi i ekipit, unë si trajner nuk mund t’i jap për media të gjitha defektet se përse ne nuk po funksionojmë në maksimum mirë. Sepse, se po funksionojmë si ekip për ta mundur një Feronikel apo një Prishtinë. Sepse, sikur të luanim baras apo të humbnim me Feronikelin, nuk do të ishte sot ky Gjilan, por në momentin që ndoshta ne menduam që erdhëm te loja jonë, e në stërvitje ne luajmë 200% ndryshe, por loja është diçka tjetër. Dhe ky është rezultati ndoshta i ardhjes së shumë lojtarëve.

Mirel Josa