Lajme

Java XIII: Prishtina – Flamurtari 3-1

Java XIII: Prishtina – Flamurtari 3-1

Bardhekaltrit rikthejnë sërish potin e parë

Drenas, 28 tetor, 2017 – Prishtina dhe Flamurtari për herë të parë zhvilluan ndeshje kampionale jashtë kryeqendrës. Po ashtu, pë herë të parë nuk mblodhën më shumë se 200 shikues. As kjo, as moti i ftohtë me frymë nuk penguan futbollistët të zhvillonin ndeshje interesante edhe pse jo cilësore. Prishtina shënoi herët, e pastaj lëshoi edhe tre-katër raste të sigurta dhe kjo sikur iu hakmor me fillimin e pjesës së dytë. Kështu bardhekaltrit komplikuan vetë punën për disa minuta, megjithatë me golin e dytë të shpejtë u stabilizuan radhët e pastaj u shënua edhe goli i tretë i qetësisë, i fitores, i tre pikëve të reja dhe rikthimi në pozitën e parë para udhëtimit të vështirë në Prizren.

Java XIII:

Prishtina – Flamurtari 3-1 (1-0)

Golat: Armend Dallku (p) 4’, Debatik Curri 59’, Mergim Pefqeli 72’ – Mergim Boshnjaku 49’

Shikues: 200

Gjyqtarë: Selim Isufi (Mt), Fatlum Berisha (FK), Ramadan Hyseni (Mt) – Fatmir Tahiri (Mt)

KV: A. Januzi – D. Lladrovci, H. Hajdari

Pozita jashtë lojës: Pri 2-1 Fla

Kornerët: Pri 11-4 Fla

Gjuajtjet totale: Pri 9-2 Fla

Gjuajtjet në portë: Pri 5-1 Fla

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 88. Përparim Osmani, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 66. Ergyn Ahmeti (77. Mergim Pefqeli – 61’), 29. Drashko Bozhoviç – 11. Liridon Fetahaj (28. Gentrit Dumani – 78’), 15. Gauthier Mankenda (22. Lorik Maxhuni – 90+1), 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Ben Nash Quansah, Kastriot Selmani. Kryetrajner: Mirel Josa.

Flamurtari: 1. Krenar Ramadani – 3. Flakron Hasani, 8. Drilon Lladrovci, 5. Granit Ahmeti /c/, 19. Pleurat Hajdini, 16. Ardi Shala, 21. Hasip Hajdari (10. Korab Hasani), 7. Mergim Boshnjaku, 20. Egzon Krasniqi, 18. Jurgen Gjini (15. Adi Muqolli),11. Ardit Jaupaj (14. Fidan Muja). Kryetrajner: Gajur Rexhepi.

Komenti:

Si iu qas Prishtina ndeshjes nga minuta e parë dukej se rezultati do të ishte i thellë dhe ndeshje e lehtë. Por, pas golit të hershëm të shënuar, Prishtina shpërdoroi disa raste të mira shënimi derisa Flamurtari e mbylli pjesën e parë pa asnjë rast dhe gjuajtje. Por, me gjuajtjen e parë, barazuan rezultatin me ndihmën e traversës dhe sinjalizimit të gjyqtarëve që topi kishte kaluar vijën e portës. Por, bardhekaltrit morën vetën shënuan shpejtë dhe rikthyen si qetësinë në lojë, po ashtu edhe mbizotërimin e saj deri në fund të ndeshjes.

Deri sa Osmani e regjistroi asistimin e parë, Bozhoviç arriti të dytin. Ndërsa me golin e tij, Dallku arrin në shifrën prej 3 golave sa ka edhe Ahmed Januzi. Pefqeli shënoi të dytin sezonal, kurse Curri shënoi të parin në këtë edicion.

Minutë pas minute:

3. Fetahaj ekzekuton këndoren, dëbohet, Dallku e merr djathtë, kroson fortë, një futbollist kuqezinj e prek me dorë, gjyqtari Isugi sinjalizon penallti. Flamurtari protestuan që prekja ishte jashtë zonës, mbetët të shihet në xhirimet televizive.

4. Dallku gjuan rreptë nga pika e bardhë duke qëlluar pingulen e majtë dhe 1:0.

13’ Januzi gjuan fortë dhe ulët nga 22-23 metra ballore, qëllon pingulen e majtë.

14’ Harkimin e këndores nga Bozhoviç e përcjell me kokë Miftaraj, reagon portieri Ramadani dhe pas tentimit të dytë e kap topin.

15’ Tani Fetahaj nga e djathta e ekzekuton rrezikshëm kornerin, portieri mysafir nga vija e portës largon tutje.

19’ Curri nga distanca e provon gjuajtjen, pak e lartë.

26’ Aksion i mirë, Januzi ia vazhdon Fetahajt e ky nga 14-15 metra shënjestron këndin e djathtë të lirë, por topi del jashtë pingules pak centimetra larg.

29’ Kombinime nga e djathta, Bozhoviç – Fetahaj e Mankenda del pothuajse i vetëm me portier dhe nuk ia del të gjuaj nga situatë e pastër, topin merr portieri mysafir.

33’ 25 metra, Mankenda gjuan rrezikshëm skaj pingules së majtë.

49’ Aksion i mirë i Flamurtarit, Mergim Boshnjaku del para zonës pak nga e majta dhe me ndihmën e frymës gjuan rrëmbyeshëm, topi qëllon traversën e godet para portës. Gjyqtarët sinjalizojnë se kishte kaluar vijën e portës dhe 1:1.

52’ Bozhoviç provon gjuajtjen nga distanca, por tepër e lartë.

58’ Curri kundërzbritje me top vertikal për Fetahajn i cili megjithëse i mbuluar ia del të gjuaj ballore 18 metra, portieri Ramadani mezi pret, këndore.

59’ Bozhoviç e harkon këndoren e djathtë, dalje e gabuar e portierit Ramadani, Curri me kokë prapa tij me gjakftohtësi me kokë e drejton topin në rrjetë – 2:1.

72’ Kundërzbritje e shpejtë, Fetahaj nga parazona ia vazhdon djathtë Përparim Osmanit e ky me zgjuarsi e kthen diku te pika e penalltisë ku më i lirë ishte Mergim Pefqeli që e drejton topin në rrjetë – 3:1.

86’ Kundërzbritje e shpejtë e kuqezinjve, Krasniqi nga e djathta kroson para portës e në shtyllën tjetër i vetmuar Muqolli gjuan jashtë portës. Ishte gjuajtja e dytë dhe e fundit e Flamurtarit.

Deklaruan:

Mirel Josa, kryetrajner i Prishtinës: S’ishte ndeshje e lehtë, sepse vinim pas 72 orësh ndeshje të vështirë me Dritën dhe u vërejt lodhja te disa futbollistë megjithëse kishim menduar të freskonim disi skuadrën. Ndërsa, jam deri diku i kënaqur vetëm me rezultatin, sepse në fakt se sot menduam më shumë për rezultat se sa për lojë të bukur për të cilën do të mendojmë gjatë kohës. Kurse pas golit të parë, ne do të duhej të ishim shumë më të saktë, sidomos në pasimin e fundit gjë që në tre-katër rastet u shpërdorua nga ne. Dhe erdhi puna të ndjekim rezultatit, por goli i shpejtë i Currit pastaj na qetësoi dhe goli i tretë mbylli çdo dilemë. 

Armend Dallku: Ndeshje e vështirë. Plus e keqe që gjithmonë po luajmë jashtë. E një derbi siç është ky të luhet jashtë kryeqytetit për mua është mjaft e dhimbshme si dhe për shumë sportdashës të Prishtinës. Ndërsa megjithëse e komplikuam rezultatin me barazim, ne i rikuperuam e gjetëm forcën të kthehemi shumë shpejtë dhe ishte fitore e merituar për ne, pavarësisht se kemi pasur orar të ngjeshur këto ditë. Tani pas një jave pa ndeshje duhet përgatitur për Lirinë e ku do të jetë ndeshje e vështirë më së shumti për faktin e fushës që kanë e nuk të jep mundësi për futboll të mirë. Por, do të punojmë shumë t’i eliminojmë të gjitha dobësitë që na kanë përcjellë në tre ndeshjet e fundit e në Prizren të shkojmë për rezultatin maksimal. 

Gajur Rexhepi, kryetrajner i Flamurtarit: Ne e dimë fuqinë e Prishtinës dhe i uroj fitoren. Ndërsa, ne sot përveç pikëve i humbën edhe dy lojtarë tjerë e ku veç kam lojtarë tjerë të dënuar e të lënduar. Fusha na është dënuar e në çdo aspekt jemi të lënduar e të dënuar. Por, me punë të mëtutjeshme do të ndryshohet ky Flamurtar që është tani.