Lajme

Java XIII: Prishtina – Trepça ‘89

Java XIII: Prishtina – Trepça ‘89

Prishtina me rivalët e përjetshëm për vazhdimësi të fitoreve

FC Prishtina
Ekipi i Prishtinës i cili mposhti Trepçën ‘89 0:2/26/09/2018

Prishtinë, 30 tetor 2018 – Prishtina dhe Trepça ’89, dy rivalët e moçëm, nesër takohen në derbin e javës. Pa marrë parasysh në çfarë do pozita janë skuadrat, përballja ndërmjet dy skuadrave gjithmonë ka qenë jashtëzakonisht interesante dhe e luftuar deri në fund. Përderisa Prishtina është e pozicionuar e dyta me 24 pikë, Trepça ’89, kampionët e parvjetmë, pozicionohen të 8-it me 15 pikë duke mos fituar dy ndeshjet e fundit.

Ndërsa edhe në përballjet ndërmjet dy skuadrave, në 5 ndeshjet e fundit, Prishtina i ka fituar 4 prej tyre dhe ka barazuar në një takim. Prishtina ka fituar ndeshjen e parë të këtij edicioni në “Riza Lushta” 2:0. Po ashtu, edhe pse përballjet në kryeqendër mungojnë nga viti 2016, ’89-shi në Prishtinë nuk ka fituar nga vjeshta e vitit 2012.

Prishtina në ndeshje do të hyjë me dy mungesa, Mankenda i lënduar, Bashiru i suspenduar me kartonë dhe Miftaraj diskutabil nga lëndimi.

Gauthier Mankenda
Gauthier Mankenda golashënues në ndeshjen e parë 0:2

Java XIII

Prishtina – Trepça ‘89

E mërkurë, 31 tetor – ora 17:45

Stadiumi i Prishtinës “Fadil Vokrri”

Gjyqtarë: Dardan Çaka (Vu), Bujar Selimaj (Pz), Elvis Bicaj (Is) – Ilir Mehmeti (Ka)

Çmimi i biletave:
Tribuna lindore: 2 euro
Tribuna perëndimore 3 euro
Tribuna VIP: 10 euro

L. Boshnjaku: Edhe pse ’89-shi nuk është në pozitë të mirë, nuk do ta kemi të lehtë

“Pres ndeshje të fortë, si gjithmonë ashtu kur ndeshemi me Trepçën ’89 edhe pse momentalisht nuk janë në pozitë të mirë , megjithatë kjo nuk do të thotë që do ta kemi të lehtë. Por, unë shpresoj në vazhdimësi të fitoreve, por duhet të jemi maksimalisht të përqendruar dhe të mendojnë vetëm për këtë ndeshje”, ka thënë mesfushori, Lorik Boshnjaku. 

Lorik Boshnjaku
Lorik Boshnjaku shënues i golit të 2-të në fitoren 0:2

Statistikat

Deri sa Trepça ’89 ka një titull kampioni, Prishtina i ka 10-të, por ende pa fituar tituj tani e pesë edicione, ndërkohë në këto vite mungese të titullit për bardhekaltrtit, ishte ’89-shi që për herë të parë u stolis me të.

Trepça '89

Dy skuadrat kanë zhvilluar 50 ndeshje zyrtare pas luftës. Prishtina për 7 ndeshje ka fitore më shumë, me 24 fitore kundrejt 17 të ’89-shit dhe 9 barazime me goldallim + 24, 66:42 për kryeqytetasit.

Në stadiumin e Prishtinës janë zhvilluar 21 meçe dhe Prishtina ka 16 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje me goldallim +29, 41:12.

Në 50 përballje janë shënuar 108 gola apo 2.16 për ndeshje, e ku Prishtina me 66 gola e ka mesataren prej 1.32 golave përball 42 golave apo 0.84 mesataren për ’89-shin.

Rezultati më i shpeshtë është 1:0, - 14 herë dhe Prishtina me këtë rezultat ka fituar vetëm 5 herë – të gjitha si vendas, ndërsa ’89-shi ka fituar 9 (8 si vendas – 1 si mysafir).

Përderisa Prishtina ka fitore të larta prej 4:0 (2 herë si vendas) si dhe 4:1 e 3:0 (nga njëherë si vendas), “minatorët” fitoren më të lartë e kanë vetëm prej 3:1 (1 herë vendas) dhe 2:0 (3 herë, 2 vendas – 1 mysafir).

66 golat e Prishtinës i kanë shënuar 41 futbollistë dhe prin ish-kapiteni Azem Ahmeti 7 gola, kurse nga futbollistët aktiv kanë shënuar Mankenda 3 dhe Boshnjaku 1. Ndërsa 42 golat e ’89-shit i kanë shënuar 23 futbollistë dhe prin ish-kapiteni që sivjet është pensionuar, Shpetim Idrizi.

Shpetim Idrizi - Fatos Hoxha

Prishtinës në 50 përballje i kanë prirë 16 trajnerë, ndërsa kryetrajneri i tanishëm Josa ka udhëheq 4 ndeshje pa humbje, 3 fitore e 1 barazim me goldallim 6:0. Ndërsa Trepçën ’89 e kanë udhëheq 10 trajnerë, kurse kryetrajneri i tanishëm Magani i ka prirë në 3 ndeshje pa fitore, 1 barazim e 2 humbje me goldallim 0:4. Pra, në 3 përballje Josa – Magani, kryetrajneri prishtinas ka 2 fitore me 2:0 dhe një barazim pa gola 0:0.

Gugash Magani - Mirel Josa