Lajme

Java XIII: Prishtina – Trepça ’89 2-0

Java XIII: Prishtina – Trepça ’89 2-0

Fitoren në ndeshjen mbase më të mirën e siguruan Morina (16’) e Pefqeli (68’)

Prishtina - Trepça '89 2-0

Prishtinë, 31 tetor 2018 – Prishtina sonte ka pasur paraqitjen ndër më të mirat kohëve të fundit. Po ashtu, të shkelet me plot kuptimin e fjalës një rival si Trepça ’89, moti kohë nuk ka ndodh. Sot thjesht Prishtina mbizotëroi në çdo aspekt dhe me pak fat rezultati do të ishte shumë më i thellë, sepse nga 14 gjuajtjet në drejtim të portës, për gjysmën e tyre vetëm fati ishte shkaktar që nuk u shndërruan në gola.

Leotrim Bekteshi

Është pra kjo fitorja e 5-të rresht që e mban skuadrën ende dy pikë më pak se lideri Feronikeli, ndërsa ka tre ndeshje që nuk pësojmë gol. Sidoqoftë, kjo paraqitje e mirë duhet harruar sa më shpejt, skuadra menjëherë udhëton të shtunën te skuadra e papërshtatshme e Drenicës në Skenderaj. Disa futbollistë sot pësuan lëndime të lehta, por shpresojmë që do të mjaftojnë tre ditë që të gjithë të rikuperohen.

Arber Hoxha - Arber Pira

Java XIII

Prishtina – Trepça ’89 2-0 (1-0)

Golat: Marjo Morina 16’, Mergim Pefqeli 68’

Shikues: 1.500

Gjyqtarë: Dardan Çaka (Vu), Bujar Selimaj (Pz), Elvis Bicaj (Is) – Ilir Mehmeti (Ka)

KV: H. Hyseni

KK: Y. Maloku (min. 70’)

Pozita jashtë lojës: Pri 6-1 T89

Kornerët: Pri 5-3 T89

Gjuajtjet totale: Pri 14-5 T89

Gjuajtjet në portë: Pri 9-3 T89

Prishtina (4-4-1-1): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi, 4. Armend Dallku /c/, 3. Jamal Arago –  5. Diar Miftaraj (18. Ergyn Ahmeti – 74’), 7. Lorik Boshnjaku, 10. Meriton Korenica, 11. Arbër Hoxha (77. Mergim Pefqeli – 64’) – 27. Marjo Morina (8. Ahmet Haliti – 85’) – 9. Basid Khalid. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Përparim Osmani, Argjend Mustafa, Alen Jasharoski. Kryetrajner: Mirel Josa.

Trepça ’89: 1. Arben Beqiri – 21. Arbër Pira, 5. Elton Basri, 6. Mariglen Shosha (9. Arb Manaj – 60’), 22. Ergis Mersin, 10. Ylber Maloku /c/ 15. Muharrem Jashari, 16. Blagoj Gucev, 14. Ardian Muja (11. Gëzim Rusi – 46’), 29. Renato Hyshmeri, 7. Hasan Hyseni (4. Asare Richard – 73’). Kryetrajner: Gugash Magani.

Trepça '89

Komenti:

Pas përballjes së sotme, nuk besojmë se televizionet në kronikat e tyre do të kenë hapësirë për minutazhë për t’i pasqyruar të gjitha rastet e Prishtinës. Aq shumë sot krijuan bardhekaltrit, por shënuan vetëm dy herë. Por, edhe vetëm këto dy gola, interpretimi i lojës dhe paraqitja e futbollistëve kënaqi shikuesit të cilët u ndjen të ftohit pas kësaj ndeshje. Shpresojmë që skuadra do të vazhdoj me ritëm të njëjtë edhe në “Bajram Aliu” të shtunën, e që aspak nuk do të jetë e lehtë tu e marr para sysh fushën e vështirë dhe skuadrën kryeneçe e të papërshtatshme të Drenicës. Por, po luajtëm si sonte, edhe Drenica do ta ketë fatin e njëjtë si pesë rivalët e fundit. Megjithatë do të jenë 90-minuta të vështira para përballjes pas një jave në Drenas me liderin Feronikelin.

Plisat

Minutë pas minute:

7’ Hyshmeri nga jashtëzona nga e djathta provon me të majtën, tepër e lartë.

13’ Gucev tani provon nga e majta me të djathtën, e ulët, e plogësht, jashtë.

Lorik Boshnjaku

Leotrim Bekteshi

16’ Këndorja e parë për Prishtinën e harkuar nga e majta, mbase nga futbollisti më i mirë i skuadrës në dy ndeshjet e fundit, “boss of midfield”, Lorik Boshnjaku – Bekteshi ia del të ule me kokë topin deri te Marjo Morina afër shtyllës së djathtë – gjuan herën e parë pret portieri,  i vije sërish topi dhe herën e dytë më i saktë dhe e vendos topin në rrjetë për golin e tij të tretë sezonal – 1:0.

Marjo Morina

19’ Rast ideal, Marjo udhëheq kontra, provon pasimin te Hoxha te zona, dëbohet me gjasë nga Pira, vije sërish te Morina që gjuan direkte nga 14 metra, përpak i pasaktë mbi traversë.

Diar Miftaraj

22’ Miftaraj lufton fortë, fiton top para zonës së tij, ikën në mes të futbollistëve dhe ia shtyen Khalidit mbrapa shpinës së mbrojtjes mysafire. Khalid me shpejtësi futet në zonë e provon këndin e majtë, pret portieri Beqiri e topi përfundon skaj pingules, e pabesueshme çfarë rasti i artë humbet.

Khalid - Beqiri

29’ Presing i lartë, mysafirët e kanë të kot. Gabon edhe portieri duke dërguar topin te Korenica gjysmëmajtë i cili depërton më në qendër e gjuan ballore, pret portieri, kthehet topi te Morina i cili ishte në pozitë jashtë lojës.

32’ Shënohet gol. Këndorja e majtë – topi devijohet deri te krahu tjetër te Dallku që e gjen si me dorë Khalidin i cili shënon, por anulohet, sepse kishte luajtur me dorë.

Armend Thaqi

33’ Prishtina nuk ndalet, tjetër rast i jashtëzakonshëm. Korenica e vazhdon djathtë te Thaqi e ky e harkon para portës te Hoxha i cili shkëputet e gjuan me kokë, por topi qëllon tokën e del mbi tra, e pabesueshme, topi nuk donë të futet në rrjetë.

35’ Më në fund aksion i mysafirëve që mbyllet me gjuajtjen e Jasharit nga pozita ballore, pret portieri Bekaj.

37’ Boshnjaku nga gjuajtja e lirë prej distancës, pret portieri.

42’ Tjetër kundërzbritje e shkëlqyer, topi nxjerrët nga zona prej Thaqit – Bekteshi – Miftaraj te Khalid që e vazhdon te Korenica djathtë në krah e ky e kthen në zonë më mbrapa te Morina që gjuan me kthim me të parën, i pafat, topi jashtë skaj pingules së majtë.

47’ Boshnjaku ballore nga goditja e dënimit, grushton portieri Beqiri.

50’ Maloku provon ballore, e lartë.

53’ Këndore e majtë, e shkurtër, rrëshqet Thaqi i ikën Hyseni që gjuan nga pozitë e vështirë, nuk befasohet Bekaj, pret.

55’ Morina rremben top, gjuan nga brenda zonës, devijohet e qëllon pingulen e majtë.

Marjo Morina

61’ Kontra, Khalid ikën vetë deri para 20-metrave e gjuan direkte, kap portieri.

62’ Mysafirët gabojnë, Jashari me gjasë lëndohet, Korenica nuk e sheh e vazhdon e gjuan ballore, por jashtë. Mysafirët të revoltuar me Korenicën e implikohet në fërkimin verbal edhe Morina – gjest ky që u pëlqeu “Plisave”.

Plisat

64’ Hyseni krosim të rreptë nga e majta, Bekaj e ndal.

66’ Pefqeli fiton top nga e majta, e kthen te Morina në zonë që ia shtyn përpara me kokë Khalidit i cili me portier gjuan jashtë. Nuk ia don Basidit.

Lorik Boshnjaku

68’ Boshnjaku lufton fortë nëgjysmëfushën prishtinase, e tërheq topin përpara, e pason te Pefqeli majtë i cili e gjen Korenicën para zonës, por i penguar nuk ia del të gjuaj e vije Pefqeli e shtynë topin del në pozitë të pastër gjuajtje dhe e bënë, ballore me ndihmën e shtyllës dhe 2:0.

Mergim Pefqeli

70’ Khalid me shpejtësi depërton nga zona, ndalet para zonës nga Maloku. Ishte futbollist i fundit dhe ndëshkohet me karton të kuq.

Ylber Maloku - Khalid

72’ Pas nisjes së ndërprerjes, Dallku provon ballore, shumë e lartë.

73’ “Plisat” pasimet e shumta të Prishtinës i përcjellin me “olle-olle”.

Marjo Morina

74’ Zëvendësohet Morina dhe vlerësohet me duartrokitje e thirrje të emrit nga “Lindja”.

78’ Pefqeli bashkëvepron me Ahmetin i cili gjuan nga jashtëzona, pret portieri Beqiri.

Deklaruan:

Mirel Josa: Mua më duket njësoj sikur të kemi fituar trepikëshin e parë, se ju do të shkoni me këtë se po të fitoj skuadra 4-5 rresht Prishtina e ka për detyrë të fitoj çdo ndeshje. Kështu që normal se ndeshja ishte e vështirë, pa marrë parasysh faktin që Trepça ’89 që nuk ka pasur ecurinë e mirë kohëve të fundit, por ka qenë skuadra që jashtë fushës së saj e ka luajtur mirë futbollin. Por, ne u treguam të kujdesshëm. Goli i dytë më tepër na dha prioritetin që ne kërkonim dhe gjithashtu kartoni i kuq nuk lejoi më Trepçën ’89 t’i afrohej zonës sonë.
Magani është miku im, njëri ndër miqtë të mi më të mirë që kam nga trajnerët e Shqipërisë nga 2-3 tjerët që kam e nuk dua t’i përmendi tani. Më vije keq, kështu është puna jonë, ne jemi me çantë në dorë. Arsyet pse Gashi ka dhënë dorëheqje nuk i di, por i uroj suksese në vazhdimësi.   

Marjo Morina: Normalisht se jam i gëzuar, sepse gjërat po ecin mirë, kemi pesë ndeshje që po ecim mirë po i ftojmë rresht dhe edhe unë me minutazhë nga ndeshje në ndeshje po përmirësohem. Por, e rëndësishme është të fitoj ekipi, për golat nuk është se e mendoj shumë, edhe pse sot e bëra një gol, dhashë raste e nuk më eci më shtyllën. Në përgjithësi jam i kënaqur me lojën, e sidomos me tre pikët. Ndërsa për lëndimin që pësova, të shohim besoj se do të jem sërish gati për dy-tre ditë. 

Mergim Pefqeli: Është gol i dytë për këtë sezon, besoj të mos ndalem me kaq. Ishte meritë e tërë ekipit, duke e nisur nga Boshnjaku me disa pasime e te Korenica dhe në fund aty ku besoj që në ato pozita nuk fali. Shpresojmë shumë të vazhdojmë kështu sa më gjatë me paraqitje të mira e me fitore të reja.

Gugash Magani: Mendoj që nuk duhet analizuar fare këtë ndeshje. Nga ky moment nuk jam më trajner i Trepçës ’89, kam dhënë dorëheqje, sepse jemi larg objektivave që kemi pasur në fillim të kampionatit. Me këtë rast pra nuk dua të bëjë analizë, por t’i falënderoj të gjithë futbollistët, stafin tim, presidentin në veçanti, tifozët e Mitrovicës që më kanë respektuar shumë. Mirëpo normalisht është diçka që ne e kemi pasur tërë kohën për të ndryshuar diçka, por në fakt nuk kemi ndryshuar dhe vije momenti që është ligj i pashkruar i futbollit që kur nuk i ecën ekipit viktima e parë është trajneri. Është kjo puna jonë, jam i qetë për atë çfarë kam punuar me maksimumin e energjive të mija, por në fund fare është rezultati ai që tregon se çfarë pasqyron skuadra në fushë. Jo, nuk është puna e humbjes me Prishtinën, por kemi bërë shumë gabime gjatë rrugës dhe normalisht pra nuk po jap dorëheqje që u munda me Prishtinën, por se ne kishim objektiva madhore dhe në qoftë se po flasim që Trepça ’89 të tërhiqet zvarrë që të qëndroj në Superligë, mendoj se është një gjë që nuk më takon mua.   

Plisat