Lajme

Java XIV: Drenica – Prishtina

Java XIV: Drenica – Prishtina

Për vazhdimësi të fitoreve te skuadra e papërshtatshme kuqezi

Prishtinë, 2 nëntor 2018 – Nesër zhvillohet dueli i 50-të jubilar ndërmjet dy skuadrave që s’kanë rënë nga elita e futbollit tonë. Drenica ka vetëm një mungesë në Superligën e pasluftës, por me t’u inkuadruar në vitin 2000, ajo më nuk ka rënë nga elita. Ashtu siç edhe Prishtina. Edhe pse skuadër pa traditë, pra pa trofe, skuadra nga Skenderaj gjithmonë “arrë e fortë” për kryeqytetasit. Edhe pse, s’ka skuadër tjetër që ka marrë më shumë rezultate pozitive se sa Prishtina në Skenderaj. Megjithatë, ishte Drenica ajo që edicionin e kaluar ia shkaktoi Prishtinës dy humbje të rënda e që në fund kushtuan shumë. Megjithatë, si kurrë më parë, Drenica këtë edicion nuk po shkëlqen siç jemi mësuar në fushën e saj. Nga 6 takime ka vetëm 2 fitore (Ballkanin e Lirinë), 2 barazime (Feronikelin e Gjilanin) e 2 humbje (Drita e Llapi), ndërsa edhe në dy përballjet e fundit (të edicionit të kaluar) atje ka dal e pamposhtur nga Prishtina (1 fitore e 1 barazim). Ndërkaq Prishtina nga 5 udhëtimet e sivjetme, ka humbur vetëm një ndeshje të pafat me Dritën, ka barazuar me Ballkanin dhe në tre tjera ka fituar ndaj Trepçës ’89, Lirisë dhe Gjilanit e duke pësuar vetëm dy gola e në anën tjetër ka shënuar 7 gola, apo në të gjitha ndeshjet, përveç në humbjen me Dritën.  Ndeshjen e parë këtë sezon Prishtina kishte triumfuar minimalisht 1:0 me golin e Mankendës (62’).

Por, forma e lartë momentale e Prishtinës, jep shpresa që futbollistët do të japin maksimumin dhe pikët e plota të domosdoshme nga udhëtimi i nesërm mund të sjellën në kryeqendër.

Prishtina nuk ka probleme as me suspendime as me lëndime, përveç me Mankenda-n i cili zor që mund të pritet të kthehet në stinorin vjeshtor me gjithë përkushtimin maksimal që të rikthehet sa më shpejtë.

Java XIV:

Drenica – Prishtina

E shtunë, 3 nëntor – ora 13:30

Stadiumi: “Bajram Aliu”, Skenderaj

Gjyqtarë: Selim Isufi (Mt), Besnik Morina (Vu), Visar Kelmendi (Pe) – Erdall Zasella (Mt)

D. Miftaraj: Jemi maksimalisht të përgatitur maksimalisht – kjo na shton besimin për fitore

“Normalisht, duke u bazuar në përballjet e sezonit të kaluar, kemi pasur vështirësi kundër ekipit të Drenicës, por këtë sezon jemi më në formë se sezonin e vjetëm dhe ku dallojnë edhe rrethanat tjera dhe tani po bëjmë edhe lojëra shumë më të mira. Duke shtuar kësaj që po ndjehemi shumë mirë në çdo aspekt, jemi të përgatitur vetëm për ndeshjen e nesërme pa menduar për ndeshje tjera, na bënë nga besimi që kemi të shpresojmë vetëm në rezultat pozitiv, e kjo do të thotë vetëm për fitore”, ka thënë mesfushori, Diar Miftaraj. 

Diar Miftaraj

Statistikat

Prishtina dhe Drenica pas luftës kanë zhvilluar 49 ndeshje zyrtare (48 kampionale dhe 1 në finale të Kupës të fituar nga Prishtina pas penalltive) dhe bardhekaltrit dominojnë bindshëm me 23 fitore, 10 barazime dhe 16 humbje me goldallim +26, 74:48.

Në Skenderaj, nga 24 ndeshje, kuqezinjtë kanë 11 fitore me 7 barazime dhe 6 humbje me goldallim +4 për vendasit, 24:40.

Në 49 ndeshje janë shënuar 122 gola, pothuajse 2,5 gola për ndeshje, e ku Drenica me 48 gola ka pothuajse 1 gol për ndeshje, ndërsa Prishtina me 74 ka një gjysmë goli më tepër. Pra shifra këto larta të shënimit të golave e ku rezultati më i shpeshtë ka qenë 1:0 – plot 12 herë, dhe nga 6 fitore secila (Prishtina dy si mysafir përkundër 4 si vendas – Drenica të gjitha si vendase).

Drenica përveç 4 fitoreve me 2:0 dhe 1 me 3:1, nuk ka fitore tjetër më të lartë se dy gola epërsi, ndërsa Prishtina me kuqezinjtë ka rekorde të fitoreve si 7:0, 6:0, 4:0, 5:2, 3:0 dhe 5:3.

Për Prishtinën 74 golat i kanë shënuar 42 futbollistë duke prirë Sheremet Isufi me 9 (1x3 dhe 1x2), ndërsa nga futbollistët aktiv nga 3 gola kanë Khalid (1x2) e Mankenda (1x2) si dhe 1 gol ka shënuar Boshnjaku.

Basid Khalid

Për Drenicën 48 golat i kanë shënuar 29 futbollistë dhe prin Besim Bajraktari me 6 (1x2).

Në 49 përballje Prishtinës i kanë prirë 18 trajnerë, ndërsa kryetrajneri aktual Josa nga 3 ndeshje ka 1 fitore (1:0) e 2 humbje (0:2 e 1:0) me goldallim 1:3.

Ndërsa Drenicën e kanë udhëhequr 13 trajnerë dhe me paraqitje rekorde është trajneri i tanishëm, Tahir Lushtaku me 16 paraqitje (7-2-7, 18:22). Dy trajnerët e kanë vetëm një përballje të cilën e ka fituar Josa 1:0 në ndeshjen e fundit në kryeqendër.