Lajme

Java XIV: Drenica – Prishtina 0-1

Java XIV: Drenica – Prishtina 0-1

Fitoren e 6-të rresht siguroi Khalid me golin e tij të 4-të në minutën e 89-të

FC Prishtina

Skenderaj, 3 nëntor 2018 – Pas dy ndeshjeve pa fituar në Skenderaj, kundër, bukfalisht “maces së zezë” së Prishtinës, skuadra më në fund fitoi. Zorshëm, por me meritë, sidomos me pjesën e dytë ku futbollistët ngulmuan për tre pikët, dhe ia dolën mbarë. Në fakt, skuadra pati probleme, si në ngarkesën fizike të futbollistët nga orari i ngjeshur i ndeshjeve si dhe Korenica i sëmurë. Por, më nuk po vërehet shumë kush po luan e kush po mungon, thjeshtë të gjithë dhanë maksimumin, pa marrë parasysh mbase lojës së plogësht në pjesëlojën e parë. Më rëndësi ndeshja u fitua, me një mikpritje të mirë dhe gjykim më se korrekt, çka Prishtina është mirënjohëse edhe pse ndeshja lehtë mund të dilte fare lehtë edhe baras, sepse po luheshin minutat e fundit.

Mergim Pefqeli

Skuadra ka ruajtur distancën në 2 pikë me Feronikelin dhe tani e qetë udhëton të mërkurën në Drenas për t’i matë forcat se kush është momentalisht më i miri.

Marjo Morina

Java XIV: Drenica – Prishtina 0-1 (0-0)

Golashënues: Basid Khalid 89’

Shikues: 1.500

Gjyqtarë: Selim Isufi (Mt), Besnik Morina (Vu), Visar Kelmendi (Pe) – Erdall Zasella (Mt)

KV: B. Islamaj, Rr. Nimani – A. Bashiru, E. Ahmeti

Pozita jashtë lojës: Dre 1-3 Pri

Kornerët: Dre 2-6 Pri

Gjuajtjet totale: Dre 4-13 Pri

Gjuajtjet në portë: Dre 1-7 Pri

Drenica: 1. Arion Ymeri – 18. Besart Islamaj, 24. Edon Pasoma, 5. Arsen Sykaj, 16. Azem Bejta, 8. Diar Mustafa (21. Taulant Dajaku – 46’), 6. Arbios Thaqi, 7. Hysen Tahiri (9. Armend Abazi – 70’), 11. Kreshnik Uka, 99. Osman Mëziu, 77. Qemail Elshani (45. Rrahim Nimani – 66’). Kryetrajner: Tahir Lushtaku.

Prishtina (4-4-1-1): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 28. Leutrim Bekteshi, 4. Armend Dallku /c/, 13. Abdul Bashiru – 3. Jamal Arago (21. Argjend Mustafa – 83’), 5. Diar Miftaraj, 18. Ergyn Ahmeti (7. Lorik Boshnjaku – 60’), 77. Mergim Pefqeli (11. Arbër Hoxha – 60’) – 27. Marjo Morina – 9. Basid Khalid. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Përparim Osmani, Ahmet Haliti, Alen Jasharoski. Kryetrajner: Mirel Josa.

FC Prishtina

Komenti:

Edhe pse në dukje jo lojë bindëse, janë statistikat ku e qesin në pah mbizotërimin absolut të Prishtinës. Plot 13 gjuajtje në apo përreth portës. Në fakt nga të gjitha këto ishin nja 3 raste që lehtësisht duhej shënuar goli. E Drenica, pati gjithsejtë vetëm 4, dhe rasti më i mirë i Ukës që sot dallohej të vendasit. Pra, do të ishte e padrejt sikur skuadra nuk do të fitonte ndeshjen. Drejtësia vonoi, por erdhi dhe u deshtë minuta e 89-të që gëzimi të jetë shumë i madh si në fushë, bankinë dhe te pjesa e tribunës ku pati pak shikues të Prishtinës e zyrtarë të saj. Pra, një fitore e merituar e cila vjen kundër një skuadre kryeneçe siç është Drenica dhe atë në fushë të saj pas dy ndeshjeve që s’i kishte fituar në “Bajram Aliu”.

Basid Khalid

Skuadrën në mesjavë e pret udhëtim tjetër në Drenicë, tani te Feronikeli në Drenas, te lideri i Superligës, skuadër kjo me të cilin Prishtina nuk ka pësuar humbje në 7-të ndeshjet e fundit (3 i ka fituar Prishtina dhe 4 barazime pa gola).

Diar Miftaraj

Minutë pas minute:

4’ Khalidi provon nga distancë e madhe, e plogësht dhe pa problem kap portieri Ymeri.

15’ Vendasit me top të gjatë në zonë nisin ndërprerjen, del portieri Bekaj, tenton të intervenoj, por pengohet nga mbrapa prej Bekteshit dhe u krijua situatë e rrezikshme kur Thaqi vendas provon gjuajtjen, por bllokohet nga futbollistët mysafir.

26’ Arbios Thaqi nga distanca, por pa asnjë problem Bekaj – njëherësh kjo mbeti gjuajtja e vetme e vendasve në portë.

30’ Vendasit me shpejtësi nisin faullin nga e djathta, topi te Elshani afër shtyllës së parë, por e vazhdon më në qendër te Uka që u vonua të gjuante, e pastaj iu bllokua gjuajtja me gjasë nga Armend Thaqi.

Abdul Bashiru

34’ Aksion i nisur nga ndërprerja te zona jonë, Dallku me top të gjatë, Khalid ia rrëmben mbrojtësit topin te këndorja, provon pasimin në zonë, nuk e arrinë Morina, por Pefqeli nga e djathta e kthen te Ahmeti para zonës që gjuajti pastaj larg portës, ishte i penguar dhe me një futbollist kundërshtar afër.

42’ Thaqi ia del të harkonte me të majtën nga e djathta, në zonë Arago ia del të shkëputet me gjithë futbollistin kundërshtar afër, gjuan me kokë, por plogësht, portieri vendas pa problem.

Arion Ymeri

53’ Nga distanca prej gjuajtjes së lirë harkon Morina, Pefqeli te shtylla e djathtë e gjuan me kokë atë kënd, por intervenon Ymeri.

59’ Khalid para zonës e kthen te Pefqeli i cili gjuan lartë, ndërsa Morina i vetmuar priste pasimin djathtë.

Mergim Pefqeli

60’ Rasti më i mirë, Thaqi e harkon këndoren e djathtë, Arago e ulë me kokë te Morina majtë, ka vetëm portierin që s’ia del të ndal gjuajtjen e lehtë, por jo edhe një futbollist para portës që largon tutje.

63’ Islamaj harkon nga e djathta, Uka nuk pret brenda zonës edhe pse gjuajti larg portës, qëlloi topin me të parën dhe u përshëndet me duartrokitje nga publiku jashtëzakonisht korrekt vendas.

64’ Hoxha bukur i ikën Islamajt nga e majta, merr qendrën e gjuan fortë, por drejt në portier që ia del të grushtonte.

Basid Khalid

70’ Khalidi gjuan nga distancë e madhe, lartë.

Arber Hoxha

72’ Aksion i mirë nga mesfusha, Arago te Morina djathtë e që e harkon te shtylla e dytë te Hoxha që ishte i mbuluar, por shkëputet mirë e gjuan me kokë, për pak i pafatë, mbi tra.

Arber Hoxha

75’ Morina sërish harkim, Thaqi nga pozitë jo e mirë nga e djathta disi ia del të gjuaj me kokë, por pa problem portieri Ymeri.

Armend Thaqi

76’ Rasti më i mirë i vendasve niset nga ideatori i pjesës së dytë Dajaku e vazhdon me dy pasime tjera të shkurta dhe Kreshnik Uka del prapa shpinës së mbrojtjes mysafire nga e majta, gjuan fortë, por s’doli as drejt portës as pasim, jashtë.

Lorik Boshnjaku

79’ Boshnjaku provon nga distanca, Ymeri në vend.

81’ Reagim i mirë i portieri Bekaj, del dhe ndal një harkim nga e djathta rrezikshëm për Abazin.

Visar Bekaj

86’ Dajaku e harkon këndoren e majtë në shtyllën e parë, e Uka gjuan me kokë, por ishte larg portës, jashtë.

89’ Këndore nga e djathta. E nis shkurt Thaqi te Dallku, nuk harkon e provon prapë te Thaqi, as këtij nuk ia merr mendja të harkon, e kthen sërish te Dallku i cili harkon në qendër, Hoxha shkëputet e prek me kokë e topi shkon te shtylla e dytë ku Basid Khalid kësaj here nuk fal, e drejton topin në këndin e djathtë të pambrojtur të portierit Ymeri dhe gëzim i madh – 0:1.

Basid Khalid

90’+4 Dallku me kokë largon një top të gjatë të vendasve, e merr Khalid e ikën nga e majta deri në zonë e pastaj gjuan fortë e aq pasaktë mbi kuadrat sa topi përfundon larg stadiumit. Khalid sikur u shfrye me këtë gjuajtje dhe me kaq përfundoi takimi i sotëm

Basid Khalid

Deklaruan:

Mirel Josa: Nuk dua të nis me fitoren e gjashtë, por me ndryshimin që pati pjesa e parë nga pjesa e dytë e ndeshjes. Normal, në pjesën e parë ishim shumë të ngadaltë, pavarësisht se kishim futur disa forca të freskëta krahasim me ndeshjen a kaluar dhe do të duhej të luanim shumë më shpejtë. Duhej t’i zgjidhnim më drejt problemet për sa i përket mënyrës se si ne do të dilnim në sulm. Khalid-it, i cili ishte shumë mirë i markuar nga kundërshtarët nuk do të duhej t’i luanim aty ku kundërshtarët e kishin më të thjeshtë, por aty ku i luhet atij lojtari me mënyrën e lojës që ka. Unë në përgjithësi për këmbënguljen në pjesën e dytë ku kishte disa momente ku duhej të bëhej shumë më mirë, megjithatë këmbëngulja erdhi e kjo bëhet nga përqendrimi edhe nga nxitimi i lojtarëve në momentet e caktuara. Edhe fitorja në minutën e 90-të ishte fitore e vlefshme për ne e cila na lejon të vazhdojmë. Tani luajmë në Drenas e cila nuk është ndeshje që përcakton kampionatin, por është një ndeshje e cila do të luhet, sepse është akoma ndeshje e parë e kampionatit ndërmjet dy skuadrave. Ka edhe skuadra tjera të cilat kanë pretendimet e tyre dhe mund të futen në garë në çoftë se për dy ndeshje t’i që je para tyre nuk bënë mirë. 

Basid Khalid: Jam shumë i lumtur, sepse na duheshin aq shumë këto pikë për të cilat luftuam shumë si ekip i bashkuar dhe u arritën edhe me golin tim, pra e kuptueshme që jam shumë i gëzuar. Tash na pret ndeshja me Feronikelin e cila nuk është ndeshje e vogël dhe e cila do të jetë shumë e vështirë, sepse ndeshemi me liderin e klasifikimit, por kjo nuk na frikëson fare, por do të na detyroj të luftojmë edhe më shumë si ekip i bashkuar që beson në vete duke filluar nga menaxhmenti i klubit e deri te futbollisti më i fundit. 

Tahir Lushtaku, kryetrajner i Drenicës: Unë mendoj që kemi luajtur gjatë dy pjesëve mirë edhe pse mendoj që gjatë pjesës së parë ka qenë me intensitet pak më të lartë e ndoshta më sulmuese. Por, në pjesën e dytë jemi munduar kryesisht të luajmë me kundërzbritje gjë që besoj edhe ka rezultuar. Por, të them të drejtën nuk është dashur të humbnim, por ndodh sepse edhe jeta nganjëherë nuk është i drejt ashtu siç nuk është as futbolli si i paparashikueshëm dhe nga një gabim apo moskujdes në mbrojtje dhe na dënoi Prishtina nga Khalid i cili është një lojtar jashtëzakonisht i rrezikshëm në ajër. Ne i patëm rastet tona dhe mendoj sikur ne kishim fituar kishte me qenë më reale, por deshëm apo s’deshëm duhet pajtuar me humbjen, ky është realiteti. Unë jam i kënaqur me angazhimin, edhe me disiplinën në lojë. 

Mirel Josa 

Foto: A.D. - Roland Racaj.