Lajme

Java XIV: Liria – Prishtina 1-0

Java XIV: Liria – Prishtina 1-0

Prishtinë e plogësht - fitore e merituar e Lirisë

Prizren, 4 tetor, 2017 – Jo që Liria ka cilësi më shumë apo luajti shumë më mirë, por vetëm dëshira e madhe që patën, mjaftoi që të fitojnë tre pikë të mëdha kundër kryeqendrasve. Ndërsa, Prishtina me shumë mungesa, iu shtua edhe lëndimi i Mankendës në minutën e 32-të (sulmues rezervë ishin vetëm dy të rinjtë junior, Kastriot Selmani e Bleon Sekiraqa) çka njëfarë mënyre detyroi skuadrën që të luante pothuajse me shtatë futbollistë me veti mbrojtëse të cilët sikur kërkuan barazimin pa gola, por që njëfarë mënyre iu hakmor e duke mos krijuar pothuajse asnjë rast të mirë shënimi.

Mirë që kampionati pushon dhjetë ditë e mbase dikush nga të lënduarit do të rikuperohet.

Java XIV:

Liria – Prishtina 1-0 (0-0)

Golashënues: Artur Magani 75’

Shikues: 2.500

Gjyqtarë:  Genc Nuza (Pr), Fatlum Berisha (FK), Bujar Selimaj (Pz) – Besnik Batalli (Gjk)

KV: A. Gavazaj – D. Bozhoviç, E. Ahmeti

Pozitat jashtë lojës: Lir 0-0 Pri

Kornerët: Lir 3-3 Pri

Gjuajtjet totale: Lir 6-7 Pri

Gjuajtjet në portë: Lir 5-3 Pri

Liria: 31. Edvan Bakaj – 23. Stefan Kocev, 17. Florent Avdyli (27. Zenel Gavazaj – 46’), 25. Lumbardh Dellova, 5. Elton Basriu, 20. Roni Gashi, 7. Meriton Korenica /c/ (4. Vigan Rexhaj – 90+1’), 66. David Domgjoni, 16. Artur Magani, 8. Jetmir Sefa (10. Ilir Mustafa – 81’), 14. Alush Gavazaj. Kryetrajner: Bledi Shkembi.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 22. Lorik Maxhuni, 6. Debatik Curri /c/, 23. Ben Nash Quansah, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 66. Ergyn Ahmeti, 29. Drashko Bozhoviç – 11. Liridon Fetahaj (88. Përparim Osmani – 65’), 15. Gauthier Mankenda (28. Gentrit Dumani – 37’), 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Armend Dallku, Bleon Sekiraqa, Kastriot Selmani. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Mungesa e Khalid, Mazrekaj e Boshnjakut, sot iu bashkuan edhe Pefqeli, Dallku (i cili vetëm figuronte zëvendësues), ndërsa në qindpërqindtëshin e tyre s’ishte as Maxhuni, Ahmeti , Osmani, Bashiru e Ben Nash dhe më e keqja u lëndua edhe Mankenda (32’ - brinjët), rast ky ku çuditërisht gjyqtari Nuza nuk e ndali as faull, deri sa Mankenda përfundoi në spital. Andaj, si duket duke parë forcat, Prishtina tentoi më shumë të mbrohej, por dëshira e madhe e vendasve doli decizive. Prizrenasit, megjithëse pas shënimit të golit në mënyrë të turpshme zhargiten lojën, fituan me meritë ndeshjen. Mbase pushim dhjetëditor do të këndell skuadrën, sidomos me këta futbollistë që kanë nga pak lëndime, sepse tani më stinori është mbyllur për Khalid e Mazrekaj dhe shumë diskutabil janë Boshnjaku e Mankenda.

Minutë pas minute:

3’ Kontra e shpejtë, Korenica nga e djathta kroson, Curri e ndal shkurtë, 7-shi vendas ia del t’ia vazhdoj Sefës që megjithëse i penguar gjuan, por jashtë.

6’ Uhf çfarë aksioni, Bozhoviç nga qendra e vazhdon te Mankenda majtë i cili posa futet në zonë provon të gjuaj në këndin e djathtë, por i pasaktë, jashtë pingules.

15’ Sefa gjuan nga goditja e dënimit prej jashtë zonës ballore, Bekaj grushton.

23’ Mankenda e udhëheq kundërzbritjen nga e majta, sapo futet në zonë gjuan, por e lehtë për portierin Bakaj.

24’ Fetahaj ia vazhdon Bozhoviçit, e ky nga e djathta gjuan, por e lehtë për Bakajn.

27’ Gashi provon gjuajtjen nga distanca, jashtë.

32’ Me gjasë Kocev nga mbrapa shpinë i hyn Mankendës që bie i shtrirë për tokë. Gjyqtari Nuza fare nuk e ndali aksionin. Pas 5 minutave u konstatua se Mankenda duhet shkoj në spital. Dyshohej në thyerje brinjësh, por me gjasë vetëm i ka ndrydhur. Por, Prishtina pas daljes së Mankendës më nuk e mori vetën.

43’ Dyshja sot shumë e rrezikshme, Korenica – Sefa bashkëveprojnë pas ekzekutimit të këndores, ishte Sefa që gjuajti rrezikshëm, por internoi Bekaj.

60’ Nga gjuajtja e lirë ballore, Korenica qëlloi pingulen e djathtë.

63’ Bozhoviç nga e majta e harkon ndërprerjen, e Januzi gjuan mjaft mirë me kokë, por jo aq e fortë sa mos ta zë Bakaj.

75’ Ndeshja dukej që po shkonte në barazim pa gola, por trysnia e vendasve e cila nuk përcillej me ndonjë rast, më në fund iu ndez. Zenel Gavazaj gjuan fortë para zonës, topi devijohet nga prishtinasit e shkon djathtë dhe nga pozitë mjaft e dyshimtë pozite jashtë loje, depërton e del me portierin Bekaj, Artur Magani që e drejtoi topin në rrjetë. Gëzim i madh i prizrenasve – 1:0. Pas këtij goli më nuk kishte lojë, vendasit në 4-5 pesë momente me nga 1-2 minuta zhargitën lojën me arsyen e kapjes së ngërçit.

88’ Osmani kroson nga e djathta, Januzi gjuan me kokë larg portës.

90+1 Maxhuni e Osmani nga e djathta, ky i fundit ia del të pasonte te Januzi ne zonë i cili e ktheu për Miftarajn që gjuajti dobët larg portës.

90+5’ Mustafa provon gjuajtjen nga ndërprerja, pret Bekaj.

Deklaruan:

Mirel Josa, kryetrajner i Prishtinës: Ne e përgatisim ndeshjen e cila ka tre rezultatet brenda. Ne thjesht sot duhej të ishim shumë më të vendosur në dyluftimet tona në qendër të mesit të fushës të cilat ekipi i Lirisë pothuajse të gjitha, sidomos në fillimin e pjesës së dytë i fitoi dhe nuk na la të dilnim ne nga zona jonë – moment ky kur edhe erdhi dënimi për ne. Normalisht një gabim mund të bëhet, por kur ndodhin aq shumë gabime në një periudhë të shkurtër loje atëherë në mos njëherë tjetër, sepse edhe kundërshtari luan futboll dhe do ta pësojë. Pra, nuk jam i kënaqur me mënyrën se si skuadra e zgjidhi momentet e caktuara sa i përket kur kishim topin në zotërim dhe si ne duhej të dilnim përpara. Ne e mbytëm lojën nga njëri krah dhe ky ishte problemi më i madh i joni. Krahu i majtë punoi gjatë gjithë kohës, por duke mos ndërruar nga krahu tjetër. Dhe fitimi i topit nga Liria në këto zona, na bëri që të mbesnim mbrapa në zonën tonë mbrojtëse.   

Bledi Shkëmbi, kryetrajner i Lirisë: Do të ishte mirë që t’i kemi të gjitha fitore në Prizren, nuk diskutohet, por kjo e sotmja të them të vërtetën na shijon shumë që patjetër është kundër Prishtinës, një rivali shumë të fortë dhe po vjen në momentin më të mirë kur po vinim nga dy ndeshje me lojë jo të mirë. Pra, fitorja është shumë më rëndësi dhe falënderoj futbollistët që dhanë maksimumin.