
Java XIX: Prishtina – Drenica 3-1
Tre gola për tre pikë të reja
Prishtinë, 13 shkurt 2021 – Nën kushtet acarta dhe me reshje dëbore, futbollistët prishtinas sërish treguan formë të lartë duke nisur stinorin pranveror me fitore bindëse, 3:1. As goli i barazimit nga kuqezinjtë e Drenicës në sekondat e fundit të pjesëlojës së parë, nuk demoralizuan futbollistët vendas. Përkundrazi, pjesën e dytë filluan me trysni edhe më të madhe duke rikthyer si rezultatin po ashtu duke shënuar edhe golin e tretë të sigurisë çka i solli skuadrës tre pikët e reja.
Golat për Prishtinën shënuan Alban Shillova 13’, Leonit Abazi 62’ dhe Gentjan Muça në të 70-në. Mysafirët shënuan në minutën e 45-të nëpërmjet futbollistët më të dalluar, Jose Denisson.
Prishtina pas kësaj ndeshje nuk pëson humbje në 13 takime rresht, prej tyre ka arritur 13 fitore dhe 3 barazime. Në fundjavën e ardhshme në kuadër të javës 20-të, Prishtina udhëton në Ferizaj ku do të ndeshet me Arbërinë.
Java XIX
Prishtina – Drenica 3-1 (1-1)
Golat: Alban Shillova 13’, Leonit Abazi 62’, Gentjan Muça 70’ – Jose Dennison 45’
Gjyqtarë: Tefik Maloku, Bujar Selimaj, Gezim Mehmeti, Isak Ceroviku
KV: Dumani, Bejta, Devolli
KK: Devolli (2KV – min. 35’)
Pozita jashtë lojës: Pri 1-1 Dre
Kornerët: Pri 6-2 Dre
Gjuajtjet totale: Pri 14-3 Dre
Gjuajtjet në portë: Pri 8-2 Dre
Prishtina (4-3-3): 35. Eglant Haxho – 2. Besnik Krasniqi, 28. Leotrim Bekteshi, 22. Gentjan Muça, 18. Gledi Mici – 7. Lorik Boshnjaku /c/ (27. Albin Prapashtica – 89’), 20. Qendrim Zyba, 10. Endrit Krasniqi (6. Erdin Dushi – 90’+3) – 23. Leonit Abazi (4. Tun Bardhoku – 75’), 9. Leutrim Kryeziu, 34. Alban Shillova (15. Gauthier Mankenda – 89’). Zëvendësues: Ardit Nika, Mergim Pefqeli, Enis Gavazaj. Kryetrajner: Zekirija Ramadani.
Drenica: 1. Arion Ymeri – 4. Argjent Mustafa (22. Klevis Shaqe – 66’), 5. Eglentin Gjoni, 6. Behar Ramadani, 14. Gentrit Dumani (9. Egzon Fazliu – 79’), 16. Azem Bejta (10. Qemail Elshani – 57’), 18. Jose Denisson, 21. Donald Rapo, 25. Dionis Çikani (23. Ermal Veliqi – 79’), 29. Harallamb Qaqi, 77. Baton Zabergja. Kryetrajner: Bledar Devolli.
Rastet/golat:
7’ Abazi agil nga e majta, afër vijës fundore ia del të gjuaj, portieri Ymeri pret.
13’ Alban Shillova fiton top e depërton deri në zonë, gjuan ulët në këndin e djathtë të portierit Ymeri që ia del të prek topin, por jo të evitoj golin – 1:0.
36’ Gjuajtjen ballore të Kryeziut e ndal afër pingules së majtë portieri Ymeri.
37’ Denisson gjuan ballore, e lartë.
41’ Kundërzbritje e shpejtë, Endrit Krasniqi e qet Leonit Abazin me portierin Ymeri pothuajse jashtë zone, që e prek pak topin, dhe skaj pingules së djathtë këndore.
45’ Aksion i mirë i mysafirëve nga e djathta deri sa topi përfundon te Denisson i vetmuar në krahun e majtë dhe ia del të mposhtë Haxhon në këndin e djathtë të ulët – 1:1.
49’ Denisson provon nga anash prej të majtës, pa problem Haxho.
50’ Aksion i mirë nga e djathta, Besnik Krasniqi te Kryeziu i cili e kthen në zonë te Endrit Krasniqi gjuan jashtë pingules së afërt.
56’ Endrit Krasniqi nga e djathta prej ndërprerjes për pak sa nuk e befason Ymerin që e dëbon në këndore.
58’ E. Krasniqi nga e majta te Zyba i cili gjuan plogësht, kap Ymeri.
62’ Aksion i mirë, topi hedhet në krahun e djathtë, Besnik Krasniqi harkon, portieri Ymeri me gjithë tentimin nuk ia del të kap as dëbojë topin të cilin me shpejtë Leonit Abazi me gjuajtje me kokë e vendos në rrjetën e zbrazët – 2:1.
66’ Depërtim i shpejtë i Abazit nga e majta, e harkon furishëm në shtyllën e dytë, Kryeziu nuk e mbërrin.
70’ Besnik Krasniqi e harkon gjuajtjen e lirë nga e djathta, kurse Gentjan Muça me gjuajtje me kokë e vendos topin në rrjetë – 3:1.
73’ Besnik Krasniqi nga e djathta e qëllon pjesën e sipërme të traversës.
88’ Bekteshi pas këndores gjuan brenda zonë, Ymeri pret shkurtë, Zyba shënon, por anulohet për faull.
89’ Shillova provon edhe një gjuajtje, jashtë.
Deklaruan:
Zekirija Ramadani: Golin e barazimit që na shënoi Drenica edhe mund të eliminohej, gjithsesi mbase ai gol na mobilizoi edhe më tepër. Pjesën e dytë e filluam edhe me më seriozitet që e filluam takimin dhe rezultati në fund foli për ne. Padyshim që unë i uroj futbollistët e dy skuadrave për angazhimin që patën një kohë të acartë sikurse sot. Futbollistët e mi i uroj për fitoren dhe për angazhimin maksimal dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm të lartë, sidomos kundër një skuadre si Drenica që tradicionalisht Prishtina e ka pasur të vështirë ta mposhtë.
Alban Shillova: Me të vërtet sot ishte shumë ftohtë, por as kjo nuk na pengoi të tregonim cilësitë tona dhe veçmas lojën që tani më kemi kapur. Po mbizotëron atmosferë e shkëlqyer në skuadër dhe vetëm uroj të na vazhdojë sa më gjatë. Jam jashtëzakonisht i lumtur që shënova dhe u riktheva me gol në kampionat dhe shpresojë të vazhdoj me të njëjtin temp edhe në të ardhmen.
Lajme tjera