Lajme

Java XIX: Prishtina – Liria 4-0

Java XIX: Prishtina – Liria 4-0

Prishtina ka shënuar fitoren më të lartë të sezonit

Gauthier Mankenda

Prishtinë, 24 shkurt 2019 – Bardhekaltrit më në fund shpërthyen. Mposhtën rivalët e moçëm të Lirisë 4-0 (1-0). Me një gol e asistim të Mankendës e Thaqit, dhe me nga një gol të Korenicës e Hoxhës si dhe nga një asistim të Khalid e Aragos, Prishtina ka shkëlqyer në ndeshjen që mund të shënonte edhe ndonjë gol tjetër. Mëkat ishte prezenca minimale e publikut përshkak acarit të madh, por “Plisat” s’u ndalën për asnjë moment së përkrahuri skuadrën e zemrës.

Lorik Boshnjaku

Plisat

Me këto tre pikë Prishtina vazhdon ndjekjen me Feronikelin e cila udhëheq me dy pikë më shumë pas fitores së sotme ndaj Llapit – kundërshtar ky që tani ka mbetur 7, gjegjësisht 5 pikë larg Prishtinës dhe dy skuadrat ndeshen në fundjavën e ardhshme në Podujevë.

Armend Dallku

Njëherësh sot bardhekaltrit kanë arritur fitoren më të lartë kampionale në këtë edicion duke e përsëritur rezultatin e njëjtë të Kupës veçse atëherë në Prizren.

FC Prishtina

Java XIX

Prishtina – Liria 4-0 (1-0)

Golat: Gauthier Mankenda 1’ , Armend Thaqi 50’, Meriton Korenica 58’, Arbër Hoxha 90’+2

Shikues: 400

Gjyqtarë:  Ilir Mehmeti (Ob), Imran Kabashi (Mt), Driton Preniqi (Ob) – Arben Halilaj (Dr)

KV: L. Bekteshi – F. Karahoda, G. Binishi

Pozita jashtë lojës: Pri 3-1 Lir

Kornerët: Pri 5-2 Lir

Gjuajtjet totale: Pri 9-4 Lir

Gjuajtjet në portë: Pri 5-2 Lir

Prishtina (4-3-3): 1. Alban Muqiqi – 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi, 4. Armend Dallku /c/ (8. Ahmet Haliti – 78’), 13. Abdul Bashiru – 7. Lorik Boshnjaku, 3. Jamal Arago, 18. Ergyn Ahmeti – 10. Meriton Korenica (17. Arbër Hoxha – 67’), 15. Gauthier Mankenda (16. Donat Hasanaj – 75’). Zëvendësues: Laurit Behluli, Mergim Pefqeli, Marjo Morina, Alen Jasharoski. Kryetrajner: Mirel Josa.

Liria: 12. Flamur Gashi – 15. Behar Dina, 7. Albin Memaj, 23. Jhonny Riascos, 2. Armand Vargas, 8. Guillermo Ramirez, 24. Ilir Mustafa (18. Robi Norales Nunez – 73’), 11. Qëndrim Gashi /c/ (16. Gentian Binishi – 34’), 17. Blendi Memaj (27. Fitim Susuri – 65’), 9. Maickol Pio Martins, 19. Fatih Karahoda. Kryetrajner: Vincenzo Alberto.

Basid Khalid

Komenti:

Prishtina sot pati disa ndryshime në formacion nga ndeshja e fundit me Flamurtarin ndërsa dy ishin të detyrueshme, Bekaj për shkaqe shëndetësore dhe Miftaraj për shkak kartonëve.

Ndërsa ndeshja nisi furishëm kur Prishtina që në sekondën e 20-të rrezikoi me Khalid dhe Morinën. Nga ky aksion dhe nisjes së këndores, në sekondën e 45-të nga e djathta harkoi Thaqi, kurse Mankenda nga shtylla e dytë tund rrjetën me kokë. Liria menjëherë pati një gjuajtje, por më pastaj nuk u duk dhe ishte Prishtina që krijoi edhe disa mundësi gjatë 45-minutave të para.

E dyta nisi furishëm dhe u shënuan tre gola tjerë, secili më i bukur se tjetri, por më e rëndësishmja, me pasime të thjeshta duke i shërbyer njëri-tjetrit siç është më së miri. Pra, përveç rezultatit të lartë, kjo mënyrë e lojës sot, kënaqi më së shumti dhe jep shpresa për ndeshje të mirë edhe në ndeshjen e ardhshme kundër Llapit në Podujevë.

Armend Thaqi

Përndryshe, Korenica dhe Mankenda kanë arritur në shifrën prej 4 golave, një më pak se Morina e Khalid, kurse Thaqi shënoi të 2-në, ndërsa Hoxha të parin sezonal.

Në listën e asistuesve, Khalid dhe Thaqi prijnë me 4 asistime pas këtyre të sotme, kurse ndiqen nga Mankenda me 2 sosh dhe të 1-rin nga Arago.

Leotrim Bekteshi

Minutë pas minute:

1’ Nisje e furishme e ndeshjes, zhvillohet hiq më shumë se sekonda e 20-të, Khalid merr top e hynë në zonë nga e majta, pak tenton të gjuaj e pak të gjejë Korenicën djathtë, topi devijohet paska dhe fare pranë portierit i del përpara Korenicës, por intervenon portieri Gashi dhe këndore.

Gauthier Mankenda

1’ Vetëm sekonda e 45-të, niset këndorja shkurt te Thaqi djathtë i cili harkon në zonë dhe nga e “dyta” me kokë qëllon rrjetën Mankenda – 1:0.

Festa 1:0

2’ Pio Martins tenton revanshin, gjuan nga e djathta brenda zonës, bukur intervenon portieri Muqiqi.

4’ Khalid në mesin e dy kundërshtarëve ia del të lirohet e të gjuaj, por plogësht.

5’ Tani provon Mankenda nga distanca, jashtë.

11’ e 17’ Në të dy rastet nga distanca provon prej gjuajtjes së lirë Memaj, të dyja rastet e lartë mbi tra.

22’ Ahmeti bukur shërben për Khalid i cili gjuan ballore 20 metra, pret portieri Gashi.

43’ Tani Mankenda bukur shërben për Ahmetin që gjuan ballore direkte, por e lartë.

49’ Thaqi harkon nga e djathta, e pranë shtyllës së parë Mankenda gjuan me kokë, por pak i pasaktë.

Basid Khalid

50’ Gabim i rëndë i mbrojtësit Riascos, ia kthen Khalidit mbrapa i cili pranë pingules së majtë nuk gjuan, por e kthen para portës te Ahmeti, por nuk ia del të mbërrinte dhe topi shkon te Thaqi që vinte me shpejtësi dhe gjuan pothuajse “bombë” me të majtën e tij dhe 2:0.

Armend Thaqi

FC Prishtina

58’ Superaksion Khalidi nga e majta e kthen te Mankenda në qendër, as ky si asnjëri sot, nuk u tregua vetjak, ia vazhdon më në djathtë Korenicës i cili e kishte hapësirën e duhur dhe gjuan me saktësi për 3:0.

Meriton Korenica

FC Prishtina - Liria 4-0

89’ Pas harkimit nga e gjuajtja e lirë nga e majta, Riascos tenton të kthej me kokë, por në vend portieri Muqiqi.

Arbër Hoxha

90+2’ Arago e përfundon një aksion me pasime duke i dhënë top të duhur Hoxhës i cili nga pozita ballore nuk u frikësua, por gjuajti fortë e drejt e në portë duke e lënë të shtangur portierin mysafir – 4:0. Goli i parë i Hoxhës në sezon dhe shpresojmë që nga kjo ndeshje të ketë gjetur rrugën e golit.

Deklaruan:

Mirel Josa: Sot kishim më ekuilibër si skuadër. Arritëm që në sulmin e parë të shënojmë gol, kjo besoj na liroi më tepër për vazhdimësinë e ndeshjes. Unë them që nuk duhet të qëndrojmë të ndeshja e sotme, por te gabimet që kemi bërë në ndeshjet e tjera dhe që sot pati njëfarë rikuperimi, sidomos në qarkullimin e topit dhe në mbështetjen që i dhamë lojtarit që e kishte topin. Përndryshe të gjitha fitoret janë njësoj dhe i vlerësoj, qoftë edhe 1:0, por ne duhet të shohim çfarë të bëjmë më përpara duke mos parë kundërshtarët tonë, por vetëm ndeshjen e radhës . Ka një javë kohë për të luajtur me Llapin, kështu që njëherë duhet të qetësohemi. 

Gauthier Mankenda: Ne kemi punuar shumë për këtë ndeshje, sepse na duhej shumë fitorja, sidomos tani kur e shohim që ka fituar edhe Feronikeli. I kemi përmirësuar disa gabime që i kemi bërë në ndeshjet e kaluara, kemi luajtur unik, kompakt dhe duhet të vazhdojmë të kemi këso paraqitje të forta sikurse sot edhe në vazhdim.

Plisat

Plisat

Foto: Roland Racaj