Lajme

Java XIX: Prishtina – Llapi

Java XIX: Prishtina – Llapi

Bardhekaltrit të përqendruar maksimalisht

Prishtinë, 17 shkurt 2018 – Nesër na pret derbi i madh jo vetëm rajonal. Diferenca e pikëve në vetëm dy dhe rezultati që mund të ndryshoj pozicionimin në tabelë.

Prishtinga 5 ndeshjet e fundit zyrtare, ka arritur 4 fitore dhe 1 barazim, ndërsa Llapi nga 6 ndeshjet e fundit ka 4 fitore e 2 barazime. Po ashtu Llapi në ndeshjen e parë kampionale në Podujevë i kishte shkaktuar Prishtinës humbje të thellë prej 3:0.

Prishtina pothuajse është e kompletuar, mungon vetëm Mazrekaj përshkak kartonëve dhe Miftaraj i lënduar, kurse Boshnjaku megjithëse nuk dihet a luan, është i ftuar për ndeshje.

Java XIX

Prishtina – Llapi

E diel, 18 shkurt – ora 12:30

Stadiumi: “Shahin Haxhiislami”, Pejë

Gjyqtarë: Gramos Shala (Pe), Benon Këpuska (Gjk), Gzim Mehmeti (Mt) – Besnik Batalli (Gjk)

Josa: Përqendrim maksimal

“U bë pothuajse një muaj e gjysmë që kemi filluar përgatitjet për pjesën e mbetur të sezonit dhe nuk mund të bësh shumë premtime. Premtimet mua më japin lojtarët në mënyrën se si sillën në fushë dhe në mënyrën se si stërvitet dhe unë jam i kënaqur me impenjimin e tyre në punën e përditshme. Dhe, është ndeshja e parë e kampionatit kundër Llapit dhe na ka qëlluar të luajmë kundër skuadrës e cila është dy pikë para nesh. Asnjë gjë e veçantë, thjesht ne duhet të jemi, nuk mund të themi të mobilizuar sepse pa mobilizim nuk ka futboll, por duhet të jemi të përqendruar më tepër për të zhvilluar ndeshjen që të marrim më të mirën e mundur nga ekipi. Nuk është se ndeshja është e rëndësishme dhe siç është rëndësia e kësaj ndeshje, e edhe kur të mbaroj kjo ndeshje me çfarë do lloj rezultati, do të vazhdojmë prapë të flasim për ndeshjet tjera me të njëjtën rëndësi. Kështu që unë mendoj se ne duhet përqendruar vetëm në këtë 90-minutësh e pastaj të bëjmë llogaritë për vazhdimësi”, ka thënë kryetrajneri Mirel Josa.

Dallku: Të kemi vazhdimësi të rezultateve pozitive

“Është kjo ndeshje e radhës për ne. Nuk e mendoj se është ndeshje vendimtare për vazhdimësi të kampionatit, sepse është një ndeshje që është vetëm fillimi i gjysmëstinorit të dytë. Normalisht ne si në çdo ndeshje hyjmë vetëm për fitore dhe shpresoj e besoj shumë se do t’ia dalim të fitojmë. Por, e përsëris nuk është kjo ndeshje që vendos gjithçka, as për ne as për Llapin, sepse në vazhdim ka edhe shumë lojë. Ne jemi përgatitur maksimalisht, sidomos pas ndeshjes së Kupës ku u pa dëshira dhe disponimi mjaft e mirë. Shpresoj t’i kemi edhe tifozët tanë afër nesh, sepse kanë paralajmëruar, e pse jo edhe nga qytetet tjera, sepse do të jetë ndeshje derbi. Pra, pres të kemi vazhdimësi të rezultateve pozitive dhe të arrijmë qëllimet tona ku është edhe synimi i gjithë neve”, tha kapiteni, Armend Dallku.

Statistikat

Prishtina dhe Llapi pas vitit 1999 kanë zhvilluar vetëm 18 ndeshje zyrtare kampionale dhe për Kupë. Edhe pse në 3 ndeshjet e fundit Llapi ka 2 fitore e 1 barazim, bilanci i përgjithshëm është në të mirë të Prishtinës me 9 fitore – 3 barazime e 6 humbje dhe me goldallim plus 13, 31:18.

Nga 18 ndeshjet janë shënuar 49 gola apo 2.72 për ndeshje (Pri 1.72 – 1 Llapi).

Rezultati më i shpeshtë është 3:1 (Pr 2 vendas – Llapi 1 vendas) dhe 2:1 (Pri 1 vendas – Llapi 1 vendas e 1 mysafir).

Prishtina ka fitore të lartë prej 5:0, 4:0 e 4:1, ndërsa Llapi më të lartën 3:0 të fundit në vjeshtë.

31 golat e Prishtinës i kanë shënuar 19 futbollistë dhe tre prej tyre mbi 3 gola (Sheremet Isufi 5 2x2, Shend Kelmendi e Malsor Gjonbalaj 3, ky i fundit një dopio).

18 golat e Llapit i kanë shënuar 15 futbollistë dhe vetëm 2 më shumë se 1 (Enis Zabërxha e Egzon Sinani nga 2).

Prishtinës i kanë prirë 12 trajnerë dhe vetëm 3 mbi një ndeshje (Ajet Shosholli 4, 3-0-1, 9:3; Fadil Berisha 3, 2-1-0, 7:2; Jusuf Tortoshi 2, 1-0-1, 4:1).

Llapit i kanë prirë 7 trajnerë dhe vetëm 2 mbi një ndeshje. Kuptohet trajneri Batatina është rekorder me 10 ndeshje (4-2-4, 13:14) dhe Basri Muqolli 3 (0-1-2, 1:5).

Nga përballja e trajnerëve nuk ka më shumë se 1 ndeshje, përveç Fadil Berishës e Tahir Batatinës në stinorin pranveror të edicionit 2015/16 dhe Berisha ka bilanc pozitiv prej 2 fitore e 1 barazim me goldallim +5, 7:2.


Përballjet pas luftës:

1999/00:
Llapi - Prishtina 0:2 (0:2) Visar Aliu 8’, Kushtrim Munishi 44’
Prishtina - Llapi 5:0 (1:0) Kushtrim Munishi 15’, Malsor Gjonbalaj 53’, 85’,  Burim Berisha 56’, Visar Aliu 60’

2000/01:
Llapi - Prishtina 1:0 (0:0) Arben Azemi 50’
Prishtina – Llapi 4:0 (2:0) Bashkim Patoku 25’, Malsor Gjonbalaj 32’, Sheremet Isufi 80’, 90’

2001/02:
Llapi - Prishtina 0:0
Prishtina - Llapi 4:1 (1:0) Florim Humolli 28’, Uliks Emra 61’, Sheremet Isufi 68’, 84’ – Hysni Veliu 70’

2004/05:
Llapi – Prishtina 3:1 (2:0) Nelson Neto 12’, Driton Syla 44’, Leandro Silva 82’ – Sheremet Isufi 53’
Prishtina – Llapi 1:0 (0:0) Visar Sermaxhaj 64’

2014/15: Kupa:

Llapi – Prishtina 2:1 (2:1) Dardan Jashari 3’, Mergim Boshnjaku 28’ – Mentor Zhdrella 12’

2015/16:
Prishtina – Llapi 2:1 (1:1) Shend Kelmendi 8’, Bashkim Shala 71’ – Getoar Dragusha 26’ (pen)
Llapi – Prishtina 2:0 (1:0) Visar Zogiani 6’, Enis Zabërxha 68’
Prishtina – Llapi 3:1 (2:1) Berat Hyseni 10’, Kreshnik Lushtaku 21’, Shend Kelmendi 84’ – Enis Zabërgja 31’
Kupa ½ Prishtina – Llapi 3:0 (0:0) Armend Thaqi 68’ Labinot Osmani (pen) 77’, 90+3’
Kupa ½ Llapi – Prishtina 1:1 (1:0) Egzon Sinani 35’ – Kreshnik Lushtaku 77’

2016/17:
Prishtina – Llapi 3:1 (0:0) Shend Kelmendi 48’, Ahmed Januzi 60’, Gauthier Mankenda 62’ – Egzon Sinani 71’
Llapi – Prishtina 0:0
Prishtina – Llapi 1:2 (0:0) Basit Abdul Khalid 58’ – Berat Hyseni 72’ (p), Mirlind Daku 82’

2017/18:
Llapi – Prishtina 3:0 (2:0) Gentrit Begolli 7’, Hamdi Namani 24’, Florim Bërbatovci 90+1’