Lajme

Java XIX: Prishtina – Llapi 2-0

Java XIX: Prishtina – Llapi 2-0

Prishtina lëshoi rastin të fitoj me rezultat edhe më të thellë!

Prishtinë, 18 shkurt 2018 – Prishtina fitoi. Prishtina rikthehet në pozitën e parë. Por, lëshoi rast të fitonte me rezultat edhe më të thellë. Llapit nuk i lejoi më shumë se një gjuajtje në portë dhe një jashtë portës. Por, çfarë shanse të pastra u lëshuan nga bardhekaltrit, e pabesueshme. Sidoqoftë të gjithë u ndan të kënaqur me fitoren dhe me rikthim në pozitën e parë dhe tani vetëm kjo është e rëndësishme dhe tani e tutje skuadra mendon vetëm për Vëllaznimin në Gjakovë.

Ndërsa ndeshja nisi furishëm me golin mjeshtëror nga gjuajtja e lirë prej Bozhoviç (2’). Pas asaj, rast të qindpërqindtë ka lëshuar Fetahaj, ndërsa ishin edhe tre gjuajtje tjera skaj pingules. Llapit në këtë gjysmëlojë përveç që iu la topi të shëtisnin në 30-40 metra larg, ata nuk rrezikuan asnjëherë, nuk gjuajtën as edhe njëherë.

Pjesa e dytë filloi me furinë e llapjanëve dhe 5-6 futbollist me tipare sulmi në fushë, por edhe kjo zgjati vetëm nja 5 minuta pa asnjë cenim porte. E Prishtina e humbi edhe një rast vetëm me portier (Bozhoviç gjuajti mbi tra 48’) e Arago qëlloi traversën (69’) dhe po i njëjti pas një minute asistoi për gjuajtjen me kokë të Januzit dhe autogolit të Sinanit (70’).

Pas kësaj epërsie prishtinasit patën mundësi të mira me hapësirat e lëna bosh nga llapjanët, por që nuk u shfrytëzuan dhe edhe llapjanët më në fund kërcënuan me dy gjuajtje të Dakut pas harkimeve të këndores së majtë, por herën e parë ishte krejtësisht i pasaktë (76’) dhe të dytën kur përfitoi nga rrëmuja dhe me zgjatje të këmbës qëlloi traversën (88’). Kaq kishte nga Llapi!

Por, në fakt, ishte ndeshje jashtëzakonisht e fortë dhe skuadra e Llapit, megjithatë, me gjithë mungesën e krijimit të rasteve, tregoi që nuk ndodhet rastësisht në krye të tabelës.

Skuadra pas ndeshjes iu gëzua fitores dhe me numrin e madh të adhuruesve, “Plisat” festoi rikthimin në pozitën e parë tabelore.

Java XIX

Prishtina – Llapi 2:0 (1:0)

Golat:

Drashko Bozhoviç 2’, Egzon Sinani (aut) 70’

Stadiumi: “Shahin Haxhiislami”, Pejë

Shikues: 1.000

Gjyqtarë: Gramos Shala (Pe), Benon Këpuska (Gjk), Gzim Mehmeti (Mt) – Besnik Batalli (Gjk)

KV: A. Dallku. D. Curri, E. Ahmeti – E. Sinani, E. Shabani, A. Merlaku, M. Zhdrella

Pozita jashtë lojës: Pri 4-1 Lla

Kornerët: Pri 4-7 Lla

Gjuajtjet totale: Pri 8-2 Lla

Gjuajtjet në portë: Pri 4-1 Lla

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru – 20. Shqiprim Taipi, 66. Ergyn Ahmeti (7. Lorik Boshnjaku – 69’), 29. Drashko Bozhoviç – 11. Liridon Fetahaj (3. Jamal Arago – 58’), 15. Gauthier Mankenda, 27. Ahmed Januzi (9. Basit Abdul Khalid – 87’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Përparim Osmani, Blend Baftiu, Arbër Hoxha. Kryetrajner: Mirel Josa.

Llapi: 13. Afrim Ademi – 8. Banjamin Emini, 14. Egzon Sinani, 5. Dardan Jashari, 3. Leutrim Kadriu (23. Leart Emini – 74’), 4. Egzon Shabani, 6. Kushtrim Shabani (7. Mentor Zhdrella – 61’), 16. Hamdi Namani /c/, 9. Gentrit Begolli (17. Festim Alidema – 46’), 45. Altin Merlaku, 19. Mirlind Daku. 

Komenti:

Bardhekaltrit sot kanë vazhduar serinë pozitive prej 6 ndeshjeve pa humbje, prej të cilave 5 fitore e një barazim. Ndërsa edhe seria prej tre ndeshjeve pa fitore me Llapin, tani u përmbys.

Kurse Bozhoviç ka shënuar golin e tij të dytë në kampionat dhe sëbashku edhe me Kupë të 5-in. Në ndeshje pas operimit është rikthyer edhe Lorik Boshnjaku, kurse Khalid zhvilloi poashtu ndeshjen e parë kampionale, po njëjtë pas operimit. Kurse kanë debutuar edhe Shqiprim Taipi e Jamal Arago.

Skuadra tani do të udhëton te rivalët e moçëm të Vëllaznimit, udhëtim ky që Prishtina nuk mendon për asgjë tjetër veçse fitores.

Minutë pas minute:

1’ Depërtimi i Mankendës nëpër qendër para zonës u pengua palejueshëm.

2’ Bozhoviç me saktësi nga nja 23-24 metra, nga pozitë ballore, gjuan në këndin e majtë të portierit Ademi që nuk ishte shans të priste, gëzim i madh dhe – 1:0.

8’ Ahmeti vrapon gjatë nga mesfusha e tij e deri te para zona kur e rregullon pozitën dhe gjuan nga nja 29 metra ballore, Ademi intervenoi dhe shpëtoi portën, këndore.

9’ Këndoren e majtë e harkon Fetahaj, topi dëbohet jashtë zonës, Taipi e vazhdon djathtë te Dallku e ky diku te pika e penalltisë te Mankenda që gjuan me kthim, por jashtë. Ishte aksion me kombinime të mira.

12’ Bashiru e vazhdon te Januzi majtë e ky depërton deri në fundore dhe e kthen te penalltia te Fetahaj që bukur e kalon mbrojtësin dhe gjuan, por drejt në portierin Ademi që grushton, e topi vije sërish te Fetahaj i cili e kthen për Ahmetin jashtë zonës ia kthen Mankendës dhe ky tenton këndin e djathtë me një parabolë të lehtë, por pak i pasaktë, jashtë.

48’ Bashiru e vazhdon majtë te Mankenda i cili posa e kalon një kundërshtar e drejton topin para portierit për Bozhoviç dhe nga pozitë e pastër gjuan mbi kuadrat. E pabesueshme se si e huq këtë rast.

69’ Arago nga një pozitë e vështirë prej krahut të majtë, më shumë tenton harkimin, por ishte aq e saktë sa përpak befasoi portierin Ademi të cilit ia qëllon traversën.

70’ Kësaj here Arago nga e majta krosoi edhe më saktë në shtyllën e parë për Januzin i cili ia del të prek topin me kokë, por ishte Egzon Sinani që e devijon dhe e vendos topin në rrjetën e tij – 2:0.

76’ Leart Emini harkoi nga e majta e në shtyllën e parë Daku ia doli të gjuante me kokë, por lartë. Ishte ky kërcënimi i parë i llapjanëve.

88’ Mysafirët e fitojnë një këndore të paqenë dhe përpak të përfitonin. L. Emini e ekzekutoi para zonës dhe në rrëmujën e krijuar Daku zgjati këmbën dhe qëlloi traversën.

Deklaruan:

Mirel Josa, kryetrajner i Prishtinës: Unë nuk e konsideroj fitore të madhe, por një ndeshje të radhës. Normalisht ishte kundërshtar yni direkt, por kemi edhe kundërshtar tjerë direkt. Kampionati është i gjatë dhe nuk do të shkojnë të gjitha gjërat ashtu siç duam ne, sepse luajnë edhe skuadrat tjera futboll. Edhe sikur të kishim ndonjë rezultat tjetër sot, përsëri do të ishim në presion për të fituar çdo ndeshje tjetër. Pra, mendojmë për ndeshjen e radhës që të bëjmë sa më mirë në atë ndeshje, për përgatitje të skuadrës, sepse tani fillon orari i ngjeshur. Sot skuadra interpretoi mirë ndeshjen dhe patëm fatin që e hapëm rezultatin shumë shpejt dhe kjo na bëri shumë mirë. Por, në pjesën e dytë duhej të tregoheshim shumë më cinik sa i përket qarkullimit të topit në mesfushë, sepse humbëm shumë topa dhe ia lamë kundërshtarit. Pavarësisht kësaj ne nuk u rrezikuam përveç në momentet e fundit të ndeshjes dhe nganjëherë futbolli kështu është dhe mund të kishim pësuar gol nga të gjitha ato shpërdorime në pasime që bëmë ne dhe fitoi skuadra që u shfaq më e denjë në fushë.   

Drashko Bozhoviç: Më e rëndësishmja është që me këtë fitore kemi rikthyer pozitën e parë dhe ku mendoj se treguam se jemi ekip më i mirë se sa Llapi edhe pse patën njëfarë kontrolli të lojës, por ne në fakt ishim ata që i patëm edhe tre-katër raste ideale dhe ata praktikisht pothuajse vetëm në fund që na kërcënuan pas atyre këndoreve. Ne pra i neutralizuam të gjitha ato sulme tyre dhe normalisht ne mund të jemi kënaqur me lojën dhe po ashtu kjo fitore nuk do të thotë asgjë po s’vazhduam me fitore në ndeshjet tjera.

Tahir Batatina, kryetrajner i Llapit: Jam i kënaqur me lojtarët dhe angazhimin e tyre. Pranuam një gol shumë herët si pasojë e moskoordinimit të mirë të repartit defansiv dhe vendosjes jo të mirë të portierit. Dhe ky pësim i golit aq herët sikur bëri që ndeshjen të nisnim me disavantazh dhe kjo ishte një ngecje dhe në pjesën e parë nuk arritëm të vinim deri te goli dhe ku u vërejt mungesa e tre lojtarëve kryesor si Bërbatovci, Blakqori dhe Zhdrrella që e inkuadrova në pjesën e dytë. Këta janë lojtar kyç të skuadrës dhe sot na munguan shumë. Sido që të jetë, është ndeshja e parë, ne do të vazhdojmë njëjtë dhe jemi në garë edhe për Kupë edhe për titull e ku diferenca është shumë e vogël e pikëve dhe ka ndeshje shumë deri në fund. Dhe edhe pse humbëm ndeshjen sot, unë besoj te lojtarët dhe te objektivi nga ndeshja në ndeshje që t’i presim me qetësi që të fitojmë pikë e të mbesim në garë për pikë.