Lajme

Java XV: Prishtina – Ballkani 2-0

Java XV: Prishtina – Ballkani 2-0

Fitoren e 8-të rresht sollën Morina 65’, Korenica 68’

Marjo Morina

Plisat

Prishtinë, 11 nëntor 2018 – Pjesa e parë ishte pothuajse e barabartë, Ballkani skuadër solide që kishte mbyll çdo korridor, sidomos anash. Por, pjesa e dytë, veçmas me aktivizimin e Ergyn Ahmetit, Prishtina ndryshoi plotësisht dhe për 3 minuta ekspres vendosi ndeshjen. Ishin dy aksione model të ndërtuara, i pari i nisur që nga portieri Bekaj e i përfunduar me asistim të Korenicës dhe gol milimetrik të super Morinës – ashtu siç u thirr gjatë nga Plisat prej Lindjes. Goli i dytë i nisur me shpejtësi këndorja nga Thaqi, pasim i Morines dhe solo-depërtimi i Ahmetit dhe asistimi për Korenicën me çka i dha fund paraqitjes së mirë të mysafirëve. Fitorja do të ishte më e thellë sikur mundin dhe pasimin e Ahmetit mos ta qonte poshtë Khalid që me portën e zbrazët gjuajti jashtë (70’).  Por, e rëndësishme janë tre pikët, vazhdimësia prej 8 fitoresh rresht dhe ndeshjes së 6-të rresht pa pësuar gol.

Meriton Korenica

Meriton Korenica

Skuadra tani ka 12 ditë pushim përshkak ndeshjeve të Përfaqësueseve, ndërsa më 24/25 nëntor në javën e 16-të udhëton në Ferizaj.

FC Prishtina

Java XV

Prishtina – Ballkani 2-0 (0-0)

Golat: Marjo Morina 65’, Meriton Korenica 68’

Shikues: 1.000

Gjyqtarë:  Mervan Bejtullahu (Gjl), Fatlum Jashari (Gjl), Visar Kelmendi (Pe) - Vigan Ibërdemaj (Pe)

KV: A. Mustafa

Pozita jashtë lojës: Pri 3-1 Blk

Kornerët: Pri 4-5 Blk

Gjuajtjet totale: Pri 8-7 Blk

Gjuajtjet në portë: Pri 3-4 Blk

Prishtina (4-4-1-1): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi, 4. Armend Dallku /c/, 13. Abdul Bashiru – 21. Argjend Mustafa (18. Ergyn Ahmeti – 46’), 7. Lorik Boshnjaku, 3. Jamal Arago, 10. Meriton Korenica (8. Ahmet Haliti – 69’ – 16. Donat Hasanaj – 80’) – 27. Marjo Morina – 9. Basid Khalid. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Përparim Osmani, Mergim Pefqeli, Alen Jasharoski. Kryetrajner: Mirel Josa.

Ballkani: 1. Armend Ruxhi – 2. Besnik Krasniqi (25. Uran Shala – 75’), 5. Visar Berisha /c/, 15. Elbasan Gashi, 6. Arbër Potoku, 88. Egzon Shabani (20. Fatjon Bushati – 84’), 8. Gentian Elezaj, 14. Blend Baftiu, 77. Leart Emini, 11. Jetmir Topalli, 10. Borche Manevski (7. Durim Gashi – 64’). Kryetrajner: Sami Sermaxhaj.

Komenti:

Para fillimit të ndeshjes është ditur që përballja me Ballkanin fare nuk do të jetë e lehtë, dhe ashtu doli, sidomos 45-minutat e parë. Therandasit rezistuan, e madje ditën edhe të rrezikonin për 65 minuta. Pastaj dy momente dhe u zgjodh ndeshja. Dy momente cilësie, gjeturie , përformance…dhe Prishtina vazhdon me ritmin e saj e që ka 6 vite që nuk e ka pasur. Tek e fundit statistikat janë ato që flasin më së miri për një Prishtinë të fortë e cila për 2 javë zhvillon 4-të ndeshje dhe të gjitha ato i fiton pa pësuar gol, madje dy prej tyre në udhëtime të zorshme siç janë në Drenicë.

Meriton Korenica

Tani skuadrës mirë se i vjen pushimi prej 12-ditësh, e mbase as Ahmet Haliti s’ka përjetuar lëndim të rëndë dhe mbetët vetëm Mankenda për t’u rikuperuar plotësisht.

Marjo Morina

Ndërsa, kur flasim për statistika, është Morina që tani me 5 gola i prinë listës së realizuesve të Prishtinës. Korenica ka shënuar golin e 2-të kampional – aq sa ka edhe asistime, njëjtë sikurse edhe Ahmeti.

Leotrim Bekteshi

Minutë pas minute:

3’ Krasniqi gjuan nga goditja e dënimit prej distancës nga e majta, kap portieri Bekaj.

16’ Aksioni i parë e me shumë pasime mbyllet me gjuajtjen e Morinës brenda zonës nga e majta, por tepër e lartë.

19’ Bashiru gabon në pasim dhe Manevski bukur fut top në zonë për Eminin i cili ndalet nga Thaqi, por mysafirët kërkuan penallti.

20’ Prapë aksion i mirë, në fund Arago harkon nga e majta, e në të “dytën” Korenica provon me kokë, por i shkurtër dhe topi plogësht jashtë.

22’ Kundërzbritje e shpejtë e mysafirëve dhe topi depërton deri në të djathtë të zonës kur portieri Bekaj nuk e shqelmon topin si duhet, e pastaj e marrin mysafirët ku kthehet mbrapa te Manevski që provon ballore nga 20 metra parabolë, por e lartë.

27’ Aksion tjetër i shkëlqyer i Prishtinës e ku po vijonte nga e djathta, por Morina para zonës e shtyn majtë për Aragon e ky harkon të lartë në shtyllën e dytë ku ndodhej Khalid dhe i vetëm me një mbrojtës gjuan, por ky i fundit e devijon në këndore, por prishtinasit pretenduar që e kishte larguar me dorë duke kërkuar penallti.

Abdul Bashiru

33’ Krasniqi i ikën Dallkut nga e djathta e provon gjuajtjen e ulët në shtyllën e parë, por Bekaj dëbon në këndore.

37’ Krasniqi insiston nga gjuajtja e lirë, e lartë.

Lorik Boshnjaku

58’ Boshnjaku provon nga gjuajtja e lirë, e lartë.

Armend Thaqi

60’ Thaqi ia vazhdon Morinës në zonë nga e djathta e pastaj topi i shkon jo aq fortë e drejt në portier.

65’ Aksion model i Prishtinës. E nis portieri Bekaj te Dallku i cili vazhdon në mesfushë te Ahmeti dhe me kombinim me Boshnjakun vazhdohet sulmi majtas, pastaj Bashiru e dërgon drejt zonës te Korenica që provon depërtimin para zonës e vazhdon te Morina krejtësisht ballore dhe Marjo pastaj nga 20 metra me gjuajtje precize gjysmë të ulët e vendos topin në këndin e djathtë pothuajse të pambrojtur. Gëzimi i madh i kuptueshëm – 1:0.

Marjo Morina

68’ Mysafirët ende s’ishin këndellur dhe korner për Prishtinën nga e djathta. Thaqi e nis shpejtë te Ahmeti i cili depërton nga e djathta në zonë e pastaj ia lëshon Korenicës që nga 13-14 metra e tund rrjetën – 2:0.

Meriton Korenica

69’ Provojnë mysafirët me gjuajtje të fortë me anë të Eminit pothuajse nga 25-metra, pritje bravuroze e Bekajt, këndore.

Ergyn Ahmeti

70’ Prishtina bënë trysni majtë nëpërmjet Ergyn Ahmetit ku e rrëmben topin dhe hynë zonë e pason te Khalidi dhe prapa tij ndodhej edhe Morina, portieri Ruxhi ishte i mposhtur, por ashtu s’mendoi edhe Khalid i cili aq keq gjuajti sa e pabesueshme se si topi doli jashtë portës.

Khalid

Khalid

76’ Lëndohet pas 7 minutash lojë Ahmet Haliti.

83’ Ish-futbollisti i Prishtinës, Durim Gashi lufton fortë nga e djathta dhe ia del të futet në zonë e të shënjestroj këndin e afërt, por pret Bekaj.

84’ Gabon sërish Prishtina e Shabani tenton të përfitoj me gjuajtje ballore nga gjysmëdistanca, jashtë.

85’ Khalid ikën e depërton deri në zonë, pastaj provon gjuajtjen pothuajse diagonale nga e djathta, provon anën tjetër të portës jashtë.

90’+2 Visar Berisha nga gjuajtja e lirë ballore, kap Bekaj.

Visar Berisha - Basid Khalid

Deklaruan:

Mirel Josa: Të futemi në problemet tekniko-taktike unë besoj se është e tepërt në këto momente, u mor trepikëshi ku loja nuk ishte e lehtë, duke e marrë parasysh se Ballkani ka treguar futboll edhe me skuadrat tjera, qoftë edhe kundër nesh kur kemi luajtur në Suharekë. Loja ishte e vështirë, e mua në intereson se skuadra ime nuk pati asnjë moment nënvlerësimi në lojë karshi kundërshtarit i cili u mbrojt shumë mirë në pjesën e parë dhe u mundua të dilte në sulm me ato raste sporadike që pati. Jam i kënaqur me skuadrën për faktin që u përqendruam pak më tepër në pjesën e dytë, sidomos në qendër, qoftë të mesit të fushës, qoftë nga mesi e përpara deri kur shkonim te problemi i Khalidit. Unë mendoj që i zgjodhëm mirë problemet në aftësitë individuale. Golat ishin shumë të bukur në momentet se si u godit. Pra, cilësia e lojës rritet edhe kur luan në një fushë kaq të mirë.   

Mirel Josa

Ergyn Ahmeti: Edhe pse kisha një lëndim dhe e kuptueshme që nuk është e lehtë të kthehesh, por besoj kam punuar shumë që të marr besimin e kryetrajnerit dhe besoj që e shpagova me lojën e treguar çka më gëzon shumë që e shfrytëzova rastin duke dhënë qindëpërqindëshin tim. Fituam me meritë ndeshjen, shpresoj të vazhdojmë njëjtë, ndërsa pas pushimit të rikthehemi edhe më të fortë se që jemi tani. 

Meriton Korenica: Kishin pak problem në pjesën e parë, Ballkani na bllokoi në krah. Mirëpo në pjesën e dytë lëvizëm shumë mirë dhe u kthyem duke e dominuar dhe realizuar dy gola. Është një ecuri shumë e mirë për neve, nuk do të ndalemi me kaq dhe do të vazhdojmë tutje.

Sami Sermaxhaj: Deri në momentin e pësimit të golit patëm një organizim të mirë, qoftë në fazë të sulmit, po ashtu edhe të mbrojtjes. Mirëpo në momentin decidiv, në një mospërqëndrim i lojtarëve tonë para zonës dhe ku Morina me goditje shumë precize na ndëshkoj. Mandej nuk mundëm të këndellemi dhe shumë shpejt erdhi edhe një rast pothuajse i ngjashëm me të parin dhe ishte e mjaftueshme e kënaqshme për Prishtinën, ndërsa për neve pastaj vetëm filluam të mendonim për lojërat tjera, sepse ishte shumë e vështirë të mendohej të rikthehej rezultati ndaj Prishtinës me 2:0. 

Plisat

Plisat

Plisat

Foto: Roland Racaj