Lajme

Java XV: Prishtina – Drenica 0-2

Java XV: Prishtina – Drenica 0-2

Humbja e dytë radhazi e bardhekaltërve!

Drenas, 17 nëntor, 2017 – Prishtina sot ka regjistruar humbjen e dytë rresht, pas Lirisë tani mposhtet edhe nga Drenica. Ndeshjen edhe mund të humbasësh, por kur luan dobët e krijon pak apo aspak raste, atëherë nuk meriton më shumë dhe s’të mbetët tjetër veç të urosh kundërshtarin për fitoren e merituar.

Java XV:

Prishtina – Drenica 0-2 (0-1)

Golat: Armend Abazi 21’, Genc Hamiti 89’

Stadiumi: “Rexhep Rexhepi”, Drenas

Shikues: 300

Gjyqtarë: Kreshnik Vula (Gjk), Benon Këpuska (Gjk), Fatmir Sekiraqa (Pd) – Tefik Maloku (Pd)

KV: A. Dallku – M. Musa

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 22. Lorik Maxhuni (23. Ben Nash Quansah – 68’), 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 77. Mërgim Pefqeli, 66. Ergyn Ahmeti – 88. Përparim Osmani (15. Gauthier Mankenda – 46’), 11. Liridon Fetahaj, 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Gentrit Dumani, Agon Xhaka, Kastriot Selmani, Bleon Sekiraqa. Kryetrajner: Mirel Josa.

Drenica: 20. Flamur Neziri – 17. Shkelzen Lushtaku (19. Adnan Haxhaj – 90+2), 5. Visar Bekaj, 14. Sami Geci /c/, 16. Azem Bejta, 18. Besfort Dervishaj, 6. Arbios Thaqi, 21. Taulant Dajaku, 15. Armend Abazi (11. Kreshnik Uka – 78’), 7. Hysen Tahiri (28. Muharrem Musa – 70’), 9. Genc Hamiti. Kryetrajner: Bekim Shotani.

Komenti:

Në të ftoftë të acartë, por me fushën mirë të përgatitur, edhe pse të rënduar nga të reshurat e shiut, ishte Prishtina që dominoi e pati iniciativë, por e tëra ishte shterpë dhe pa ide. Ndërsa Drenica shënoi dy herë kur prishtinasit humbën topin në sulm dhe kuqezinjtë me kundërsulme të shpejta ndëshkuan. Drenicasët kanë pasur edhe një tast tjetër ideal, ndërsa Prishtina pothuajse asnjë rast të qindpërqindtë, me gjithë disa tentime.

Pra, nuk brengos aq shumë rezultati sa brengos loja, sepse me këtë lojë nuk mund të pretendosh asgjë.


Minutë pas minute:

2’ Maxhuni kroson nga e djathta, e Januzi e kthen me kokë, nuk u duk rrezikshëm, por megjithatë topi shkoi fare pranë pingules së majtë.

8’ Genc Hamiti e qet pastër me portierin Bekaj, Tahirin, i cili gjuajti ulët dhe vetëm për disa centimetra nuk ishte i saktë, jashtë pingules së djathtë.

10’ Dallku nga goditja e dënimit ballore gjuan shumë lartë.

15’ Ahmeti e nis këndoren shkurtë, Fetahaj harkon nga e majta, e Januzi në shtyllën e parë e kishte pothuajse këndin e zbrazët, por topi shkon jashtë. Mbase ishte ky rasti më i pastërt për bardhekaltrit.

21’ Ahmeti e humb topin në mesfushën e mysafirëve, shpejtë organizohet aksioni me tre-katër pasime dhe Genc Hamitit tani asistimi i del i saktë, Armend Abazi shfrytëzon hutinë e mbrojtjes prishtinase dhe nuk e pati vështirë të mposhte Bekajn – 0:1.

25’ Dallku me krosim diagonal nga e djathta, Fetahaj nga afërsia e shtyllës së majtë të provonte të ulte për Januzin, por gjuan me kokë plogësht e drejt në portierin e sigurt Neziri.

34’ Drenicasit e fusin edhe një top pa problem brenda zonës ku ndodhet Hamiti i cili edhe njëherë e qet Hysenin në pozitë ideale, kishte vetëm një futbollistë përball, provon këndin e epërm e gjuan lartë.

39’ Ahmeti pas depërtimit gjuan rrëmbyeshëm nga distanca, jashtë pingules.

45’ Aksion i mirë e i gjatë nga ana e majtë mbyllet me gjuajtjen rrëmbyeshme të Currit nga distanca,  por ishte e lartë.

52’ Dajaku provon gjuajtjen nga distanca prej ndërprerjes, e lartë.

56’ Fetahaj harkon rrezikshëm prej ndërprerjes nga e djathta, Januzi i mbuluar nuk ia doli të shtynte topin në rrjetë dhe intervenon portieri Neziri.

64’ Ekzekutohet këndorja, Mankenda gjuan me kokë, por mysafirët e largojnë nga vija e portës.

76’ Tani këndoren e harkon Ahmeti e Fetahaj gjuan me kokë plogësht e jashtë.

83’ Fetahaj harkon këndoren, Dallku s’ia del të gjuaj, topi shkon te Mankenda që gjuan me kthim, por tepër e pasakt, lartë.

87’ Pas aksionit të mirë, Musa gjuajti nga e majta, por jashtë shtyllës së kundërt.

89’ Fetahaj humb topin te flamuri i këndores, futbollisti vendas e vazhdon në gjysmëfushën e Prishtinës ku ndodhej afër vijës anësore Dajaku i cili i shpëton një starti të Benash dhe pas vrapimit del i vetëm me portierin Bekaj, por pason në kahun e majtë për Genc Hamitin që kishte portën e zbrazët – 0:2.

90+2’ Prishtina me sulme dëshpëruese dhe në tollovi kapiteni Dallku u gjend në pozitë ideale, por e majta e tij ishte e pasaktë, jashtë.

90+5’ Dajaku provon të parabolën pasi që portieri Bekaj kishte lëshuar portës, por përpak i pasaktë.

Deklaruan:

Mirel Josa, kryetrajner i Prishtinës: Nuk mund të justifikohem për mungesat e shumta që kemi, sepse mungesa kemi pasur edhe gjatë periudhave që kemi kaluar. Thjesht sot ne duhet të luanim më shpejtë, sidomos në mesfushë dhe sulm në mënyrë që të vertikalizonim më shumë zonën, gjë që nuk e bëmë. Në fillim na u paraqiten dy-tre raste, por ato ishim shumë sporadike. Ndërsa Drenica pati shumë mirë të organizuar mesfushën dhe ky organizim i tyre na bëri që ne të vonoheshim ose të humbnim shumë topin. Nuk dua të përmend emra të veçantë në lojën tonë, sepse normalisht faji nuk hedhet në emra të  veçantë por në organizimin e lojës së gjithë skuadrës. E kam shumë të qartë çfarë i mungoi sot skuadrës, ndërsa u përmenden mungesat, por kampionati është kështu, shumë i gjatë ku i ka mungesat e pezullimet nga kartonët dhe nuk duhet parë këtu fajin, por se si ne u përballëm sot e ku luajtëm shumë ngadalë e kjo ngadalësi na bëri që kundërshtari të na kap në befasi, sidomos në pjesën e parë nga e cila s’jam i kënaqur fare. 

Bekim Shotani, kryetrajner i Drenicës: Është ndeshja jonë e tretë ku kemi korrë sukses,nga Vëllaznimi me barazim, fitorja ndaj kampionëve të Trepçës ’89 dhe tani kundër Prishtinës. Dhe kjo të gëzon më së shumti, sepse skuadra është në gjendje t’i ketë tre ndeshje me rezultat pozitiv duke treguar karakter, sidomos ndaj tre skuadrave homogjene dhe shumë të forta në Superligë. Pra, edhe ne kemi krijuar një grup të djemve, homogjen në ekip duke i asgjësuar disa pika negative që nuk na kanë dhënë rezultat duke bërë disa ndryshime e që kanë dhënë fryt. Jemi fokusuar në pikë, sepse loja e bukur jo gjithmonë sjellë pikë. Nga tre ndeshje shtatë pikë, kjo është shumë pozitive dhe do të provojmë të vazhdojmë me këtë temp të kemi sa më shumë rezultate pozitive.