Lajme

Java XVI: Ferizaj – Prishtina

Java XVI: Ferizaj – Prishtina

Në Ferizaj për vazhdimësi të fitoreve

Prishtinë, 22 nëntor 2018 – Pas dymbëdhjetë ditëve pauzë, nesër vazhdon kampionati me javën e rregullt të 16-të me rend. Prishtina udhëton te skuadra e cila në ndeshjen e parë në Prishtinë kishte befasuar me barazim pa gola.

Prishtinas pas 8 fitoreve rresht ndeshet me Ferizajn skuadër kjo e cila në fushën e saj nuk fiton në 3 ndeshjet e fundit, ndërsa renditet e parafundit, e 11-ta në klasifikim me 14 pikë të tubuara kundrejt Prishtina që ka tubuar 36 dhe renditet e para.

Prishtinës i ka bërë mirë pushimi gjatë secilës kohë është rikthyer dhe po stërvitet me skuadrën edhe Gauthier Mankenda dhe tani më skuadra nuk ka probleme në përbërjen e saj dhe as suspendime.

Ndërsa edhe fusha e Ferizajt është e përshtatshme megjithëse luajnë në fushë me bari sintetik, por Prishtina tani e dy vite stërvitet vetëm në këto fusha dhe nuk shkakton kokëçarje për të përzgjedhurit e trajnerit Josa.

Java XVI: Ferizaj – Prishtina

E premte, 23 nëntor – ora 13:30

Stadiumi me bari sintetik (te salla e sporteve), Ferizaj

Gjyqtarë: Dardan Çaka (Vu), Driton Preniqi (Ka), Elvis Bicaj (Pe) – Selim Isufi (Mt)

Thaqi: Ferizaj ekip i papërshtatshëm, por ne mendojmë vetëm për fitore

“Bile ne Prishtinës na është dashur shumë ky pushim meqë kishim diku 6 ndeshje për 18 ditë. Pra, duke pushuar mirë pa ndeshje dhe vetëm duke u përgatitur, besojmë se jemi në gjendjen tonë optimale. Kurse, edhe pse udhëtojmë te kundërshtari i cili në ndeshjen e parë na kishte befasuar, kësaj radhe nuk e mendojmë një gjë tillë, por mendojmë vetëm për tre pikët, për vazhdimin e fitoreve. Nuk e mohoj që Ferizaj ka ekip të papërshtatshme me një trajner si Tovërlani që e njohim të gjithë dhe kuptohet tamam puna ai të hapet me ne, do të luaj defansiv edhe pse luajnë si vendas, mirëpo kjo gjë nuk na përket neve dhe as nuk na intereson, ne shkojmë vetëm për fitoren e 9-të të radhës duke dashur të mbyllim stinorin në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë mbrojtësi i djathtë, Armend Thaqi. 

Statistikat:

Skuadra e Ferizajt nuk ka trofe të fituar në futbollin e Kosovës, ndërsa pas luftës ka zhvilluar 36 ndeshje zyrtare me Prishtinën me bilanc shumë negativ prej vetëm 4 fitoresh, 10 barazime dhe 22 humbje me goldallim +35 për Prishtinën (56:21). Megjithëse Ferizaj nxori barazim në ndeshjen e parë të këtij edicioni (0:0), fitoren e fundit kundër Prishtinës e kanë në vitin 2013 – 1:0. Edhe tre fitoret tjera i kanë në Ferizaj ku dy të tilla i kanë po me 1:0 dhe një fitore prej 2:1. Ferizaj suksesin më të madh kundër Prishtinës e ka pasur në edicionin 2011/12 ku nga Liga e parë kishte eliminuar kampionët e Prishtinës për Kupë në dy gjysmëfinale duke luajtur baras, por me epërsi të golit mysafir.