Lajme

Java XVI: Prishtina – Trepça ’89 1-0

Java XVI: Prishtina – Trepça ’89 1-0

Goli i Ahmed Januzit për tre pikë

Prishtinë, 23 nëntor 2019 – Epilogu prej 1:0 fare nuk është real, Prishtina do të duhej të fitonte ndeshjen shumë më thellë nga rastet dhe situatat e shumta të krijuara para portës së rivalëve nga Mitrovica dhe mos të lejohej të pritej fundi i ndeshjes me ankth e ku si zakonisht nga ligji i pashkruar mund të ndëshkohesh. Megjithatë prishtinasit e ruajtën epërsinë e krijuar (55’) pas super asistimit të Krasniqit (i 3-ti sezonal) dhe shënimit të 6-të në stinorin vjeshtor nga qendërsulmuesi Januzi.

Praktikisht prishtinasit e mbizotëruan ndeshjen fillim e mbarim duke gjuajtur në portë apo përreth saj plot 14 herë, përkundër vetëm 3 tentimeve të mysafirëve (vetëm një në kuadrat), por në fund të ndeshjes edhe fati ishte me Prishtinën kur Bardhoku bllokoi gjuajtjen që ishte e rrezikshme apo siç ishte gjuajtja e rrezikshme e Rusit pranë portës.

E rëndësishme ishte se prishtinasit patën angazhim maksimal dhe fitorja u arrit me meritë të plotë.

Para udhëtimit në Gjilan në fundjavë, Prishtina të mërkurën në 1/16 e Kupës në “Fadil Vokrri” ndeshet me Minatorin e Magurës.

Java XVI

Prishtina – Trepça ’89 1-0 (0-0)

Golashënues: Ahmed Januzi 55’

Shikues: 500

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu (Gjl), Fatlum Jashari (Gjl), Elvis Bicaj (Is) – Dardan Çaka (Vu)

KV: E. Krasniqi, A. Januzi, L. Abazi, L. Boshnjaku

Pozita jashtë lojës: Pri 10-3 T89

Kornerët: Pri 12-3 T89

Gjuajtjet totale: Pri 14-3 T89

Gjuajtjet në portë: Pri 5-1 T89

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi /c/, 5. Diar Miftaraj, 22. Labinot Ibrahimi, 4. Tun Bardhoku – 7. Lorik Boshnjaku, 77. Ardit Hila (18. Ergyn Ahmeti – 71’), 6. Endrit Krasniqi – 23. Leonit Abazi (15. Gauthier Mankenda – 76’), 10. Meriton Korenica (28. Leotrim Bekteshi – 85’), 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Eglant Haxho, Qendrim Zyba, Kreshnik Uka, Alban Shillova. Kryetrajner: Armend Dallku.

Trepça ’89: 12. Ardit Hyseni – 21. Arbër Pira, 4. Richard Asare, 6. Albert Kaqiku, 18. Rron Statovci (99. Robert Rrahmani – 79’), 10. Ylber Maloku /c/, 15. Muharrem Jashari, 24. Engjell Hoti (16. Lasine Traore – 59’), 7. Leart Emini (8. Berat Ahmeti – 76’), 11. Gëzim Rusi, 9. Arbër Manaj. Kryetrajner: Shpëtim Idrizi.

Komenti: 

Me fitoren e sotme Prishtina ka arritur në kuotën e 30 pikëve duke ruajtur distancën prej 4 pikëve më pak se lideri i klasifikimit Ballkani dhe të 1 pike më pak nga Drita dhe Gjilani – me këtë të fundit Prishtina ndeshet në fundjavën e ardhshme në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtor.

Me rezultat identik dhe me autor të njëjtë të golit, Ahmed Januzi, Prishtina dy herë sivjet ka mposhtur Trepçën ’89 duke arritur fitoren e 9-të kampionale.

Minutë pas minute:

7’ Krasniqi provon gjuajtjen nga pozita ballore prej ndërprerjes, pret portieri i ri Hyseni.

13’ Emini nga e djathta jashtëzone, gjuan nga ndërprerja, pret Bekaj. Ishte kjo gjuajtja e vetme e “minatorëve” në kuadrat.

14’ Pira largon topin deri te Boshnjaku i cili provon ballore, por e lehtë dhe jashtë.

16’ Thaqi harkon nga e djathta, në “shtyllën e dytë” shënon me kokë Abazi, por pozitë jashtë lojës.

18’ Abazi e harkon këndoren e majtë, topi zbret në zonë për Ibrahimin dhe nga pozitë mjaft e mirë gjuan lart mbi tra.

22’ Këndoren e djathtë të Thaqit e përfundon me gjuajtjen e lartë me kokë Miftaraj.

28’ Aksion i mirë i Bardhokut që pas kthimit të topit nga Krasniqi gjuan ballore, por në vend portieri.

29’ Tani e provon gjuajtjen me të majtën ballore Korenica, e lartë.

35’ Situatë mjaft diskutabile në zonën mysafire.

44’ Abazi e harkon këndoren e majtë, Thaqi në qendër, gjuan keq, topi shkon sërish te Abazi e topi sërish te Thaqi dhe nga pozitë mjaft e mirë nuk e qëllon portën, jashtë pingules së majtë.

55’ Endrit Krasniqi para zonës bukur manovron dhe shtyn topin mbrapa shpinës së mbrojtjes mysafire te Ahmed Januzi që del me portier pak nga e majta dhe gjuan me të majtën e në këndin e djathtë të ulët – 1:0.

66’ Abazi e harkon këndoren e majtë, Krasniqi e kthen jashtëzone te Boshnjaku që gjuan me elikuencë, shpëton portieri, këndore.

66’ Thaqi e harkon këndoren, Miftaraj me kokë nuk e qëllon portën, e lartë.

76’ Januzi gjuan të fortë jashtëzone, jashtë pingules së majtë.

77’ Krasniqi e vazhdon te Korenica djathtë në zonë, topin e drejtuar në portë e devijon një futbollist mysafir, skaj pingules këndore.

77’ Këndoren e Thaqit, Krasniqi nuk e qëllon portën me kokë, e lartë.

79’ Nuk ndalet ofensiva e vendasve, sërish Korenica nga e djathta pas pasimit të Ahmetit, lirohet e gjuan me të majtën, drejt në portier.

87’ Berat Ahmeti ballore, shumë e lartë.

90’2+ Rusi bukur i shmanget Bardhokut e nga e djathta brenda zonës gjuan rrezikshëm skaj pingules së djathtë.

Deklaruan:

Armend Dallku: Po, besoj se kemi krijuar ide se si të luajmë e përveç rëndësisë së pikëve, se si te shkojmë te porta, jo vetëm në këtë ndeshje, por në të gjitha ndeshjet jam munduar që t’u jap hapësirë dhe liri futbollistëve se si të vijmë te rastet. Te finalizimi po e kemi problem, megjithëse në çdo seancë stërvitore punojmë maksimalisht, por e rëndësishmja në këtë fund kampionat janë pikët. Futbollistët u angazhuan maksimalisht, iu përgjigjen detyrave edhe pse edhe në këtë ndeshje patëm improvizim sidomos në qendër të mbrojtjes, por ka vend edhe për të punuar dhe përmirësuar edhe pse siç e thash momentalisht defektin më të madh e kemi vetëm te realizimi i golave. 

Ahmed Januzi: E dhamë maksimumin dhe kjo fitore na jep jo vetëm vazhdimësi, por edhe siguri para ndeshjes me Gjilanin. Ishin tre pikë shumë të rëndësishme, ndërsa padyshim që mund të ketë gabime, por mos prisni tash që çdo ndeshje mund ta fitojmë me goleadë edhe pse e vërtet që po krijojmë raste, megjithëse nuk po shënojmë, e mira është se ne po krijojmë dhe kur krijon edhe golat më të shumtë do të vijnë. Tash na pret ndeshja me Gjilanin, skuadër që e respektojmë sikurse çdo skuadër tjetër, por ne atje do të udhëtojmë vetëm për fitore.

P.s. Për shkaqe teknike, fotografitë nga ndeshja mund t’i shihni vetëm në facebook.