Lajme

Java XVI: Vllaznia – Prishtina 0-2

Java XVI: Vllaznia – Prishtina 0-2

Dy golat e Fetahajt i sjellin tre pikë skuadrës

Prishtinë, 23 nëntor, 2017 – Prishtina ka mposhtur skuadrën e fundit në klasifikim, Vllazninë e Pozheranit, ndeshje kjo e zhvilluar sot në Gjilan. Autor i dy golave ishte Liridon Fetahaj, ishin po ashtu dy golat e parë për skuadrën nga tranferi në Prishtinë.

Me këtë fitore, skuadra rikthen pozitën e dytë me 28 pikë, dy më pak se Llapi me 30.

Prishtina të hënën zhvillon përball Gjilanit ndeshjen e javës XVII.

Java XVI

Vllaznia – Prishtina 0-2- (0-1)

Golashënues: Liridon Fetahaj 27’, 86’

Shikues: 200

Gjyqtarë:  Tahiri (Mt), Fatlum Berisha (FK), Ramadan Hyseni (Mt) – Leutrim Mustafa (Pd) 

KV: E. Thaqi, E. Hashani, E. Bruti, B. Syla – P. Osmani, A. Dallku, D. Miftaraj, D. Bozhoviç, A. Januzi

Pozita jashtë lojës: Vllz 3-5 Pri

Këndoret: Vllz 1-2 Pri

Gjuajtjet totale: Vllz 6-14 Pri

Vllaznia: 33. Jasir Bajrami – 4. Rron Statovci, 15. Erdin Hashani /c/, 5. Betim Syla, 21. Elbasan Thaqi, 20. Maliq Behluli (22. Arbër Basha – 30’), 8. Fuad Karabeg, 19. Armend Kastrati, 11. Ejup Bruti (10. Shkembim Salihu – 66’), 7. Alban Rexhepi, 45. Festim Krasniqi (97. Festim Alidema – 46’). Kryetrajner: Bylbyl Sokoli.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 88. Përparim Osmani, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 66. Ergyn Ahmeti, 29. Drashko Bozhoviç – 15. Gauthier Mankenda (77. Mergim Pefqeli – 71’), 11. Liridon Fetahaj (22. Lorik Maxhuni – 90+2’), 27. Ahmed Januzi (93. Kastriot Selmani - 90+4’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Ben Nash Quansah, Gentrit Dumani. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Fitorja e Prishtinës sot nuk u kontestua për asnjë moment. Përveç golit të Fetahajt pasi që kaloi edhe portierin pas asistimit të shkëlqyer të Januzit, skuadra në pjesën e parë qëlloi edhe pingulen (Curri) e traversën (Bozhoviç), sikurse që iu anulua edhe një gol (për faull) dhe pas akordimit, u anulua ajo, krijoi edhe disa raste, kryesisht me Januzin. E meta e vetme e skuadrës sot ishte që nuk e shënoi më shpejtë golin e dytë megjithë rastet e panumërta, çka bëri që t’i jepte shpresë vendasve dhe mos të dorëzoheshin. Ndërsa me shënimit e golit të dytë të Fetahajt nga harkimi i përkryer i Bozhoviç, vendasit më në fund u dorëzuan, ndërsa bardhekaltrit me meritë rrëmbyen tre pikë pas dy humbjeve rresht.

Tani skuadrën e presin edhe dy apo tre rival të fortë, duke u nisur nga Gjilani të hënën, e pastaj Feronikeli dhe nëse FFK-ja vendos të zhvillohet edhe java e XIX, edhe Llapi.

Minutë pas minute:

1’ Rexhepi nga e djathta e gjen Krasniqin në anën e kundërt e që gjuan, por jashtë pingules së kundërt.

5’ Fetahaj e harkon këndoren e majtë, Mankenda edhe pas dy tentimeve nuk ia del të gjuaj, por topi shkon te Curri shumë pranë portës, gjuan, por qëllon pingulen e majtë.

13’ Harkim në kuadrat nga e djathta, Januzi shkëputet edhe pse se prek topin, rrëzohet Hashani, topi përfundon në rrjetë, por gjyqtari Tahiri kishte sinjalizuar faull.

18’ Aksion i bukur i Fetahajt që shtyn topin në zonë për Januzin i cili rrëzohet në duel me portierin Bajrami. Gjyqtari Tahiri jep penallti, por gjyqtari anësor Berisha e anulon atë për simulim.

22’ Bashiru rivënie anësore, Bozhoviç e pranon me gjoks dhe menjëherë harkon për Fetahajn në 4-5 metra para portës, gjuan me kokë, për pak i pasaktë, jashtë.

25’ Nisje e shpejtë nga ndërprerja, Fetahaj nga e djathta depërton deri para zonës e gjuan pastaj mbi tra lartë.

27’ Luftë për top në mesfushës, ia dalin kryeqendrasit, Miftaraj e vazhdon me kokë për Bozhoviç, e ky për Ahmetin i cili posa afrohet te zona ia shtynë Fetahajt para portierit të cilin e kalon nga e majta dhe nga 5-6 metra e vendos topin në rrjetë – 0:1.

34’ Dallku me diagonale të gjatë nga e djathta e gjen Mankendën te zona i cili kroson para zonës, Januzi pozitë ideale, gjuan me kokë, lartë.

39’ Arbër Shala gjuan diku nga 15-16 metra, i vëmendshëm portieri Bekaj.

42’ Fetahaj ia vazhdon djathtë Osmanit, ky e vazhdon në shtyllën e parë ku Januzi e zgjatë këmbën, por jashtë.

45+1’ Bozhoviç para zonës, e vëren se portieri vendas kishte lëshuar portën, e parabolën e qëllon traversën, topi kthehet te Januzi që ishte i papenguar, gjuan me kokë, por pret portieri. Ishte rast i shkëlqyer ky.

45+2’ Krasniqi nga gjuajtja e lirë, e parrezikshme, kap Bekaj.

51’ Bozhoviç me diagonale të gjatë e qet Mankenden me portieri, por kongolezi gjuan shumë dobët, jashtë.

66’ Ahmeti kundërzbritje, e vazhdon për Fetahajn, e ky majtë te Mankenda, që gjuan ulët e jashtë pingules së kundërt.

70’ Katrati gjuan nga e majta, por jashtë.

79’ Bashiru lufton shumë të këndorja e djathtë e vendasve dhe me ndihmën e Pefqelit e merr topin e niset kah zona, e pason në shtyllën e parë për Januzin që e kthen lehtë, por portieri Bajrami e kap topin.

81’ Kontra e Bozhoviç, e vazhdon djathtë për Osmanin e ky harkon në shtyllën e dytë për Pefqelin që me kokë e shënjestrën këndin e epërm, por pak e lartë.

82’ Statovci e Karabeg udhëheqin aksionin, e përfundon Salihu me gjuajtje ballore, e lehtë për Bekajn.

86’ Kundërzbritje, Bozhoviç asistohet brenda zonës, hyn deri në thellësi nga e majta kur i bllokohet gjuajtja nga mbrojtësi dhe portieri vendas, nga topi i kthyer si me dorë me top të lartë në shtyllën e dytë e gjen Liridon Fetahajn që me kokë shënon golin e tij të dytë – 0:2.

88’ Bozhoviç sot luajti përsosur, gjen Fetahajn pak djathtë që gjuan dhe qëllon rrjetën e jashtme të pingules së djathtë.

90’ Basha depërtoi nga e majta e pastaj gjuan, por lartë.

Deklaruan:

Mirel Josa, kryetrajner i Prishtinës: Ishin shumë të rëndësishme për ne sot tre pikë, sidomos pas ndeshjes shumë të dobët me Drenicën. Sot skuadra tregoi një karakter tjetër sa i përket disiplinës taktike, por nuk duhet të ndalemi këtu, sepse na presin shumë tjera të vështira. Me 1:0 nuk shtyhet loja, nga fakti që patëm shumë raste dhe tensioni i skuadrës i lirua vetëm pas 2:0. Dhe këtë situatë tensioni ia faturoj sulmuesve të cilët duhet të jenë më të përqendruar në momentin kur i del rasti për të shënuar. Tani kemi ndeshje tjera shumë të vështira, megjithatë i tërë kampionati ka ndeshje të vështira e të rëndësisë maksimale për një skuadër që donë të eci sa më lartë. Pra, ne duhet shohim shumë më mirë sa i përket momenteve të veçanta sa i përket në përfundim të aksionit, sepse ka skuadra me cilësi më tepër dhe të ndëshkon. 

Liridon Fetahaj: Me rëndësi janë tre pikët që të ecim përpara dhe nuk është e rëndësishme kush shënon. Ndërsa megjithëse kam vonuar pak me gola, shpresoj që pak kësaj ndeshje të shënoj edhe më shumë gola.

Bylbyl Sokoli, kryetrajner i Vllaznisë: Sot Vllaznia u përpoq shumë, por kemi hasur në kundërshtar që është më cilësor, më kualitativ dhe fitorja ishte në anën e ekipit më të fortë dhe më të mirë. Prandaj, përkundër angazhimit, ky rezultat ishte rezultat real e ka mundur të jetë edhe më bindës. Sido që të jetë, unë jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve, por është situatë e vështirë, sepse lojtarët janë të lodhur edhe fizikisht edhe psiqikisht, prandaj është shumë e vështirë që me këtë mënyrë t’i kundërvihesh një ekipi i cili është shumë më cilësor se që ne ishim sot.