Lajme

Java XVII: Gjilani - Prishtina 0-0

Java XVII: Gjilani - Prishtina 0-0

Loja e mirë e bardhekaltërve- mungoi konkretizimi për tre pikët

Gjilan, 1 dhjetor 2019 - Sot ishte mëkat që loja e mirë e prishtinasve nuk u kurorëzua me tre pikët që do të ishin më së të merituara. Moti kohë Prishtina nuk e ka dominuar kundërshtarin se sa sot, por u humbën një mori rastesh dhe shumë situata tjera të rrezikshme para portës vendase të cilët në anën tjetër patën dy raste në pjesën e dytë, por më meritori që nuk shënuan ishte portieri Bekaj.

Prishtina me këtë pikë të fituar e mbyll stinorin vjeshtor në vendin e 4-të me 31 pikë të tubuara sa ka edhe Drita në vend të tretë, ndërsa Gjilani pozicionet e dyta me 32 pikë dhe Ballkani prin me 34 pikë (një ndeshje më pak).

Prishtina të martën mëson kundërshtarin e 1/8 së finales së Kupës raund ky që zhvillohet në fundjavë me çka përfundon stinori futbollistik.

Java XVII

Gjilani - Prishtina 0-0

Shikues: afër 1.000

Gjyqtarë: Tefik Maloku, Edmond Zeqiri, Fatmir Sekiraqa (Pd) - Fatmir Tahiri (Mt)

KV: B. Greca, A. Keita, M. Huseini, F. Veliu - V. Bekaj, L. Abazi

Pozita jashtë lojës: Gjl 1-3 Pri

Kornerët: Gjl 4-9 Pri

Gjuajtjet totale: Gjl 4-7 Pri

Gjuajtjet në portë: Gjl 3-2 Pri

Gjilani: 30. Kenan Haxhiamza - 17. Edison Kqiku, 4. Ylber Kastrati /c/, 29. Franc Veliu, 6. Jackson Ferreira, 15. Aziz Keita, 17. Fjoart Jonuim, 22. Muhamed Useini (43. Kushtrim Shabani - 84’), 77. Gerhard Progni, 7. Bedri Greca (3. Armend Halili 90’+5), 9. Tomislav Bushiç (11. Fiton Hajdari - 71’). Kryetrajner: Gentian Mezani.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj - 22. Labinot Ibrahimi, 5. Diar Miftaraj, 28. Leotrim Bekteshi, 4. Tun Bardhoku - 7. Lorik Boshnjaku, 77. Ardit Hila (18. Ergyn Ahmeti - 78’), 6. Endrit Krasniqi (10. Meriton Korenica - 85’) - 2. Armend Thaqi /c/, 23. Leonit Abazi (15. Gauthier Mankenda - 74’), 27. Ahmed Janui. Zëvendësues: Eglant Haxho, Ahmet Haliti, Kreshnik Uka, Alban Shillova. Kryetrajner: Armend Dallku.

Gjilani - Prishtina 0-0

Komenti:

Për dallim nga ndeshja e parë në Prishtinës, sot u zhvillua krejt tjetër ndeshje, ishin bardhekaltrit që mbizotëruan e krijuan raste dhe krijohej përshtypja se në çdo moment do të shënonte. E megjithatë kjo nuk ndodhi dhe do të mbetët peng i madh lënia e dy pikëve, por ndoshta mund të ngushëlloj fakti i angazhimit maksimal si dhe shpesh lojë e rrjedhshme e si meritë krijoheshin rastet situata të rrezikshme para portës vendase. Në anën tjetër gjilanasit vetëm dy herë rrezikuan nga kundërzbritje të pastra dhe shumë të mira, por ishte Bekaj që dy herë intervenoi sigurt.

Përndryshe, Prishtina mbetët vetëm me një humbje kampionale kundër Gjilanit që nga paslufta të cilën e kishte pësuar para 9 ndeshjeve.

Minutë pas minute:

6’ Pas këndores së shkurtër harkim nga e djathta për vendasit, Bushiç ia del të gjuaj, por e lehtë për Bekajn.

14’ Aksion i gjatë, Krasniqi majtë te Abazi e ky harkim në shtyllën e dytë nga Ibrahimi gjuan furishëm, por larg portës.

19’ Gabojnë rëndë vendasit e kthejnë topin mbrapa duke e shërbyer Januzin që futet në zonë, nuk shikon fare, Krasniqi mund të shërbehej majtë, gjuan fortë ballore, por drejt në portier që reagon e topi përfundon në këndore.

23’ Kundërzbritje e shpejtë, Hila te Thaqi djathtë depërton deri në afërsi, por pasimi i tij paralel portës nuk përcillet nga askush.

33’ Gjuajtje dëshpëruese nga distanca prej Ferreira-s, e lartë.

38’ Gjuajtje e lirë në vijë të zonës, Thaqi e kalon “murin e gjallë”, por për disa centimetra nuk e qëllon këndin e ulët të majtë, jashtë.

45’ Aksion nga Bardhoku - Hila te Abazi majtë e ky në tentim për harkim gjuajtja i del në portë, por i sigurt portieri vendas.

52’ Krasniqi provon nga distanca, por larg portës.

55’ Kundërzbritje e hatashme, Thaqi kalon nëpër vijë një kundërshtar e kalon topin te Krasniqi në mesfushë i cili e shtyn te Abazi majtë në zonë dhe përfundim jo i saktë, mbi portë. Rast ekzemplar.

63’ Prishtina humb topin para zonës mysafire, top i gjatë për Bushiç që me kokë e shërben Grecën djathtë  i cili me saktësi harkon për Bushiç i cili gjuan me kokë, portieri Bekaj bukur e ndal dhe kap topin. Njëri prej dy rasteve ideale të vendasve.

71’ Gjuajtje e lirë për mysafirët nga e djathta, topi harkohet në shtyllën e dytë, Bekteshi e kthen topin para portës së boshatisur por askush nuk e përcjell për ta shtyrë në rrjetë.

72’ Kundërzbritje e shpejtë e vendasve, Progni depërton nga e djathta dhe përballet me Bekajn që pabesueshëm ia largon topin nga këmbët duke shpëtuar gol të sigurt.

74’ Useini kroson rrezikshëm nga e djathta, kap Bekaj.

77’ Portieri vendas degazhon shkurtë gabim para zonës së tij kur e ndal Bekteshi e topi shkon te Hila e ky gjysmëdjathtë te Krasniqi që gjuan bukur, portieri ishte i mposhtur, por topi për disa centimetra përfundon mbi tra. 

Deklaroi: 

Armend Dallku: Jo, nuk jam i kënaqur absolutisht me barazim. E kam parasysh se ekipi im sa shumë prodhoi, në pjesën e parë tre-katër raste, po ashtu edhe në pjesën e dytë. Por, jam lodhur duke e potencuar pas çdo ndeshje që ekipi shumë po krijon e po prodhon, mirëpo pasimin e fundit po e kemi problem duke e parë edhe sot që dalim në pesë-gjashtë situata për të shërbyer bashkëlojtarin, por pasimi i fundit mungonte. Skuadra ime luftoi shumë pavarësisht fushës së vështirë për të luajtur, por futbollistët e mi patën angazhim maksimal gjatë 90-minutave dhe si rezultat i kësaj ne e dominuam plotësisht kundërshtarin pavarësisht që luanim në fushën e tyre. Vendi i 4-të, 31 pikë, jemi dhe nuk jemi të kënaqur duke e pasur parasysh që kemi mundur të mbledhim më shumë pikë duke lënë pikë në ndeshje si me Dukagjinin apo Drenicën duke mos i harruar edhe dy humbje që kemi pësuar, por e llogaris edhe ndeshjen sot që shumë lehtë kemi mundur të gjindeshim në krye të tabelës. Por, ky është futbolli dhe në qoftë se nuk shënon nuk e fiton ndeshjen. Na mbetët të punojmë dhe t’i sanojmë problemet duke u përmirësuar, sepse e mira e ekipit është se po bënë lojë e po krijon raste me aksione të mira. 

Për shkak problemeve teknike, fotografitë në facebook.