Lajme

Java XVII: Prishtina – Drita 2-0

Java XVII: Prishtina – Drita 2-0

Prishtina mposhtë Dritën dhe dimëron në vendin e parë

Meriton Korenica

Prishtinë, 2 dhjetor 2018 – Mjaftuan një “asistim” nga Leci për të shënuar Korenica (57’) dhe një të Mankendës për të shënuar Khalid (90’+5) dhe Prishtina ta përfundoj ndeshjen me tre pikë të reja, si kampion vjeshtor një pikë para Feronikelit, me 12 ndeshje rresht pa humbje dhe 9 ndeshje rresht pa pësuar gol. Statistikat flasin vetë: Prishtina me meritë dimëron e para në klasifikim!

Skuadra s’ka shumë kohë për të pushuar, në fundjavë udhëton në Prizren për 1/8 e finales së Kupës kundër Lirisë, pak pushim për festat e fundit vitit dhe vazhdon faza dimërore përgatitore deri më 22 janar kur skuadra udhëton në Turqi.

Plisat

Sot duhet falënderuar jashtëzakonisht shumë adhuruesit tanë ‘Plisat’ që nuk u ndalën për asnjë sekondë për fitoren që aq shumë e deshën dhe në fund aq shumë së bashku me të gjithë lojtarët dhe klubin e gëzuan dhe festuan.

Stinori pranveror vazhdon më 16 shkurt dhe Prishtina do të ndeshet me Flamurtarin vendas.

FC Prishtina

Java XVII

Prishtina – Drita 2-0 (0-0)

Golat: Meriton Korenica 57’, Basid Khalid 90’+5

Shikues: 2.000

Gjyqtarë: Selim Isufi (Mt),  Besnik Morina (Vu), Alban Ejupi (Pd) - Leotrim Mustafa (Pd)

KV: V. Bekaj, A. Bashiru, A. Thaqi, M. Korenica – F. Gërbeshi, B. Haxhimusa, F. Shaqiri

Pozita jashtë lojës: /

Kornerët: Pri 2-5 Dri

Gjuajtjet totale: Pri 5-7 Dri

Gjuajtjet në portë: Pri 4- 3 Dri

Prishtina (4-4-1-1): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 4. Armend Dallku /c/, 8. Ahmet Haliti (15. Gauthier Mankenda – 46’), 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 3. Jamal Arago, 7. Lorik Boshnjaku, 10. Meriton Korenica (77. Mërgim Pefqeli – 85’) – 27. Marjo Morina (18. Ergyn Ahmeti – 62’) – 9. Basid Khalid. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Përparim Osmani, Argjend Mustafa, Alen Jasharoski. Kryetrajner: Mirel Josa.

Drita (4-3-3): 1. Leutrim Rexhepi – 11. Përparim Livoreka, 4. Fidan Gërbeshi, 29. Ervis Kaja, 13. Liridon Leci – 25. Bujar Shabani, 74. Zgjim Mustafa (14. Filonit Shaqiri – 66’), 20. Erjon Vucaj (93. Haxhi Neziri – 73’) - 8. Endrit Krasniqi, 10. Xhevdet Shabani, 22. Betim Haxhimusa. Kryetrajner: Shpëtim Duro.

Jamal Arago

Komenti:

Drita ishte skuadër e pamposhtur kundër Prishtinës në 5 ndeshjet e fundit. Po ashtu, ishte skuadra e vetme që në këtë edicion ka mposhtur Prishtinën. Futbollistët prishtinas nuk kishin më shumë motiv se kaq, për treguar kush është më e mirë, për revansh dhe për pikët që e mbajnë skuadrën lidere të dimrit apo kampione vjeshtore.

Armend Dallku

Thjesht Prishtina luajti mençur, duke mos u ngutur për asnjë çast deri sa i erdhi shansi pas gabimit të Lecit apo asistimi për Korenicën dhe gjuajtjen e tij të artë ballore prej 18-20 metrave. Pjesa tjetër e lojës ishte më shumë administrim, por u lëshuan dy raste ideale, një tentim pasimi i Boshnjakut dhe një gjuajtje e Khalid. Mbase çelësi ishte inkuadrimi i Mankendës i cili u tregua po ai i moçmi si para lëndimit.

Mysafirët patër rast të artë kur Kaja pas këndores gjuajti me kokë, por Thaqi e ndali në vijë të portës e Prishtina ishte më fat që topi nuk u devijua, por nga vija e portës nga Bashiru u largua.

Goli i dytë nga Khalid, i 4-ti kampional dhe i 6-ti kundër Dritës, ishte si kurorëzim i fitores së merituar. Khalid vazhdon të jetë golashënuesi më i mirë aktiv i Prishtinës me 27 gola të shënuar me fanellën bardhekaltër.

Në fund duhet theksuar festën e madhe të lojtarëve dhe shikuesve dhe në këtë gëzim u ndëshkua me karton të verdhë edhe portieri Bekaj.

Minutë pas minute:

5’ Pas goditjes së dënimit nga e majta dhe harkimit në zonë, Haxhimusa gjuajti me kokë, por e lartë.

6’ Tjetër aksion i Dritës, Xh. Shabani me shpejtësi në mesfushë nis një faull djathtë te Livoreka që e harkon në zonë për Mustafën gjuajtjen e lehtë të cilit ia ndal Bekaj.

Jamal Arago

Abdul Bashiru

12’ Bashiru me top të gjatë te Khalid që ikën mbrojtjes e del me portier, vonohet shumë, gjuan, por në momentin e fundit topin e bllokon Kaja.

16’ Xh. Shabani ia rrëmben Morinës topin në mesfushë dhe diku para zonës më në të djathtë ia shtyn Haxhimusës i cili gjuan ulët, por jo fort dhe drejt në portierin Bekaj që e ndal dhe e kap pa problem.

Endrit Krasniqi - Armend Thaqi

19’ Miftaraj provon gjuajtjen nga distanca, e lartë.

29’ Leci nga ndërprerja prej 22 metrave ballore gjuan lartë.

37’ Krasniqi nga e majta pasim i saktë për Xh. Shabanin i cili para zonës lirohet nga Bashiru e gjuan, por devijohet e topi përfundon skaj pingules së djathtë në këndore.

45’+1 Krasniqi ia del nga mesfusha të depërton deri në zonë dhe nga e djathta provoi këndin tjetër, por jashtë.

Lorik Boshnjaku

55’ Aksion i gjatë, në fund Bashiru ia vazhdon në krah të majtë Mankendës që mjeshtërisht depërton e lirohet para zonës e pastaj gjuan në këndin e ulët të majtë, por intervenon portieri Rexhepi.

57’ Prishtina kishte topin në pronësi te zona mysafire, e marrin gjilanasit, vazhdon presioni vendas, Leci e humb topin, ia merr Meriton Korenica dhe me të majtën diku nga 18-20 metra gjuan në këndin e ulët të djathtë dhe me gjithë përpjekjen nuk ia doli të ndalte portieri Rexhepi – 1:0.

Meriton Korenica

65’ Xh. Shabani nga gjuajtja e lirë në bri të zonës nga e djathta rrezikshëm harkoi në krahun tjetër, topin për fat s’ia doli të përcillte askush nga mysafirët.

Lorik Boshnjaku

69’ Boshnjaku ia merr topin Kajës nga e djathta dhe depërton në zonë, tentoi pasimin me portë i vetëm te Khalid, topi më i lartë se ai, ndërsa Mankenda mund të shërbehej. Ishte rast i artë për ta përfunduar ndeshjen.

Lorik Boshnjaku

71’ Bashiru bukur te Khalid i cili ikën në mes të dy mbrojtësve e del nga e majta me portier, gjuan, por pret Rexhepi. Ishte rast i shkëlqyer i krijuar nga vetë nga Khalid.

85’ Endrit Krasniqi harkon këndoren e majtë, Kaja shkëputet e gjuan me kokë dhe Thani e largon në vijë të portës dhe topi përfundon te pingulja tjetër kur në moment të fundit largon dhe shpëton Bashiru.

Xhevdet Shabani - Diar Miftaraj

90’+5 Mankenda merr top nga e majta depërton pastaj pason për Khalid i cili brenda zonës gjuan me të djathtën dhe vulon epilogun e takimit - 2:0.

Khalid

Deklaruan:

Mirel Josa: Nuk mund të them që pjesa e parë ishte e plogësht, por ishte e kujdesshme dhe nga të dyja ekipet. Drita u mundua të na kapte në befasi në disa raste kur ne e kishim topin në kontroll, sepse e kishin lexuar shumë mirë lojën tonë për sa i përket sulmit që do të bënim ne, ofensivës që ne do të kishim. Dhe pati nja dy momente të rrezikshme, mund të themi, që nuk shkuan deri te porta jonë. Megjithatë edhe ne patëm momentet tona, pra ishte lojë e kujdesshme e dy skuadrave që u mundonin të mos gabonin. Edhe në pjesën e dytë mos kujtoni që diferencat ishin aq të mëdha sa që i jep rezultati, sepse goli i dytë u shënua në fund fare. Ne edhe mund të pësonim pas 1:0, kështu e ka futbolli, sepse diferencat këtu në futbollin e Kosovës po s’qe i disiplinuar shuhen shumë shpejtë. Kështu që ne nuk duhet shkuar me mendjen që ndeshjet duhet fituar, duhet fituar në rregull, por duhet fituar me disiplinë dhe me mend, jo duke përdorë përpara vrullin dhe forcën fizike. Unë deri tash futbollistët që kam më kanë bërë punën mirë, skuadrës i kanë bërë punën mirë. Unë nuk jam shumë për lëvizjet e dimrit, nuk më pëlqejnë fare lëvizjet e dimrit, sepse s’ka ndonjë gjë cilësore. Ne nuk po gjejmë gjatë verës e lëre me gjatë dimrit. Çfarë futbollistësh do të merrnim, futbollistë që nuk luajnë në skuadrat tjera? Ka futbollistë të lirë që mund të vijnë në Prishtinë që mund të jenë më cilësor se ata që kemi. Kështu që do t’i bëjmë shumë mirë llogaritë dhe unë në përgjithësi jam 50-50 për lëvizjet e dimrit. Para punës nuk bëjë krahasime me skuadrat tjera, ndërsa e shihni ku janë dallimet, diferenca është vetëm një pikë me Feronikelin, gjithashtu me Llapin është vetëm 5 pikë dhe vetëm një ndeshje e të qon në vend të tretë. Kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë drejtim. Ne duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, disiplinë për sa i përket lojës dhe stërvitshmëria për t’u përgatitur për ndeshje. Këto janë gjërat që më interesojnë, pastaj kampioni i dimrit që është marr me shumë pompozitet për mua nuk ka rëndësi fare.     

Armend Dallku: Sot ia shkundëm dritat Dritës, ishte momenti. Ne ishim në moment shumë të mirë pas disa rezultateve rresht shumë pozitive dhe Drita s’ka pas pse të bëjë përjashtim e kam cekur edhe para ndeshjes. Sot iu kemi qasur maksimalisht ndeshjes, të koncentruar dhe e kemi ditur që do të bëjmë gol dhe kryesorja ishte që kemi qëndruar mirë mbrapa që mos të pësonim gol. Tani gjysma e rrugës është arritur, por asnjë gjë nuk ka përfunduar dhe neve na pret shumë punë përpara, shumë angazhim dhe besoj në fund, pas edhe rikthimit në shtëpi, sepse po shihet që edhe loja është rregulluar dhe në shumë gjëra kemi përparësi tani, që t’ia arrijmë qëllimit të cilin që dy vite rresht jemi duke e kërkuar.

Meriton Korenica: Ishte ndeshje e fundit kampionale e këtij stinori dhe shumë e rëndësishme për neve që e përfunduam me vendin e parë dhe duke na mbetur edhe një lojë e Kupës besojmë se do ta përfundojmë vitin me shumë sukses dhe të vazhdojmë tutje.

Shpëtim Duro, kryetrajner i Dritës: Sigurisht që në pjesën e parë kemi qenë shumë të mirë, nuk e lejuam Prishtinën duke qenë ne në lojën tonë dhe duke pasur disa mundësi të pasit final për të kaluar në avantazh, megjithatë ka qenë lojë më shumë e administruar nga ana jonë. Pjesën tjetër, sigurisht goli nga një pakujdesi, moment sigurisht që i dha moral Prishtinës dhe jo se na dominoi në pjesën e dytë. Pra, goli i dha shumë moral, filloi të mbrohej me shumë forca duke na i vështirësuar neve punët. Ishte një moment që ne mund të barazonim me gjuajtjen me kokë, pastaj që goli i dytë më nuk kishte vlera përveç atyre të statistikave. Kjo është skuadër që kam gjetur, se kam ardhur shumë vonë, patjetër që Drita e ka skuadrën të plotë, mirëpo i ka ikur njëri nga ingranazhet kryesore siç është Kastriot Rexha dhe nuk është zëvendësuar. Kurse, Prishtina ka lojtar të jashtëzakonshëm në repartin sulmues, ka lojtarë shumë cilësor që i ka në stol. Ju e patë edhe në pjesën e dytë me angazhimin e Mankendës jep hapësirë, ka shumë alternativa.   

Plisat