Lajme

Java XVII: Prishtina – Gjilani 2-1

Java XVII: Prishtina – Gjilani 2-1

Fitore e vështirë, por shumë e merituar

Drenas, 27 nëntor, 2017 – Në mot të acartë, Prishtina ka mposhtur me shumë vështirësi, por me shumë meritë, skuadrën kryefortë të Gjilanit. Gjilanasit sot pësuan veç humbjen e dytë pas 17 ndeshjeve. Kurse, Prishtina me fitore rikthehet në vendin e dytë dy pikë më pak se sa Llapi. Prishtinës fitoren ia siguruan dy gola jashtëzakonisht të bukur të Mankendës dhe Januzit.

Prishtina javën e 18-të e zhvillon në cilësinë e mysafirit në Drenas me Feronikelin të shtunën. Pastaj zhvillohet edhe ndeshja për Kupë me Flamurtarin. Por, me temperaturat dhe me motin që po mbizotëron është johumane për futbollistët të vendosin njerëzit nga kolltukët e nxehta të Federatës që të vazhdoj kampionati.

Java XVII

Prishtina – Gjilani 2-1 (1-1)

Golat: Gauthier Mankenda 26’, Ahmed Januzi 62’ – Gëzim Rusi 45’

Shikues: as 100

Gjyqtarë: Tefik Maloku (Pd), Jakup Musolli (Pd), Bekim Rama (Pd) - Selim Isufi (Mt)

KV: D. Miftaraj, D. Bozhoviç – B. Haxhimusa

Pozita jashtë lojës: Pri 1-1 Gjl

Kornerët: Pri 2-3 Gjl

Gjuajtjet totale: Pri 7-7 Gjl

Gjuajtjet në kuadrat: Pri 3-4 Gjl

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 88. Përparim Osmani, 4. Armend Dallku, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru – 5. Diar Miftaraj, 66. Ergyn Ahmeti (10. Mentor Mazrekaj – 79’), 29. Drashko Bozhoviç – 11. Liridon Fetahaj (77. Mergim Pefqeli – 20’), 15. Gauthier Mankenda (22. Lorik Maxhuni – 90+4’). Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Gentrit Dumani, Ben Nash Quansah. Kryetrajner: Mirel Josa.

Gjilani: 1. Donat Kaçiu – 2. Armend Thaqi, 4. Ylber Kastrati /c/, 28. Leutrim Bekteshi, 13. Ergon Hyseni, 14. Filonit Shaqiri (88. Dior Zabërxha – 82’), 8. Salih Kosumi, 22. Betim Haxhimusa, 27. Altin Aliu (10. Besart Morina – 90’), 20. Edison Kqiku, 17. Gëzim Rusi. Kryetrajner: Arbnor Morina.



Komenti:

Ashtu siç pritej edhe doli – ndeshje jashtëzakonisht e vështirë e luftuar për çdo top dhe çdo metër fushe. Ndeshjen edhe më të vështirë e bënë temperaturat pothuajse nën zero, si dhe fusha, megjithëse më e mira në Kosovë, e mbushur vende-vende me ujë. Por, kjo nuk i pengoi futbollistët e dy skuadrave të japin maksimumin në fushë. Dhe, për një nuancë Prishtina ishte më e mirë, më këmbëngulëse dhe futbollistët bardhekaltër ngulmuan e dëshiruan më shumë fitoren, çka dhe me plotë meritë e arritën.

Ndërkohë është rikthyer nga lëndimi Mazrekaj, edhe pse jo as në pesëdhjetëpërqindëshin e tij, por u lëndua Fetahaj, ndërsa me Feronikelin do të mungoj përshkak kartonëve edhe Miftaraj.
Ndërsa Januzi ka shënuar golin e tij të katërt dhe tani i prin golashënuesve të skuadrës, kurse Mankenda realizoi të tretin, por edhe ishte paraqitja e tij më e mirë në këtë edicion. Bozhoviç ka arritur asistimin e katërt, kurse Curri të parin.

Minutë pas minute:

5’ Aksion i mirë e i gjatë, Curri nga vija fundore e gjen Januzin para zonës kundërshtare, ky ia vazhdon majtë Mankendës i cili depërton nga qendra e gjuan diku para zonës me të djathtë, përpak i pasaktë, jashtë pingules së majtë.

12’ Kundërpërgjigjet Gjilani me aksion të gjatë të mirë dhe mbyllet me gjuajtjen e Haxhimusës nga 20-metra, por pak e lartë.

23’ Januzi gjuan jashtëzakonisht rrezikshëm nga 22-23 metra, topi fluturon ngjitur me shtyllën e majtë, por jashtë.

25’ Rusi gjuan lehtë me kokë nga e djathta prej afërsisë, pa problem për Bekajn.

26’ Dallku në rolin e organizatorit, por si fundor, me kros vertikal në zonë, ndërhynë portieri Kaçiu para Mankendës dhe e grushton, me shpejtësi Bozhoviç e kthen te Mankenda aty diku te 16 metërshi dhe gjuan direkte, Kaçiu e prek, por se eviton golin – 1:0.

38’ Thaqi provon nga ndërprerja nga distanca ballore, por shumë e lartë.

40’ I riu Aliu gjuan ballore, mjaft bukur, por jo aq e fortë sa të paraboloj Bekajn i cili kap topin sigurt.

42’ Kosumi nga distanca ballore gjuan mjaft dinakërisht, e ulët, por Bekaj nuk befasohet, kap topin.

45’ Ishin momentet e mira të Gjilanit që e kurorëzuan me shënim. Aksion i gjatë e nga e djathta me disa pasime e mbrojtësi i djathtë i rrezikshëm Armend Thaqi del në vijën fundore të vendasve dhe me top të ulët para portës as 2-3 metra e gjen Gëzim Rusin që u tregua më i shkathtë se mbrojtësit e Prishtinës të cilët i shokon me këtë gol – 1:1.

50’ Aksion shumë i mirë nga e djathta, Osmani kroson në zonë për Januzin që e ndal dhe e kthen për Ahmetin i cili para zonës e që ishte në pozitë të mirë, gjuajti me të majtën, por pak i pasaktë, mbi vertikale.

53’ Aksion tjetër i rrezikshëm, Mankenda nga e majta kroson fortë, topin nuk e përcjell as Januzi as Pefqeli dhe del jashtë pingules së djathtë.

62’ Goditje dënimit për Prishtinën nga e djathta, diku larg 40 metra. Bozhoviçit i dështoi për të satën herë sot harkimi, dëbohet shkurt, luftonë Pefqeli, e Ahmeti e shtin topin lartë në zonë për Currin e ky mjeshtërisht me kokë e ulë për Ahmed Januzin që nuk pret fare, por gjuan me të parën “vollej” e drejt e në këndin e djathtë të portierit Kaçiu, gëzim i madh dhe 2:1.

85’ Salihu provon gjuajtjen nga distanca që përfundoi larg portës.

86’ Kundërzbritje e shpejtë, Mankenda me diagonale nga e djathta e gjen Mazrekajn në kahun e majtë, e ky ia vazhdon Bozhoviçit e portieri Kaçiu kishte lëshuar portën, por malazezi gjuan drejt në të. Ishte rast i sigurt ky.

Deklaruan:

Mirel Josa, kryetrajner i Prishtinës: E kam thënë edhe më përpara dhe po e përsëris shumë që diferenca në futbollin e Kosovë është shumë e vogël dhe kjo duket edhe në klasifikim ku me dy fitore rresht del në krye të tabelës dhe ka pretendime tjera. Ndërsa personalisht jam i kënaqur dhe dua të uroj dy skuadrat që sot luajtën futboll në kushte shumë të vështira atmosferike dhe nuk e di se si do të jetë kushtet në ndeshjet pasardhëse e sot patëm një ndërrim temperature të menjëhershme brenda 24 orëve. Kurse, Gjilani luajti futboll të mirë pavarësisht se ne ishim dy herë në avantazh. Këmbëngulja jonë bëri që ne të fitojmë ndeshjen e cila nuk e pati cilësinë që unë pretendojë nga skuadra. Unë pretendoj skuadër shumë më të mbledhur, shumë luftarake, në mënyrë që të kemi vazhdimësi. Vazhdimësia për mua do të thotë, jo vetëm rezultati, por kompaktësia si skuadër, e mbledhur, që ne në momente të veçanta nuk e pasqyrojmë.   

Gauthier Mankenda: Ne kishim nevojë të fitonim këtë ndeshje, sepse ishte shumë e rëndësishme për ne që të mbesim në krye të tabelës. Dhe ia arritëm me shumë mund e me meritë. Mendoj se ishte paraqitje shumë e mirë e imja, sepse në fund të fundit i shërbeu skuadrës që të fitoj ndeshjen.

Arbnor Morina, kryetrajner i Gjilanit
: Varet kush si e sheh ndeshjen, por unë vetëm mund të iu them një bravo të madhe futbollistëve të mi për lojë e ku pa gjashtë futbollistë kemi luajtur dhe kemi treguar se edhe Prishtinën mund ta mbajmë në 16-metërshin e tyre, por realizimi edhe më tutje është pjesë ku po na brengos. Por, djemtë treguan lojë të mirë, ndërsa nga dy gabime apo dy pakujdesive amatoreske tona kemi pësuar gola, por në anën tjetër kemi bërë aksione të mira e shanse për gol, por e shfrytëzuam vetëm një dhe deshëm apo s’deshëm fitorja i ka takuar kundërshtarit.