Lajme

Java XVIII: Ferizaj – Prishtina 0:0

Java XVIII: Ferizaj – Prishtina 0:0

Prishtina luajti, krijoi raste, por i humbi ato dhe pikët

Shend Kelmendi FC PRISHTINA

Ferizaj, 25 shkurt, 2017 – Në një ndeshje të organizuar në mënyrë të përkryer nga vendasit, Ferizaj dhe Prishtina ndan pikët duke luajtur pa gola – 0:0. Vendasit të stërknaqur me pikën e madhe të fituar, Prishtina shumë e dëshpëruar, sepse meritoi fitoren, nga loja e treguar dhe rastet që më zor është të humben se sa të realizohen.

Bleon Sekiraqa FC PRISHTINA

Pra, Prishtina vazhdon të ketë probleme në realizim, por gëzon fakti se në një fushë të nxehtë siç është ajo e Ferizajt, e tregoi cilësinë e saj, e dominoi ndeshjen dhe krijoi – kjo jep shenja për optimizëm. Po ashtu, sot përbërja e Prishtinës ishte jashtëzakonisht e re. Duke mos llogaritur dy qendërmbrojtësit (Dallku – Leci), të 11 futbollistët tjerë që u paraqiten, mosha mesatare ishte 21 vjet. Kurse, Bleon Sekiraqa sot ka debutuar me 16 vjet. Dhe, të luftosh me këtë ekip kaq të ri për titull të kampionit në një Ligë siç luhet në Superligën tonë, të jep optimizëm të jashtëzakonshëm se kjo gjeneratë e Prishtinës pret çdo moment të shpërthej.

Java XVIII

Ferizaj – Prishtina 0:0

Fusha e stadiumit me bari sintetik, Ferizaj

Shikues: mbi 2.000

Gjyqtarë: Kreshnik Vula (Gjk), Benon Këpuska (Gjk), Artan Latifi (Pd) – Tefik Maloku (Pd) – shumë të mirë

KV: F. Papuqi – G. Dumani

Kornerët: Fer 1-1 Pri

Kornerët: Fer 4-7 Pri

Gjuajtjet totale: Fer 4-8 Pri

Gjuajtjet në portë: Fer 2-4 Pri

Ferizaj: 1. Leutrim Rexhepi – 15. Mirsad Idrizi, 4. Agron Istrefi /c/, 13. Florent Papuqi, 99. Milan Ristovski, 20. Shpëtim Babaj, 6. Behar Bardhi, 8. Maliq Beluli (21. Elbasan Thaqi – 86’), 16. Lavdrim Skenderi (7. Enis Kuka – 74’), 19. Edon Sadriu, 10. Shkëmbim Salihu (77. Murat Adili – 62’). Kryetrajner: Argjend Beqiri.

Prishtina (4-3-3): 1. Alban Muqiqi – 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 13. Liridon Leci, 18. Gentrit Dumani – 7. Lorik Boshnjaku, 8. Endrit Krasniqi, 23. Blend Baftiu (11. Bleon Sekiraqa – 76’) – 10. Gentrit Begolli (25. Basit Abdul Khalid – 59’), 15. Gauthier Mankenda, 9. Shend Kelmendi. Zëvendësues: Ardit Nika, Liridon Kukaj, Genc Hamiti, Mergim Neziri, Arbër Hoxha. Kryetrajner: Lutz Lindemann.

FC Prishtina

Komenti:

Prishtinës sot i munguan dy lojtarë me përvoje, Debatik Curri dhe Ahmed Januzi, që të dy të lënduar – Curri në Gjakovë me Vëllaznimin, kurse Januzi në stërvitjen e fundit para ndeshjes së sotme.

Endrit Krasniqi FC PRISHTINA

Megjithatë, Prishtina sot luajti mjaft mirë. Së pari duke i mos lejuar pothuajse asnjë rast të pastër vendasve të etur për pikë, kurse edhe krijuan tre-katër raste ideale, sidomos Khalid sot ishte “shkaktari” kryesor që Prishtina u rikthye në kryeqendër me vetëm një pikë. Në dy raste, njëherë me kokë nga afërsia (63’ – priti portieri vendas Rexhepi) dhe së dyti pas topit të dhënë nga Kelmendi huqi portën e zbrazët nga tre-katër metra (69’). Dhe, kur nuk shënon nga këso situatash, atëherë edhe mund të pësosh, por mbrojtja stabile e Prishtinës pothuajse asnjëherë sot nuk ishte në rrezik të madh.

Sidoqoftë, kjo ndeshje duhet harruar sa më shpejtë. Prishtinën tani e pret në fundjavën e ardhshme ndeshja me Drenicën, kurse mbetët në tabelë në pozitën e njëjtë – të tretë, me 36 pikë të tubuara.

Liridon Leci FC PRISHTINA

Minutë pas minute:

8’ Begolli harkon nga këndorja e majtë, Leci në shtyllën e dytë disi ia del të gjuaj, por lartë.

14’ Behluli nga pozita gjysmë e majtë tenton, por larg jashtë.

22’ Aksion i mirë i Prishtinës nga e djathta, Mankenda ia vazhdon Dallkut te këndorja e ky e vazhdon në zonë ulët te Krasniqi që ishte në pozitë ideale, por se si e huq topin dhe nuk ia del të gjuaj.

Lorik Boshnjaku FC PRISHTINA

23’ Kelmendi ia ul topin Boshnjakut e ky gjuan nga pozita ballore, por plogësht e jashtë.

27’ Begolli përsëri harkon këndoren nga e majta, portieri vendas huq grushtimin, Krasniqi i befasuar me këtë top tenton me kokë, por s’ia del e jashtë.

Endrit Krasniqi FC PRISHTINA

30’ Salihu para zonës e vazhdon djatht te Sadriu e ky nga pozitë  e rrezikshme 16-18 metra tenton, por jo aq fortë sa të befasoj Muqiqin që kap topin.

Blend Baftiu FC PRISHTINA

39’ Depërtim i Baftiut dhe me pasim me Mankendën del para zonës e gjuan direkte, por pret portieri vendas.

Armend Dallku FC PRISHTINA

45+1’ Gjuajtje dënimi për Prishtinën në krahun e majtë fare pran zonës, ishte penguar Begolli. Dallku shenjëstron shtyllën e parë, intervenon dhe shpëton portieri Rexhepi, këndore.

Gauthier Mankenda FC PRISHTINA

47’ Maxhuni ia vazhdon djathtë Baftiut, e ky në zonë Mankendës që del me portier e gjuan drejt në të dhe pas kësaj edhe përplasen, por pa dëmtime.

63’ Një futbollist vendas tenton mos të lejoj këndore, topi shkon te Mankenda që e harkon për Khalid i cili nga pozita ideale dhe afërsia gjuan me kokë, por jo aq anash sa mos të kishte mundësi ta mbërrinte portieri vendas që shpëton gol të sigurt, këndore.

Basit Abdul Khalid FC PRISHTINA

69’ Babaj gabon rëndë, pason për Makendën para zonës e ky ia vazhdon këmbëshpejtit Kelmendi në të majt dhe me saktësi të madhe e pason në shtyllën e dytë për krejtësisht të vetmuarin Khalid i cili nga dy-tre metra gjuan jashtë. E pabesueshme, e pafalshme!!!

82’ Behluli provon nga distanca direkte, kap portieri Muqiqi.

88’ Këndore për vendasit, mysafirët dëbojnë, por përreth vijës së zonës ndodhet Babaj, gjuan rreptë e zhagas dhe topi shkon pak jashtë shtyllës së djatht. Mbase rasti i vetëm i mirë i vendasve.

90+1’ Mankenda rrëzohet nga Babaj në zonë të rreptësisë, shumë rast diskutabil dhe lehtë gjyqtari Vula do të mund të gjykonte në pikën e bardhë, por ai e vazhdon lojën. Ishte momenti i vetëm kritik nga gjyqtarët sot shumë të mirë.

Sami Sermaxhaj - Lutz Lindemann FC PRISHTINA

Deklaruan:

Lutz Lindemann, kryetrajner i Prishtinës:
Është pak që kemi fituar një pikë edhe pse e kemi ditur që Ferizaj do të tentonte të nxjerrje maksimumin, por kur humb dy raste nga dy-tre metra, atëherë duhet pajtuar edhe me një pikë të fituar. Edhe para se të vija unë Prishtina pak gola ka shënuar dhe problemin e shoh më shumë individual sikurse rastet e humbura sot e që nuk do të duhej të ndodhte kjo nga një sulmuesi si Khalid dhe si mund ta ushtrosh ta shtysh topin në rrjetën e zbrazët nga dy-tre metra.

Argjend Beqiri, kryetrajner i Ferizajt: Nuk diskutohet, Prishtina është ekip mjaft i fuqishëm dhe normal me shumë traditë e suksese dhe pretendon për kampion. Dhe ne taktikisht e kemi analizuar disa ndeshje që i ka luajtur në fazën përgatitore dhe në stinorin vjeshtor dhe besoj se pikat e kryesore të forta dhe të rrezikshme që i kanë ia dolëm t’i ndalëm. Dhe kur luan kështu, nuk mund të presësh, nga të dy anët, shumë raste për të shënuar. Prandaj, ishte ky rezultat real për dy skuadrat. Ne në përgjithësi kemi shumë ndryshime nga vjeshta dhe me ndeshjet në fazën përgatitore dhe Kupë, kemi treguar që futbollistët kanë karakter të fortë dhe kjo në futboll vlen shumë dhe mund të nxjerrësh rezultat pozitiv. E rezultat pozitiv është edhe kjo pikë e madhe me Prishtinën dhe më meritorët për këtë janë futbollistët.

Argjend Beqiri - Lutz Lindemann FC PRISHTINA


Avni Durmishi