Lajme

Java XVIII: Feronikeli – Prishtina 0-0

Java XVIII: Feronikeli – Prishtina 0-0

Feronikeli pati iniciativën – Prishtina rastet: barazimi real

Prishtinë, 2 dhjetor, 2017 – Feronikeli dhe Prishtina, me gjithë fushën e rënduar, sot zhvilluan ndeshje jashtëzakonisht interesante dhe rrallë ndodh që shikuesit të jenë të kënaqur edhe kur ndeshja përfundon pa gola.

Prishtina sot ishte e koncentruar mos të humbiste dhe të befasonte kundërshtarin, çka tre herë lëshuan raste të qindpërqindta, kurse Feronikeli ishte skuadër që mbizotëronte lojën me mbajte të gjatë të topit dhe kryesisht me gjuajtje të rrezikshme nga jashtëzona, por Visar Bekaj tregoi edhe njëherë që është portieri më i mirë në vend.

Sidoqoftë, Feronikeli nuk patën shkathtësi të çanin mbrojtjen prishtinase, ndërsa këta të fundit nuk patën fat të ndëshkonin kundërshtarin.

Prishtina pas këtij barazimi e mbyll stinorin vjeshtor në vendin e dytë, ndërsa diferenca e pikëve momentale prej një mund të ndryshoj nga ndeshja e nesërme ndërmjet Llapit e Trepçës ’89.

Bardhekaltrit e mbyllin vitin kalendarik me ndeshjen e së mërkurës në derbin e kryeqendrës në kuadër të Kupës me Flamurtarin, në fushën e kësaj të fundit që nis nga ora 12:00.

Java XVIII

Feronikeli – Prishtina 0-0

Shikues: mbi 1.000

Gjyqtarë: Fatmir Tahiri (Mt), Alban Ejupi (Pd), Besnik Morina (Vu) - Isak Ceroviku (Mt)

KV: H. Shala, Y. Hoxha – A. Xhaka, D. Bozhoviç, M. Mazrekaj

Pozitat jashtë lojës: Frn 2-1 Pri

Kornerët: Frn 6-1 Pri

Gjuajtjet totale: Frn 10-3 Pri

Gjuajtjet në portë: Frn 7-3 Pri

Feronikeli: 1. Faton Maloku –18. Haxhi Shala - 33. Arbër Prekazi, 8. Ahmet Haliti, 6. Astrit Thaqi, 20. Behar Maliqi /c/, 4. Albert Dabiqaj, 10. Qemajl Elshani (19. Lulzim Doshlaku – 69’), 99. Yll Hoxha, 17. Kreshnik Lushtaku (27. Armend Bardhi – 84’), 7. Mendurim Hoti (9. Granit Arifaj – 32’). Kryetrajner: Zekirija Ramadani.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 88. Përparim Osmani, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru – 34. Agon Xhaka, 66. Ergyn Ahmeti, 29. Drashko Bozhoviç (22. Lorik Maxhuni – 89) – 77. Mergim Pefqeli (10. Mentor Mazrekaj – 78’), 15. Gauthier Mankenda, 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Gentrit Dumani, Ben Nash Quansah, Bleon Sekiraqa, Kastriot Selmani. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Fusha ishte tejet e rënduar për lojë, por kjo assesi nuk pengoi futbollistët që të angazhoheshin maksimalisht për çdo top e çdo pëllëmbë fushe. E kjo bëri që ndeshja të ishte tejet interesante, sidomos pjesa e parë e lojës, kur vendasit krijuan nga gjuajtjet nga distanca dhe me depërtimet e Mendurim Hotit. Me daljen e Hotit pas lëndimit nga përplasja me portierin Visar Bekaj, ritmi vendas sikur ra pak. Por, edhe Prishtina në pjesën e parë krijoi dy raste të sigurta, kur vetëm duhej gjuajtur në portë, çka nuk u arrit.

Pjesa e dytë u takoi kryesisht vendasve, por ku patën vetëm një rast të sigurt shënimi, por portieri Bekaj tregoi cilësitë e tij. Megjithëse Prishtina u mbrojt dhe nuk ia doli të dilte përpara, pati rast ideal me Xhakën kur edhe u kërkua penallti, por vetëm pamjet televizive mund të na tregojnë se pati të drejt gjyqtari Tahiri që nuk e akordoi apo jo. Tahiri dhe ndihmësit e tij qenë të denjë sot, përveç në fundin e ndeshjes kur sulmuesi Januzi u ndal nja tre herë rresht, por nuk iu gjykua asnjëherë asnjë faull.

Në fund, dy skuadrat u përshëndetën nga publiku gjegjës që me gjasë të dy taborët tifozerike u ndanë të kënaqur, mbase jo me rezultat, sa me vetëmohimin e futbollistëve.

Minutë pas minute:

3’ Dabiqaj gjuajtje e rreptë nga distanca, megjithatë me përpjekje maksimale e ndal topin portieri Bekaj.

11’ Hoti kalon nga mesfusha nëpërmjet dy futbollistëve mysafir e pastaj gjuan nga distanca, por zgjatje e përkryer e Bekajt dhe dëbon në këndore.

19’ Bozhoviç ndërprenë topin vendasve, me saktësi e pason djathtë te Pefqeli i cili kishte situatë të pastër, gjuan, pret Maloku, topi i kthyer në afërsi dhe sikur e pengojnë njëri tjetrin Bozhoviç e Januzi e topi duhej vetëm shtyrë në rrjetë, nuk ia dalin dhe e lëshojnë rast të artë për të shënuar.

19’ Kundërzbritje e shpejtë, Lushtaku nga e majta për Dabiqajn para zonës, gjuajtje jo aq e fortë nga 18 metra, Bekaj i sigurt.

24’ Hoti provon gjuajtje nga distanca, e lehtë për Bekajn.

30’ Mendurim Hoti, futbollisti më i mirë deri në ato çaste, nuk mund të vazhdoj më lojën. Para disa minutash ishte lënduar në kokë pas përplasjes në një duel të afërt që pati me portierin prishtinas Bekaj.

31’ Tjetër rast i shkëlqyer. Bozhoviç nga e djathta tenton të gjejë majtë Mankendën, Shala e largon me kokë, por vetëm deri te Ahmeti që me saktësi e gjen Bozhoviç përpara portierit Maloku, e Bozhoviç nuk gjuan, me gjasë tenton parabolë, por s’ia del fare e aksioni shkon në pa kthim. Çfarë rasti ishte ky!

34’ Bashkëveprim i Shalës nga e djathta për Maliqin para zonës, gjuan fortë, devijohet nga mbrojtja prishtinase dhe fare pran pingules së majtë e në këndore.

45’ Lushtaku provon harkim nga e djathta, por i doli përpak gjuajtje e rrezikshme që shkon jashtë pingules së majtë.

46’ Pefqeli merr top e pak para zonës provon gjuajtjen, e shtyn pak Dabiqaj, aq sa topi më të kishte fuqi të madhe, kap portieri Maloku.

47’ Shala provon nga distanca, e lehtë për Bekajn.

53’ Tani Hoxha provon nga distanca, rrëmbyeshëm, por e lartë.

56’ Kornerin e djathtë e nisin Lushtaku e Shala, i pari harkon në shtyllën e dytë ku mirë e pranon Haliti, por gjuajtje e tij ishte sa për ta prekur, kap Bekaj.

67’ Gjuajtje e lirë për bardhekaltrit nga e djathta, harkon Bozhoviç e topi shkon djathtë te Dallku, ky e fut para portës ulët, Agon Xhaka provon njëherë, e pastaj nga lloçi i krijuar ia del të gjuaj së dyti, Prekazi me gjasë e prek pak me dorë, ndërsa Haliti e bllokon me gjoks nga vija e portës. Prishtina kërkon penallti, më i zëshmi Xhaka dhe ndëshkohet për protesta. Se a ishte prekje me dorë duhet parë në xhirimet televizive.

69’ Doshlaku merr top të pastër nga e djathta, ishte i vetëm me portierin Bekaj edhe pse largësia ishte pak e madhe, gjuan ulët, por portieri Bekaj pret dhe shpëton skuadrën. Ishte ky rasti më ideal i vendasve.

90+1’ Dabiqaj provon nga distanca, pa problem portieri Bekaj.

Deklaruan:

Mirel Josa, kryetrajner i Prishtinës: Për mua fusha ishte shumë e përshtatshme, sepse lejonte të luhej. E të dy skuadrat u munduan të luajnë futboll e ku Feronikeli ishte skuadër që luan mirë futboll dhe është nga skuadrat e pakta që luan mirë futboll në Kosovë e ku ka futbollistë me eksperiencë. Ndërsa unë jam më i kënaqur në pjesën e parë, u mbrojtëm dhe sulmuam mirë dhe mund të shënonim dy herë e ku Pefqeli do të duhej të realizonte me atë gjuajtje dhe nuk mund të fajësoj fushën, ndërsa në pjesën e dytë shkuam vetëm dy herë përpara në njërin kur ne edhe pretenduam për penallti.
Unë nuk jam i kënaqur nga pozita e dytë e Prishtinës, sepse Prishtina ka pretendime më të mëdha. Por, nga lojërat që kemi bërë duke marrë parasysh se të kemi luajtur jashtë fushës tonë, normalisht që jam i kënaqur deri tashti. Duhet parë se çfarë do të bëjmë më vonë, sepse të kënaqet një trajner me një skuadër, duhet të kënaqet me atë çka i kërkon skuadrës të bëjë në vazhdimësi. Dhe, nuk ka pritur më shumë në këtë stinor, sepse ne duhet ditë të respektojmë kundërshtarët dhe duhet ditur se nuk luan futboll vetëm Prishtina, apo edhe dy-tre skuadra tjera, sepse luajnë të gjithë kundërshtarët dhe duke i respektuar kundërshtarët, ne e respektojmë vetën tonë dhe mënyrën tonë të lojës.
Ndryshimet, të gjithë lojtarët që janë do të qëndrojnë dhe kemi mundësi të marrim edhe lojtarë tjerë. Se a do të ketë nga Shqipëria nuk mund të them, nuk mund të konfirmoj, sepse lojtarët që dua të vijnë duhet të ndihmojnë skuadrën në mënyrë imediate dhe nuk dua lojtarë që duan vetëm rroga dhe të ikin.
 

Zekirija Ramadani, kryetrajner i Feronikelit:
Jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve, sepse në këtë fushë me këto kushte të vështira dhanë maksimumin. Por ne duhet luajmë futboll në të gjitha kushtet. Ndërsa mendoj se sot nuk e patëm fatin nga ana jonë, ndoshta në Mitrovicë nuk meritonim më tepër se një pikë, por sot besoj dhe jam i bindur që meritonim më tepër, sepse të mbash Prishtinën gjatë 90-minutave në zonën e saj duhet shumë forcë, shumë karakter dhe sot këtë e treguan futbollistët e mi. Pra treguan se janë të gatshëm të japin maksimumin në çdo ndeshje, mirëpo nuk patën fat dhe i uroj për pikën e fituar dhe tani duhet përqendruar në ndeshjen e radhës që kemi për Kupë.