Lajme

Java XVIII: Flamurtari – Prishtina

Java XVIII: Flamurtari – Prishtina

Derbi i kryeqytetit zhvillohet në “Fadil Vokrri”

Prishtinë, 17 shkurt 2019 – Flamurtari dhe Prishtina të hënën takohen për herë të 39-të pas luftës. Dy rivalët e vetëm të mbetur të kryeqendrës, do të ndeshen në kuadër të javës së 18-të të Ipko Superligës. Ndeshja zhvillohet në stadiumin e Prishtinës “Fadil Vokrri”. Kjo nuk është hera e parë kur Flamurtari ndeshjen e saj si vendase me Prishtinën e zhvendos në stadiumin e qytetit. Andaj edhe shikueshmëria pritet të jetë shumë më e madhe se sa që do të grumbullonte stadiumi pa kushte në “Xhemajl Ibishi”.

Dy skuadrat me rivalitet të madh gjatë viteve 90-ta, po tentojnë, sidomos Flamurtari, të rikthej famën e dikurshme të konkurrencës ndaj klubit më të madh në vend, Prishtinës.

Flamurtari nuk ka fituar kundër Prishtinës nga viti 2009-të, pra plot 10-vite kuqezinjtë janë pa fitore ndaj bardhekaltërve, megjithëse nga 38 përballje, Flamurtari ka fituar 6 sosh, përkundër 10 barazimeve dhe 22 fitoreve të Prishtinës me goldallim + 34, 69:35 për Prishtinën.

Armend Thaqi

Në ndeshjen e parë të këtij edicioni, përballja befasueshëm ishte mbyllur baras, 1:1. Ishte Prishtina që kishte shënuar e para me Armend Thaqin (8’) dhe duke qëlluar shtyllën e lëshuar një mori rastesh në pjesën e parë. Por, Flamurtari nuk ishte dorëzuar, ishte paraqitur më mirë në pjesën e dytë dhe krejt në fund të ndeshjes kishte barazuar (Getoar Dragusha 87’) duke rrëmbyer një pikë të madhe.

Prishtina këtij dueli i hyn pas 11- ndeshjeve rresht pa pësuar gol dhe 12 ndeshje rresht pa pësuar humbje në pjesën e rregullt të lojës (duke mos llogaritur eliminimin nga ’89-shi për Kupë).

Bardhekaltrit janë komplet, nuk kanë asnjë mungesë, megjithëse pritet të ketë ndryshime në formacion.

Java XVIII

Flamurtari – Prishtina

E hënë, 18 shkurt – ora 13:30

Stadiumi “Fadil Vokrri”

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu (Gjl), Fatmir Abrashi (Mt), Elvis Bicaj (Is) – Tefik Maloku (Pd)

Çmimi i biletave: Tribuna Lindore 2 euro, Tribuna Perëndimore 3 euro, VIP 5 euro.

Prishtina - Flamurtari 1-1

M. Josa: Tani jemi të fokusuar komplet në kampionat

“Nuk është problemi që e njohim Flamurtarin apo që i njohim skuadrat tjera, sepse unë të gjitha ndeshjet i parashikoj të vështira. Është fillimi i kampionatit e ku kemi bërë një ndeshje kupe në të cilën nuk morëm rezultatin që donim ne. Kështu që tani jemi të fokusuar komplet në kampionat. Më intereson që të rritet forma individuale e çdo lojtari, sepse punën e kam bë deri tashti dhe forma nuk do të thotë vetëm forma fizike, por kemi të bëjmë me formën mendore, anën psikologjike të çdo lojtari. Dhe unë them që nga ndeshja në ndeshje do të vijmë në rritje. Nuk ka ndryshime të detyrueshme apo të padetyrueshme. Unë formacionin që kam hedhur në ndeshje për Kupë e kam hedhë në bazë të përformancës të gjithsecilit nga periudha përgatitore dhe në vazhdimësi. Tashti do të bëjmë ndryshimet tona që kemi duke pasur parasysh që disa lojtarë mund të kenë ngrit gjendjen e tyre, qoftë fizike, qoftë mendore”, ka thënë kryetrajneri Josa para ndeshjes së nesërme.     

Mirel Josa