Lajme

Java XVIII: Flamurtari – Prishtina 2-0

Java XVIII: Flamurtari – Prishtina 2-0

Prishtina pëson humbje me një futbollistë më shumë

Meriton Korenica

Prishtinë, 18 shkurt 2019 – Bardhekaltrit kanë pësuar humbjen e dytë pas 15 ndeshjeve rresht duke pësuar gol pas 11 ndeshjeve rresht – edhe atë pas një futbollisti më tepër në fushë për një orë lojë. Në fakt, Prishtina u godit dy herë brenda 16 minutave të fundit të pjesës së parë.

Njëjtë sikurse me Trepçën ’89, skuadra lëshoi një mori rastesh në pjesën e parë, kurse të dytën nuk i ngjau as shkronjës “P”e lëre më Prishtinës!

Abdul Bashiru

Megjithëse kanë mbetur edhe 15 javë, pas kësaj humbje Prishtina e lëshon edhe vendin e parë në klasifikim dhe tani është e dyta me dy pikë më pak.  Pra, ka shumë ndeshje për t’u luajtur, por me qasjen në lojë sikurse sot, do të jetë shumë i vështirë fundi i kampionatit. Skuadra në fundjavë ka rastin të këndellet kundër Lirisë mysafire para dy ndeshje të vështira në udhëtimin në Podujevë dhe Feronikelit në kryeqendër.

Flamurtari

Java XVIII

Flamurtari – Prishtina 2-0 (2-0)

Golat: Alban Shillova 31’, Egzon Krasniqi 45+2’

Shikues: afër 1.000

Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu (Pd), Fatmir Abrashi (Mt), Elvis Bicaj (Is) – Tefik Maloku (Pd)

KV: L. Maxhuni – A. Dallku, G. Mankenda, B. Khalid

KK: Ben Nash Quansah (min. 23’)

Pozita jashtë lojës: Fla 1-6 Pri

Kornerët: Fla 1-13 Pri

Gjuajtjet totale: Fla 3-10 Pri

Gjuajtjet në portë: Fla 3-4 Pri

Flamurtari: 1. Flamur Neziri /c/ – 22. Lorik Maxhuni, 5. Angel Simeonov Granchov, 23. Ben Nash Quansah, 14. Gentrit Dumani, 10. Agron Bruqi, 21. Arbnor Zeqiri, 7. Mërgim Boshnjaku, 27. Shend Kelmendi (26. Florim Bërbatovci – 69’), 20. Egzon Krasniqi (9. Adem Maliqi – 61’), 17. Alban Shillova (8. Adamou Moussa Issa – 88’). Kryetrajner: Arsim Thaqi.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Bekteshi, 4. Armend Dallku /c/, 13. Abdul Bashiru (21. Argjend Mustafa – 63’) – 6. Diar Miftaraj, 3. Jamal Arago, 27. Marjo Morina (19. Alen Jasharoski – 68’) – 10. Meriton Korenica (77. Mergim Pefqeli – 57’), 15. Gauthier Mankenda, 9. Basid Khalid. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Donat Hasanaj, Ahmet Haliti, Lorik Boshnjaku. Kryetrajner: Mirel Josa.

FC Prishtina

Komenti: 

Në minutën e 23-të, Morina me një top vertikal e shtyn Khalidin përpara, por pengohet nga lojtari i fundit kuqezi, Quansah. U duk sikur një dhuratë e mirë kjo, por jo, e kundërta, Prishtina po lunte në mënyre histerike, po krijonte e po humbte raste, por Flamurtari ishte ai që nga tre gjuajtje (të vetmet në ndeshje) dy herë ndëshkuan rivalët – me depërtim nga e majta dhe me efikasitet të lartë. Pastaj, pjesa e dytë ishte e kotë dhe krijohej përshtypja që po të luhej deri në darkë se bardhekaltrit nuk do të shënonin.  Thjesht shfaqje e shëmtuar që të irriton dhe që të humb besimin. Megjithatë, klubet e mëdha tejkalojnë edhe momentet e vështira edhe kur duhet më së shumti zgjohen nga agonia. Të shpresojmë!

Minutë pas minute:

9’ Pas topit të dëbuar nga këndorja, Dallku e vazhdon djathtë te Bekteshi, e ky ballore në zonë te Mankenda i cili posa lirohet gjuan lartë.

Gauthier Mankenda

10’ Maxhuni nga thellësia te Krasniqi djathtë i cili e kthen për Shillovën e gjuajtjen e ulët të cilit e ndal Bekaj.

23’ Morina me top të gjatë e qet Khalidin para Quansah dhe deri sa po i afrohej zonës ndalet nga mbrapa. Gjyqtarit Bejtullahu iu deshtë edhe ndihma e anësorit që të merrte vendim të drejtë me çka e përjashton futbollistin e Flamurtarit.

Basid Khalid - Quansah

24’ Nga gjuajtja e lirë rrezikshëm gjuan Morina, intervenim i portierit Neziri që shpëton gol të sigurt.

Flamur Neziri

25’ Këndoren e Korenicës nga e majta me kokë në portë e kthen Mankenda, por pret Neziri i cili nxjerr edhe karton të verdhë për ndërhyrje të Khalid.

Gauthier Mankenda

29’ Miftaraj provon gjuajtjen nga distanca, jashtë.

31’ Kuqezinjtë marrin frymë, ndërmarrin aksion nga e majta, Shillova hyn në zonë dhe me gjakftohtësi mposhtë Bekajn – 1:0.

35’Korenica bashkëvepron majtë me Mankendën që futet në zonë, por i bllokohet gjuajtja dhe topi vije te Arago që gjuan fortë e lartë.

Gauthier Mankenda

38’ Khalid lirohet mirë në mesfushë dhe pa asnjë nevojë e tenton portë me të majtën, shumë e pasaktë gjuajtja.

41’ Morina e harkon këndoren e majtë, topi i devijuar përfundon në shtyllën e dytë e me pothuajse këndin zbrazët të portës, Bekteshi nuk e qëllon, jashtë.

41’ Bashiru harkon nga e majta, Mankenda e ndal topin dhe e pabesueshme, nga tre tentime – të tre herët i bllokohet gjuajtja nga futbollistët kundërshtar.

45+2’ Flamurtari për herë të tretë shkon te porta, dhe shënon!!! Është Egzon Krasniqi nga e majta e gjuajtjen e parë e ndal Bekaj, por Krasniqi përfiton nga topi i dytë kthyes dhe 2-0.

62’ Pas këndores, Mankenda provon nga mbrapa me kokë, i vëmendshëm Neziri.

71’ Dallku del në pozitën e anësorit të djathtë, harkon, Khalid me kokë lartë.

72’ Aksion i mirë, Jasharoski e qet Mankendën me portier, por i ikën topi, intervenon Neziri.

81’ Pasime të sakta të Aragos me Mankendën në krahun e majtë, por harkimin e këtij të fundit nuk ia dalin të prekin as Jasharoski as Khalid.

86’ Mustafa shkurt për Jasharoskin, gjuajtjen e tij ballore e ndal portieri Neziri.

Armend Thaqi

Deklaruan:

Mirel Josa: Them që deri në ato momente (kartoni i kuq) skuadra reagoi dhe kishte një formim loje, por përsëri do të duhej të ishim shumë më të qartë sidomos në ndërtimin e aksioneve. Dolëm në krah shumë herë, por shërbimi nga krahët shumë herë nuk ishte i duhuri. Ne u përpoqëm, por nga momenti që pati njëfarë sigurie në ekip që mbetëm me një futbollistë më shumë, duhej të ishim shumë më të qetë në ato momente dhe duhej të kishim luajtur më tepër në kontroll topi që të gjenim momentin e duhur që mos të nxitonim për t’u filtruar në mbrojtjen kundërshtare. Ne donim përherë që të shkonte topi në qendër dhe donim përsëri të shkonim nga qendra, gjë që është e pamundur kur një skuadër është e përqendruar. Ne do të duhej të shkonim më tepër nga krahët me pasime të shkurta dhe të mesme të sigurta.
Ne nuk kemi ndryshuar në mënyrën e lojës, sepse ne s’kemi ndryshuar as në lojtarë dhe besoj që mirë kemi bërë që s’kemi ndryshuar. Mirë që këto gjëra të ndodhin tashti dhe mos të ndodhin më vonë.
Futboll pa presion nuk ka. Ne duhet të jemi të qetë në këto momente që humbjen të shohim, qoftë në përgjegjësitë individuale që kemi, qoftë në përgjegjësitë kolektive, sepse përgjegjësia individuale dhe çfarë detyrimesh kemi ne karshi klubit dihet. Unë do të mundohem që të qetësoj skuadrën dhe të vazhdojmë punën, sepse kampionati është shumë i gjatë.   

Arsim Thaqi, kryetrajner i Flamurtarit: Me mposhtë Prishtinën nuk është e lehtë, sidomos nuk është i lehtë menaxhimi i ekipit pas fitores kundër Prishtinës duke e ditur ndeshjen e kaluar të Trepçës ’89 e cila e fitoi ndeshjen për Kupë, por e humbi në mënyrën më të keqe të mundshme ndeshjen me Ferizajn. Pas një ndeshje kur e ki për kundërshtar Prishtinën, ekipit i duhet një kohë gjenerimi dhe i duhet një kohë ekipit që të jetë me këmbë në tokë, sepse normalisht kampionati është i gjatë. Ne e kryem vetë një punë, jo se e kemi mundur Prishtinën duke i fituar tre pikë që neve na u kanë dashur shumë. Shpresoj shumë që ekipi të punoj gjatë javës në rikuperim që të jemi të gatshëm kundër Gjilanit ku fitorja ndaj tyre do të na kthente në serinë e fitoreve që kemi pasur edhe vitin e kaluar në fillimit të sezonit.