Lajme

Java XX: Trepça ’89 – Prishtina

Java XX: Trepça ’89 – Prishtina

E martë, 7 mars – ora: 13.00

Prishtinë, 6 mars, 2017 – Skuadra bardhekaltër në qetësinë e plotë të hotelit të përkryer “Onixspa” në Banjë të Pejës dhe mikpritjes së  jashtëzakonshme të nikoqirit, është përgatitur tani e dytë para ndeshjes me rivalët, liderin në klasifikim, Trepça ’89.

Prishtina nga 19-ndeshjet kampionale, ka pësuar vetëm 7 gola, prej tyre 2 nga Trepça ’89, meqë rast edhe ishte mposhtur në ndeshjen e parë nga dy humbjet e vetme të regjistruara. Dhe, futbollistët e Prishtinës, tani janë të bindur, se ajo ditë ka qenë vetëm një ditë e keqe. Se, cilësia dhe talenti është në anën tonë dhe këtë me padurim janë duke e pritur që ta dëshmojnë nesër në “Riza Lushta”.

Prishtina do të jetë e hendikepuar pa Liridon Lecin (pesë kartonë të verdhë), por rikthehen Liridon Kukaj e Debatik Curri dhe Prishtina do të rikthej përvojën sërish në mesin e skuadrës ndër më të renë në Superligë. 

Derbin do ta gjykoj gjyqtari nga Gjakova, Kreshnik Vula dhe Prishtina beson plotësisht se ky gjyqtar do ta ndaj drejtësinë në mënyrë të denjë dhe të drejtë.

Java XX

Trepça ’89 – Prishtina

E martë, 7 mars – ora: 13.00

Stadiumi: “Riza Lushta”, Mitrovicë

Gjyqtarë: Kreshnik Vula (Gjk), Bujar Selimaj (Pz), Visar Kelmendi (Pe) – Leutrim Mustafa (Pd)

*Transmetim i drejtpërdrejt në Supersport Kosova


L. Lindemann: Do të provojmë t’i rikthejmë tre pikët e humbura me ta

“Do të ndeshemi me liderin në klasifikim. Do të ndeshemi me skuadrën e cila jorastësisht ndodhet në vend të parë. Dhe, kemi respekt të madh ndaj tyre. Pra, na pret lojë e vështirë. Ne kemi humbur nga ta në shtëpi 0:2, dhe tani me të gjitha forcat do të provojmë t’i rikthejmë ato tre pikë të humbura. Ne do të japim maksimumin për fitore, por më i miri le ta fitoj ndeshjen”, ka thënë kryetrajneri, Lutz Lindemann.

Dallku: 89-shi në eufori, por ne duam të rikthejmë borxhin!

“Normalisht, pësimi i vetëm 7 golave në Superligë na jep motiv shtesë dhe kështu shpresoj të vazhdojmë edhe më tutje, edhe pse tani ndeshemi me konkurrentin kryesor për titull. Mirëpo, në këtë aspekt besoj se jemi në epërsi, sepse edhe në ndeshjen e fundit kemi vazhduar të mos pësojmë e në anën tjetër kemi shënuar aq shumë gola. Pra, shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm edhe ndaj Trepçës ’89, të mos pësojmë dhe të shënojmë. Kuptohet, është derbi i javës. Euforia është te ta, sepse janë vendas dhe duan të dëshmohen e të tentojnë të na mposhtin përsëri me çdo kusht. Në fakt, është ekipi i vetëm borxhli ndaj nesh, sepse nga dy humbjet e vetme, ajo me Gjilanin ishte aksidentale, kurse 89-shi na kishte mposhtur me meritë dhe tani shkojmë dhe shpresojmë t’iu rikthejmë borxhin e asaj humbje dhe në kryeqendër të rikthehemi me tre pikë”, ka thënë kapiteni, Dallku. 

Kelmendi: Të fitojmë – të bindim që jemi më të mirët!

“Fitorja e lartë ndaj Drenicës ka ndikuar shumë në moralin ton pozitiv. Jemi të motivuar maksimalisht, edhe pse në çdo ndeshje nuk mungon motivi, por kur fiton aq lartë, atëherë shtohet në maksimum vetëbesimi para një skuadre të tillë siç është Trepça ‘89. Pres angazhim maksimal prej gjithsecilit bashkëlojtar dhe si produkt i angazhimit dhe lojës tonë nga “Riza Lushta” të rikthehemi me tre pikë dhe t’i bindim të gjithë se këtë edicion jemi më të mirët”, ka thënë sulmuesi, Shend Kelmendi.

Statistikat e përballjeve mund t’i gjeni në linkun më poshtë:

http://prishtinafc.com/al/lajme/post/statistikat-trepca-89-prishtina

A.D.