Lajme

Java XX: Vëllaznimi – Prishtina 0-0

Java XX: Vëllaznimi – Prishtina 0-0

Dy skuadrat nuk merituan më shumë se nga një pikë

Gjakovë, 24 shkurt 2018 – Në derbin e rivalëve të moçëm, përveç atmosferës së mirë dhe korrektësisë maksimale, nuk pamë diçka më shumë. Vendasit nuk kishin fuqi, e mysafirët maksimalisht në plogështi. Në fund krijohet përshtypja se vendasit u ndanë të kënaqur me barazim edhe pse treguan më shumë, kurse mysafirët plotësisht të pakënaqur edhe pse nuk dhanë kurrgjë.

Ndeshjen e përcollën mbi 3.000 shikues, ndërsa plakat mirënjohje,  kryetari i Vëllaznimit, Agim Cana, ndau si për Prishtinën, Lorik Canën dhe kryetarin e Komunës së Gjakovës.

Prishtina me këtë barazim mbetët në pozitën e parë vetëm nëse Llapi dhe Drita nesër luajnë baras.

Java XX

Vëllaznimi – Prishtina 0-0

Shikues: 3.000

Gjyqtarë: Fatmir Tahiri (Mt), Jakup Musolli (Pd), Driton Preniqi (Ka) – Erdall Zasella (Mt)

KV: A. Dragusha – D. Curri, A. Januzi

Kornerët: Vla 4-2 Pri

Pozita jashtë lojës: Vla 0-2 Pri

Gjuajtjet totale: Vla 4-3 Pri

Gjuajtjet në portë: Vla 3-2 Pri

Vëllaznimi: 31. Altik Muhaxhiri – 2. Besnik Krasniqi, 5. Alban Dragusha /c/, 6. Ilir Syla, 4. Tun Bardhoku, 3. Gentian Mazrekaj, 55. Ardit Vokshi, 18. Kushtrim Gashi (22. Burim Qorri – 77’), 11. Egzon Gashi (17. Jeton Dushi – 90’), 9. Dardan Rogova (15. Lekë Vula – 73’), 7. Lorik Rudi. Kryetrajner: Arsim Gojani.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 22. Lorik Maxhuni, 6. Debatik Curri /c/, 3. Jamal Arago, 13. Abdul Bashiru - 20. Shqiprim Taipi, 7. Lorik Bosghjanku, 29. Drashko Bozhoviç (88. Përparim Osmani – 84’) – 11. Liridon Fetahaj (9. Basit Abdul Khalid – 61’), 15. Gauthier Mankenda (17. Arbër Hoxha – 73’), 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Ergyn Ahmeti, Blend Baftiu. Kryetrajner: Mirel Josa

Komenti:

Prishtina ndeshjes me Vëllaznimin luajti larg dobët prej ndeshjes me Llapin, ndeshje kjo nga e cila skuadra pati dy ndryshime, Dallku i suspenduar nga kartonët u zëvendësua me Arago, ndërsa në mesfushë Ahmeti me Boshnjakun.

Pritshmëria para ndeshjes ishte e madhe, por pas përfundimit të ndjeshmes ndjehet zhgënjim, sa me pikët e lëna e më shumë për lojën e cila nuk prodhoi më shumë se dy gjuajtje në portë. Një kishin më shumë gjakovarët, por patën rastin më të mirë me Rogovën, por ishte Bekaj që e ndali gjuajtjen (18’).

Po ashtu nja 25 minutat e para në tërësi u takuan vendasve, e pjesa tjetër ishte diçka më e kontrolluar nga prishtinasit, por pa qenë fare të rrezikshëm, sidomos në pjesën e dytë kur u pa vetëm një gjuajtje jashtë kuadratit.

U provua edhe me ndryshim rreshtimi nga 4-3-3 në 4-4-2 me dy sulmues qendre, por sikur skuadra nuk ishte në ditën e saj apo edhe mungoj energjia e liderit në fushë e Dallkut, që mbase futbollistët të mobilizoheshin maksimalisht, sidomos në agresivitet.

Sidoqoftë, ishte ndeshje për t’u harruar sa më shpejtë dhe skuadrës tani i mbetët të përgatitet sa më mirë për ndeshjen tjetër të rëndësishme me Trepçën ’89 në Pejë në fundjavën e ardhshme.

Minutë pas minute:

Ndeshja nis me pesë minuta vonesë pas ndezjes së mjeteve piroteknike të adhuruesve vendas. Ndërsa topin e parë e nisi ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana.

16’ Aksion nga e djathta prej vendasve për t’iu marrë lakmi dhe pasimi i fundit vije deri te Ardit Vokshi pak nga e majta hynë zonë dhe në duel me Mankendën që e ndiqte rrëzohet. Protestuan mjaft shumë për penallti, por gjyqtari Tahiri nuk mendoi ashtu.

18’ Aksion tjetër i mirë i vendasve me disa pasime dhe në fund Rogova del pastër vetëm me portierin Bekaj i cili bukur intervenon dhe shpëton skuadrën nga gol i sigurt.

30’ Vije edhe kërcënimi i parë i bardhekaltërve dhe pas shumë pasimeve, Mankenda nga e djathta me pasim te ulët horizontal e gjen Januzin brenda zonës, i cili shenjëstron këndin e ulët të majtë, por intervenon portieri Muhaxhiri.

43’ Gabojnë vendasit, Mankenda e merr topin para zonës dhe ikën djathtë pothuajse te vija fundore kur edhe pëpak sa nuk e befasoi portierin Muhaxhiri i cili në momentet e fundit dëbon mbi tërthore.

45+1’ Besnik Krasniqi nga pozitë ideale nga gjuajtja e lirë prej pozitës ballore diku 20-22 metra, e provon në këndin e ulët të majtë, por portieri Bekaj i sigurt, dëbon topin anash.

46’ Rudi bukur ikën nga e majta dhe harkon në zonë për Rogovën që ndodhej vetëm me Bashirun, gjuan me kokë 9-sha vendase, por plogësht e jashtë.

57’ Besnik Krasniqi nga e djathta bukur e gjen me top të gjatë në kahun e kundërt Ardit Vokshin i cili gjuan nga pozitë ballore, e ulët, por i sigurt Bekaj.

70’ Lëndohet Mankenda i cili zëvendësohet me Hoxhën që pati sot dy-tre depërtime të suksesshme nga e majta, por që megjithatë fundi i aksioneve nuk ishte i suksesshëm.

89’ Osmani sapo u fut në lojë dhe në dy-tre raste pati shans të dërgonte skuadrën përpara, tani me këtë rast e mbylli një aksion paksa më të gjatë dhe top të dhënë nga Bashiru prej të majtës, me gjuajtje të lartë mbi kuadrat.

Deklaruan:

Mirel Josa: Prishtina ishte me pak raste, por problemi nuk qëndron këtu, por në momentet e atyre rasteve ne duhej të tregoheshim më cinik në kuptimin e shfrytëzimit të tyre. Por, as këtu nuk është problemi, por duhej të vinim në ndihmë të Januzit në pjesën e parë i cili ishte i vetëm dhe duhej t’i ndihmohej qoftë nga dy krahët, qoftë nga dy mesfushorët e qendrës, gjë që nuk u bë ashtu siç duhet. Vëllaznimi na sulmoi energjikisht në pjesën e parë në disa momente e në pjesën e dytë u munduam të ndryshojmë duke prishur rreshtimin fillestar të skuadrës duke vendosur dy sulmues përpara, por ku duheshin treguar më të qartë gjatë lëvizjes së tyre. Megjithatë unë them se skuadra është në rrugë të drejtë, sepse kampionati nuk mbaron me një ndeshje apo dy ndeshje siç mund të mendojnë disa, sepse është kampionat i gjatë dhe të gjitha ndeshjet do të jenë të vështira”.

Visar Bekaj: Sot asgjë nuk na shkoi ashtu siç kemi dëshiruar. Por, tani kjo lojë ka përfunduar e gjatë javës duhet korrigjuar gabimet dhe të përqendrohemi e të fokusohemi për ndeshjen me Trepçën ’89 ku shpresojmë t’ju rikthehemi tre pikëve”.

Arsim Gojani, kryetrajner i Vëllaznimit: Nëse më pyetni se a jam i kënaqur, sigurisht se jam i kënaqur. Nëse më pyesni se a kemi merituar më shumë, sigurisht se kemi merituar më shumë. Mirëpo, ky është futbolli dhe unë jam i kënaqur me lojën që tregoi ekipi, si nga ritmi i lojës, angazhimi, sepse mos të harrojmë se sot e kemi pasur përball liderin e kampionatit dhe plus Prishtinën e madhe. Pra, qëllimi ynë ka qenë që mbrapa të jemi sa më kompakt dhe kemi punuar në atë drejtim që të fitojmë kompaktësinë dhe ekuilibrin gjatë lojës dhe djemtë po e bëjnë shumë mirë dhe shpresoj që edhe në të ardhmen do të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë”.