
Java XXI: Prishtina – Drita 2-0
Bekteshi (17’) dhe Bardhoku (87’) afrojnë skuadrën në -4 pikë
Prishtinë, 24 shkurt 2021 – Prishtina e shtynë në 15 ndeshje pa humbje dhe duke arritur fitoren e 5-të rresht kampionale, fitore kjo e cila e afron skuadrën në 4 pikë larg Ballkanit dhe 3 pikë larg Dritës.
Ishte kjo fitore më se e merituar, e cila mund të ishte me rezultat edhe më të lartë. Megjithatë ishte lojë e fortë e ku edhe Drita pati mundësitë e veta, por ishte Prishtina që krijoi raste më të shumta shënimi. Sidoqoftë, mjaftuan dy gola dhe skuadra tani hynë furishëm në luftë për titull.
Në javën e 22-të, Prishtina udhëton të shtunën ku do të ndeshet me Trepçën ’89.
Java XXI
Prishtina – Drita 2-0 (1-0)
Golat: Leotrim Bekteshi 17’, Tun Bardhoku 87’
Gjyqtarë: Tefik Maloku, Fatlum Berisha, Bujar Selimaj, Gramoz Shala
KV: Zyba – Gërbeshi, Cuculi, Austine
KK: Austin (2KV – min. 61’)
Pozita jashtë lojës: Pri 2-1 Dri
Kornerët: Pri 6-5 Dri
Gjuajtjet totale: Pri 7-6 Dri
Gjuajtjet në portë: 6-2 Dri
Prishtina (4-3-3): 12. Ardit Nika – 2. Besnik Krasniqi, 5. Lumbardh Dellova, 28. Leotrim Bekteshi, 18. Gledi Mici – 7. Lorik Boshnjaku /c/ (15. Gauthier Mankend – 90+3’), 20. Qendrim Zyba (27. Albin Prapashtica – 90+3’), 10. Endrit Krasniqi – 23. Leonit Abazi (4. Tun Bardhoku – 86’), 9. Leutrim Kryeziu, 17. Alban Shillova (88. Sabien Lilaj – 68’). Zëvendësues: Eglant Haxho, Gentjan Muça, Enis Gavazaj. Kryetrajner: Zekirija Ramadani.
Drita: 1. Faton Maloku – 14. Onoka Henry Austine, 4. Fidan Gërbeshi /c/ (25. Bujar Shabani – 41’), 6. Ardijan Cuculi, 18. Ilir Blakçori, 7. Hamdi Namani, 20. Erjon Vucaj, 27. Astrit Fazliu (8. Ergyn Ahmeti – 66’), 10. Xhevdet Shabani, 17. Almir Ajzeraj (24. Kastriot Rexha – 46’), 22. Betim Haxhimusa (11. Irogue Esosa Priestley – 85’). Kryetrajner: Ardijan Nuhiji.
Rastet/golat:
17’ Endrit Krasniqi e harkon gjuajtjen e lirë nga krahu i majtë, në zonë njëri nga futbollistët mysafir e dëbon topin me kokë në shtyllën e dytë aty ku ndodhej Leotrim Bekteshi dhe në përballje me portierin Maloku gjuan saktë me kokë – 1:0.
24’ Haxhimusa depërton nga e djathta dhe e pason Namanin i cili nga pozitë mjaft e mirë gjuan mbi portë.
36’ Boshnjaku gjuan ballore, e ulët, pa problem portieri Maloku.
37’ Dellova e pason te Kryeziu djathtë i cili në qendër e qet Shillovën vetëm me portierin Maloku i cili pret gol të sigurt, këndore.
45+4’ Austine depërton nga e djathta, bie mbrojtja prishtinase, e pason në shtyllën e dytë, Ajzeraj i vetmuar lëshon rastin më të mirë për Dritën, gjuan mbi portë.
50’ Xh. Shabani provon gjuajtje ballore, portieri Nika kap topin pas tentimit të dytë.
57’ Abazi depërton nga e majta deri në zonë, gjuajtjen e tij pret Maloku, topi kthehet në qendër, Shillova vrullshëm shkëputet e gjuan me kokë, pengohet nga njëri prej mbrojtësve, topi qëllon traversën. Prishtina kërkoi penallti, ndërsa Shillova pas 9 minutave detyrohet të zëvendësohet nga goditja në hundë.
61’ Austine ndal Shillovën para zonës, ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe Drita mbeti me një futbollist më pak në lojë.
72’ Drita proteston për penallti në ndërhyrjen e Nikës ndaj Haxhimusës.
77’ Kundërzbritje, Lilaj – E. Krasniqi – Kryeziu, ky i fundit posa del me portierin Maloku, ky i fundit bukur ia zë pozitën dhe intervenon saktë duke mos lejuar as këndore për kundërshtarin.
77’ Xh. Shabani gjuan nga e djathta, intervenon Nika.
87’ Endrit Krasniqi depërton para zonës, nuk rrëzohet as pas një ndërhyrje të palejueshme, e asiston Tun Bardhokun e posa inkuadruar në lojë dhe mesfushori gjakovar e vendos topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar të ndeshjes – 2:0.
90+3’ Blakçori depërton nga e majta, e pason në shtyllën e dytë te sulmuesi Rexha i cili gjuan me kokë, por jashtë skaj pingules.
Deklaruan:
Zekirija Ramadani: Gjithsesi është meritë e futbollistëve që dhanë maksimumin sot. Brenda një kohe të shkurtër u ndeshem tre herë kundër një superskuadre dhe i uroj futbollistët për fitoren, për angazhimin, disiplinën taktike dhe shpirtin luftarak dhe në fund kjo na u shpërblye me tre pikët i cili ishte edhe objektivi ynë. Periudhë e mirë e gjatë pozitive dhe e potencoj që është meritë e futbollistëve që japin angazhim maksimal, si në stërvitje po ashtu edhe në ndeshje. Shpresojë të mbesim me këmbë në tokë, mos të na rritet mendja, sepse euforia mund të jetë shumë e dëmshme. Por, mendoj se e kemi eksperiencën që të përballemi edhe me euforinë dhe me çfarë do të papriture tjetër.
Leotrim Bekteshi: Atmosferë shumë e mirë kjo pas fitores. Jemi jashtëzakonisht të lumtur për fitore, uroj që të vazhdojmë kështu deri në fund. Pa dyshim që ndjehesh mirë kur shënon të cilin ua dedikoj bashkëlojtarëve të mi për angazhimin maksimal dhe për fitoren e merituar. Jemi duke bërë punë shumë të mirë dhe duhet të vazhdojmë t’i marrim ndeshje pas ndeshje.
Lajme tjera