Lajme

Java XXI: Prishtina – Ferizaj

Java XXI: Prishtina – Ferizaj

Bardhekaltrit duhet t’i rikthehen fitoreve

Meriton Korenica

Prishtinë, 2 mars 2020 –  Prishtina nesër ka sfidë mjaft të vështirë, duhet të harrojë barazimin me Ballkanin dhe nëpërmjet Ferizajt që po i kërkon pikët e shpëtimit, të iu kthehet fitoreve. Andaj, kërkohet mbështetje maksimale edhe të adhuruesve të klubit. Rikthimi te fitoret dhe tre pikët do të qetësojnë skuadrën para ndeshjes së fundjavës në Gjilan me Dritën.

Java XXI

Prishtina – Ferizaj

E mërkurë, 4 mars – ora: 17.00

Stadiumi: “Fadil Vokrri”

Gjyqtarë: Shpëtim Murtezi (Gjl), Safet Berisha (Mt), Gëzim Mehmeti (Mt) – Gramos Shala (Pe)
Çmimi i biletave: tribuna lindore 2€, tribuna perëndimore 3€, tribuna VIP 5€ .

Hila: Ndeshje e rëndësishme, e kemi vetëm një rezultat – fitoren

“Pas lëndimit të kraharorit që pësova në përgatitjet e Turqisë, gjithmonë ndjehesh mirë pas rikthimit dhe rikuperimit dhe kjo ndodhi që në ndeshjen me Ballkanin, ndeshje kjo që e kishim vlerësuar maksimalisht, por s’ia arritëm t’i marrim tre pikët për t’i gëzuar të gjithë atë publik në numër të shumtë që ishin prezent. Ndërsa, ndeshja me Ferizajn është shumë e rëndësishme për neve pasi që e kemi vetëm një rezultat – fitoren, ndryshe nga ndeshja me Ballkanin që ishin tre rezultatet. Shpresoj në angazhim maksimal dhe t’ia arrijmë qëllimit”, ka thënë mesfushori i rikuperuar nga lëndimi, Ardit Hila.