Lajme

Java XXI: Prishtina – Ferizaj 3-2

Java XXI: Prishtina – Ferizaj 3-2

Tre pikë të reja me golat e Januzit (2) e John

Prishtinë, 4 mars 2020 – Rezultati i ndeshjes (3-2) nuk është pasqyrë e lojës dhe rasteve të krijuara, sidomos nga Prishtina e cila sot lehtësisht ka mundur të shënoj dyfishin e shënimeve që pati, por nga 3:0, në fund pësoi dy gola mjaft naiv.

Duhet përmendur po ashtu që skuadra vuajti deri sa shënoi golin e parë në fundin e pjesës së parë pas penalltisë në Januzin (45) dhe po ashtu po me të njëjtin realizues. Pastaj, pjesa e dytë ishte krejtësisht ndryshe, me shumë raste shënimi nga të cilat u konkretizuan vetëm dy prej tyre (Januzi 49’ e John 60’).

Ahmed Januzi

Pas pësimit të tre golave, mysafirët e hapën në tërësi ndeshjen duke lënë shumë zbrazëtira mbrapa e të cilët për meritë të portierit tyre Kaçiu dhe për lëshimet e prishtinasve, nuk pësuan më, e në anën tjetër shënuan dy herë me Albin Krasniqin (72’) dhe penallti të Dajakut pas tentimit të dytë pasi që Bekaj priti gjuajtjen e parë (90’+3).

Skuadra me këtë fitore mban pozitën e 3-të me 41 pikë sa ka Gjilani e dyta dhe 3 më pak se Ballkani me 44, ndërsa të dielën në Gjilan ndeshet me Dritën (14:00h) që tani ka ngel me 40 pikë.

FC Prishtina

Java XXI

Prishtina – Ferizaj 3-2 (1-0)

Golat: Ahmed Januzi (p) 45’, 49’, Oto John 60’ – Albin Krasniqi 72’, Taulant Dajaku 90’+3

Shikues: 300

Gjyqtarë: Shpëtim Murtezi (Gjl), Safet Berisha (Mt), Gëzim Mehmeti (Mt) – Gramos Shala (Pe)

KV: V. Bekaj – G. Halili

Pozita jashtë lojës: Pri 9-2 Fer

Kornerët: Pri 7-2 Fer

Gjuajtjet totale: Pri 17-8 Fer

Gjuajtjet në portë: Pri 11-3 Fer

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 22. Labinot Ibrahimi, 5. Diar Miftaraj, 8. Ahmet Haliti, 4. Tun Bardhoku – 20. Qendrim Zyba, 88. Ardit Hila, 6. Endrit Krasniqi (18. Ergyn Ahmeti – 61’) – 10. Meriton Korenica (34. Nils Mema - 90’), 77. Oto John, 27. Ahmed Januzi (11. Kreshnik Uka – 70’). Zëvendësues: Eglant Haxho, Ermal Vitija, Leonit Abazi, Lorik Boshnjaku. Kryetrajner: Armend Dallku.

Ferizaj: 1. Donat Kaçiu – 4. Granit Halili, 5. Ergon Hyseni, 6. Behar Bardi, 62. Viktor Kuka, 16. Bunjamin Asani (55. Kenan Orana – 46’), 14. Filonit Shaqiri, 22. Taulant Dajaku /c/, 8. Edon Sadriu, 11. Dren Gashi (7. Nermin Hajdareviç – 87’), 10. Albin Krasniqi. Kryetrajner: Burim Qerkini.

Endrit Krasniqi

Komenti:

Prishtina sot në dispozicion nuk i pati pesë futbollistë, Thaqin e Mankendën për shkak kartonëve, Bekteshi i lënduar së paku edhe tre javë tjera, kurse Boshnjaku e Abazi megjithëse ishin në bankinë, kryetrajneri Dallku i ruajti pasi që rënkonin nga lëndime joserioze.

Ndërsa shiu që ra pareshtur bëri që numri i shikuesve të jetë i vogël, por nuk ndikoi në zhvillimin e ndeshjes, sepse fusha e “Fadil Vokrri” ishte e përgatitur në mënyrë të përkryer.

Në fakt qëndronte frika ndaj një kundërshtari që mbrohej me 11 futbollistë dhe skuadra bardhekaltër vuajti mjaft shumë deri te shënimi i golit të parë. Pastaj gjithçka ishte më e lehtë dhe skuadra me plotë meritë mori tre pikët e duhura.

Përndryshe sot Januzi shënoi pas gjashtë ndeshjeve shterpë duke realizuar dy herë, gjithsejtë goli i 8-të sezonal, ndërsa i 22-ti me fanellën e Prishtinës.

Oto John

Edhe John pas një ndeshje pa shënuar realizoi golin e 5-të sezonal (i 3-të kampional).

Përndryshe Januzi e realizoi vetë asistimin, apo penalltinë e shkaktuar në të, kurse Hila asistimin e 2-të sezonal (të parin kampional) dhe Krasniqi duke realizuar asistimin e 5-të duke prirë në listën e asistuesve të skuadrës.

Në ndeshje sot, edhe pse pak minuta, debutoi i riu 20-vjeç, Nils Mema.

Meriton Korenica

Minutë pas minute:

Sekonda 45’ Korenica provon nga gjuajtja e lirë prej distancës, portieri mysafir ndal.

11’ Bardhoku depërton nga e majta e gjuan ballore, devijim e mbi kuadrat.

Tun Bardhoku

13’ Krasniqi harkon këndoren e majtë, Januzi gjuan me kokë lartë.

32’ Korenica e harkon këndoren e djathtë në të “dytën”, Ibrahimi manovron e gjuan, topi i devijuar ndalet në momentet e fundit nga portieri Kaçiu.

Labinot Ibrahimi

44’ Ibrahimi saktë harkon nga e djathta për Januzin që në duel në ajër shtyhet mbrapa nga Halili dhe gjyqtari Murtezi jep penallti.

45’ Nga pika e bardhë i saktë Januzi – 1:0.

Ahmed Januzi - Prishtina - Ferizaj 3-2

49’ Ibrahimi nxjerr skuadrën përpara nga e djathta duke e gjetur në qendër Krasniqin që mrekullisht fut topin në zonë mbrapa shpinës së mysafirëve, Januzi mrekullisht del para portierit dhe gjuan saktë në cepin e majtë – 2:0.

50’ Edon Sadriu, sot lojtari më i rrezikshëm i mysafirëve, provon ballore, jashtë. Ishte tentimi i parë në ndeshje nga Ferizaj.

53’ Dajaku bukur e shërben Sadriun që hyn në zonë e gjuan rrezikshëm pranë pingules së djathtë.

55’ Provon edhe Krasniqi për mysafirët, anash portës.

Endrit Krasniqi

58’ Januzi nga e djathta në qendër e shërben majtë Bardhokun i cili posa futet brenda zonës gjuan, devijim, pranë pingules së majtë të portierit.

59’ Dajaku ende “ujku i moçëm”,  e shërben bukur Sadriun i cili duket se i ikën Ibrahimit e Halitit, lirohet pak nga ta, gjuan, por këmba e Halitit ndal top të rrezikshëm drejt portës së Bekajt.

60’ Diar Miftaraj me top të lartë e “qet” Hilën krejtësisht të vetmuar i cili bukur nga e djathta e shërben John-in i cili me portën zbrazët e vendos topin në rrjetë – 3:0.

62’ Endrit Krasniqi gjuan ballore, pak e lartë.

66’ Sadriu ballore nga gjuajtja e lirë, pak e lartë.

66’ John e shërben Ahmetin majtë, harkon, Korenica gjuan me kokë, pret e shpëton Kaçiu.

Oto John

67’ Rrezikon edhe Ergyn Ahmeti, por sot është dita e portierit Kaçiu, pret.

71’ Pas kundërzbritjes, Korenica nga e majta e shërben Ukën e vetmuar me portier, nuk ia qellën portës, gjuan jashtë.

72’ Sadriu bukur prapa shpinës së mbrojtjes prishtinase e pason te Albin Krasniqi i cili pak nga e majta edhe më bukur shënon në cepin e kundërt – 3:1.

75’ Bardhoku ia vazhdon majtë Korenicës e ky harkon në shtyllën e parë për John që gjuan me kokë, shpëton Kaçiu, pret sërish.

77’ John merr top nga mbrojtësit mysafir, ia kthen Korenicës e ky Hilës së vetmuar me portier e që gjuan drejt në të. Rast ideal shënimi.

81’ Aksion i mirë i Ferizajt, në fund Dajaku provon ballore të ulët, skaj pingules së djathtë.

81’ Tjetër rast i Prishtinës, pasime të Ibrahimit që del në sulm, Korenica në zonë e kthen te John, gjuan, pret Kaçiu.

Taulant Dajaku - Ardit Hila

83’ Uka e shërben Hilën që gjuan nga 22 metra ballore, sërish Kaçiu e ndal topin në cepin e djathtë të tij.

86’ Tani Ahmeti e shërben Hilën gjuajtjen e të cilit e ndal kush tjetër pos Kaçiut.

Ardit Hila

90’+2 Gjykohet penallti në Bekajn pas një intervenimi në zonë. Gardiani prishtinas shumë i revoltuar, i zëshëm që nuk kishte ndërhyrë, por gjyqtari Murtezi jep penallti.

90’+3 Nga pika e bardhë gjuan Dajaku, pret Bekaj, por topin e kthyer nga portieri prishtinas sërish e mbërrin Dajaku i cili posa shënon nuk gëzohet për respekt të ish-skuadrës së tij, Prishtinës - 3:2.

Visar Bekaj

Deklaruan:

Armend Dallku:
S’kisha thënë fitore e mundimshme, pa marrë parasysh dy golave të pësuar e që për mua ishin shumë naiv, ndërsa ne përveç tre golave kishim mundësi të shënonim së paku edhe gjashtë gola e që nuk u realizuan për meritën e portierit kundërshtar apo mosqetësisë së futbollistëve të mi brenda 16-të. Besoj fitore me meritë, megjithëse një pjesë e parë jo e mirë, e vakët. Por, pas pushimit folëm me djemtë që të rritet angazhimi dhe shpejtësia e lojës, intensiteti dhe presioni ndaj kundërshtarit dhe si rezultat i asaj u shënuan edhe golat. Rëndësi kanë pikët në këtë moment, por edhe pësimi i golave më bënë jo të lumtur, sepse pësuam në mënyrë naive. Tani e kemi për detyrë të rikuperojmë skuadrën për ndeshjen me Dritën dhe të shohim gjendjen e tyre se cili ka gjendjen më të mirë optimale dhe të shkojmë normalisht për fitore, sepse e kemi një konkurrent direkt për kreun e tabelës dhe shpresojmë t’ia arrijmë qëllimit.   

Ahmed Januzi:
Pas shënimit të golit të parë ndryshoi situata duke marrë më shumë vetëbesim në pjesën e dytë duke e hapur edhe më mirë rezultatin për ne e që besoj me meritë morëm tre pikë. Çdo shënim goli e ka kënaqësinë e vet, por është edhe çlirim, sepse rritet vetëbesimi, mirëpo nuk kanë aq shumë rëndësi golat sa ka rëndësi loja e mirë si grup dhe rezultati që të na jep vetëbesim si ekip komplet. Por, normalisht çdo shërbim ka shumë rëndësi si individ dhe për mua personalisht. Tani kemi përballjen me Dritën dhe ne e respektojmë çdo kundërshtar, por ne kemi qëllimin tonë i cili dihet dhe pavarësisht se kemi kundërshtar të fortë ne do të shkojmë të luftojmë të bëjmë lojën tonë për tre pikët e që shpresoj se do të na ecën mirë ashtu siç dëshirojmë. 

Plisat