Lajme

Java XXI: Prishtina – Feronikeli 1-1

Java XXI: Prishtina – Feronikeli 1-1

Prishtina sërish dëmtohet rëndë nga gjyqtari, por nuk mposhtet!

Armend Thaqi

Prishtinë, 6 mars 2019 – Prishtina nuk ia doli kundër Feronikelit dhe gjyqtarit Çaka. Prishtina mrekullisht po e mbronte rezultatin 1:0 me gjithë lëndimin e realizuesit të golit të Prishtinës (17’) Bekteshit të lënduar dhe tre rokadave jo të natyrshme në mbrojtje. Zhvillohej minuta e 57-të, Boshnjaku ndërhyn nga e djathta, ishte vetëm ndërhyrja e dytë në tërë ndeshjen. Ndërsa në pjesën e parë ishte ndëshkuar në startin e parë e që paraprakisht ishte Boshnjaku i fauluar dhe Prishtinës iu deshtë 35 minuta të luante me një futbollist më pak.

Lorik Boshnjaku

Detaji kryesor i vendimit të Çakës ishte minuta e 68-të, portieri mysafir kishte lëshuar portën dhe humbur topin i cili tani me portën zbrazët ishte në pronësi Ergyn Ahmeti, ndërsa e ndali si futbollist i fundit Dabiqaj. Gjyqtari Çaka, të cilin Prishtina e mbronte edhe kur humbte dhe kur merrte karton të kuq me të, nuk e sanksionon mesfushorin mysafir me të kuq, vetëm me të verdhë.

Ergyn Ahmeti

FC Prishtina është maksimalisht e indinjuar me përbuzjen, me gjykimin me kritere me dy standarde, në Podujevë të shtunën dhe sot me Feronikelin. Dhe prapë, as me një futbollist më pak në fushë nuk u mposhtë, përkundrazi, Ergyn Ahmeti me pak fat mund ta mbyllte rezultatin me fitore (85’).

Prishtina edhe me pesë pikë mbrapa, edhe pa 4-5 lojtarë kryesor e me një futbollist më pak e atakoi kundërshtarin duke e kërkuar fitoren. Prishtina sot tregoi që nuk iu frikësohet kundërshtarëve, por, sikurse vitin e kaluar, armiku më i madh është gjykimi i njëanshëm tendencioz, me të cilët as ekipet më të mëdha nuk ia dalin.

Kanë mbetur edhe 12 ndeshe deri në fund dhe Prishtina do të vazhdoj të këmbëngul duke luajtur futboll. Ndërsa 5 pikë nuk janë shumë, kaq kishte Feronikeli edhe në vjeshtë e ishte kaluar dhe kjo, po pati futboll të rregullt, mund të kalohet edhe tani.

FC Prishtina

Java XXI

Prishtina – Feronikeli 1-1 (1-0)

Golat: Leotrim Bekteshi 17’ – Mendurim Hoti 65’

Shikues: 4.000

Gjyqtarë: Dardan Çaka (Vu), Besnik Morina (Vu), Elvis Bicaj (Is) – Mervan Bejtullahu (Gjl)

KV: L. Boshnjaku, G. Mankenda, M. Pefqeli, D. Hasanaj – M. Hoti, A. Dabiqaj

Pozita jashtë lojës: Pri 2-1 Frn

Kornerët: Pri 2-9 Frn

Gjuajtjet totale: Pri 6-11 Frn

Gjuajtjet në portë: Pri 1-3 Frn

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj /c/ – 2. Armend Thaqi, 28. Leotrim Kryeziu (16. Donat Hasanaj – 40’), 8. Ahmet Haliti, 3. Jamal Arago – 5. Diar Miftaraj, 7. Lorik Boshnjaku, 18. Ergyn Ahmeti – 10. Meriton Korenica (77. Mergim Pefqeli – 61’), 15. Gauthier Mankenda, 19. Alen Jasharoski (17. Arbër Hoxha – 79’).
Zëvendësues: Alban Muqiqi, Agon Xhaka, Argjend Mustafa, Marjo Morina. Kryetrajner: Mirel Josa

Feronikeli: 12. Florjan Smakiqi – 21. Përparim Islami, 5. Lapidar Lladrovci /c/, 33. Arbër Prekazi, 99. Yll Hoxha, 4. Albert Dabiqaj (19. Albutrint Morina – 86’), 27. Met Millaku (18. Artur Magani – 64’), 10. Astrit Fazliu (17. Kode Hamed – 85’), 11. Jean Da Silva, 24. Kastriot Rexha. Kryetrajner: Zekerija Ramadani.

Gauthier Mankenda

Komenti:

Prishtina nisi mirë ndeshjen kur nga harkimi i bukur i Thaqit prej gjuajtjes së lirë përfundoi me golin me kokë të Bekteshit (17’). Pasta, mysafirët provuan të sulmonin, patën disa gjuajtje, por asnjë të rrezikshme në kuadrat.

Me daljen e Bekteshit pas lëndimit, vija e fundit u zhvendos në tërësi, Thaqi doli mbrojtës i majtë pozitë nga Arago doli në qendër të mbrojtjes, kurse Hasanaj në krahun e djathtë.

Leotrim Bekteshi

Edhe kjo frikë u mposhtë dhe Feronikeli, me gjithë se padyshim po luante mirë, nuk po gjente fare hapësira as për gjuajtje në kuadrat.

Krejtësisht ndryshuan gjërat me daljen me të kuq të Boshnjakut. Mysafirët nga një këndore ia dolën të organizonin sulm të mirë dhe me shënimin e Hotit me kokë nga pozitë e afërt ballore me portë.

Prishtina s’kishte çfarë të humbte e hapi lojën në tërësi, aq sa u ndje i kërcënuar edhe skuadra vendase dhe më nuk po sulmonte me shumë futbollistë duke u kënaqur edhe me barazim, me gjithë se e tentuan fitoren, por nuk patën forcë ta gjenin.

Ngjarjet do të rridhnin krejt ndryshe sikur t’ishte përjashtuar Dabiqaj dhe skuadrat të mbetnin me forca të barabarta. Edhe kështu, edhe pse me rrezik të madh mbrapa, Prishtina po e tentonte të “vidhte” golin e fitore çka mundësi të jashtëzakonshme pati Ahmeti kur brenda zonës nga e djathta gjuajti, la të shtangur portierin, por topi nuk u fut në portë për disa centimetra.

Pas ndeshjes, ekipi prishtinas ishte shumë i mllefosur në gjykim duke e shprehur haptas çdo anëtar i ekipit dhe klubit.

Minutë pas minute:

7’ Nisje e mirë e Hotit nga e majta pranë 3-4 futbollistëve vendas, pastaj pak më nga qendra gjuan, por larg pingules së djathtë.

Alen Jasharoski - Perparim Islami

14’ Tjetër rast i mysafirëve, harkimin e Islamit, që sot mbase luajti ndeshjen më të mirë në karrierë, e gjuan me kokë Rexha, jashtë.

Leutrim Bekteshi

17’ Prishtina organizoi sulm ideal, topi u fut në zonë, por më parë u pengua një futbollist vendas dhe u akordua me të drejt gjuajtje e lirë. Armend Thaqi mjeshtërisht e harkoi në shtyllën e dytë nga Leotrim Bekteshi u shkëput e me kokë drejtoi topin në këndin e sipërm të portierit – 1:0.

Prishtina - Feronikeli 1-1

28’ Nga këndorja e djathtë e nisur shkurt, pastaj Islami e harkon në zonë e Rexha megjithëse gjuajti rrezikshëm, Çaka i fali edhe këndore.

31’ Hoxha e harkon nga thellësia, Fazliu nuk ia doli të kthente topin drejt portës, jashtë.

45’+1, Kundërzbritje e organizuar mirë mbyllet me gjuajtjen e Jasharoskit nga distanca, por pak e lartë.

Alen Jasharoski

51’ Ahmeti e vazhdon para zonës te Jashari e ky bukur e shtyn te Korenica në zonë djathtë, as nuk gjuan as nuk pason, pothuajse e dorëzon me gjuajte të plogësht topin te portieri.

Meriton Korenica

54’ Këndore e mysafirëve, Bekaj e grushton, pastaj u provua gjuajtje e cila devijoi dhe topi përfundon majtë te Hoti që gjuajti lartë.

55’ Fazliu ia shtyn në zonë Silva-s që gjuajti ulët e topi i devijuar shkoi fare pranë portës.

57’ Gabon Hasanaj djathtë, me gjasë ishte Fazliu, e pengon Boshnjaku dhe Çaka mezi s’pret të ndëshkoj me kartonin e dytë të verdhë dhe Prishtina pa të drejt mbeti me një futbollist më pak.

59’ Nga e majta prej gjuajtjes së lirë harkon Fazliu e nga e dyta Lladrovci gjuan me kokë jashtë.

63’ Hoxha harkon këndoren, Rexha gjuan jashtë, por Çaka ia fal edhe një këndore. Dhe sërish kërcënon Feronikeli nëpërmjet Hoxhës që gjuan jashtë.

65’ Edhe një këndore nga e djathta e organizuar mirë e duke e pasur topin djathtë e Rexha me kokë e kthen para portës te Hoti që u gjend vetëm me Bekajn dhe gjuajtjen me kokë e përfundon në këndin e sipërm të portës – 1:1.

66’ Bukur harkon Pefqeli nga e djathta e Mankenda me kokë për pak nuk shënon, jashtë.

Gauthier Mankenda

68’ Gabon rëndë portieri e qet topin djathtë, e merr Ergyn Ahmeti e niset nga porta e zbrazët, por e pengon Dabiqaj, por ndëshkohet vetëm me karton të verdhë, jo me të kuq.

70’ Thaqi e mbyll gjuajtjen e lirë me gjuajtje pak të pasaktë mbi tra.

72’ Hasanaj nga thellësia e harkon, Pefqeli gjuan larg me kokë.

77’ Maganit i del topi para portieri Bekaj i cili bukur e bllokon pamjen dhe e ndal gjuajtjen duke shpëtuar gol të sigurt.

82’ Rexha – Hoti reagon dobët pastron Bekaj.

85’ Pefqeli ia vazhdon Ergyn Ahmetit djathtë e futet në zonë dhe e shënjestrën këndin e majtë, portieri u shtang, por topi nuk u fut në rrjetë.

90’+3 Hamed depërton nga e djathta e në qendër dhe gjuan plogësht.

Deklaruan:

Mirel Josa: Mua më intereson që skuadra ime punoi. Nuk mund të flas për rezultatin real, ose jo real, atë e përcaktuan episodet duke pasur parasysh se ne në avantazh 1:0 mbetëm me dhjetë lojtarë. Aty hasëm në vështirësi të them të drejtën duke e pasur parasysh cilësinë e lojtarëve të Feronikelit. Por, jam shumë i kënaqur me ekipin kur ishte me dhjetë lojtarë mund të ndodhte edhe kartoni i kuq për Feronikelin në momentin e humbjes topit dhe fitimit të topit, sepse portieri ishte komplet jashtë portës dhe lojtari ynë po shkonte drejtpërdrejt nga porta. Mendoj që u veprua me dy standarde, jo qëllimisht, por gabim. Megjithatë unë jam i kënaqur me skuadrën time për mënyrën se si luajti, në mënyrën se si vrapoi dhe se si ishte e impenjuar nga gjithë kohës. Tashti s’kemi çfarë themi gjë tjetër, lufta vazhdon deri në fund. Të tria skuadrat rivalizojnë njëra tjetrën ku do që luajnë. Kemi edhe një javë për të luajtur dhe pastaj shohim e bëjmë llogaritë.     

Armend Thaqi: E nisëm mirë ndeshjen, e dënuam kundërshtarin, e patëm lojën, mirëpo me daljen e Boshnjakut pa të drejt nga loja, sepse në këso lloj derbish të jepen dy kartonë në dy ndërhyrje të vetme, mendoj që na e prishi krejt mënyrën e lojës. Provuam të bëjmë gjithçka aq sa mundëm edhe pa një lojtar, por ky ishte rezultati dhe nuk ka përfunduar asgjë, sepse nuk janë asgjë pesë pikë diferencë.  Vërtetuam se nuk mund të na mposhtin edhe me një futbollist më pak, s’kanë mundur as atje në lojën e parë, e as këtu edhe pse janë pesë pikë më shumë. Po ashtu edhe rasti i Ergyn Ahmetit, ishte i vetëm me portën zbrazët dhe po t’i ndodhte Prishtinës jam i sigurt që do të na ndëshkonte me të kuq.

Zekerija Ramadani, kryetrajner i Feronikelit:  Neve na konvenoi më shumë ky rezultat. Para takimit kam thënë se vijmë që mos ta humbim takimin. Tani si shkoj loja, patëm një futbollist më tepër pothuajse 30 minuta, krijuam disa raste…ndoshta është keq të themi që rezultati ishte real, mirëpo objektivi jonë ishte sot që mos të humbnim edhe pse ndoshta kemi mundur të ndëshkonim Prishtinën. Na lejuan në fillim të krijonim, pastaj u mbrojt mirë dhe kam edhe fjalë pozitive për Prishtinën se në fund edhe me një futbollist më pak na rrezikuan dy-tre herë. 

Foto: Roland Racaj

Plisat