Lajme

Java XXI: Trepça – Prishtina 1-2

Java XXI: Trepça – Prishtina 1-2

Bardhekaltrit kanë fituar ndeshje jashtëzakonisht dramatike

Gauthier Mankenda

Mitrovicë, 11 mars, 2017 – Trepça si klub më në vështirësi, por, si ekip me angazhimi maksimal, loja shumë e mirë taktike nga ta, i bëri ballë bardhekaltërve. Jo vetëm kaq. Prishtina si asnjëherë në këtë edicion e dominoi kundërshtarin me lojën për toke e duke e shëtitur mjaft mirë topin. Por, vendasit shënuam befasisht gol jashtëzakonisht të bukur dhe humbën dy raste të sigurta ta mbyllnin ndeshjen. Pas kësaj, Prishtina më s’kishte çfarë të humbiste, sulmonte edhe pa koncept. Dhe, dëshira e madhe e futbollistëve për rikthim dha fryt. Së pari nga pika e bardhë shumë e kontestuar dhe me ndalim loje mëse 10 minuta, pastaj edhe një kundërzbritje vrastare në çastet e fundit dhe gjithçka mori fund. Pra, Prishtina fitoi shumë më vështirë se që priste, kurse vendasve po t’ju ofrohej ky rezultat para ndeshjes mbase s’do të hezitonin ta pranonin, por në fund jashtëzakonisht të revoltuar dhe me shumë tensione, por që u mbyll pa ndonjë konflikt, përveç atij verbal. Tek e fundit, është ky derbi ndërmjet dy klubeve që kanë bërë historinë e futbollit tonë nga paslufta e dytë botëre, edhe pse në hije nga rezultatet momentale, dhe derbi prodhon këso situatash dramatike.

Trepça - Prishtina 1-2

Prishtina me këto tre pikë mbetët padyshim në luftë për titull, por së pari duhet të mendoj për ndeshjen për Kupë që zhvillohet të mërkurën ndaj Besës në Pejë.

Trepça

Java XXI

Trepça – Prishtina 1:2 (0:0)

Golat: Enis Zabërxha 57’ – Liridon Leci 90+3 (pen), Gauthier Mankenda 90+12’

Shikues: 500

Gjyqtarë: Gramos Shala (Pe), Jakup Musolli (Pd), Driton Preniqi (Ka) – Leutrim Mustafa (Pd)

KV: A. Muja, S. Sahiti, E. Zabërxha, Y. Prekopuca, K. Kutllovci – A. Dallku, L. Maxhuni, L. Boshnjaku

Pozitat jashtë lojës: s’ka

Kornerët: Tre 4-8 Pri

Gjuajtjet totale: Tre 5-7 Pri

Gjuajtjet në portë: Tre 2- 6

Trepça: 1. Petrit Tahiri – 22. Samir Sahiti, 23. Amir Prishtina, 5. Kujtim Kutllovci /c/, 3. Milot Kamberi, 11. Florent Avdyli, 18. Ergyn Ahmeti, 13. Ylli Prekopuca, 17. Arbnor Muja (9. Bajram Zuqaku – 52’), 19. Jon Katanolli (10. Liridon Voca – 46’), 7. Enis Zabërxha (21. Voca – 90’). Kryetrajner: Fidaim Haxhiu.

Prishtina (4-3-3): 1. Alban Muqiqi – 22. Lorik Maxhuni, 4. Armend Dallku /c/, 13. Liridon Leci, 93. Mergim Neziri (18. Gentrit Dumani – 54’) – 6. Debatik Curri, 7. Lorik Boshnjaku, 16. Genc Hamiti (21. Liridon Kukaj – 69’) – 15. Gauthier Mankenda, 66. Arbër Hoxha, 25. Basit Abdul Khalid (10. Gentrit Begolli – 69’). Kryetrajner: Lutz Lindemann. Zëvendësues: Visar Bekaj, Donat Hasani, Atdhe Grajqevci, Kastriot Selmani.

FC Prishtina

Komenti:

Prishtina sot kishte gjashtë mungesa, Ahmed Januzi, Shend Kelmendi, Endrit Krasniqi, Blend Baftiu, Bleon Sekiraqa, Mergim Pefqeli.  Por nisi lojën mirë duke luajtur shtruar për toke, duke krijuar hapësira sa në njërën anë, sa në tjetër, sidomos me të riun Arbër Hoxha që sot ishte individ mjaft i dalluar. Por, raste nuk ia dilte të krijonte, më shumë për meritë të mbrojtjes së ngjeshur e disiplinuar të vendasve, ndërsa në pjesën e parë kishte pengesë edhe frymën e madhe.

Genc Hamiti

Pjesën e dytë bardhekaltrit hynë edhe më furishëm, por shpejtë u gjunjëzuan pas aksionit të përkryer të vendasve dhe golit të bukur të Zabërxhes. Pastaj patën edhe dy kundërzbritje të rrezikshme. Por, Prishtina nuk ndalej, insistonte, qëlloi edhe traversën me të pandalshmin, Boshnjakun. Kur pritej fundi, pasim i saktë i Lecit për Mankendën që ishte në rast dhe pengohet nga Kutllovci. Leci e shndërroi në gol. Pastaj plot 10-minuta nuk u luajt, tensione në fushë e sidomos te bankina e vendasve. Kur veç vazhdoi, aksion i shpejtë, Leci nga e majta gjeti Begollin djathtë e ky saktë për Mankendën i cili lufton duelin dhe shënon me kokë. Fitore e çuditshme kjo në një ndeshje që pati momente të mira loje e momente të dobëta loje dhe zor e titulluar se çfarë ishte. Por, tre pikët gëzojnë, sidomos për moralin e futbollistëve para përballjes me Besën për Kupë e gjithashtu edhe për vazhdim të kampionatit.

Arbër Hoxha

Minutë pas minute:

3’ Prekopuca nis aksionin nga e djathta e vazhdon për Sahitin e topi për Zabërxhen para portierit Muqiqi, por nuk gjuan me kohë dhe mbrojtja prishtinase largon rrezikun.

Basit Abdul Khalid

6’ Prekopuca rrezikon nga gjuajtja e lirë, por pak lartë.

8’ Avdyli provon nga e para nga distanca, jashtë.

Arbër Hoxha

14’ Arbër Hoxha depërton nga e majta, e kalon një mbrojtës e hyn në zonë dhe as nuk gjuajti as nuk e gjeti ndonjë futbollist, kurse aksioni nga ai ishte tejet i mirë.

16’ Dallku rrezikshëm nga goditja e dënimit para zonës, mezi pret dhe dëbon në këndore portieri Tahiri.

Genc Hamiti

33’ Mankenda fiton topin, ia vazhdon në vijë Khalid që i ikën ndjekësit dhe kroson në zonë, vendasit s’ia dalin të largojnë dhe Genc Hamiti disi ia del të gjuaj me kokë dhe portieri Tahiri pret dhe me tentimin e dytë kap topin, por edhe Hamiti shkaktoi faull.

Petrit Tahiri

42’ Assesi s’ishte që gjyqtarët sot ndihmuan Prishtinën. Dallku pengohet, nuk i gjykohet faull të cilin këtë e kërkon nga asistenti Musolli i cili nuk ngurron të sugjeronte të ndëshkojet kapiteni.  Dhe Dallku merr kartonin e pestë të verdhë që do të penalizoj atë në ndeshjen e javës së XII me Dritën.

Armend Dallku

49’ Ahmeti provon gjuajtjen, por e plogësht, jashtë.

53’ Mankenda pason për Currin i cili gjuan ballore, topi devijohet dhe nuk hynë në portën e Tahirit që ishte gjuajtur në anën tjetër, por del skaj pingules dhe këndore.

56’ Leci provon nga goditja e dënimit prej distancës, e kap Tahiri.

Gentrit Dumani

57’ Shok për Prishtinën. Vendasit luajnë përkryer me pasime para zonës mysafire dhe në fund shërbehet Enis Zabërxha që nuk pyet për frymën që fryente kundër drejtimit të gjuajtjet së përsosur të tij dhe s’kishte çfarë bënte as portieri Muqiqi – 1:0.

83’ Avdyli nga para zona pason për Kamberin majtë dhe del përball portierit Muqiqi që i kishte ngushtuar këndin dhe sikur e frikëson futbollistin vendas të tentonte portën, por provoi pasimin para portës e nuk e mbërrihu askush dhe rasti i sigurt shkoi huq.

Lorik Boshnjaku

84’ Boshnjaku depërton nga e majta dhe ngrit topin lartë të cilin se preku askush e qëllon traversën e kthehet sërish në fushë.

87’ Ahmeti pason për Avdylin që ishte në pozitë ideale, por gjuan keq e jashtë.

Liridon Leci

90+1’ Leci e shërben në zonë Mankendën që po depërtonte drejt portës, por pengohet nga mbrojtësi Kutllovci. Megjithë hamendjen, gjyqtari Shala jep shenjë në pikën e bardhë.

90+3’ Pas dy minutash protesta, më në fund nga pika e bardhë gjuan Liridon Leci dhe barazon në 1:1.

Trepça - Prishtina 1-2

90+3’ Loja assesi s’po vazhdon. Ka rrëmujë para bankinës së vendasve. Por edhe në qendër të mesfushës nga futbollistët.

90+12’ Më në fund nis ndeshja, vendasit e humbin topin i cili me shpejtësi me disa pasime shkon majtë te Liridon Leci, e ky pason për Gentrit Begollin në krahun tjetër që e kthen para portës për Gauthier Mankendën që e fiton dyluftimin në ajër me futbollistin vendas dhe dërgon topin në rrjetë, gëzim i madh i bardhekaltërve - 1:2.

Trepça - Prishtina 1-2

Deklaruan:

Gauthier Mankenda:Të them të drejtën nuk e prisnim të ishte ndeshje e vështirë. Por edhe ne bëmë përpjekje maksimale që ta fitonim atë. Besoj se fituam me meritë dhe jam i kënaqur dhe i gëzuar për këto tre pikë, sepse i morëm edhe më shumë mund, por me shumë vleftë.

Arbër Hoxha: Së pari dua të falënderoj kryetrajnerin Lindemann i cili besoi tek unë dhe vendosi që unë të jem titullar. Dhe besoni, unë nga vetja dhashë 200% tim vetëm që të arrinim të fitonim këtë lojë që na doli të ishte e vështirë, edhe pse kundërshtari nuk ishte i një rangu me ne, por që edhe me fat ia dolën të na shënonin. Por, ne nuk u dorëzuam për asnjë sekondë dhe arritëm që në minutat e fundit të shënonim dy herë dhe t’i gëzojmë tre pikë.

Gentrit Begolli: Mendoj se e nisëm mirë ndeshjen, por me kalimin e kohës ne patëm një rënie të ritmit të ndeshjes, ndërsa edhe pësuam gol. Pastaj me të gjitha forcat u hodhëm në sulm ku treguam karakterin e skuadrës dhe fituam ndeshjen me plotë meritë.

Avni Durmishi