Lajme

Java XXII: Besa – Prishtina 1-3

Java XXII: Besa – Prishtina 1-3

Bardhekaltrit tani shkëputen me 4 pikë përpara Dritës

Pejë, 11 mars 2018 –  Prishtina ka vazhduar serinë pozitive prej 10 ndeshjeve pa humbje, por ç’është më e rëndësishmja, fitorja kundër rivalit të madh, edhe pse e rrezikuar nga rënia, i ka sjellë skuadrës shkëputjen momentale në klasifikim prej katër pikësh.

Fitoren Prishtinës ia siguruan golat Gauthier Mankenda 10’, Armend Dallku 39’ (p) dhe Ahmed Januzi 81’. 

Përndryshe, ishte kjo ndeshja e tretë në shtatë ditë dhe skuadra edhe për shtatë ditë tjera i ka edhe dy përballje tjera, në mesjavë me Trepçën ’89 në Pejë dhe në fundjavë në Skenderaj me Drenicën (ky orar vlen në nuk krijohet minitabela e skuadrave që kanë pikë të njëjta në klasifikim pas mbylljes së fazës së dytë).

Java XXII

Besa – Prishtina 1:3 (1:2)

Golat: Florent Qorraj 28’ – Gauthier Mankenda 10’, Armend Dallku 39’ (p), Ahmed Januzi 81’

Shikues: 1.000

Gjyqtarë: Mervan Mejtullahu (Gjl), Besnik Morina (Vu), Fatlum Jashari (Gjl) – Shpetim Murtezi (Gjl)

KV: F. Papuqi, M. Rexhaj, F. Kasapi, F. Mulabeqireviç – D. Bozhoviç, A. Januzi

KK:  F. Mulabeqireviç (2KV – min. 40’)

Pozita jashtë lojës: Besa 2-1 Pri

Kornerët: Besa 0-5 Pri

Gjuajtjet totale: Besa 4-11 Pri

Gjuajtjet në kuadrat: Besa 3-7 Pri

Besa: 1. Visar Haxhijaj – 13. Florent Papuqi, 3. Landrit Rama, 5. Mergim Rexhaj, 22. Robert Gjeraj, 8. Donart Sheqerolli (14. Elvis Hysenaj – 74’), 21. Endrit Maloku (24. Liridon Balaj – 62’), 10. Fetim Kasapi /c/, 17. Florent Qorraj, 20. Tihomir Zhivkoviç (11. Shkëmbim Salihu – 84’), 7. Fatmir Mulabeqireviç. Kryetrajner: Valdet Shoshi.

Prishtina (4-3-3): 12. Visar Bekaj – 88. Përparim Osmani, 4. Armend Dallku /c/, 6. Debatik Curri, 13. Abdul Bashiru – 66. Ergyn Ahmeti (7. Lorik Boshnjaku – 68’), 3. Jamal Arago (21. Blend Baftiu – 84’), 29. Drashko Bozhoviç – 10. Mentor Mazrekaj (17. Arbër Hoxha – 56’), 15. Gauthier Mankenda, 27. Ahmed Januzi. Zëvendësues: Alban Muqiqi, Lorik Maxhuni, Agon Xhaka, Liridon Fetahaj. Kryetrajner: Mirel Josa.

Komenti:

Prishtina sot ka shënuar 3 gola, ka qëlluar dy herë shtyllën dhe ka humbur nja 4-5 raste të qindpërqindta, megjithatë nuk mund të thuhet që shkëlqeu, por të rëndësishme janë tre pikët, dalja e shpeshtë e skuadrës përpara dhe krijimi i një mori rastesh.

Skuadra nisi mirë ndeshjen duke qëlluar traversën me Mankendën e pastaj pas asistimit të 6-të Bozhoviç erdhi edhe goli i 5-të Mankendës. Pastaj skuadra sikur u shpërqendrua dhe me lehtësi të madhe pranoi gol. Por, ishte Mankenda që duke nxjerrë penallti (Rexhaj luajti me dorë) asistoi për Dallkun që nga pika e bardhë me golin e tij të 4-të të riktheu epërsinë.

Pjesa e dytë megjithëse vendasit luajtën me një futbollistë më pak, luajtën mjaft lartë, por pa rrezikuar pothuajse asnjëherë, ndërsa me aktivizimin e sulmuesit të dytë të qendrës nga Prishtina me Hoxhën dhe rreshtimit në 4-4-2 nga ai 4-3-3, skuadra krijoi një mori rastesh, por edhe golin e tretë pas asistimit mjeshtëror të 6-të Bozhoviç dhe golit të 5-të Januzit. Skuadra pati raste ideale, dy herë me Hoxhën, me Baftiun që qëlloi pingulen, por edhe dy gjuajtje me kokë të Januzit e sidomos Bozhoviç, e që shkuan jashtë portës.

Minutë pas minute:

2’ Kasapi në dyluftim me Ahmetin rrëmben topin dhe ia del të afrohet deri para zonës, por gjuajtja e tij nuk pati aq fuqi sa të befasonte Bekajn që e kap topin pa vështirësi.

4’ Aksion i mirë nga e majta dhe bashkë veprimit të Mazrekajt e Aragos, i pari pastaj e harkon në zonë për Mankendën që shkëputet, e topin ia del të prek portieri vendas e të qëllon traversën dhe topi nuk hynte në rrjetë deri sa Januzi në për ta shtyrë atë në rrjet shkakton faull.

10’ Gjuajtjen e lirë nga e djathta për mrekulli e harkon Bozhoviç afër shtyllës së dytë aty ku ndodhej Mankenda dhe pa problem e vendos topin në rrjetë – në këndin e ulët të majtë – 0:1.

28’ Pas golit, Prishtina çuditërisht u ndal duke shkaktuar gabime të njëpasnjëshme, sidomos në mesfushë dhe dënimi erdhi, kur vendasit disi u futën në zonë dhe nga e majta kapiteni vendas me mjeshtëri pasi që e mbrojti topin për disa momente, e ngrit atë lartë duke e qitur krejtësisht të vetëm Qorrajn me portierin Bekaj e që se pati të vështirë ta mposhte atë – 1:1.

37’ Prishtina del përpara, Mankenda lufton fortë me mbrojtësit vendas që ua rrëmben topin nga e djathta dhe duke dashur të rikthente para portës, Mërgim Rexhaj e ndal me dorë dhe gjyqtari nga Gjilani, Bejtullahu gjykon në pikën e bardhë.

39’ Nga pika e bardhë i saktë është kapiteni Armend Dallku – 1:2.

40’ Mulabeqiroviç kishte shumë kohë që me “start” kishte ndalë Ahmetin dhe ishte ndëshkuar me kartonë të verdhë. Tani, afër vijës fundore përball portierit Bekaj simulon për penallti dhe ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, respektivisht me karton të kuq.

59’ Gjeraj kroson nga e djathta e Maloku megjithëse i mbuluar në zonë, ia del të gjuaj, por plogësht e jashtë.

68’ Më në fund skuadra del përpara, Jamal organizon kontra, pason gjatë për Hoxhën majtë i cili pasi që kaloi një futbollist e ktheu para zonës te Mankenda i cili gjuan, por portieri vendas disi e ndalë.

70’ Sërish kundërzbritje, Januzi e qet Hoxhën me portier, por nuk gjuan, hynë në zonë duke dashur të del në anën e majtë e humb topin në senduiç nga dy lojtarë vendas.

71’ Bozhoviç harkon nga këndorja e djathtë, Januzi në shtyllën e parë bukur shkëputet e gjuan, por jashtë pingules, për pak i pasaktë, këndi i portës ishte krejtësisht i lirë.

72’ Tani Mankenda e qet Hoxhën me portier, i cili nuk gjuan, tenton ta kalojë atë, por i ngatërrohet topi me këmbën dhe rasti i sigurt goli shkon në pakthim.

73’ Kasapi tenton të rrezikoj me gjuajtje nga ndërprerja, pa problem portieri Bekaj.

80’ Osmani e vazhdon me top të lartë te Hoxha i cili e kalon mbrojtësin Rexhaj, ikën pak djathtë e gjuan, pret portieri me fat vendas.

81’ Bozhoviç nga mesfusha si me dorë me top të lartë e qet Januzin përpara i cili posa del me portierin Haxhijaj të cilët lehtë ia lëshon topin në anën e majtë dhe 1:3.

89’ Edhe një aksion i mirë, Januzi nga e djathta e harkon topin në shtyllën e dytë, ndërsa Bozhoviç me gjuajtje me kokë e huq portën thatë, jashtë.

90+3’ Hoxha ia vazhdon Baftiut bukur majtë ndërsa ky i fundit futet më në qendër e gjuan rrëmbyeshëm, por qëllon pingulen e djathtë.

90+3’ Boshnjaku gjuan nga distanca, e fortë, por pret portieri vendas.

Deklaruan:

Mirel Josa: Nuk ishte problemi se ne kishim nënvlerësuan shumë lojën sot, e vlerësojmë ekipin e Besës pavarësisht rezultateve dhe vendit në pozitë që ka. E dija që do të ishte ndeshje e vështirë, pavarësisht se fituam 3:1 dhe mos e shihni vetëm rezultatin, sepse ndeshja ishte e vështirë dhe nuk ishim ata që duhej të ishim e ku na mungonte freskia pak sot nga ndeshjet e njëpasnjëshme që kemi bërë. Megjithatë e rëndësishme që morëm tre pikë dhe vazhdojmë rrugën për të parë se cilat skuadra i kemi përballë. Tani me këtë ndeshje mbaroi faza e dytë dhe para ndeshjes kisha folur me lojtarët si të ishte finale dhe pastaj të shohim vazhdimësinë për fazën tjetër. Në përgjithësi nga puna e lojtarëve unë jam i kënaqur, normalisht ka edhe më mirë edhe pse e mira nuk ka fund siç kam thënë edhe herëve të tjera. Të shohim tani se si do të rikuperojmë ekipin për mesjavë. 

Gauthier Mankenda: Fitore e rëndësishme për ne, po angazhohemi dhe po luajmë për çdo pikë. Nuk na lejohet gabimi në asnjë ndeshje, na duhet t’i fitojmë të gjitha me radhë. Besoj se shfaqëm lojë të mirë dhe kjo është e rëndësishme. Tani po e mbajmë fuqishëm vendin e parë, por duhet luftuar fortë në çdo tjetër ndeshje të ardhshme që ta mbajmë deri në fund. 

Valdet Shoshi, kryetrajner i Besës: Vazhdon seria e rezultateve të dobëta, por duhet ditur se në çfarë gjendje kemi marrë klubin, kur kemi filluar me përgatitje dhe me çfarë fondi disponojmë. Sot, për fat të keq, kishim një kundërshtar të disponuar dhe më kualitativ në ligë. Mirëpo ne duhet analizuar lojën tonë dhe gjatë gabimeve që i shfaqëm, amatoreske kisha thanë, te disa lojtarë që kanë eksperiencë dhe kemi shpresuar që kanë kualitet për Besë dhe janë më të mirë, mirëpo këto po na kushtojnë. Dhe, edhe për kundër iniciativës nga gabimet pësuam dy gola. Megjithëse u rikthyem pas 0:1, pastaj mbetëm pa një lojtar dhe nuk kishim më forcë kundër një kundërshtari që kishim përball dhe që me plot meritë i argëtuan tre pikë.