Lajme

Java XXII: Prishtina – Drita 0-1

Java XXII: Prishtina – Drita 0-1

Edhe një paraqitje e dobët e Prishtinës – edhe një fitore e merituar e rivalëve

Podujevë, 17 mars, 2017 – Prishtina sot u paraqit pa disa titullarë, me rotacion në formacion dhe me debutimin e të riut 18-vjeçar, mesfushori, Atdhe Grajqevci. Por, paraqitja ishte e zbehtë dhe pothuajse fare e parrezikshme ndaj portës mysafire, asaj të Dritës. Gjilanasit kërkuan fitoren, e morën me meritë, por edhe te ta mungonte cilësia që të shënonin para një Prishtine plotësisht anemike.

Përndryshe, është kjo fitorja e parë e Dritës si mysafire e Prishtinës pas 14 vite e gjysmë dhe vetëm fitorja e gjashtë në historinë e pasluftës për gjilanasit.

Java XXII

Prishtina – Drita 0:1 (0:0)

Golashënues: Leutrim Kryeziu 78’

Shikues: 1.000

Gjyqtarë: Fatmir Tahiri (Mt), Fatmir Abrashi (Mt), Bekim Rama (Pd) – Mentor Baliu (Mt)

KV: L. Leci, G. Begolli, E. Krasniqi – A. Murati, B. Halimi

Pozitat jashtë lojës: Pri 5-2 Dri

Kornerët: Pri 5-3 Dri

Gjuajtjet totale: Pri 6-8 Dri

Gjuajtjet në portë: Pri 1-6 Dri

Prishtina (4-3-3): 1. Alban Muqiqi – 10. Gentrit Begolli (8. Endrit Krasniqi – 67’), 6. Debatik Curri /c/, 13. Liridon Leci, 93. Mergim Neziri – 99. Atdhe Grajqevci, 16. Genc Hamiti (77. Mergim Pefqeli – 58’), 7. Lorik Boshnjaku – 66. Arbër Hoxha (25. Basit Abdul Khalid – 46’), 9. Shend Kelmendi, 15. Gauthier Mankenda. Zëvendësues: Visar Bekaj, Donat Hasani, Blend Baftiu, Kastriot Selmani. Kryetrajner: Lutz Lindemann.

Drita: 18. Betim Halimi – 2. Alban Rexhepi, 15. Erdin Hashani, 5. Viktor Kuka, 4. Gëzim Gashi, 16. Florim Berisha, 11. Nderim Nexhipi (8. Bergim Maliqi – 49’), 10. Arbnor Ramadani /c/, 7. Leutrim Kryeziu (13. Qendrim Sejdiu – 82’), 14. Semir Zeneli, 99. Alban Shillova (9. Almedin Murati – 54’). Kryetrajner: Ismet Munishi.

Komenti:

Pa marrë parasysh dëshirës së futbollistëve prishtinas për fitore, ajo nuk u vërejt shumë. Deri sa në fazën ofensive mund të thuhet qëndruan mirë, por kjo nuk justifikon kur përball ishte një Dritë me jo aq shumë cilësi, dhe prishtinasit në fazën ofensive as që u vërejtën sot. Dhe, mysafirët me meritë udhëhoqën dhe vetëm atëherë “vendasit” provuan të atakonin më shumë, por pa kurrfarë koncepti apo ideje dhe si pasojë vije edhe humbja e dytë, pas asaj me Besën, vetëm brenda tre ditësh. Për momentin, Prishtina mund t’i gëzohet vetëm faktit, që ka gjeneratën e re më të mirë në Superligë dhe pothuajse çdo javë është duke debutuar ndonjëri prej skuadrës së re juniore.

Minutë pas minute:

4’ Gashi harkon nga e majta, në shtyllën e dytë nga afërsia gjuan plogësht me kokë Zeneli, në vend Muqiqi.

33’ Boshnjaku e provon gjuajtjen nga distanca, pak larg pingules.

35’ Edhe Grajqevci provon nga distanca, rrëmbyeshëm, por jashtë pingules.

36’ Zyrtarët e ndeshjes kërkojnë që tifozët mysafir ta largojnë transparentin “Hooligans” nga reklamat. Ndeshja vonon tre minuta, e cila u kompensua, por thuajse futbolli ynë ka mbetur ta zgjedh vetëm problemin e tifozëve dhe transparentave të tyre. Megjithatë tifozët mysafir e larguan nga reklamat, por e vendosën në murin ndarës të stadiumit.

49’ Nexhipi harkon rrezikshëm nga gjuajtja e lirë, Muqiqi mezi dëbon mbi këndore. Kaq sot dha asi, Nderim Nexhipi i cili edhe u zëvendësua pas kësaj gjuajtje.

55’ Maliqi kërcënon nga gjuajtja e lirë dhe sikur ta përcillte topin më mirë Kryeziu do të ishte situatë e rrezikshme, por topi përfundon jashtë.

56’ Murati hynë shpejtë në zonë, por Leci zgjatet dhe bllokon gjuajtjen.

58’ Kryeziu i “sillet” portës, gjuan nga ndërprerja, Muqiqi intervenon dhe me ndihmën e traversës shpëton, këndore.

59’ Berisha gjuan pas harkimit të këndores nga shtylla e dytë, sa rrëmbyeshëm po aq lartë kuadratit.

62’ Më në fund Prishtina kërcënon sa për të thënë që është ende në lojë. Boshnjaku nga e djathta krosoi në zonë, topi përfundoi në “të dytën” ku ndodhej Kelmendi dhe nuk reagoi mirë nga situate ideale, intervenon dhe e kap portieri Halimi.

71’ Kuka provon nga distanca, e parrezikshme për Muqiqin.

72’ Mankenda brenda zonës e kthen mbrapa për Kelmendin që gjuan tepër lartë.

78’ Kapiteni mysafir kalon një futbollist “vendas” dhe nga pozita ballore para zonës gjuan furishëm sa e trondit traversën e portierit Muqiqi, topi kthehet para portës ku gjendet Leutrim Kryeziu dhe pas tentimit të dytë i vetmuar me lehtësi mposhti portierin Muqiqi dhe gëzim i madh i gjilanasve – 0:1.

82’ Krasniqi depërton nga e djathta në zonë dhe gjuan, jo aq fortë, e kap portieri Halimi.

85’ Leci nga gjuajtja e lirë prej distancës gjuan tepër larg porte.

89’ Prishtinasit kërkojnë penallti me motivacion se Semir Zeneli kishte prekur topin me dorë brenda zonës së vetë.

90+1’ Khalid përfundon me një gjuajtje aq të lartë mbi tra duke konfirmuar formën e keqe të skuadrës.

Deklaruan:

Lutz Lindemann, kryetrajner i Prishtinës: Ky është futbolli, kur nuk shënon nga rastet e pastra, kur pëson humbje me autogol në ndeshjen e fundit, dhe kur humbet topi në mesfushë dhe pranon gol, normalisht që e humb ndeshjen. As që diskutohet më ta kërkojmë titullin. Për dorëheqje nuk dua të flas.

Ismet Munishi, kryetrajner i Dritës: Sot mund të them që kemi pasur edhe pak fat, sepse Prishtina luajti mirë. Ne i kemi ditur pikat e forta të Prishtinës dhe ka qenë “deçidive” që Prishtina ka pasur lojë të vështirë para tre ditëve, e edhe që Prishtina ka pas mungesa e kemi ditur. Kështu që për ne është fitore shumë e madhe për ne.

Avni Durmishi