
Java XXII: Trepça ’89 – Prishtina 1-2
Vendasit u treguan arrë e fortë, por jo e pathyeshme
Mitrovicë, 27 shkurt 2021 – Prishtina sot ka arritur njërën ndër fitoret më të çmueshme në këtë edicion. Nuk e meritonte të lente pikë dhe trimat i përkrah edhe fati e në sekondat e fundit të ndeshjes (90+6’) me golin e Leonit Abazit, skuadra mori pikët që donte. Ishte kjo festë e madhe ndaj një kundërshtari, ashtu siç ishte parashikuar, arrë e shumë e fortë, por jo edhe e pathyeshme.
Ishte Lumbard Dellova që i krijoi Prishtinës epërsinë (52’), por në një ndeshje aspak të qetë, herë-herë me shumë tensione dhe rekord numër kartonësh të verdhë nga të dy palët, vendasit barazuan pas një mosmarrëveshje në mbrojtjen e Prishtinës nëpërmjet Arbnor Mujës (90+1’). Por, fati sot ishte në anën e Prishtinës, që krijoi më shumë raste, sidomos në pjesën e parë e ku në total pati 10 tentime karshi 5 të vendasve dhe në sekondat e fundit, pas një topi të hedhur nga Mankenda dhe shtyrjes së tij nga Zyba të i krijohet Abazit mundësia për gjuajtjen e përsosur dhe s’kishte si mos ta realizonte atë gol me aq shumë vlerë.
Festa pas fitores ishte e madhe dhe e kuptueshme, momentalisht me një ndeshje më shumë të zhvilluar ka arritur me pikë Dritën dhe ndodhet një tjetër larg Ballkanit.
Skuadra ka arritur në 16 ndeshje rresht pa humbje, prej tyre 13 kampionale dhe tani përfundimisht mund të konsiderohet se jemi në luftë direkte për titull.
Pas një jave, Prishtina e pret Llapin në “Fadil Vokrri” në javën e 23-të.
Java XXII
Trepça ’89 – Prishtina 1-2 (0-0)
Golat: Arbnor Muja 90+1’ – Lumbardh Dellova 52’, Leonit Abazi 90+6’
Gjyqtarë: Gramos Shala, Fatlum Berisha, Hekuran Osmani, Vigan Ibërdemaj
KV: Arb. Muja, Ard. Muja, Pllana, Takalani, Llapashtica, Idrizi, Rahmani, Islami – Shillova, Mici, Abazi, Bardhoku, Lilaj, Dellova
Pozita jashtë lojës: T89 2-1 Pri
Kornerët: T89 4-7 Pri
Gjuajtjet totale: T89 5-10 Pri
Gjuajtjet në portë: T89 4-5 Pri
Trepça ’89: 12. Ardit Hyseni – 3. Albion Pllana, 5. Gustavo Cabonieri (87. Lulzim Peci – 87’), 7. Rilind Nimani (11. Robert Rahmani – 36’ – 13. Valon Dedia – 87’), 8. Arbnor Muja, 10. Mohamed Darwish, 14. Ardian Muja, 15. Muharrem Jashari /c/, 17. Adenis Shala, 21. Zeki Ademi (4. Nikson Memaj – 66’), 25. Happy Mashau. Kryetrajner: Shpëtim Idrizi.
Prishtina (4-3-3): 12. Ardit Nika – 2. Besnik Krasniqi, 28. Leotrim Bekteshi /c/, 5. Lumbardh Dellova, 18. Gledi Mici – 4. Tun Bardhoku (88. Sabien Lilaj - 73’), 20. Qendrim Zyba, 10. Endrit Krasniqi (22. Genjtan Muça – 90’) – 23. Leonit Abazi, 9. Leutrim Kryeziu, 17. Alban Shillova (15. Gauthier Mankenda – 77’). Zëvendësues: Eglant Haxho, Lorik Boshnjaku, Enis Gavazaj, Albin Prapashtica. Kryetrajner: Zekirija Ramadani.
Golat/rastet:
5’ Aksion nga e majta, Abazi, E. Krasniqi dhe në fund Zyba gjuan furishëm, por jashtë portës.
14’ Mashau gjuan me kokë pasi që më parë topi u devijua pas një ndërprerje, jashtë.
28’ Trysni e Prishtinës, pasime të E. Krasniqit, Zybës e në fund nga e djathta provon Kryeziu, por jashtë.
31’ Super aksion nga e majta, Mici, Abazi e harkon në shtyllën e dytë, Kryeziu e kthen para portës, gjuan Zyba, pret portieri, topi sërish te Zyba, por tani i pasaktë, jashtë.
34’ Aksion nëpër qendër, Dellova, Zyba horizontale në zonë te Kryeziu gjuajtjen e të cilit e ndal portieri vendas, këndore.
45+1’ Tani Dellova top të lart horizontal në zonë, Shillova gjuan, portieri Hyseni intervenon.
52’ Leonit Abazi e harkon këndoren e majtë në shtyllën e parë, e Qendrim Zyba mjeshtërisht me kokë e hedhë në shtyllën e dytë nga prej afërsisë Lumbardh Dellova me gjuajtje vollej mposhtë portierin vendas. Goli i parë i Dellovës me Prishtinës. 0-1.
61’ Pas këndores së E. Krasniqit, Zyba gjuan drejt në portier.
65’ Jashari e harkon këndoren, Mashau gjuan lartë me kokë.
67’ Depërton nga e majta Darwish dhe e pason te Arbnor Muja i cili nga pozitë ideale gjuan jashtë.
73’ Aksioni i mirë i Trepçës ’89 ndalet në momentet e fundit pas intervenimit të Nikës para Arbnor Mujës.
80’ Jashari gjuan rreptë, intervenon Nika, këndore.
86’ E. Krasniqi e fut Kryeziun në zonë i cili gjuan, por e lartë.
90+1’ Aksion i mirë i Trepçës ‘89, pasim i bukur për Arbnor Mujën i cili ikën edhe Nikës që kishte lëshuar portën dhe - 1:1
90+4’ B. Krasniqi harkon këndoren e djathtë, Muça gjuan me kokë, por lehtë drejt në portier.
90’+6 Aksion dhe top i gjatë nëpër qendër, Mankenda e shtyn deri te Qendrim Zyba që lufton fortë në mesin e dy futbollistëve vendas dhe ia del të prek topin aq sa Leonit Abazi të pranonte me gjoks, t’i lirohej pozita dhe me gjuajtje të saktë në këndin e kundërt shënon golin e tij të 6-të sezonal për Prishtinën – 1:2.
Deklaruan:
Debatik Curri: Normalisht ishte ndeshje shumë e vështirë. E kemi ditur paraprakisht dhe jemi përgatitur për këtë takim duke e ditur se gjithmonë në Mitrovicë kemi hasur në vështirësi, sidomos ndaj një skuadre që kishte seri pozitive dhe në formë mjaft mirë. Kemi qenë pak të lodhur pas të gjitha këtyre ndeshjeve, por ekipi ka treguar karakter dhe një frymë e cila do të na ndihmoj shumë gjatë ecurisë së kampionatit. Me këtë fitore jemi ngritur edhe më lartë dhe tani do ta kemi qetësinë gjatë javës dhe të përgatitemi sa më mirë për dy ndeshjet e radhës që i kemi si vendas në Prishtinë.
Leonit Abazi: Çfarë të them përveç se nuk ka më lumturi se të shënon në sekondat e fundit dhe t’i sjellësh skuadrës tre pikë të reja. Sinqerisht po ndjehem jashtëzakonisht i lumtur për fitoren e merituar. Do të ishte shumë keq të dilnim me barazim, sepse barazimin do ta llogarisja sikurse humbje.
Lajme tjera