Lajme

Java XXIII: Prishtina – Ferizaj

Java XXIII: Prishtina – Ferizaj

Futbollistët duan fitore për trajnerin e ri

Prishtinë, 30 mars, 2017 – Prishtina dhe Ferizaj hapin javën e XXIII të Vala Superligës duke zhvilluar nesër ndeshjen në Podujevë nga ora 15.00.

Kryetrajneri, Arsim Thaqi, nuk ka probleme të mëdha mungesa, vazhdojnë të mungojnë dy të rinjtë, Blend Baftiu dhe Bleon Sekiraqa, kurse Ahmed Januzi tani më është rikthyer seancave stërvitore.

Java XXIII

Prishtina – Ferizaj

E premte, 31 mars – ora: 15.00

Stadiumi: “Zahir Pajaziti”, Podujevë

Gjyqtarë: Fatmir Tahiri (Mt), Jakup Musolli (Pd), Imran Kabashi (Mt) – Tefik Maloku (Pd)

*Drejtpërdrejt në Supersport Kosova

Statistikat:

Ferizaj dhe Prishtina takohen të premten (15.00) në ndeshjen e 35-të zyrtare të pasluftës. Takimi i takon javës së XXIII të Vala Superligës.

Prishtina dhe Ferizaj janë takuar dy herë në edicionin e sivjetmë, e fundit para pesë javëve (0:0 në Ferizaj, kurse në Kastriot 1:0 për Prishtinën).

Ferizaj nga pesë ndeshjet e fundit kampionale, njëherësh pesë ndeshjet e stinorit pranveror, nuk ka pësuar humbje duke luajtur katër ndeshje baras dhe një fitore.

Kurse Prishtina ka dy fitore, dy humbje e një barazim. 

Në 34 ndeshjet zyrtare që nga vitit 1999, kampionat dhe kupë, Prishtina ka bilanc absolutisht pozitiv, si pak skuadra tjera ndaj Ferizajt, sidomos në fushën e tyre.

Nga 34 ndeshje, Prishtina ka 21 fitore, 4 fitore Ferizaj dhe 9 here takimet janë mbyllur baras, me golldallim +34 për Prishtinën, 55:21 (një ndeshje nuk ishte zhvilluar, Ferizaj ishte tërhequr nga garat, kishte fituar Prishtina në tavolinë 3:0 dhe nuk e kemi regjistruat në statistika).

Në Ferizaj, nga 18 takime, Ferizaj ka të katër fitoret e vetme, kundruall 6 barazimeve dhe 8 humbjeve me goldallim -9, 14:23.
Në Prishtinë, duke e llogaritur edhe finalen e Kupës në vitin 2013, nga 16 takime, Prishtina ka 13 fitore dhe 3 barazime, me goldallim +25, 32:7.

Fitorja e fundit e Ferizajt daton para gjashtë ndeshjeve, në javën e XII, në vjeshtë të vitit 2013 të edicionit 2013/14, 1:0 (Qendrim Dautaj 37’).

Rezultati më i shpeshtë në përballjet e dy skuadrave ka qenë 1:0, plotë 8-herë. Prishtina ka fituar 5-herë (3 vendas – 2 në Ferizaj) dhe Ferizaj 3-herë (si vendase).

Ferizaj, nga katër fitoret, të gjitha i ka me një gol më shumë, pra 3-herë 1:0 dhe 1-herë 2:1.
Kurse, Prishtina ka disa rezultate të thella, si 4:0 (2-herë), 4:1 në Ferizaj, si dhe 3:0 dhe 4:2.

Nga 55 golat e Prishtinës i kanë shënuar 36 futbollistë. 11-futbollistë kanë shënuar më shumë se një gol. Prijnë Malsor Gjonbalaj (1x2) dhe Azem Ahmeti me nga 4 gola, Sheremet Isufi (1x2), Liridon Latifi (1x2), Emin Baliqi (1x2), Nikollë Dushi me nga 3 gola.

Nga 21 golat e Ferizajt, kanë shënuar 18 futbollistë dhe prinë me 3 gola Avdyl Haliti (1x2) dhe Sherif Topalli me 2 gola, të gjithë të tjerët e kanë nga një gol të shënuar.  Nga futbollistët aktivë të skuadrës, më së shumti ka shënuar, Liridon Kukaj me 2 gola.

Në 43 ndeshje, Prishtinës i kanë prirë 11 trajnerë. Prej tyre, tre trajnerë kanë udhëhequr më shumë se katër ndeshje. Prin bindshëm Ajet Shosholli me 8 ndeshje (5 fitore, 1 barazim e 2 humbje). Ramiz Krasniqi ka 7 ndeshje (4 fitore e 3 barazime) dhe Afrim Tovërlani me 5 ndeshje (3 fitore, 1 barazim e 1 humbje).

Ferizajn e kanë udhëhequr 10-trajnerë. Mbi katër ndeshje – tre trajner. Prin bindshëm Naim Sojeva me 10 ndeshje (2 fitore, 2 barazime e 6 humbje), Arsim Abazi me 8 ndeshje (1 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje) si dhe Rexhep Murseli me 5 ndeshje dhe rekord të zi prej 5-humbjeve.

Nga përballjet e trajnerëve, vetëm dy prej tyre kanë më se dy përballje. Ajet Shosholli dhe Naim Sojeva janë përballur plotë 7-herë. Shosholli ka qenë më i suksesshëm me 4 fitore, 1 barazim dhe 2 përballje i ka fituar Sojeva.

Statistikat i përpunoi: Avni DURMISHI